I ribotojmë në 17 vjetorin e 24 Marsit 1999
Paranteza e hapjes
Po bëhej një vit i plotë, ndoshta ishte pikërisht korriku i vitit që shkoi që kur e kisha shkruar esenë « Bibla për Prishtinën » dhe ajo tashmë ishte botuar në librin e eseve e të vështrimeve letrare « Mrekullia e shkrimit ». Asokohe as mendja nuk më kishte shkuar se tash, gati plot një vit më vonë, do të shkruaja një libër të një natyre krejt tjetër, e që do të mbante titullin « Një lutje për Prishtinën ». Por, më vonë që kur filluan sulmet ajrore të NATO-s kundër objektivave të ushtrisë e të policisë serbe dhe që kur vendosa të mbaj shënime për atë që po ndodhte e që po përjetoja gjatë 82 ditëve sa qendrova pothuaj krejtësisht i mbyllur në Prishtinë, e kisha të qartë se ky libër do ta ketë pikërisht këtë titull.
Mbase shpjegimet më të mira për arsyet pse po e nxirrja në krye të librit pikërisht këtë titull mund të gjenden në vetë librin dhe në përmbajtjen e tij. Megjithatë, një shpjegim i rastit kujtoj se është i nevojshëm, në mos për asgjë tjetër, atëherë për faktin se ky titull, pak a shumë, përsëritet në këta dy libra. Në librin e parë ai është, siç e thamë, titull i një eseje letrare të veçantë, por që kishte për kontekst ngjarjet dramatike në pjesën më të madhe të Kosovës gjatë pranëverës dhe verës së vitit 1998 dhe kur lufta po i kanosej vetë Prishtinës.
Pikërisht në ato rrethana, një regjisor e një dramaturg yni me autoritetin e profesionit, po më sugjeronte ta lexoja dramën « Bibla » të Berthold Brehtit.
Vetëm pasi e lexova atë dramë krejt të shkurtër, pashë se ajo sugjeronte një ngjashmëri të kobshme midis Amsterdamit dhe Prishtinës dhe se pikërisht kjo kishte qenë arsyeja pse miku im po ma preferonte për lexim tekstin e kësaj drame.
Ishte viti 1913 kur u shkrua ajo dramë dhe ishte situata tragjike e pushtimit të Amsterdamit nga protestanët në fillim të këtij shekulli, që Brehti po e bënte temë dhe prokupim të kësaj drame. Duke parë se qyteti po digjej, Gjyshi po e mallkonte Vajzën – mbesën e tij me « Bibël » në dorë, dhe po përpiqej ta ngushëllonte me perlat e urtisë nga ky libër i shenjtë, ta bindte se duhet të mos e pranojnë kapitullimin para ushtrisë katolike dhe se e vlente që të sakrifikoheshin për qytetin e tyre.
Fati i keq i Amsterdamit të para gati një shekulli vetvetiu ma kujtoi një situatë që disi lidhej me Prishtinën një gjysmë shekulli më vonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Flitej që kur isha fëmijë se ishte një hoxhë që e kishte shpëtuar Prishtinën pa u dëmtuar gjatë luftës së para më se pesë dekadave. Njëri nga hoxhallarët më të njohur të qytetit, me “Kur’an” në dorë dhe bashkë me disa kryefetarë të tjerë, i kishin rënë tri herë rrotull Prishtinës dhe ishin lutur për fatin e saj. Besohej verbërisht se kjo lutje e hoxhës e kishte shpëtuar qytetin nga flaka e luftës. Avionët gjermanë kishin fluturuar mbi Prishtinën, por thuhej se ata, në vend të qytetit, kishin parë vetëm ujë! Kështu thuhej e kështu flitej për Prishtinën dhe për hoxhën që kinse e kishte shpëtuar atë.
