Sapo lamë pas 2017, një vit, që për ne nuk ishte i qetë, por plot me të papritura. Përgjatë këtij viti ngjarjet ishin të tilla, që vunë në provë forcën dhe aftësinë tonë përballë situatave të vërteta politike, ku kërkonin zgjidhje strategjike afatgjata. Në këto kushte, të gjithë ne ҫamët duhet të kërkonim më shumë nga aftësia individuale edhe si aftësinë e komunitet për të kuptuar se duhet të shkonim në drejtimin dhe personin e duhur. Ne kërkonin që lideri ynë Shpëtim Idrizi, si njohës dhe vizionar i çështjes të krijonte mundësi, dhe me aftësi perceptuese të shumta përtej momentit, por që realisht nuk kishte një mbështetje aq masive sa pritej nga të gjithë ne. Reaguam dhe u përpoqëm të kishim një përafrim sa më dinjitoz, në përgjigje të situatave në të cilat u ndodh çështja ҫame dhe gjithë shqiptarët e Ҫamërisë, dhe pas zgjedhjeve. Kjo kërkonte së pari që të gjithë të kenë një moral, që të kuptojnë që ҫështja ҫame është e ҫdo shqiptari, por në veҫanti e ҫdo ҫami, si një amanet prej të parëve tanë dhe prej zotit. Në analizën tonë kemi shumë për të diskutuar se ku nuk ditëm të qëndrojmë në koseguencën dhe vitalitetin, që e kemi në genin tonë. Prandaj dhe 2017 iku si një vit ku ne na humbi për shumë arsye ekuilibri ynë si një komunitet që ka pritshmëri të madhe për zgjidhjen e ҫështjes.
Porsa nisëm 2018-tën, një vit i një shprese, për të arritur dhe avancuar ҫështjen tonë në situata shumë më specifike dhe të reja për lëvizjen ҫame. Kjo kërkon përqasje dhe gjithashtu vizion të qartë mbi zhvillimet dhe dinamikën politike në vend, në raport me Greqinë dhe me problematikat që ndodhin në këtë vend. Duhet ta pranojmë, se nuk jemi në momentin tonë më të mirë politik, por e vërteta është se kemi avancuar shumë në ҫështjen tonë, madje deri në ato nivele, që para shumë vitesh, as nuk guxonim të ëndërronim një gjë të tillë. Momentalisht jemi para një fakti dhe, një momenti të një kthese historike. Pikërisht për këtë, një rëndësi të madhe sot merr mbështetja reale që të gjithë duhet t’i bëjmë liderit politik, i cili padyshim është Shpëtim Idrizi, me të cilin ne projektuam sëbashku dhe nisëm këtë udhëtim të vështirë, por jo të pamundur. Prandaj, për të rinisur udhën tonë kërkohet vizioni dhe veprimi i tij politik, si vizionari i vërtet i kësaj ҫështjeje. Për mua, ai ka më shumë se kushdo tjetër, energjinë dhe fuqinë për të mbajtur ndezur dritën e shpresës së shqiptarëve të Çamërisë, për të shkuar te zgjidhja e kërkuar. Por dhe ne duhet të kemi vetëdijen se momenti kërkon më shumë se kurrë që besimin tonë, bekimin tonë, ta orientojmë tek ҫështja, tek djali ynë, patrioti Shpëtim Idrizi, për të gjetur besimin e duhur paksa të tronditur.
Edhe deputetët tanë të nderuar, kanë mundësi që të ringrenë zërin e tyre, përgjatë këtij viti sipas situatave që afrohen. Ata duhet të kenë të qartë, se të jesh përfaqësues i një kauze të tillë kombëtare është fat historik, sepse PDIU në këtë vend nuk ka qenë dhe nuk është thjeshtë një parti politike ideologjike. Prej saj buron gjaku i shqiptarëve të Ҫamërisë, të vrarë, të prerë, të mohuar nga vatra e tyre dhe të drejtat njerëzore. Kur vajza e Peshkopisë, Reme Lala, doli para patriotëve të saj duke vënë në zemër PDIU, nuk e pranoi thjesht si një sigël partie, por si një kauzë e shqiptarëve, apo djali ynë nga Elbasani Aqif Rakipi që ndonëse sot po përballet me procese të motivuara politike, për gjëra të paprovuara. Por ai, ka treguar dinjitet si djalë ҫam, ka dashurinë e njerëzve që e votojnë në masë, sepse është njeri që e do këtë vend dhe ҫështjen e familjes së vet ҫame. Ashtu si dhe deputetja tjetër e Elbasanit, Helena Xhina, që do dijë të kuptojë se një fat i momentit, mund të jetë një shpresë për një të ardhme të konfirmuar. E thënë në mënyrë të përmbledhur, ky vit duhet të jetë viti i afrimit të politikanëve të një vendi, ku ҫështja kombëtare është akoma e pazgjidhur. Ata kanë fatin të jenë në vendin dhe kohën e duhur. Nëse do dinë të kuptojnë mirë, situatën dhe të tregojnë konseguencë njerëzore, do japim një kontribut të vyer historik. Motra dhe vëllezër ҫamë, gjatë kësaj kohe, për vetë situatat e reja që kanë ardhur, ju keni shumë ankesa për ҫështje të ndryshme të ecurisë të ҫështjes sonë, dhe si po përballohet kjo situatë, por unë ju siguroj se me sinqeritet, si Shoqatë Patriotike Ҫamëria dhe PDIU, janë duke bashkëpunuar për një strategji më aktuale.
