Ndonëse me vonesë, por sidoqoftë ishte vërtet emocionuese, kur në Muzeun Kombëtar të shihje Paolo Rosin, Marko Tardelin dhe Antonio Kabrinin. Me to edhe Arrigo Sakin dhe Abraham Klein. Një event që kishte sjellë në kryeqytetin tonë, një histori, një rikthim edhe për brezin tim, me ato personazhe, futbollistë emra legjendarë me të cilët është e lidhur një pjesë e rëndësishme rinisë sonë.
Befasi, kur për një çast, u prezantuan dolën para mikrofonit, pastaj minuta, kohë e gjatë qëndrimi, komunikimi me ta, për Juventus, Inter Milan, Spanjë ’82, tek ato ndeshje, episode, me Italinë kampione bote. Një impakt tejet i veçantë, impresionues. Fizikisht mungonte Paolo Rosi, goleadori i shquar, emblema, simboli i futbollit italian. Ndonëse ka disa vite që është ndarë nga jeta, por ai ndodhej aty, midis nesh, falë një ekspozitë jetësore, me gjithçka nga karriera, emra, fama, kontributi, gjithçka që ka lanë e cila u përurua në mjedisin e këtij muzeu.
Falë iniciativës, dëshirës së gruas së tij, gazetares, Federika Kopeleti dhe të një angazhim i institucional, e mbështetur, e mirëpritur nga shteti shqiptar, federata e futbollit, ambasada italiane, për ta sjellë Paolo Rosin në Tiranë. Për mua, brezin tim, pasionantë, ndjekës edhe të futbollit italian, Rosi-Tardeli-Cabrini, të admiruar në vite kanë qenë emra, që na kanë lidhur, afruar, kur me veshin pranë radios, televizorëve edhe pse të ndaluar i kemi ndjekur pa iu ndarë. Për një çast më rikthyhen tek ato të diela në mesditë kur nga zërat e radiokronistëve Bortoluzi, Ameri, Cioti, Martelini, Pizul, ndiqnim plot dëshirë, emocion Serinë A.
Ka qenë një mënyrë, një formë komuniki mi me atë futboll ata lojtarë, skuadrat, një pasion e arkivuar tashmë, por i pranishëm në jetën e kryeqytetasve, të shqiptarëve simpatizantë të futbollit italian në vitet ‘70-‘80- të. Për një moment, duke qenë përballë tyre, mu rishfaq botërori, “Spanjë ‘82″. Si i kemi parë ndeshjet e Italisë, çfarë ishin ato për ne, kur të futur në një apartament të vogël, përballë një televizori bardhezi “Ilira”, apo “Dajti” rreziku që të ndiqte nga pas dhe një Tiranë që tronditej nga golat e Poalo Rosit. Entuziazmin, një rini që shpërthente në rrugët e Tiranës, me komente deri në orët e vona të natës. Mbi të gjitha, takimi Itali-Brazil.
Ende kanë mbetur emocionet e asaj sfide spektakolare, e përjetuar në çdo familje, grupe, miq shokë, shkollë, universitet, qendra pune, dikastere, kudo. Njerëz të ndarë në tifozë të Italisë, Brazilit, ato 90-të minuta, vështirë të harrohen edhe pse shumë vite kanë kaluar. Golat e Paolo Rosit, Sokrates, Falkaos dhe 3-2 për “axurrët”. Protagonist i asaj sfide ka qenë edhe një arbitër nga Izraeli, një tjetër befasi, kur nga organizatorët Abraham Klein ishte i ftuar, i pranishëm në përurimin e ekspozitës së Paolo Rosit. Një personazh i jashtëzakonshëm, një vërshëllimë mitike, emër i madh i arbitrimit botëror, veçanërsht i atij 90-të minutëshi. Pastaj finalja Itali-Gjermani, 3- 1, 11-të metërshi i humbur nga Kabrini, pastaj goli, ulërima e Marko Tardelit pas realizimit të golit të dytë spektakolar të tij. Ato ndeshje, ato futbollistë, golat kanë qenë edhe një pikë referimi, e atyre brezave, si një formë, mënyrë reagimi, ndaj atij sistemi, asaj censure. Nuk kemi mundur t’i takonim, t’i ftonim në ato vite, kur Italia e Bearzotit, Milani i Arrigo Sakit triumfonin në Europë e botë.
E paharruar ndeshje “Over ‘45″, në tetor të 2000, Shqipëri-Itali me Poalo Rosin përballë Mustës, Targajt, Përnaskës, Kolës, në atë sfidë argëtuese për ata në fushë, spektatorët e shumë në “Qemal Stafa”. Ruja gjithçka, pasi kam pasur fatin të isha arbitër në atë ndeshje spektakli. Shumë vite më pas, i ndodhur në mjedisin e Muzeut Kombëtar, nuk e kisha menduar se për një çast do të ishim së bashku, për çfarë përcolli mbrëmja e 1 shkurtit 2024 kur RosiTardeli-Kabrini, kishin zbritur në Tiranë. Pastaj ekspozita, një mrekulli e vërtetë, një emocion më shumë.
Nga fanellat e Paolo Rosit tek ato të Di Stefanos, Eusebios, Riverës, Jashinit, Krujf, Rumeniges, Platini, Myler, Best, pa fund, pastaj Kupa e trofe, foto, gola, të ruajtura e nxjerrë nga arkivi personal i Paolo Rosit, të cilat familja e tij i ka sjellë në Tiranë, me kënaqësinë dëshirën për t’i ekspozuar, ofruar qytetarëve, rinisë, amatorëve, njerëzve të thjeshtë e të të gjithë moshave.
Një trashëgimi që lidh breza, pasione, dëshira dhe mentalitete në kohë, me vlerë historike, tejet interesante, një mundësi më shumë për kureshtarët, koleksionistët. E veçantë, si asnjëherë në të kaluarën një e tillë e prezantuar në Tiranë, e atij formati, dimensioni të rrallë, ku secili nga ne, gjen, ka një pjesë të asaj rinie, atij pasioni, e nostalgjie të pamohueshme, të papërsëritshme. Panorama