Kaq përsa i përket këtij eseu letrar, i cili ishte shkruar në një kohë lur lufta po i kërcënohej edhe Prishtinës dhe ajo sugjerohej me vetë titullin që i ishte vënë në ballë. Por, në ndërkohë, ky kërcënim pothuajse po bëhej realitet, një realitet tragjik për Prishtinën dhe për gjithë Kosovën. Regjimi serb po refuzonte me këmbëngulje nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë për një zgjidhje kalimtare për çështjen e Kosovës, kurse sulmet ajrore kundër objektivave të ushtrisë e të policisë serbe po bëheshin të paevitueshme. Ato filluan më 24 mars dhe përfunduan më 9 qershor dhe ishin pikërisht këto sulme të fuqishme të NATO-s që i erdhën në ndihmë popullit shqiptar dhe që e detyruan Serbinë të kapitullojë.
Gjithë këtë kohë qendrova në Prishtinë bashkë me Gruan e me Djalin e me disa miqë dhe ishin këto 78 ditë të frikës e të shpresës dhe 4 ditë të tjera të besimit të madh se forcat e Aleancës do t’i detyrojnë forcat serbe që të kapitullojnë dhe t’i nxjerrin jashtë Kosovës, ashtu siç ishin marrë veshë në Kumanovë. Kjo është arsyeja pse si njësi të matjes së kohës janë ditët e vetmisë e të besimit, vetë netët e gjata të frikës e të shpresës dhe jo datat, të cilat rëndom e nënkuptojnë vetëm një rrjedhë sukcesive të kohës.
Fakti se gjatë gjithë kohës sa zgjatën sulmet ajrore të Aleancës qëndrova në Prishtinë, vetvetiu e bën reale situatën kur me qindra herë po i kujtoja, edhe hoxhën plak të Prishtinës me “Kur’an” në dorë, edhe personazhin plak të Brehtit tek po e ngushllonte Vajzën me citatet e “Biblës”. Kjo është arsyeja e parë pse vendosa që, në ballë të librit, të nxjerr pikërisht këtë titull. Lidhja midis dy situatave dhe referencave brenda saj ishin të forta dhe doja që t’i kujtoj, edhe në këtë mënyrë, si kërcënim potencial që po i bëhej Prishtinës gjatë verës dhe vjeshtës së kaluar, ashtu edhe rrezikun e shfarosjes së banorëve të saj dhe djegies së gjithë qytetit, kësaj pranvere të kobshme e tragjike për gjithë Kosovën.
Arsyeja tjetër pse e pagëzova pikërisht me këtë titull është më esenciale. Ajo lidhet me faktin se jam i bindur se të gjithë shqiptarët, gjatë atyre tre muajve, do të jenë lutur në mënyrën e vet për Kosovën, për familjen e për shtëpinë, për katundin e për qytetin e tyre. Nuk po zbuloj asnjë fshehtësi nëse them se gjatë dy muajve e gjsmë sa qëndrova në një ekzil të brendshëm nëpër tri-katër apartamente në kuartin “Dardania” të Prishtinës, me qindra herë isha lutur për fatin tim, për fatin e familjes, për fatin e miqëve e të kolegëve, për fatin e gjithë njerëzve, që i njihja dhe që nuk i njihja, dhe për fatin e qytetit e të gjithë Kosovës.
Kështu si unë do të jenë lutur dhe shumë banorë të tjerë të Prishtinës. Por, ndryshe nga ata që për fatin e qytetit të tyre luteshin nën qiellin e hapur apo nën tenda, larg Kosovës si refugjatë apo nëpër burgjet e errta e të lagështa të Serbisë, unë pata fatin që lutjen për Prishtinën, vetë biblën për fatin e saj, t’i bëja dhe t’i krijoja duke qenë në qytet. Prishtinën e duan dhe e kanë dashur njësoj, si ata që kanë qenë të detyruar ta braktisin nën kërcënimet serbe, ashtu edhe ata që kanë qëndruar në qytet gjatë kohës së sulmeve. Këta të fundit, që assesi nuk ishin pak, ndërkaq, kanë pasur mundësinë që ta përjetojnë jo vetëm dhembjen e papërshkrueshme të zbrazjes së Prishtinës dhe dominimin er saj të plotë e të egër nga forcat banditeske serbe, por edhe vetë çlirimin dhe ringjalljen e saj. Ky është privilegji i tyre i madh dhe pikërisht këtij privilegji i detyrohet libri që pason.