Unë i kam dëgjuar dhe mirëpritur me përgjegjshmëri dhe seriozitet ҫdo mendim dhe sugjerim që më keni bërë se kam parë preokupimin njerëzor tuaj. Por kurdoherë kam këmbëngulur se në momentin që Shoqata Patriotike Ҫamëria, delegoi përfaqësinë e saj politike PDIU, si një parti që ka bërë shumë politikisht për ҫështjen ҫame dhe për këtë ne duhet ta vlerësojmë dhe të jemi mirënjohjes, ne duhet të presim me durim dhe respekt analizën e PDIU. Prandaj si shoqatë, ndaj PDIU dhe liderit të saj Shpëtim Idrizi kemi treguar respektin dhe dashurinë tonë, se arriti në historinë e lëvizjes ҫame ta bëjë ҫështje të politikës shqiptare. Që ne si shoqatë do e kishim tërësisht të pamundur, për të arritur në këtë stad. Personalisht kam patur besimin e plotë se PDIU dhe Shpëtim Idrizi dhe tani do dijnë ta kapërcejnë këtë moment të vështirë politik, por ne të gjithë duhet të kuptojmë se kjo gjë erdhi nga moskuptimi ynë se vetëm PDIU është partia e shpresës dhe e realizmit të aspiratës, dhe se ka kapacitetet dhe fuqinë për t’u përballur me situata dhe më të vështira. Kjo situatë erdhi edhe nga mungesa, se ne ҫamët nuk ditëm të ngrihemi mbi gjërat e vogla personale, kjo është edhe një arsye por edhe seguente të politikës, kërkonin dhe e dëmtuan shumë prezencën e deritanishme politike. Ashtu dhe segmente të shteteve fqinje që gëzuan që lideri i PDIU nuk ishte në parlament. Kjo situatë sinqerisht më ka bërë të kuptoj më shumë bashkëpatriotët e mi dhe shqetësimin e tyre real, por ajo që unë nuk kam kuptuar është fakti se përse ishim aq të përҫarë. Ajo që më ka bërë përshtypje është se ne, kaq lehtësisht e transferojmë votën. Kur duhet të ndodhte ndryshe duke qenë të gjithë bashkë, sepse kemi ҫfarë të besojmë tek njeri tjetri, se luftojmë për amanetin e të parëve tanë, për dinjitetin tonë, për familjen tonë. Ne nuk mund të jemi të ndarë, sepse kemi një të kaluar, kemi një histori, kemi jetuar në një krahinë të madhe që shkëlqente nga mirëqenia, ku secili nga ne kishte pasurinë e tij. Shtëpitë e bukura prej guri, bregdetin dhe historinë e lashtë, bagëti dhe ullishtet e panumërta, kemi varret e të parëve tanë. Kjo duhet të përbënte moral dhe frymëzim për të mbështetur PDIU dhe Shpëtim Idrizin. Për një moment, kujtoni prindërit tanë si e përjetuan emigracionin prej gjenocidit, sa dinjitozë ishin, megjithëse jetonin në varfëri, ndërtuan një jetë nga fillimi pa patur asgjë. Ata ditën të bëjnë për Ҫamërinë më shumë se ne. Na bënë t’i kujtojmë për dinjitetin, për fuqinë morale dhe patriotizmin që na futën në vetëdijen tonë. Po ne ҫfarë po bëjmë, a mjafton vetëm të tregohemi patriotikë në tavolina apo në kafene, a pyet kush me shpirt e zemër se ҫfarë kam bërë unë sot për ҫështjen ҫame?! Të gjithë ne sot kemi mundësinë që ҫdo ditë të bëjmë diҫka. Kujtoni se ҫdo ditë patriotë të mi, që me të drejtë të bëjmë më shumë, por më ka ndodhur, që disa prej tyre as një votë nuk e kanë hedhur, vetëm se janë pingosur me një person apo tjetër. A është ky, realizimi i një amaneti? Kurrsesi jo! Siҫ ka nga ne, që bënim fushatë për personin më anti shqiptar që sot është në parlament! Ishim ne, bijtë e atyre që mundëm të ngremë një monument në Kllogjer të Sarandës, ku të prehen eshtrat e tyre të vrarë përgjatë tragjedisë rrënqethëse. Ata u vranë, u masakruan, i lanë pa varre, vetëm se ishim shqiptarë, duke ju mohuar gjithçka që brezat e familjeve tona i kishin vënë me punën e tyre. Këtë e bëmë kur u organizuam dhe bëmë lëvizjen tonë, krijuam partinë PDI dhe më vonë u organizuam pranë PDIU, tanimë si një parti mbarëkombëtare. Prandaj motra dhe vëllezër, para se të kemi qejf mbetje me njëri-tjetrin, për gjëra të vogla që mund t’i zgjedhim brenda familjes sonë, të shohim shpresën dhe të vendosim besimin tonë. Shoqata Patriotike Ҫamëria është e të gjithëve, sot më shumë se kurrë na duhen të gjithë, sepse po të jemi bashkë, bëhemi fuqi ndryshuese, se bëhemi realisht shumë siҫ jemi.
