-Rreth veprës dhe krijimtarisë letrare të shkrimtarit lezhjan Gjergj Shyti-
Mësuesin, drejtuesin dhe krijuesin e mirënjohur nga Lezha, Gjergj Shyti e kam njohur që në rininë e hershme, kur të dy së bashku vazhdonim mësimet në shkollën e Mesme “Shejnaze Juka” në qytetin e Shkodrës.
Gjergji ka lindur në fshatin Markatomaj në vitin 1950. Pas përfundimit të studimeve, në fillim në shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” në qytetin e Shkodrës, pastaj diplomimit në Fakultetit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, ai filloi punë në profesionin e bukur të mësuesit, por pak kohë punoi në këtë profesion, pasi në personalitetin e tij pati lindur një cilësi e re shoqërore, puna drejtuese, punë që nuk iu nda për vite të tëra, derisa doli në pension. Emri i tij është bërë tashmë i njohur në rrethin e Lezhës dhe më gjerë, si drejtues me vizion, si specialist me përvojë dhe mbi të gjitha si njeri i formuar me personalitet dhe kulturë të lartë. Janë cilësitë e tij të vyera që me nxitën të hedh në letër dhe të botoj këto radhë për jetën, punën dhe veprën e këtij njeriu me vlera në fushën e arsimit, por dhe si personalitet i kulturës dhe krijues i pasionuar.
Mbresat dhe përshkrimet për punën, veprimtarinë krijuese dhe jetën e tij, të rrëmbejnë. Janë aq interesante dhe të thjeshta, saqë edhe lexuesi më i zakonshëm përjeton me emocion problemet dhe vështirësitë, hidhërimet dhe gëzimet qe pati kaluar ai, prandaj edhe jeton me shqetësimet e tij në çdo moment. Ka ngjarje të bukura mbresëlënëse në jetën dhe veprimtarinë e një krijuesi, ka ndodhi të gëzueshme dhe të hidhura që të zgjojnë kujtime të zymta për të kaluarën, por edhe mbresëlënëse për të tashmen, të cilat shkrimtari ynë, në shumë raste i ka pasqyruat në veprat e tij.
Mes shokësh, jo rrallë përshkruajmë plot emocion dhe ndjenjë momente të bukura të jetës, veprimtarisë, punës plot përkushtim të drejtuesit të pasionuar të Bibliotekës së Lezhës, ku Gjergji sa kohë ishte në këtë detyre e deri sa dol në pension, iu përkushtua krejtësisht punës së bukur me librin, jo vetëm për të gjallëruar jetën kulturore, por edhe atë krijuese. Pikërisht në këtë periudhë lindën edhe veprat e tij aq të bukura dhe me vlera shoqërore si “Pengu i një stine” – poezi 2009, “Tregime të kohëve të para” – tregime 2011, “Kur pata ardhë në jetë” – tregime 2012, “Fundi një gojëdhëne” – roman 2014, ndërkaq autori ka në proces edhe veprat “Tingëllimë e largët” – poezi dhe “I fundmi i prijësve të Kelmendit” – monografi. Është i justifikueshëm emocioni me të cilin kolegët dhe shokët e tij përshkruajnë sot njohjen dhe punën plot pasion dhe përkushtim me krijuesin, i cili i dha një hov të madh traditës krijuese në këtë trevë ku patën punuar dhe jetuar shkrimtarë dhe poetë të njohur Ndoc Gjetja, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Agim Isaku, Shpresa Kapisyzi etj. Poeti dhe krijuesi Gjergj Shyti u dallua për praktikimin e metodave të reja në fushën e tregimit dhe ndërthurjen e subjekteve reale me ato historike, krijimin e një poezie sa tingëlluese, aq edhe narrative dhe me vlera artistike. Kështu u forcua respekti për këtë njeri me veti të rralla, fjalëpakë, i shkathët, i prerë, me vizion të qartë për të ardhmen e këto synonte t’i transmetonte edhe tek kolegët dhe shokët e tij. Poezia,duke qenë në shpirtin e tij, prandaj shpërtheu me vëllimin poetic “Pengu i një stine”. Poezitë e këtij vëllimi të tërheqin, të futin në mendime, të “detyrojnë” që t’i përsëritësh dhe t’i besosh edhe përmendsh.Nuk nisemi thjesht nga mendimi se duhet të shfaqin disa fjalë vlerësuese dhe të mira për poezitë e një vëllimit, që gjithsesi duhet përshëndetur ngrohtësisht, porse në to shohim zjarr, të cilin, lexuesit, e sidomos ne që merremi me punën me letrat publicistike dhe artistike, kemi pasionin dhe dëshirën t’i frymë këtij zjarri krijues, që, ai, edhe në ardhmen poetike të Gjergj Shytit, të shndërrohet në zjarr edhe më të madh e më të shndritshëm, prandaj dhe na buron mirësia dhe dëshira të thërrasim për bukurinë dhe freskinë e poezive, prandaj edhe duam e dëshirojmë që ato të rriten gjithnjë të bukura, me shtat të drejtë, me lëngë jetësor e gjithë gjallëri, me gjelbërim e hijeshi dhe të përhapin vazhdimisht freski dhe aromë të mirë te lexuesi, ta vënë atë në mendime për jetën, t’i japin atij mesazhe për të ardhmen.