1.
Vranësirat e papritura, një erë e ftohtë dhe pluhuri që ngrihej dendur rrugëve të Prishtinës e bënin ditën e 24 marsit krejt të veçantë dhe i jepnin asaj dimensione të paparashikueshme.
Sulmet e Aleancës kundër caqeve ushtarake serbe priteshin për në mbrëmje dhe dukej se ajo do të vinte më shpejtë se kurrënjëherë përpara, bashkë me errësirën e natës. Ishin pikërisht këto vranësira dhe ky pluhur, kjo pritje dhe kjo bindje për sulmet e paevitueshme që i bënin njerëzit të ndiheshin disi me ndjenja të përziera. Askush nuk e fshihte gëzimin që Aleanca do të sulmonte nga ajri forcat kriminale serbe dhe do të kryente ndaj tyre hakmarrjen e madhe për gjithë ato krime që serbët tashmë po bënin kundër shqiptarëve dhe pasurisë së tyre, si dhe do ti detyronte ata që të tërhiqen njëherë e përgjithmonë nga Kosova.
Por, ndjenja e pritjes dhe gëzimit, ky koktej emocionesh disi të ndrydhura, shoqërohej nga droja se mos regjimi serb pikërisht këto sulme nga ajri do t’i merrte si pretekst për t’i qëlluar pa asnjë mëshirë shqiptarët në tokë, për të bërë krime monstruoze mbi ta dhe për ta spastruar etnikisht Kosovën. Nuk kishte asnjë dilemë se Aleanca do ta zotëronte qiellin dhe se atje lart ajo do ta fitonte luftën kundër serbëve dhe armatës së tyre kriminale. Por, po ashtu, nuk kishte asnjë mëdyshje se ushtria dhe policia serbe tashmë lishin vendosur pushtetin e dhunës e të tmerreve në tokë dhe ishte ky moment që i tmerronte shqiptarët dhe që e bënte më të frenueshëm dhe disi me emocione të përziera gëzimin për intervenimin tashmë evident të Aleancës.
Frika nga hakëmarrja serbe bëri që shumë familje të strehoheshin jashtë Kosovës katër-pesë ditë para se të fillonin sulmet kundër forcave serbe. Veçmas shiheshin familje që me nguti po i strehonim fëmijët në Maqedoni. Tek po ngjitesha shkallëve të pallatit ku banoja, në pjesën qendrore të lagjes “Dardania”, pashë njërin nga fqinjët që, bashkë me fëmijët, po zbriste me nguti e me një nervozë shkallët temoshtë. Po shkojnë, i thashë vetes, pa qenë i sigurtë se do t’ia dalim t’i shpëtojmë thikës serbe. Nëse e lëshojmë Kosovën kjo do të jetë fitorja më e madhe dhe përfundimtare e serbëve, po e ribindja veten.
Forcat e Aleancës po përgatiteshin që ta sulmonin Serbinë dhe, pastaj, të vendoseshin në Kosovë, mbi bazë të Marrëveshjes së Rambujesë, e cila ishte një kontratë politike midis shqiptarëve dhe Aleancës. Avionët evroamerikanë tashmë po bëheshin gati për ta sulmuar Serbinë, kurse shqiptarët po e lëshonin Kosovën nga frika e hakmarrjes së përgjithshme serbe!mKy ishte paradoksi dhe nuk kishte si të mos pyetej njeriu me gjithë zë se për kë do ta bëjë luftën Aleanca!?
Shqiptarët po vepronin me nguti që t’i iknin hakmarrjes serbe dhe nuk dihej kush do t’i priste forcat e Aleancës në Prishtinë, po u zbraz Kosova kështu si ka filluar. Kjo e kishte shtyrë Rexhep Qosjen që dje t’u bënte një thirrje dramatike e me plot patetikë njerëzve për të mos e lëshuar Kosovën.
