Martirëve të luftës Nacional Çlirimtare, partizanë, nacionalistë apo komunistë, që të mashtruar nga momenti historik, luftuan me tërbim duke derdhur edhe gjakun e njëri-tjetrit të nxitur nga dashuria për të njëjtin Atdhe por edhe për të njëjtën liri, që as nuk e kuptonin dhe as nuk erdhi kurrë.
Gjykimi i ngjarjeve të Luftës Nacionalçlirimtare mund të bëhet me objektivitet vetëm nëse për kriter vlerësimi merret qëndrimi ndaj lirisë. Jo vetëm lirisë së Atdheut por, dhe kjo është më e rëndësishme, edhe lirisë së njeriut. Pra, çështja themelore që shtrohet është: Sa i ka shërbyer Lufta dhe përpjekjet e palëve të ndryshme lirisë së shqiptarit? Sepse nëse ke një atdhe të çliruar nga pushtuesi por me njerëz të shtypur nga diktatura, liria e atdheut është si një lëvozhgë e zbrazët, një mashtrim, një sharlatanizëm.
Kam përshtypjen se të dy palët, armike dikur në luftë por edhe në polemikën që vazhdon rreth 70 vjet pas saj, bien në të njëjtin gabim duke mos bërë një bilanc se çfarë i ka sjellë përpjekja e tyre, por edhe e palës armike, lirisë së shqiptarit si njeri. Dhe pa lirinë e njeriut si kriter, shqyrtimi do të ngecë në llumin e propagandave të së kaluarës pa ndriçuar asgjë mbi si dhe pse ka ndodhur.
Është fakt që historianët, pas rënies së sistemit të socializmit real ndahen në shqyrtimin e këtij objekti, me përjashtime të vogla, në dy rryma: Në ata që me pak modifikime kanë ruajtur linjat e historiografisë së kohës së diktaturës dhe në një grup tjetër që ka ngritur një version krejt të kundër me të parin. Të dy palët, meqenëse nuk kanë patur për kriter vlerësimi historik pasojat e veprimeve mbi lirinë e njeriut (shqiptarit në këtë rast), mbeten të flakura në pozicione ekstreme pa arritur dot objektivitetin. Të dy palët akuzojnë njëra-tjetrën për tradhti. Shkurt, kemi një historiografi “partizane” dhe një tjetër “balliste” apo “nacionaliste”. Asnjëra prej tyre nuk ka plotësisht të drejtë. Sepse thonë vetëm nga një pjesë të së vërtetës. Vetëm të marra bashkë, akuzat dhe kundërakuzat ndihmojnë t’i afrohesh të vërtetës objektive.
Deri më sot, palët debatuese kanë shkruar rreth historisë së Luftës Nacionalçlirimtare duke i interpretuar faktet (po si 70 vjet më parë në luftë) sipas oreksit, ndërsa nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të shqyrtuar filozofinë e historisë të kësaj periudhe, të zbulojnë “arsyen që qeveriste Botën” (Hegel) në ato momente pra, edhe këto ngjarje. Prandaj kemi patur vetëm një lëmsh faktesh dhe kundërfaktesh ku fakti i dytë rrëzonte të parin dhe i treti të dytin duke e bërë lëmshin edhe më lëmsh!
Rrjedhimisht kërkohet një shqyrtim, ndryshe nga ai i derisotmi, që duke rivlerësuar veprimet nga këndvështrimi i lirisë së individit, por edhe duke zbuluar fatalitetin, arsyen historike të atyre veprimeve, të mund të rrëzojë jo vetëm stigmat e pamerituara të tradhtisë për një pjesë të shqiptarëve por edhe lavdinë e lirisjellësit për ata që, në fund të fundit, pavarësisht premtimeve dhe parrullave me “liri popullit!”, është fakt se sollën një diktaturë mbi popullin. Na duhet një shqyrtim që duke rrëzuar krenaritë dhe poshtërimet, glorifikimet dhe damkosjet, të sjellë më në fund pajtimin mes shqiptarësh ende të çarë që nga ajo Luftë!
Sa të lirë qenë shqiptarët të mos bënin atë që bënë? Sa të lirë qenë të zgjidhnin shtigje të tjera?
Duhet patur parasysh se të bashkoheshe me boshtin nazifashist apo me aleatët ka qenë një zgjedhje më së shumti e determinuar pra, jo fort e lirë. Kombet dhe brenda tyre, klasat, shtresat, njerëzit vepruan në përputhje me situatën ku ndodheshin, me vizione që ja diktonin nevojat, orekset, frikërat ose ato që rëndom i quajmë “interesa”. Por vendimmarrja e tyre diktohej edhe prej prej stadit ku ndodhej shteti i tyre si dhe e raporteve që ai kishte me botën.
