Publicisti dhe drejtuesi i Arenës tek OraNews Dritan Hila ka debatuar me shkrimtarin Agron Tufa në lidhje me të shkuarën diktatoriale.
Shkas u bë një akt-ekspertizë e bërë nga Diana Çuli në vitin 1976 e cila u përdor pastaj për pushkatimin e poetit Genc Leka.
Dritan Hila reagoi ashpër duke e fyer zotin Tufa si krijues dhe pas kësaj Agron Tufa botoi një dokument ku krimineli Feçor Shehu i jepte një mirënjohje Yll Hilës, të jatit të Dritanit, për kontributin që kishte dhënë kundër të dënuarve të Spaçit, në një kohë kur i jati i shkrimtarit Agron Tufa ishte i burgosur në Spaç.
Dritan Hila u mbrojt duke thënë se i jati i tij ishte pjesë e kundërzbulimit, ndërsa dokumenti i paraqitur nga Agron Tufa tregonte të kundërtën.
Pas kësaj në rrjetin social Dritan Hila vendosi foton e të jatit dhe shkroi në anglisht: “Ai ishte babai im. Jam krenar me ty vëlla. Ju e bëtë Shqipërinë të madhe dhe të respektuar!”
Periudha gati gjysmë shekullore diktatoriale sigurisht nuk lë shteg për të ndjerë krenari, veç turp dhe vrarje ndërgjegje, sepse eshtrat e të vrarëve të pafajshëm kanë bërë një mal më të lartë se Korabi!
Ndërsa vuajtjet e të dënuarve dhe sidomos shtresës vulnerabël, grave dhe fëmijëve, që regjimi ua ka djegur jetën, janë turp kombëtar!
Është shumë i rëndë fakti që në Shqipëri nuk është mbajtur qendrim ndaj krimeve të diktaturës, edhe 26 vjet pas rrëzimit të sistemit.
Kjo ka krijuar kaos duke e kthyer Shqipërinë prapa.
Enver Hoxha vazhdon të mbetet Hero i Popullit, ndërsa është aktori kryesor i tragjedisë shqiptare.
Gjatë një ballafaqimi që pati këtyre ditëve në aeroportin Malpensa të Milanos me Keda Kacelin, të mbesën e një të pushkatuari nga regjimi hoxhist, Ilir Hoxha, i biri i diktatorit vazhdon e krenohet me të jatin.
Dhe ai ka të drejtë, në fund të fundit, sepse as PD dhe as PS as nuk kanë tentuar që t’ja heqin këtë titull të lartë.
Natyrisht kur është fjala për prindin, kjo është një temë e vështirë, por vendi dhe shoqëria nuk mund të mbeten peng i së shkuarës, as për hir të Ilir Hoxhës apo të kujdo tjetër, aq më tepër kur ata vazhdojnë t’i kenë idhuj etërit e tyre.
Bashkim Shehu, i biri i Mehmet Shehut, është rast unik, që i ka denoncuar krimet e diktaturës dhe të të jatit.
Sado e vështirë të ketë qenë, sepese familja e Mehmet Shehut pastaj u kthye vetë në viktimë, sipas asaj që thotë populli se çfarë bën e gjen, denoncimi i Bashkim Shehut nuk ka ndikuar për keq, por përkundrazi, ka qenë një katharsis. Bashkim Shehu ishte i biri i të jatit, por s’kishte asnjë faj për fajet e të jatit.
Shoqëria nuk mund të fajësojë bijtë për fajet e prindërve. Këtë gjë e bënte diktatura që i çonte në skëterrë bijtë se ishin të prindërve të tyre.
Si Bashkim Shehu, duhet të veprojnë edhe bijtë e atyre që patën një rol sistemin kriminal që ka shkaktuar viktima me mijra.
Kështu duhet të veprojnë nëse duan të bëjnë karierë duhet ta kenë ndërgjegjen e pastër përpara publikut.
Pastaj pyetja është a duhet të ndjejë shoqeria shqiptare keqardhje për persekutorët, për hetuesit, për ata që kanë torturuar apo kanë kryer akt-ekspertiza duke marrë në qafë jetë njerëzish ?
Kjo është një pyetje retorike. Një pyetje idiote !Natyrisht që jo!
Shoqëria shqiptare duhet të ndjejë mëshirë për viktimat!
Shoqëria shqiptare i është në borxh vuajtjeve dhe torturave të viktimave të diktaturës që janë me mijra e mijra.
Diktatura nuk ishte krenari, as për t’u krenuar, por ishte tmerr, ishte ferr dhe turp kombëtar sepse ka shkaktuar tragjedi njerëzore ndaj njerëzve të pafajshëm dhe familjeve të tyre.