Atmosferën e luftës dhe të sulmeve po i bënte krejtsisht reale fakti se Beogradi kishte shpallur mbrëmë zyrtarisht gjendjen e rrezikut të drejtpërdrejtë nga lufta dhe kishte koncentruar forca të mëdha ushtarake e policore në Kosovë. Ky përqëndrim forcash të mëdha ushtarake e policore në Kosovë. Ky përqëndrim forcash ishte i madh e sistematik, që prej fillimit të Konferencës së Rambujesë. Hamendjet nëse do të ketë ose jo sulme nga ajri pothuaj ishin evituar krejtësisht. Por, ende nuk dihej nëse, bashkë me goditjet nga ajri, do të ketë edhe intervenim të forcave tokësore dhe si duhej të silleshin shqiptarët në këto rrethana krejtësisht të reja dhe të rrezikshme.
Pikërisht me këto dilema dhe me këto imazhe të ngrysta për atë që po pritej të ndodhte, hyra brenda në apartament. Dija se një pjesë e familjes prej ditësh po endej katundeve të llapit, por nuk më kishte shkuar mendja se do t’i shoh ashtu të lodhur, të hutuar dhe të frikësuar. Nëna dhe vëllai me fëmijët që prej dhjetë ditësh e kishin lëshuar Gllamnikun dhe ishin strehuar në disa fshatra të Gallapit, ku po bënte dimër i egër dhe një pjesë të udhës e kishin bërë, duke qenë të detyruar të ballafaqohen me borën dhe me fërfëllazën. Në Prishtinë kishin arritur para pak 4astesh dhe, tek po interesohesha për shëndetin e tyre, pashë se ishin lodhur dhe se kishin frikë për atë që mund të ndodhte që sonte.
– A do të sulmojnë – Më pyeti Ganiu, kurse fëmijët e prisnin përgjigjen me ndjenjën e gëzimit të fshehtë. Nëna nuk ngurroi të thoshte se kishte frikë për mua, që isha deklaruar hapur pro sulmeve të Aleancës dhe kisha kërkuar publikisht që goditjet nga ajri të shoqëroheshin me intervenimin e trupave tokësore.
– Po, do të sulmojnë që sonte, – thash. Mbrëmë Solana ia ka kaluar urdhërin për sulme Klarkut. Ky i fundit e ka për detyrim që brenda 24 orësh të fillojë me sulmet nga ajri kundër caqeve ushtarake e policore serbe – ia shpjegova vëllait, duke qenë krejtësisht i sigurt se vërtet sulmet ajrore do të fillojnë që më 24 mars para mesnatës.
Ata u shikuan mes veti. Por, nuk thanë asgjë. Heshtjen e theu papritur zilja e telefonit. Një mik imi interesohej të dinte se çfarë duhej bërë. Ai po më thoshte se qyteti tashmë po hynë në një gjendje paniku. Duhet të dal dikush dhe të marrë guximin e të thotë se çfarë duhet të bëjë populli. Njerëzit kanë filluar që tash të mendojnë si të largohen nga qyteti, kurse në këto momente kur po afrohet nata. Miku im po ngulte këmbë se, jo sall Rexhep Qosja, por d. Ibrahim Rugova, të cilin populli e zgjodhi kryetar të Republikës së Kosovës, është ai që i pari duhet t’i bënte thirrje popullit që të mos e lëshojë Kosovën.
– Ne nuk mund të rrimë në këtë banesë – tha Ganiu. – Do të shkojmë tek Fazliu, kurse ti duhet të gjesh ndonjë vend tjetër për disa ditë, – po ngulte këmbë ai.
– Po, – i thashë. – Kjo është banesë që mund të kontrollohet nga policia që sonte, – plotësova veten, pa qenë i sigurtë se ku do të shkonim unë, gruaja dhe dy fëmijtë.