Kështu nuk mund të thuash se ata shqiptarë që u bashkuan në aleancë me demokracitë perëndimore e bënë një gjë të tillë nga preferenca për demokracinë. Ata e luftuan nazifashizmin si pushtues por jo si sistem. Fashizmi ishte i keq se ishte pushtues por jo se qe fashizëm. Ky filtër ideologjik, më së shumti, nuk ekzistonte në Shqipëri. Ndryshe shqiptarët nuk do kishin pranuar me duartrokitje, aq më pak duruar për 45 vjet, diktaturën që erdhi më pas dhe që, në thelb, nuk është aq ndryshe nga nazizmi apo fashizmi. Mangësi si kjo, e kufizonin mundësinë e një vendimmarrje plotësisht të lirë, pra plotësisht të arsyeshme. Arsyeja është mendimi që e kushtëzon veten me liri perfekte. (Hegel) Dhe fajësia e aq më shumë tradhëtia, qëndrojnë në përpjestim të drejtë me lirinë tënde.
Ta ilustrojmë me një shembull. Në Shqipërinë e asaj kohe flitej rëndom për “fshat ballistësh” apo “fshat partizanësh”. Ç’tregon kjo? Që në Shqipërinë e kohës së luftës sundonte komuniteti i vogël, ai që Ferdinand Tonies e quante Gemeinschaft dhe jo shoqëria e metropoleve apo Gesellschaft. Por vetëm në këtë të fundit ekziston në shumicë individi i lirë që ka hapësirë të vendosë me kokën e tij. Ndërsa në Shqipërinë e asaj kohe vendimet merreshin, më së shumti, fshatçe dhe njeriu shkonte sipas rrjedhës. Përgjithësisht, andej nga shkonte paria e fshatit, shkonte edhe fshatari. Pra, më shumë se vendimmarrje me liri vullneti kjo qe për të një diktim, një fatalitet, rrjedhojë e një stadi patriarkal që nuk ofronte fort liri për njeriun. Nga kjo kuptohet se sa absurde është të akuzosh çdo fshatar ballist apo legalist për tradhtar, sikundër nuk është se s’ka ndodhur.
Një tjetër shembull që ilustron pamundësinë, pra mungesën e lirisë për të vepruar ndryshe, mund të jetë edhe ky: Shqiptarët në Kosovë e kishin të vështirë të ngriheshin me entuziazëm në luftë kundër fashistëve italianë, e më pas edhe të atyre gjermanë, sepse këta pushtues i kishin hequr zgjedhën e një pushtimi kronik serbo-sllav. Shqiptarët kishin vuajtuar aq shumë nga ky sundim dhe genocid, sa nuk mund të mos e përjetonin pushtimin italian dhe gjerman, edhe për shkak të një politike të dinake të ndjekur nga nazifashistët, si një lehtësim krahasuar me gjendjen nën Serbinë. E si të ngriheshin me armë kundër një gjendje që për ta ishte më e mirë se në të kaluarën?! Si të ngriheshin kundër një statukuoje që ju kish sjellë bashkimin e trojeve kombëtare?
Dikush mund të thotë se duhet të ngriheshin në emër të lirisë së Atdheut por edhe të njeriut se nazifashizmi qe një diktaturë mbi Atdheun dhe njeriun. Po pse ta bënin këtë kur edhe komunistët sllavë që ftonin për luftë kundër nazifashistëve, ofronin jo vetëm një diktaturë mbi Atdheun (këtë herë serbe) dhe po një diktaturë të proletaritatit mbi njeriun?
Këto janë dhiaret e rrëpirta të dilemave përmes të cilave ka ecur mendimi dhe vendimmarrja politike në trojet shqiptare dhe ku patriotizmi e tradhëtia kanë qenë aq pranë, aq të kokolepsura me njëra-tjetrën, sa që ajo çka nga përballë të frymëzonte si patriotizëm, të përqeshte nga prapa si tradhëti.
