Në Tiranë, ish i burgosuri politik, Bedri Blloshmi, sapo ka botuar një libër mbi vitet e burgimit gjatë diktaturës komuniste. Libri titullohet “Dosja Formulare 2/A për të dënuarin Bedri Blloshmi” dhe bazohet mbi dokumentet e jetës së tij gjatë dënimit shumëvjeçar, të hartuara nga Sigurimi famëkeq i Shtetit dhe autoritetet e burgjeve.
Ai thotë se Shqipëria ende nuk ka bërë sa duhet për të zbardhur krimet e diktaturës komuniste.
Zoti Blloshmi thotë se është krenar që gjatë gjithë jetës në liri arriti të gjejë dhe të botojë të gjithë dokumentat, akt-ekspertizat dhe raportimet e një morie bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit për të ashtuquajturin “Grupi i Bërzeshtës”, në sajimin e të cilëve morën pjesë deri zyrtarët më të lartë shtetërorë.
“Libri përmban planin e Sotir Koçollarit, planin e masave, ku janë përfshirë nja 30 komunistë, dhe kanë marrë vendim, siç thuhet në protokoll, se si do të dënohej grupi i Bërzeshtës. Hysni Kapo, Ramiz Alia, Naunka Bozo, Miti Nito, Sako Rama etj., që interesoheshin me letra se çfarë do të bëhej me grupin e Bërzeshtës”, thotë zoti Blloshmi.
Libri përshkruan në detaje, shkresë pas shkrese, të gjithë jetën e Bedri Blloshmit në burgjet dhe kampet e punës për 15 vjet rresht, nga viti 1976 deri në vitin 1991, kur erdhi pluralizmi.
Ai i rezistoi çdo dhune dhe presioni në burg, ndërsa vëllai u pushkatua gjithë pjesa tjetër e familjes ishte e internuar.
“U punua me të, por si armik i betuar, nuk pranon asnjë episod të veprimtarisë së tij. Është kategorik mohues, edhe pse familja e tij me prejardhje dhe me gjendje aktuale armike: vëllai iu pushkatua për sabotim, djali i dajës së babës i pushkatuar, babai i dënuar, xhaxhai i dënuar, daja i arratisur, daja i babës- nga familje e cilësuar kulak dhe aktualisht të internuar”, tha zoti Blloshmi.
Zoti Blloshmi shpreh shqetësimin se shoqëria dhe autoritetet shqiptare nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur zbardhjes së krimeve të komunizmit.
Megjithatë ai është një nga autorët e pakët që vazhdon me këmbëngulje një seri librash, bazuar në dokumenta, të cilat i siguron me mjaft vështirësi, sepse, sipas tij, ato shpesh janë zhdukur, nuk gjenden ose fshihen nëpër labirintet e arkivave.
“Kam botuar 12 libra për krimet e komunizmit në burgje: për burgun e Spaçit, të Qafë Barit, etj e natyrisht për dënimin e dy poetëve. Do të vazhdoj të gërrmoj në arkiva dhe do të vazhdoj të botoj dokumentet. E shkruara mbetet, pavarësisht se sot nuk ka vëmendje. Është fjala për krime të dokumentuara të komunistëve dhe një ditë do të merret shoqëria dhe institucionet”, thotë zoti Blloshmi.
Bedri Blloshmi u arrestua në shkurt të vitit 1976 si pjesëtar i një grupi sabotimi të rremë, së bashku me poetët Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Të tre u dënuan me vdekje në gjyqin e sajuar, që nisi nën akuzat për agjitacion dhe propagandë kundër regjimit dhe u mbyll për sabotim ekonomik. Ndërkohë që dy poetët u pushkatuan dënimi i tij u shndërrua në 25 vjet burg.