Mbase, më shumë se në të gjitha gjinitë e artit, poezia nuk komentohet, nuk rrëfehet, nuk tregohet si një episod apo përrallë, por ajo ndjehet, ajo gjallëron brenda shpirtin dhe zemrës së lexuesit, ajo të shkakton drithërima dhe mes vargjeve të saj, e sheh jetën disi ndryshe nga ajo që ke parë e ke menduar, sheh këndvështrime dhe anë të panjohura e të bukura të jetës. Dhe, kur ndjenjat e poetit harmonizohen me ndjenjat e lexuesit, atëherë lexuesi përulet me nderim përpara bukurisë së artit. Poezitë e këtij vëllimi kanë burim zemrën e poetit, ai ka shprehur në vargje ndjenjat poetike në momente të caktuara meditimi e krijimi, prandaj dhe ato janë tërheqëse, prandaj dhe mjaft prej tyre të krjiojnë ndjesinë e peisazheve të freskëta dhe mbresëlënëse, aq sa ndonjëherë të duket sikur je përpara një piktori që po hedh me vrull e me një frymë ngjyrat e jetës, ngjyrat e natyrësë, kaltërsinë e qiellit, blunë e detit,valëzimet e lumit dhe këngën e tij melodike, erën e fresët të pranverës dhe të vjeshtës, këngët e zogjve, pasqyrimine diellit, rrezatimin e ngrohtë të hënës dhe hark ylberet e stinëve e që të gjitha këto bashkohen me bukurine e shpirtit njerëzor.
Këto mbresa i ndjen në poezitë e librit, por i ndjen edhe tek poezitë fabula që teksa fshikullojnë vese dhe dukuri të shëmtuara të jetës njerëzore, japin mesazhe të forta dhe zënë vend mjaft natyrshëm në këtë libër. I ndjen natyrshëm penelatat plot frymëzim tek poezia “Peisazh vjeshte”: “Fantazi vjeshta ime,/Në prehrin tënd u derdha,/Ti kam përjetuar dridhjet,/Peisazhet gjethe e verdha. Apo,tek poezia “Lulet e verdha”,ku spikat shpirti i bardhë i poetit,i pastër si drita që do të mirën dhe të bukurën,që gëzon si fëmijë,entuziazmohet dhe përkulet me nderim përballë bukurisë hyjnore e cila lind përmes vargjeve fare natyrshëm dhe e vetvetishme,plot harlisje dhe tinguj të hareshëm e vjeshtarak.Poeti e ndjen se suksesi i një krijimi ka bazë sinqeritetit e të shprehurit,deri në bardhësinë e dëborës,e cila reflekton qartas te vjersha “Kur ti vjen”,e ku poeti përshkruan këndshëm natyrën e freskët dhe dukuritë e saj me dashurinë njerëzore duke krijuar një lidhje që e ngazëllen lexuesin sikurse po aq e ndjere është poezia “Zheg” ku poeti heq paralele artistike mes zogjve dhe fëmijëve,sepse edhe njeriu,ashtu si gjithë gjallesat e tjera është bir edhe i natyrës ku ai jeton.Motivi i lidhjeve të natyrës të zogjve dhe luleve,në botën e fëmijëve përgjithësisht është i njohur në poezi,por merita e Gjergj Shytit është se,e jep atë nga një këndvështrim disi ndryshe me natyrshmërinë,me zërin e tij të sinqertë dhe pa teprime,pa bujë e zhurmë por këndshëm dhe me ndjeshmëri zemre,ajo rrjedh e qetë dhe me ndjenjë,duke pasqyruar ndjeshmërinë dhe dallgët e shpirtit poetik të poetit.Prandaj dhe: “Zogjtë si për mëri këngën kanë