Antifashizmin në Kosovë e bëri më të vështirë edhe fakti që Partia Komuniste Jugosllave, nuk mbajti një qëndrim të qartë në favor të vetëvendosjes së kombeve pas luftës. Madje kur Luftës po i vinte fundi, ajo doli me vijë politike që ja mohonte të drejtën e vetëvendosjes shqiptarëve. Pra e dhunoi parimin e lirisë në këtë rrafsh. E si mund të luftonin kosovarët kundër nazistëve pushtues që, paradoksalisht, i “çliruan” duke i pushtuar dhe të viheshin përkrah komunistëve dhe parizanëve serbë, malazez apo maqedonas që premtonin t’i çlironin për t’i skllavëruar nesër, ashtu si në fakt ndodhi? Në emër të çfarë lirie do ta bënin një luftë të tillë?
Shqiptarët në Jugosllavi kishin qenë një komb i shtypur dhe ishte kjo gjendje që i diktonte atyre atë qëndrim që përgjithësisht mbajtën. Historiani duhet të përpiqet ta vendosë veten në gjendjen e tyre, të rindërtojë një empati historike, për të kuptuar vërtet se ç’forcë fatale i ka shtyrë të bëjnë atë që bënë, për të kuptuar se opsioni i vetëm që ju ofronte momenti historik qe “tradhëtia”. Ata u ndodhën midis dy diktaturash dhe tradhëtish. Të luftonin përkrah nazifashistëve do të thoshte të bashkëpunonin me një diktaturë pushtuese. Por të luftonin përkrah komunistëve do të thotë të përgatisnin robërimin e nesërm të Atdheut në dy rrafshe, kombëtar dhe shoqëror pra, edhe nga serbët edhe nga diktatura komuniste. Një tjetër tradhëti kjo. Kosovarët u ndanë duke ndjekur të dyja shtigjet. Por asnjeri prej tyre nuk ju solli lirinë. Lirinë si njerëz. Dhe nuk mund tja u sillte!
Në Shqipëri (flas si shtet e jo si komb) jemi thuajse në të njëjtën dilemë fatale ndonëse këtu, faktori ideologjik dhe klasor ka një ndikim më të madh në vendimmarrje krahasuar me faktorin kombëtar. Në Kosovë refuzohej qenia në një front me sllavët, në Shqipëri nuk donin të ishin në një front me komunistët prapa të cilëve shihnin po sllavët. Në Kosovë shikohej me përparësi si rrezik i nesërm shtypja kombëtare, në Shqipëri ky rrezik ishte shtypja shoqërore nga një diktaturë staliniste që po shfaqej në horizont. Ndërsa në Kosovë çështja kombëtare ishte thelbi i politikës, në Shqipëri ajo qe vetëm dukja e saj.
Për vetë gjendjen e tyre shoqërore, borgjezia, bejlerët, bajraktarët dhe të gjithë shtresat e lidhura me to, e shikonin si një opsion të papranueshëm revolucionin komunist që filloi të ngjizej në placentën e lëvizjes Nacionalçlirimtare. Dhe nuk gabonin. Sepse revolucioni komunist do të thoshte shfarosje për ta. Edhe dilema e tyre ka qenë e dhimbshme, tepër e vështirë për t’u zgjidhur. Në njërën anë ishte ndjenja patriotike, detyrimi klasik për të luftuar pushtuesin nazifashist. Në anën tjetër, ishte fakti i daljes së Partisë Komuniste që ndërsa zhvillonte një luftë energjike kundër pushtuesit, nuk i fshihte ambicjet për ta transformuar luftën për çlirim kombëtar në një revolucion “proletar”.
Faktikisht, antikomunistët u ndodhën mes dy diktaturave, asaj nazifashiste dhe asaj komuniste. Të luftoje bashkë me komunistët kundër nazifashistëve shfaqej si në harmoni me patriotizmin. Por vetëm shfaqej kështu, sepse përmbante rrezikun e fuqizimit të revolucionit komunist. Dhe a mund të jetë patriotik investimi për një diktaturë që do të sundojë Atdheun?!
Antikomunistët, megjithatë, e tentuan një bashkëpunim me bolshevikët, por e braktisën kur ndeshën këmbënguljen e bolshevikëve për ti vënë ata nën udhëheqjen pra, nën komandën e tyre. Kjo këmbëngulje e PKSH për të patur në dorë komandën e luftës, që do të thotë të ushtrisë, ishte indicie e qartë e ambicjes për të marrë pushtetin me dhunë ose me anë të kërcënimit me dhunë dhe, për këtë shkak, një nga faktorët kryesorë që i shtyu gradualisht disa nacionalistë (Ballin Kombëtar) t’i hyjnë një bashkëpunimi me gjermanët.