Kishte disa ditë që po mendoja për mundësinë e largimit të përkohshëm nga banesa. Për veten isha i sigurt se nuk do të dal jashtë Kosove. Mund të strehohem diku për ndonjë ditë. Jo më shumë. Fëmijët, kisha menduar, se mund t’i nxjerr jashtë, nëse rrezikohemi përfundimisht. Vetë në asnjë mënyrë nuk do ta lë Prishtinën. Fëmijët dhe gruaja – ndoshta. Por, momenti i sulmeve po afronte shpejt, kurse unë nuk kisha ndërmarrë asgjë, as për veten dhe as për fëmijët.
Vëllai me nënën dhe me fëmijët dolën. Nënës ia pashë një lot tek po i lëvizte poshtë faqeve. Ajo u mundua ta fshehë lotin nga unë, që po përpiqes
ha ta ngushlloja se do të bëhet mirë, se më në fund gjërat do të vendosen në vendin e vet. Ishte ora 17. Në banesë mbetëm unë, gruaja dhe dy fëmijët. Ata më shikonin mua, ndërsa unë po hamendesha, pa ditur çfarë duhej të bëja.
-Sonte nuk do të jemi bashkë, u thashë.
Këtë zgjidhje e kisha menduar që nga mesdita, pa qenë i sigurt nëse kjo ndarje e shpejtë dhe e papritur do të zgjaste vetëm një natë. Ata më vështruan ftohtë. Sikur e kishin pritur që moti këtë propozim. Bahria dhe Besiani do të shkonin në shtëpinë e vjehrrës, të cilën e konsideronim pak më të sigurtë, ndërsa unë me Berianën do të qëndronim në banesë. E kishim të qartë se kjo nuk ishte një zgjidhje që ofronte farë sigurie. Por, të paktën, nuk deshëm që të jemi të gjithë bashkë. Nëse do të ndodhte më e keqja, nëse serbët do të vendosnin të na vrisnin , atëherë të paktën kjo të mos na gjente të gjithëve përnjëherë dhe jo në një vend. Kërë parandjenjë nuk ua thashë të tjerëve – as gruas, as djalit dhe as vajzës. Por, jam i sigurt se ata e dinin arsyen pse nuk do të duhej të qëndronim bashkë.
Sulmet e para na gjetën duke biseduar për mundësitë që, bashkë me Vajzën, të gjejmë një zgjidhje tjetër, që të mos e bënim natën në banesë. Kishte dy orë që Bahria me Besianin kishin shkuar te Selushi, kurse unë me Berianën po hamendeshim. Por, tashmë ishim vonuar me hamendjet tona. Ishte ora 20.04 minuta.
Makineria e sulmeve ajrore të Aleancës po vihej në lëvizje kundër caqeve serbe dhe po fillonte ndëshkimi kundër forcave kriminale ushtarake e policore serbe. Bashkë me sulmet e para të vionëve dhe raketave të Aleancës në aeroportin ushtarakë në Sllatinë dhe në qendrën e stërvitjes së policisë speciale serbe në Ajvali, Prishtina ngeli pa korrent. Momenti ishte tepër i veçantë. Aleanca po hynte në luftë kundër Serbisë dhe sulmet e saj, objektivisht, ishin në anën e shqiptarëve. Rrugët e Prishtinës përfundimisht, po bëheshin të shkreta e krejtësisht të pasigurta dhe, tashmë, ishte e qartë se unë dhe Vajza ishim të detyruar që natën ta bëjmë në banesën tonë.
– Po digjet ndërtesa e Presidencës, – po më thoshte me telefon një zë i panjohur. – Objekti i Qendrës për Informim të Kosovës tash për tash ka shpëtuar. Por, Presidenca është vjedhur, është thyer dera kryesore në fillim dhe pastaj i është dhënë flaka, – më fliste një nga rojet e natës në objektin e “Unikosprojektit”, që gjendej vetëm disa metra larg Presidencës. Ai po shpjegonte se vetëm një orë pas sulmeve të para kishte dëgjuar disa njerëz që me nguti po i afroheshin objektit. E kishin thyer derën, kishin nxjerrë jashtë dokumentacionin dhe më pas ia kishin dhënë flakën objektit. Zëri po i dridhej tek po e përshkruante atë që kishte parë. Derisa po pyeste çfarë do të mund të bënte ai për objektin e Presidencës që po përfshihej nga flakët, u përpoqa ta qetësoj dhe i thashë që të ketë kujdes për veten.