Sot në arenën gjeo-politike po ndodhin disa ndryshime dhe ne jemi në momente historike, ku janë afruar për diskutim ҫështje me shtetin grek, të cilat më parë ishin tabu. Pas dekadash, sot deklarohet përmes ministrit të Jashtëm grek, se ligji luftës ka qenë një budallallëk i politikës greke, kjo duhet të ndreqet, një ҫështje që më parë nga ata nuk bëhej fjalë. Ndërsa për çështjen ҫame sigurisht ka një ngurim për ta prekur, kjo do varet sa e vendosur do jetë pala shqiptare për të mos e lënë në harresë, se nuk do jetë në dinjitetin dhe do tregojë se po tërhiqet nga një ҫështje e parimeve, e drejtë morale, ligjore dhe kombëtare, sepse dhe shteti që ka përballë nuk tërhiqet edhe kur bën padrejtësi dhe ndaj nesh ka bërë shumë të tilla. Nëse duhet të kuptojmë më mirë politikën, kur hapet një ҫështje, pavarësisht politikës, që për momentin gjërat mund të duken pa shpresë. Ҫështjet që ngrihen dhe ngjarjet historike nuk mund të shkëputen, sepse janë të lidhura me njëra tjetrën. Nëse ligji i luftës, që grekët e mbajtën me një ligësi dhe strategji prej “Kali Troje”, sot hidhet si një problem me të cilin ata po bëjnë lëshim sipas tyre. Kjo sigurisht përfshin shqiptarët dhe një amnisti mbi shqiptarët e Çamërisë madje edhe fëmijët që i kanë quajtur bashkëpronarë të gjermanëve! Gjithashtu lirohen sekuestrot dhe mbi pronat e tyre dhe shqiptarëve jo ҫamë. Askush nuk mund të ndalë rrjedhën e historisë që ka nisur të shkruhet në Ballkan. Kjo sigurisht është në dobi të të vërtetës historike dhe ҫështjes shqiptare në përgjithësi, dhe asaj ҫame në veҫanti, prandaj sot kërkohet një mënyrë e re reagimi dhe një perceptim më dinamik i politikës së shoqatës dhe PDIU. Shqipëria këtë vit do afrohet më shumë me Europën, çka do jetë në të mirë të të gjithë shqiptarëve, por veçanërisht edhe të ҫamëve dhe ҫështjes tyre. Nga ne kërkohet vetëm të jemi të bashkuar, më largpamës dhe të kuptojmë njëherë e mirë se ҫdo situatë kërkon besimin tek njeri-tjetri, për të inkurajuar ata personalitete të Çamërisë, që vërtetë kanë aftësi për të afruar më shumë Europën dhe që kanë koncepte të qarta, për t’i përfaqësuar politikisht në këtë moment.
Personalisht besoj se PDIU dhe Shpëtim Idrizi janë në drejtimin e duhur dhe kanë aftësinë për veprimet politike që kërkohen. Sepse deri tani kanë ditur, pavarësisht momentit, të kenë vizionin e një lëvizjeje, që pavarësisht ndonjë ndalese të vogël, gjen fuqi për një nisje të madhe.
Me këto shqetësime që më rëndojnë në shpirt, doja të ndaja me ju këtë fillim viti 2018. Miqtë e mi, bashkëpatriotë të mi ҫamë, duke ju uruar të gjithëve mbarësi familjare dhe personale secilit. Me shpresën mbetem me zemrën e një ribashkimi të madh, atë që meritojmë vërtet ne ҫamët.
*Kryetar i Shoqatës Patriotike Ҫamëria
Komentet