Situatën e ndërlikoi edhe qëndrimi i anglo-amerikanëve, kryesisht britanikëve. Të fokusuar në interesin e tyre për të mobilizuar sa më shumë forca në Ballkan për luftë kundër Boshtit, misionet britanike në Shqipëri mbështetën më fuqimisht me të holla, armë municione, ushqime dhe veshmbathje vetëm ato forca që luftonin më aktivisht kundër italianëve dhe gjermanëve. Një qëndrim që ndërsa favorizonte lëvizjen Nacionalçlirimtare të dominuar nga komunistët, vendoste në një pozitë të diskriminuar forcat antikomuniste që për faktorë të ndryshëm objektivë dhe subjektivë (që për arsye hapësire s’mund të analizohen këtu), nuk ishin fort aktivë në luftën kundër forcave nazifashiste.
Kishte edhe një tjetër faktor, jo pa peshë, në disfavor të forcave antikomuniste në Shqipëri. Fakti që qysh në Konferencën e Teheranit (siç u konfirmua më pas edhe në atë të Jaltës) u pa që Shqipëria nuk do i mbetej Perëndimit, i bënte misionet britanike të ishin edhe më pak të interesuara për natyrën e regjimit politik që do instalohej pas luftës në Shqipëri. Ato mbetën strikt misione ushtrake dhe këtë fakt, Enver Hoxha e shfrytëzoi më së miri në favor të tij. Vetë Britania nuk kish synime të bënte në Shqipëri atë që bëri në Greqi pra, të vendoste në pushtet antikomunistët edhe pasi këta të fundit kishin dalë nga lufta më të dobët se komunistët.
Duke e ndjerë vetën të kapur si në çark nga statukuo më madhore, si të braktisur nga fati, liderët antikomunistë u përpëlitën për të gjetur një zgjidhje, një rrugë shpëtimi. Dhe menduan se ndoshta do qe më mirë që të shfrytëzonin forcën ushtarake gjermane për të dobësuar, e deri edhe shfarosur, lëvizjen nacionalçlirimtare që më pas, kur të mbaronte lufta, të ishin forca mbizotëruese që do të vendoste për natyrën e regjimit dhe pushtetit.
Refuzimi i anglo-amerikanëve për ta parë “Çlirimtaren” si diktaturë potenciale të së nesërmes, i dëshpëroi shumë nacionalistët që s’kishin asnjë iluzion për synimet e vërtetave të komunistëve. Dhe ishte pikërisht, nga njëra anë, kjo realpolitikë e anglo-amerikanëve që lakmonte vetëm për përfitime ushtarake nga lufta e shqiptarëve dhe, nga ana tjetër, tendenca e hapur për kryesim hegjemonik i PKSH dhe Enver Hoxhës që i shtyri nacionalistët, “Ballin” në fillim por edhe “Legalitetin” më në fund, të përpiqen të shfrytëzojnë një të keqe në vjekje e sipër si nazizmi për të dobësuar një të keqe më të madhe dhe në lindje e sipër si diktatura komuniste. Për të shmangur këtë diktaturë, në fakt të keqen më të madhe për Shqipërinë, vendosën të bëhen “tradhëtarë” të Shqipërisë! Një tradhëti e imponuar nga tradhëtia! …
…Thuhet dhe shkruhet, dhe jo vetëm nga kritikët e nacionalistëve, se vendimmarrja e tyre lidhej me ruajtjen e privilegjeve apo pronave. Ka një dozë të vërtete në këtë pohim. Por a nuk është ky një tipar universal i qenies humane? Dhe mos vallë duhet të jesh proletar, që të mos kesh ç’të humbasësh (Marks) që të jesh patriot? Teza, kështu e vulgarizuar, bie pak erë dogmë bolshevike që pronën private dhe pasurinë e sheh si rrënjë të të gjithë të këqijave, deri edhe të tradhëtisë së adheut. Ka dhe pak esencë të krishterë aty. Krishti thoshte se aq sa mund të hyjë gamilja në vrimën e gjilpërës, aq mund të hyjë i pasuri në parajsë. Përse? Sepse nuk fal dot pasurinë. Por a nuk është përceptuar edhe Krishterimi i hershëm si një nga format e para të komunizmit?