Ishte vonë pas mesnate. Tek po përpiqesha të dëgjoja të gjitha lajmet e informacionet e mundshme, si nëpër fanitje, vërejta se po afronte mëngjesi.
2.
Kërcnimet serbe për dëbimet masive dhe për shfarosjen në maë të shqiptarëve tashmë po realizoheshin. Janë njoftimet e para për likuidimet e shqiptarëve në Prishtinë, në Mitrovicë, në Gjakovë në Prizren dhe në pjesë të tjera të Kosovës që të shtyjnë të mendosh nëse ishte dashur ose jo që politikanët dhe intelektualë të shquar shqiptarë t’i gjenin sulmet ajrore të Aieancës në Kosovë. Po të largoheshin nga Prishtina para se të fillonin sulmet, poIitikanët dhe intelektualët shqiptarë do të rrezikonin të akuzoheshin se ia kthyen popullit shpinën në ditët më të vështira. Kjo gjithsesi nuk do të ishte e lehtë për ta dhe nuk do të kalonte pa pasoja për autoritetin e tyre në popull. Por, duke mbetur në Prishtinë në një kohë kur Akanca kishte filluar luftën kundër forcave serbe, ata rrezikonin të likuidohen fizikisht ose që të keqpërdoren si është më së keqi nga kriminelët serbë.
– Në Mitrovicë u vra Latif Berisha. – më njofton Rexhep Gjergji. – Ky intelektual dhe veprimtar i shquar është vrarë mennjëherë pas sulmeve, para derës së shtëpisë, sipas një liste për ekzekutimin e intelektualëve dhe të veprimtaitve politikë, – po rrëfente me shqetësim një veprimtar politik, që kishte arritur të dalë nga Mitrovica. – Në shtëpinë e tij është likuiduar edhe udhëheqësi i sindikatës, Agim Hajrizi. Bashkë me të janë ekzekutuar edhe i biri 12 vjeçar dhe e ëma, – më thotë Rasim Cubolli, një inxhinier që me shumë vetmohim punoi me vite në Presidencë. – Mos di gjë më konkrete për fatin e avokatit Bajrain Kelmendi, – interesohet të dijë Adnani. – Di se është arrestuar pas mesnate bashkë me të dy djemtë – them. – Herët në mëngjes Nekibja ishte interesuar për fatin e tyre. Shko dhe pyet tek NATO-ja! – i ishte kërcënuar policia serbe, – i them.
Në dhomën tjetër Beriana po flinte ende. Ajo më bëri shoqëri pothuaj deri pak para se të agonte. Biseduam gjatë dhe disa herë gjatë natës më tha se kishte frikë për veten dhe për mua. Një mik imi interesohet të dijë nëse kemi mundësi të njoftojmë këdoqoftë nga të huajtë për këtë që po ngjet. Kur mori vesh se bashkë me mua në shtëpi gjatë gjithë natës ka qenë edhe vajza, tha se ishte i tmerruar dhe po më këshillonte që gjatë ditës të gjeja ndonjë vend tjetër për strehim.