lënë,/Me sqepat hapur e krahat përpjekur,/Nxitojnë fëmijët në lumë të Matit me dalë,/Shoqi-shoqin ndjekin me cantat nën sqetull”. Poezitë e vëllimit rrjedhin varg njëra pas tjetrës si valëzimet e një liqeni kur fryjnë erërat e prillit,teksa mendimi ynë dëshiron të ndalë edhë një cast frymëmarrjen tek poezia mjaft e ndjerë “Ndanë një sallgami”, ku poeti në mënyrë mjaft njerëzore shprehet me dashuri dhe me fjalët e shpirtit për prindërit.Për të gjithë njërëzit,dashuria për prindërit është dashuri e pazëvendësueshme,një dashuri që njeriu e mban brenda vetes gjatë gjithë jetës ashtu sic mban guaska një margaritar të rrallë,të ndritshëm e vezullues.Prandaj dhe,me vargje,poeti u thur atyre një monument artistik të ndjerë,duke lartësuar vlerat e tyre njerëzore që burojnë nga thjeshtësia e jetës,duke i bërë jehonë shpirtit të tyre të madh,dashurisë për jetën,njerëzit dhe natyrës,por edhe largimit të tyre të qetë e të ndjerë,duke lënë pas vazhdimin e natyrshëm… “Të urtë qenë të dy e kurrë s’u trazuan,/ Të varfër por fisnikë e kaq të heshtur,/Jetën ashtu e ngrysën vanë e shkuan,/Emri i tyre i mirë fushës është derdhur”. Pas pak kohësh krijon në prozë, duke dalë para lexuesit me vëllimin me tregime “Kur pata ardhë në jetë”, ku spikatin tregime të bukura me subjekte interesante. Në këtë vëllim autori përshkruan jetën e vështirë të fshatarit,sepse me të ai bashkoi rrahjet e zemrës,hovet e shpirtit dhe frymëzimet djaloshare. Për masën ai krijoi bukur dhe me realizëm, krijoi duke punuar tokën,duke korrur misrin,krijoi i frymëzuar nga njerëzit e punës. U dashurua me njerëzit kur ishte fare i vogël,kur ashtu i zbathur vraponte pas xixëllonjave kënetave të Zejmenit,kur bridhte rrugëve të fshatit. Takonte e rrinte me të moshuar dhe dëgjonte prej tyre ngjarje dhe legjenda për burra trima dhe të mençur që dinin t’i dilnin zot fateve të atdheut. Kjo jetë e vështirë por e bukur ishin një shkollë e vërtetë,ishte shkolla e jetës plot ngjarje,biseda pranë vatrës në netët e gjata të dimrit. Dhe në pasurinë shpirtërore të të parëve të tij, të popullit mori nektarin e kulturës popullore, tregimet, rrëfenjat, ngjarjet, legjendat dhe i gdhendi bukur në kujtesë për t’i shpalosur artistikisht pas shumë vitesh në këtë libër të veçantë plot ngjarje jete. Janë këta rrënjë aq të fuqishme sa nuk mund t`i ndash nga trungu i jetës së heronjve që lëvizin me dinjitet në veprën e tij të mirënjohurit Gjergj Shyti,një shkrimtar origjinal,një mjeshtër i lëvrimit të tregimit jashtë kornizave të teorisë sonë letrare,një frymëmarrje gjithnjë aktuale dhe e freskët. Vepra e tij mbështetet mbi artin e popullit,mbi fjalën e tij të bukur emocionale dhe tradicionale,ai është arti i ndryshimit dhe i zhvillimit për autorin,ai plotëson nevojat artistike imediate,emocionale dhe realiste në jetën tonë.