Nuk lahen hesapet me nacionalistët duke i akuzuar se kanë sakrifikuar Atdheun për pasuritë. Historia e Shqipërisë është e mbushur me shembuj të shkrirjes nga elita nacionaliste, e pasurisë për Shqipërinë. Sigurisht që interesat ekonomike kanë luajtur rol, si edhe për këdo forcë tjetër, në çdo vendimarrje. Por nuk ka qenë vetëm ky faktor që ka përcaktuar vendimarrjen. Eshtë vulgare të thuash se nacionalistët tradhtuan nga që ishin të pasur! E kush paska thënë apo provuar se pasuria dhe tradhëtia qenkan motra siameze? Bolshevizëm dhe sankylotizëm bashkë!
As ballistët dhe as legalistët nuk ishin antishqiptarë dhe as pro-nazifashistë në genet e tyre. Prandaj dhe 45 vjet genocid i ushtruar ndaj tyre është kriminal. Ata donin t’i shfrytëzonin forcat nazifashiste kundër ardhjes së një rendi bolshevik. Kaq! Ka historianë që thonë se antikomunistët duhet të kishin imituar anglo-amerikanët që bënë aleancë me Stalinin për të mposhtur Hitlerin dhe më pas kur mposhtën Hitlerin, ju kthyen Stalinit. Por këta harrojnë nja dy gjëra. Së pari, anglo-amerikanët nuk rrezikonin asgjë nga aleanca me Stalinin sepse nuk qenë në një barkë me të. Ndërsa antikomunistët vinin në lojë ekzistencën e tyre. Së dyti, Stalini nuk ju kërkoi anglo-amerikanëve të viheshin në rresht në një Front të udhëhequr prej tij sikundër Enver Hoxha i kërkonin nacionalistëve.
Paradoksi është se të ndodhur në kurth mes dy diktaturave, nacionalistët në gjirin e të cilëve militonin elementët më liberalë të Shqipërisë së asaj kohe, u shtynë nga nevoja të bashkëpunonin me forcat e një diktature kundër një tjetre. Ishte urrejtja për diktaturën komuniste që po kërcënonte në horizont, që e shtyu lidershipin e “Ballit” të pranojë si një të keqe më të vogël të domosdoshme bashkëpunimin me gjermanët në ikje. E ndoshta, në një shkallë më të vogël, Abaz Kupin e “Legalitetin” që, nuk mund të mohohet, se ishte i pari që priti me pushkë pushtuesit fashistë në Durrës në 7 prill 1939.
Është një fakt shumë domethënës që bashkëpunimi i “Ballit” me pushtuesin erdhi vetëm në dimrin e vitit 1943 kur Italia e Musolinit kish kapitulluar dhe humbja e luftës nga Gjermania naziste ishte lehtësisht e parashikueshme. Deri në verën e vitit 1943 komunistët dhe “Çlirimtarja” nuk mund ta akuzonin “Ballin” për organizatë tradhtare. Kjo ekskludohet edhe nga fakti që në gusht të atij viti u bë edhe Konferenca e Mukjes për të realizuar bashkëpunimin e “Ballit” dhe “Frontit”, si dy organizata patriotike. Pra, fakti që bashkëpunimi me gjermanët erdhi shumë vonë kur humbja e nazizmit ishte edhe më e qartë, tregon se “Balli” kërkonte të shfrytëzonte forcën në ikje të pushtuesit por nuk e bazonte ardhmërinë te nazizmi. Idealet e tij, pavarësisht sa të elaboruara, prireshin drejt një rendi politik me demokraci dhe pluralizëm politik.
Po a është tradhëti e Atdheut të luftosh krahas pushtuesit njësitë e bashkatdhetarëve që luftojnë kundër pushtuesit? Padyshim! Gjë që mjerisht e kanë bërë edhe komunistët. Por është po një lloj tradhëtie që luftën kundër pushtuesit ta zhvillosh edhe si një revolucion bolshevik, pra të djegësh etapat, gjë që nuk mund të mos i shtynte një pjesë të elitave, klasave dhe shtresave të të kundërvihen me tradhëti. Tradhtia pjell tradhti! A qe tradhtar çeçeni Haxhi Murat, virtytet e të cilit Leon Tolstoi e përshkruan me aq simpati, që u bashkua me pushtuesit rusë edhe pse i urrente dhe kish bërë kërdinë mbi ta? A qe tradhëtar Kutuzovi që këshillonte tërheqje përballë Bonapartit? Po romaku Fabius Maksimus që shmangte një përballje me kartagjenasin Hanibal në pritje të një momenti të përshtatshëm ?