Njoftimet për ekzekutimet e para m’i kujtuan kërcënimet e liderit të radikalëve serbëm, Vojisllav Sheshel, i cili, vetëm pak ditë më përpara, pa asnjë ekuivok, po e bënte publik planin serb për spastrimin e Kosovës. Ai e thoshte hapur se, nëse avionët e Aleancës e sulmojnë nga qielli, forcat serbe do të sulmojnë në tokë dhe nuk do të lënë asnjë shqiptar pa dëbuar nga Kosova. Por, duket se kërcënimet serbe nuk ishin kuptuar seriozisht, as nga politikanët shqiptarë dhe, me gjasë as nga faktorët politikë e ushtarakë ndërkombëtar. Këtë konstatim e bëjnë të qëndrueshëm hutia e përgjithshme, e cila u krijua që me ekzekutimet e para serbe dhe me veprimet e egra antishqiptare të serbëve si dhe vetë paniku që, për pasojë, po krijohej në popull.
Shqiptarët ishin të mrekulluar me forcën ushtarake të Aleancës. Ata më shumë dhe më përpara sesa me kërcënimet serbe e me rreziqet që projektoheshin kundër tyre n¨èe deklaratat e udhëheqësve serbë, po preokupoheshin me dëmet që do të pësonte armata kriminale serbe. Duket se atyre u interesonte hakmarrja e forcave të Aleancës kundër forcave serbe dhe pozjiaj e kishin harruar rrezikun që po u kanosej vetë atyre nga forcat kriminale serbe. Faktorët politikë dhe ushtarakë ndërkombëtar duket se llogarisnin që Beogradi do të dorëzohejpas sulmeve të para dhe ai pastaj do të përmbushte kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare. Këtu me gjasë e gjente mbështetjen arsyeja pase sulmet e mbrëmshme ishin të pakta dhe pa asnjë efekt ushtarak dhe politik.
Në telefon ishte Ganiu. Donte të dinte si e kisha kaluar natën dhe çfarë po planifikoja të bëja. Tashmë kishte dëgjuar për ekzekutimet e para në qytet dhe shihej qartë se ishte i shqetësuar për fatin tim.
…
—
PARANTEZA E MBYLLJES
Pikërisht tash e shoh të domosdoshme që ta bëjë publike dilemën e rëndë se a thua do të arrija ta përjetoja çlirimin e Kosovës, që t’u bija në fund shënimeve që pasojnë, dhe, më në fund, që ta kryeja dorëshkrimin e kësaj lutjeje për Prishtinën, që kësaj bible për fatin e gjithë shqiptar¨ve dhe tërë Kosovës.
Kjo dilemë më shoqëroi gjatë gjithë këtyre 82 ditëve. Por, ishte energjia e fuqishme e besimit se forcat e Aleancës do ta detyrojnë Serbinë të kapitullojë dhe do ta shpërblejnë sakrificën sublime dhe vetë luftën për çlirim të shqiptarëve që më mbanin gjallë dhe që më bënin që t’i mbaja këto shënime.
Nuk jam i sigurt nëse e kam thënë tashmë, por sidoqoftë e gjej të nevojshme të theksoj edhe një herë se shënimet për këtë libër rëndom i mbaja në mëngjes dhe vonë pasdite dhe ato këtu janë autentike. Ndonjë përsaktësim i domosdoshëm, thellimi i ndonjë situate dhe zhvillimi i ndonjë argumenti nuk kanë pse të përjashtohen. Por, marrë në përgjithsi , ato ruajnë rezonin dhe emocionin e momentit.
Si të këtilla, ato mund të konsiderohen jo sall shënime të një empirie, të asaj që po ndodhte gjatë atyre 82 ditëve të një egzili të brendshëm, por edhe njëfarë diagrami i reagimeve emocionale ndaj atyre ngjarjeve. Pra janë shënime jo vetëm për ngjarjet e për qëndrimet, për zhvillimet e për kthesat e një momenti historik, por edhe për vetë situatat dhe reagimet, për refleksionet dhe interpretimet, për emocionet dhe përgjasimet e paevitueshme të atij momenti historik e ekzistencial me situata e me ngjarje e me reagime të tjera të moçme e të reja.