Mediton autori Gjergj Shyti,sepse i duket të jetojë me të parët,me ngjarjet,me tokën,me të gjithë marrëdhëniet njerëzore ,me aventurat,me luftërat. Atëherë edhe vepra e tij do të ketë frymëmarrjen e kësaj jete. Troket bukur dhe ëmbël në kujtesë dhe kjo i vjen jo rastësisht, por me të gjithë ëmbëlsinë e saj, me gjithë sharmin e saj duke ia plotësuar kushtet në detaje. Këtë aromë jetë, këtë frymëmarrje, lexuesi e ndjen sapo shfleton faqet e para të kësaj vepre tërheqëse dhe të vlerësuar. Në këto copëza tregimesh ka pasqyrë jete, shpesh i trishtë, ku të befason gjerësia e shtrirjes së jetës, tablotë e zymta, por plot ngjyra që të shpalosin dukshëm një realitet të ashpër, epik dhe tronditës në shtrirje kohore. Autori i koncepton tregimet e tij si një enciklopedi të jetës dhe realitetit shqiptar të atyre viteve. Prandaj përmes rrëfimit artistik ai pasqyron dhjetëra episode, përshkrime jetësore të cilat i japin veprës një frymëmarrje të gjerë artistike, ndjeshmëri dhe qëndrueshmëri,vlera të reja dhe forcë të veçantë shprehëse.
Tematika e tregimeve është e gjerë dhe interesante,sepse autori kërkon atë të vërtetë që është e vështirë ta shkruash apo ta besosh,megjithatë lexuesi e përjeton bukur subjektin,ngjarjen,personazhin apo ambientin ku zhvillohet ngjarja. Kjo ndodh sepse në vepër ka lëvizje,ka gjallëri e kjo lëvizje jepet përmes lëvizjes së realitetit dhe ndryshimeve që pësojnë personazhet e tij. Duke krijuar tablonë e zymtë të jetës së dikurshme të fshatarit prozatori Gjergj Shyti ka arritur të transmetojë artistikisht filozofinë e ecjes përpara, atë filozofi që sheh tek njeriu forcën e vërtetë krijuese dhe të zhvillimit shoqëror. Ai i ndërton tregimet e tij sipas një vizioni të qartë artistik bazuar në rrëfim ku në çdo detaj të rrëfimit mund të zbulosh një mendim,një ndjenjë,një qëndrim ndaj realitetit,mund të hapësh një udhë të re për të konceptuar më mirë të ardhmen,perspektivën,natyrën,njeriun. Prandaj themi se tregimet e tij janë jetësore,kanë gjallëri,kanë lëvizje. Është kjo gjallëri,ky veprim i matur i shkrimtarit Gjergj Shyti që ka sjellë edhe pasqyrimin e thellë e të plotë dhe ideoemocional të jetës dhe fakti që tregimet e këtij autori lexohen me endje dhe vlerësohen aq shumë është një dëshmi e rëndësishme e kësaj force krijuese letrare gjithnjë aktive. Disa nga personazhet e tregimtarit Gjergj Shyti,na duken si personazhe historike,personazhe legjendash,por në të vërtetë këta personazhe i përkasin realitetit të gjallë,që autori i ka njohur,ka dëgjuar për burrërinë,trimërinë dhe bëmat e tyre,e disa prej tyre i përkasin një realiteti të hidhur. Ky përshkrim dhe trajtim real e bën lexuesin të konkludojë se autori Gjergj Shyti e koncepton artin e të treguarit si një praktikë shoqërorë dhe njerëzore që ka specifikën e vet dhe historinë e saj. Ai ka arritur që përmes përshkrimit të japë bukur filozofinë e lëvizjes,atë filozofi që sheh tek personazhi forcën krijuese të zhvillimit shoqëror. Në këtë kontekst autori çon përpara përvojën jetësore dhe natyrshëm ndjen nevojën për t’ua transmetuar brezave këtë përvojë të bukur. Kjo arrihet bukur edhe tek tregimi “Rrugëtimi i fundit i profesor Safetit” kushtuar njeriut të kulturës,atij që rriti brezat, profesorit të Universitetit të Shkodrës Safet Hoxha. Këtu, dashuria e autorit për njeriun,për personazhin arrin aq larg,saqë merr formën e urrejtjes ndaj padrejtësive,ndrydhjes shpirtërore,shtypjes dhe shfrytëzimit social-klasor në kohët e kaluara. Përdorimi i mjaft shprehjeve popullore dhe legjendave nga autori i japin një shije te veçante subjektit te veprës,e afrojnë atë me jetën e përditshme, me ngjarjet e zakonshme.
Shkrimtari Gjergj Shyti mbetet njeri i vlerave, shembull i tipareve njerëzore, njeri i nderuar, poet i pasionuar, krijues dhe njeri i përkryer. Përmes kujtimeve synuam të përshkruajmë sadopak jetën plot aktivitet të një njeriu, i cili ka ditë qe ka dalë në pension, por nuk ndjen plakje, por ndodhet përsëri aktiv mes kolegëve, krijuesve, shokëve dhe njerëzve të tij të dashur.
Komentet