A ishin nacionalistët tradhtarë siç akuzohen? Është më e saktë të thuhet nuk ishin ata që e tradhtuan Shqipërinë por ishte momenti historik që i tradhtoi edhe ata vetë edhe Shqipërinë. Për të gjithë palët e asaj periudhe mund të shtohet edhe se, si jo rrallë herë në histori, shqiptarët tradhtuan njeri-tjetrin në luftën e egër për pushtet.
Historia ka provuar tashmë se triumfi i forcave komuniste nuk qe alternativa më e mirë por më e keqja e mundshme për Shqipërinë. Ajo nuk qe një zgjedhje e shqiptarëve por një fatalitet historik që ju imponua atyre. Përparimi modest material që pësoi Shqipëria në 45 vjet diktaturë komuniste, edhe pse dramatik krahasuar me periudhën e mëparshme, nuk duhet të na mashtrojë. Shembulli i vendeve të tjera që mbetën në anën e demokracive perëndimore, dëshmon se përparimi do të kish qenë shumë me i madh, më shumëdimensional dhe i qëndrueshëm, nëse në Shqipëri do instalohej një sistem që respekton e mbron liritë dhe të drejtat e njeriut. Të pohosh të kundërtën, do të thotë të mohosh avantazhet e lirisë si zhvillim përballë diktaturës.
Alternativa më e mirë ishte ajo që aspironin një numër figurash nacionaliste e deri social-demokrate por që nuk gjetën rrugët e duhura për ta vënë në jetë. Alternativa e një Shqipërie të themeluar mbi bazën e zgjedhjeve të lira dhe bashkekzistencës pluraliste, të lirisë së fjalës, së besimit, të pronës private dhe të tjera të drejtave njerëzore. Nëse ajo alternativë do kish triumfuar shqiptarët do ishin pjesë e botës Perëndimore që në shekullin e XX dhe gjenerata të tëra prej tyre, do ti kishin shpëtuar privacioneve dhe gjymtimeve që sjell pashmangshëm një diktaturë.
Sot, ta konsiderosh alternativën komuniste më të pranueshme se atë naziste, do të thotë që heshturazi nuk pranon se komunizmi dhe fashizmi patën një thelb të njëjtë që ishte diktatura dhe shtypja e njeriut. Do të thotë se jeta nën diktaturën komuniste të ka bërë të familjarizohesh me të keqen diktatoriale. Në pranga skllevërit humbasin dëshirën për të ikur prej prangave. (Ruso)
Në fakt, në Shqipëri janë akoma gjallë ato gjenerata që u rritën nën një propagandë që ndërsa diktaturën naziste apo fashiste e shpallnin të zezë, diktaturën e proletariatit e shpallnin si e mira më e madhe që mund t’i bjerë për short një kombi. Dhe duhet ditur se njeriu po të konformohej me rregjimin, pra të mos kish probleme me organet e pushtetit publik, mund të bënte një jetë “normale” duke shijuar të gjithë ato avantazhe që janë tipike për një diktaturë si mungesa e mafies, e krimit të rrugës apo e ndotjes së mjedisit. Edhe e kaluara parakomuniste shumë e prapambetur e Shqipërisë, bënte që zhvillimi material i dekadave të para të diktaturës (me mbështetjen dhe kreditë edhe të shteteve të tjera komuniste) të përjetohej si një përmirësim që premtonte edhe për më mirë.
Për një shtresë shqiptarësh edhe kolapsi i sistemit të socializmit real, nuk ka qenë i mjaftë për t’u zhveshur nga këto iluzione për diktaturën. Madje, duhet thënë, se konstantja e qeverisjeve të paafta dhe të korruptuara, mungesa e ligjit, pasiguria, kaosi dhe krimi në këto 26 vite tranzicion, sikur e kanë ringjallur nostalgjinë për diktaturën.
Iluzioni mbi komunizmin si një alternativë shpëtimtare i falet shumë shqiptarëve të viteve të Luftës së II të Botërore sepse ishin pak ose aspak të informuar për këtë alternativë. Ajo që po zhvillohej si terror dhe shtypje në Rusinë Sovjetike ende nuk ishte përvijuar qartë ndërkohë që edhe lajmet për zhvillimet pozitive në BRSS, nuk mungonin madje edhe nga njerëz e pena shumë të shquara të kohës që vizitonin vendin e Stalinit. Jo vetëm Hileri por edhe Stalini kishte Terezenshtade-t e veta.