Energjia e ringjalljes së Prishtinës dhe gjithë Kosovës mbas hyrjes së forcave të Aleancës, ndërkaq, ishte ajo që më bëri t’i përfundoj këto shkrime dhe ta kryej librin. Disa herë më ka ndodhur që gjatë kësaj kohe të dal nëpër rrugët e qytetit, të shëtis dy herë pothuaj gjithë Kosovën dhe të vërej e të prek e të ndiej nga afër tmerrin e vdekjes e të shkatrrimit dhe pulsin e jetës. Kam vështruar nga afër e me orë të tëra shtëpi të djegura, katunde e qytete të rrënuara, varreza individuale e kolektive dhe gjithëherë kam marrë mesazhin e njejtë se Serbia deshi ta djegë tokën e Kosovës dhe ta shfarosë popullin e saj shqiptar.
Por, poaq të fuqishme ishin mesazhet që shpërthenin nga prania e ushtarëve evroamerikanë, nga lëvizjet e nga veprimet, nga mendimet e nga besimi i pashembulltë i shqiptarëve për ndërtimin dhe rindërtimin e Kosovës. Nuk ishte vetëm kthimi i shpejt i shqiptarëve në Kosovë mrekullia që la pa frymë gjithë botën. Energjia e jetës dhe e punës, vetë fryma e ringjalljes së shpejtë të jetës në të gjitha planet ishte një mrekulli tjetër, poaqë e papritur dhe gjithandej e çmuar nga të gjithë që e dinë dhe që e njohin, që e ndihmuan dhe që do ta ndihmojnë akoma më shumë Kosovën dhe popullin e saj.
Nuk është kurrëfarë fshehtësie se përfundimin e këtij dorëshkrimi gjithsesi që e ka ndihmuar pikërisht kjo energji e përgjithshme e ringjalljes së jetës në Kosovë. Dorëshkrimet e këtij libri, tri fletoret e mbushura me një kaligrafi herë të qetë e të rregulltë dhe herë të shqetsuar e disi të egërsuar, disa herë më dukeshin disi të fjetura tek i vështroja me orë të tëra.
Por, ato çuditërisht ngjalleshin e ringjalleshin, merrnin frymë e jepnin mesazhe kuptimi posa i lexoja dhe i rilexoja. Energjia e jetës gjithsesi që projektohej e reflektohej në energjinë e shkrimit, sikundër që kjo e dyta i jepte jetës kuptime e mesazhe të reja dhe të panjohura.
Asnjëherë nuk do të harrojë keqardhjen që po shprehte një Djalosh për librat që m’i kishin djegur serbët në shtëpinë e babës në Gllamnik. Ishte dita e parë që po shëtisja rrugët e Prishtinës pas tre muajësh, kurse Djaloshi nga Sekiraça po më afrohej disi me ngurrim dhe po më tregonte se plakun e kisha gjallë. Por, librat t’i kanë djegur, më tha me një keqardhje që nuk mund ta shpjegoj. Nuk foli për shtëpinë, që po ashtu ishte djegur me krejt çfarë kishte pasur brenda, por vetëm për librat. Kjo më bëri përshtypje.
Dorëshkrimi i këtij libri kurrësesi nuk mund të jetë kompensim për gjithë ata libra që u dogjën bashkë me gjithë ato ide e mendime. Situata e karaktere të krijuara nga gjeniu krijues i njeriut. Por, si brenda çdo libri tjetër, edhe brenda librit që e keni përpara, veprojnë e krijohen e bashkëveprojnë energji të shumta e të vazhdueshme, të brendshme e të jashtme, të tilla që i dimë dhe që i njohim, por edhe të tilla që as i dimë dhe që as kemi se si t’i njohim. Këto energji vazhdimisht e ushqejnë dhe e përcaktojnë, e lindin dhe e rilindin njëra tjetrën në emër të jetës dhe të lirisë, si vetë librat, të cilët, në fakt, gjithmonë e shkruajnë dhe e rishkruajnë njëri-tjetrin, duke e krijuar universin e dijes e të shkrimit.
Pikërisht tek këto energji merr jetë e shpirt edhe dorëshkrimi i librit “Një lutje për Prishtinën”.
Prishtinë, 21 dhjetor 1999
Komentet