Të nderuara e të dashura zonja fisnike, të nderuar e të ndershëm zotërinj, dashamirës të të parit tonë, atdhetarit Mustafa Merlika Kruja,
Edhe pak orë n’a ndajnë nga festa e ndërrimit të viteve, që këtë herë është e veçantë për mua dhe familjen time, si pasojë e vendosjes së bustit të Gjyshit tim në qytetin e Tij të lindjes.
Ajo ditë e 24 nëndorit të vitit që po ikën, për rëndësinë e saj në historinë e saj më shumë se shekullore të familjes, të gërshetuar me privimet e një jete të mbushur me përndjekje gjysmë shekullore të regjimit armiqësor në të gjithë shfaqjet e saj, ka qënë kurorëzimi i ëndrrave dhe shpresave tona të gjata e të fshehta, të cilat kanë fjetur në thellësi të zemrave për dhjetëvjeçarë të gjatë, duke sfiduar në heshtje prapësitë e kohrave….
Në historinë e arritjes së asaj dite fatlume, edhe ju e të tjerë shqiptarë e shqiptare si ju, që nuk mundën të ishin të pranishëm në Krujë, keni patur një rol kryesor dhe për këtë arsye un dhe familja e ime ju jemi përjetë mirënjohës. Edhe në sajë të shkrimeve e mendimeve tuaja figura e personaliteti i Mustafa Krujës ka rifituar “qytetarinë e nderit” të Vendit të Tij, deri në ngritjen e bustit të Tij n’atë copë toke ku mësonte që fëmijë shkronjat turke dhe arabe në shkollën e Tij të parë. Në rrugën më se tridhjetëvjeçare të “nxjerrjes në dritë” të figurës së Tij, me shkrimet e juaj keni dhënë një ndihmesë të vyer në arritjen e atij synimi…..
Kjo letër e shkurtër merr përsipër t’U shprehë falënderimet tona më të sinqerta për punën tuaj të ndërgjegjëshme e t’u urojë “motmotin e Ri” familjarisht, si një vit të mbarë, të shëndetshëm, të begatshëm, të harmonishëm, plot dritë e ngjyra….
Urojmë që shpresat në një jetë më të mirë të stolisin ditët tuaja, e të gjejnë sendërtimin e tyre në një Shqipëri më të mirë, të bashkuar në Atdheun e përbashkët, ashtu sikurse e ëndërronte Gjyshi i im, “Kryeministri i Shqipërisë etnike”.
Gëzuar e për shumë vite të tjerë Vitin e Ri 2025!
Me shumë dashamirësi e respekt.
Eugjeni
31 dhjetor 2024