Në këto kushte, të mbështesje alternativën komuniste, ca më tepër kur kjo vishej me petkun patriotik dhe ngrinte flamurin e çlirimit të Atdheut nga pushtuesi, ishte e kuptueshme dhe e përligjur për masën e shqiptarëve që udhëhiqej kryesisht nga ndjenja e patriotizmit që kërkonte largimin e pushtuesit por, megjithatë, aspak nga arsyeja e lirisë që kishte të bënte me atë se çdo të ndodhte me njeriun, me shqiptarin dhe lirinë e tij pas çlirimit nga pushtuesi i huaj. Pak ishin ata nga mbështetësit e “Çlirimtares” që pyesnin: A do investoheshin komunistët për lirinë e njeriut siç premtonin? Jo se nuk e donin lirinë e njeriut, por nuk e dinin as si qe dhe as si vinte dhe realizohej ajo. Kjo shpjegon se përse ata e besuan se me të vdekur fashizmi do vinte automatikisht liria edhe për popullin. E shikonin lirinë më tepër si marrdhënie me Botën, në kuptimin nëse i huaji kish shkelur apo jo tokën e të parëve, dhe jo si marrdhënie me njeri-tjetrin apo të njeriut me qeverinë e tij.
Këtu ka vend për një parantezë. Këto konkluzione, nuk heqin as edhe një atom prej natyrës sublime të aktit të të gjithë atyre, partizaneve dhe partizanëve, që u ngritën në luftë për çlirim. Aq më pak aktit heroik të martirëve që dhanë jetën. Është gjaku i derdhur që i ka vënë ata përjetë në ballë të kombit. Nëse ka gjë absolutisht të pastër në ato vite, është pikërisht kjo sakrificë e heronjve dhe e masave. Por vendimmarrjet, kalkulimet, politikat, orientimet nuk qenë të tyret. Qenë të lidershipeve. Për ta bëjmë fjalë kur flasim për lavdira dhe stigma të pamerituara.
Pra, shumë nga shqiptarët që ju bashkuan lëvizjes komuniste si dhe luftës për çlirim nuk u merakosën shumë, dhe s’kishin se si, për liritë e individit problem që do të qe themelori për natyrën e shtetit dhe shoqërisë shqiptare pas luftës. Por një miopi e tillë qe e pamundur për një grusht njerëzish më të lexuar, që e kishin më të plotë informacionin për komunizmin, për praktikën e tij diktatoriale në Rusi. Këta njerëz, që përbënin elitën e “Ballit Kombëtar”, kishin arsye të forta për të kundërshtuar triumfin e komunizmit në Shqipëri.
Ndërkaq njerëz më pak të kulturuar, si psh. Abaz Kupi, patën një qëndrim të vendosur antikomunist të nisur nga një instinkt klasor që u përforcua rrugës edhe nga pabesia e manifestuar prej lidershipit komunist të Enver Hoxhës.
Dhe kjo kategori njerëzish do të tradhëtonte jo thjesht interesat e veta a të shtresës por edhe të Shqipërisë, nëse nuk do ta denonconte alternativën komuniste ashtu si ajo e njihte, si e perceptonte apo e ndjente atë alternativë. Pra, si një djep të një diktature të ardhshme.
Një koshiencë e tillë për rrezikun madhor që paraqiste komunizmi rimodeloi, në një moment të caktuar dhe në përputhje edhe me dinamikën e zhvillimit të Luftës së II Botërore, edhe qëndrimin taktik ndaj pushtuesve nazifashistë. Në sajë të një larmie faktorësh, sikundër politika me objektiva strikte militare dhe e dizinteresuar për kah rrafshi politik e anglo-amerikanëve në Shqipëri, apo tendenca e një hegjemonie në rritje nga ana e lëvizjes komuniste, bënë që në momentet historike kur lufta po shkonte drejt fundit dhe bashkë me të po vdiste dhe alternativa naziste, kjo elitë ta perceptonte lëvizjen komuniste, jo pa arsye, si një alternativë më të zezë për të ardhmen e Shqipërisë. Prandaj dhe kuturisi të luftojë më të keqen në ardhje duke bërë aleancë me të keqen në largim, të përdorë prezencën dhe fuqinë në ikje të nazistëve për të dobësuar lëvizjen komunistë që e veshur me petkun çlirimtar do sillte, siç provoi koha, jo lirinë por diktaturën dhe shtypjen gjysëmshekullore të Shqiptarëve.
Gjithsesi, mendojmë se bashkëpunimin e “Ballit” dhe e të tjerëve me nazistët e ka lehtësuar jo vetëm një pragmatizëm i panikut, i momenteve kritike kur shfaqet prirja të bashkëpunosh me atë që e percepton si të keqen më të vogël, por edhe mungesa e një lidhjeje të dedikuar e tyre me liritë dhe të drejtat e njeriut. Ky dedikim duhet t’i kish penguar të bashkëpunonin me forcat e diktaturave nazifashiste.
Megjithatë, edhe në këtë rrafsh, mund të qëmtohet një logjikë lehtësuese. Sepse ndërsa ndaj nacionalistëve ngrihet opsioni se përse nuk vepruan si anglo-amerikanët, pra pse nuk u bashkuan si ata me Stalinin kundër Hitlerit, a nuk mund të shtrohet edhe opsioni përse jo edhe me Hitlerin kundër Stalinit? Zgjedhja që anglo-amerikanët bënë, nuk nisej nga vlerësimi se diktatura staliniste qe më e pranueshme se ajo hitleriane, se diktatori rus qe më i butë se ai gjerman. Ato ishin të dyja njëra më gjakatare se tjetra dhe diktatorët njeri më gjakatar se tjetri. Por për momentin e dhënë historik, diktatura hitleriane shfaqej më agresore dhe më e rrezikshme për qytetërimin Perëndimor. Prandaj u zgjodh për aleat Stalini. Dhe qe fat që dy diktatorët u bënë armiq me njeri-tjetrin.
E njëjta gjë, por në një sens të kundërt, ndodhte me nacionalistët. Për ta rreziku më i madh në vitin 1943 nuk ishin më hitlerianët në thyerje por diktatura staliniste në horizont. Për ta Hitleri ishte Stalini dhe Stalini – Hitleri. Prandaj kuturisën të bashkëpunojnë me diktaturës në ikje kundër diktaturës në ardhje. Të ndodhur përballë dy diktaturave, nacionalistët u përpoqën të veprojnë pikërisht si anglo-amerikanët, të zgjedhin të keqen më të vogël. Por koha provoi se qe kurth historik të kishe për armik kryesor atë që anglo-amerikanët e kishin, për momentin, aleat kryesor. Një asimetri fatale.
Atëherë çfarë ju mbetej të bënin? I vetmi opsion purist, i pastigmatizueshëm me tradhti, qe ai i një heroizmi vetësakrifikues. Ata duhet të luftonin deri në fund për lirinë, pa dilema, pa njolla, pa kompromise. Kundër diktaturës nazifashiste por edhe kundër stalinistëve nëse do të sulmoheshin prej tyre siç edhe u sulmuan. Madje në rast të një lufte pa kompromis të nacionalistëve kundër nazistëve, një sulm i “Çlirimtares” ndaj tyre nuk mund të mos kish sjellë një reagim ndryshe të shoqërisë shqiptare. Komunistët do ta kishin patur më të vështirë të justifikonin goditjen. Sepse tjetër është të sulmosh një forcë që thotë se “s’ka ardhur koha për luftë kundër pushtuesit madje që ja bën edhe me sy atij”, dhe tjetër është të godasësh një forcë që lufton ashpërsisht pushtuesin. Lufta pa kompromis kundër pushtuesit do i kish fuqizuar nacionalistët edhe pse mbështetja me armatime nga anglo-amerikanët do kish qenë më e bollshme. Të ndrydhur mes dilemash, nacionalistët nuk e bënë këtë.
Gjithsesi, edhe në këtë rast duhet të pranojmë se shanset qenë më të pakta për nacionalistët. Kemi thënë që vijat ndarëse që kishin hequr tre të mëdhenjtë, e linin Shqipërinë nën influencën sovjetike. Por edhe një disfatë e pashmangshme që i priste a nuk do qe më dobishme për ardhmërinë krahasuar me disfatën që pësuan dhe që i përgojonte si tradhtarë? Dhe vijmë përsëri te liria e njeriut: Në fund të fundit, më mirë martirë të lirisë se tradhtarë të saj? Por dedikimi sublim deri edhe me jetë ndaj lirisë është tipik vetëm për ata që e kanë lirinë e njeriut në shpirt. Elitat e nacionalistëve shqiptarë e kishin atë vetëm në mëndje. Ato vërtet e refuzonin diktaturën bolshevike por nuk qenë fort të gatshme të vdisnin për lirinë. Kjo është tradhtia e tyre.
*1 gusht 2016
Artikulli është thuajse një ekstrakt nga libri në punim e sipër i autorit me titull “Revolucioni i Maskuar”. Debati i nisur në “Dita” e nxiti ta botojë atë.
Komentet