Fjala në Promovimin e Librit
Të nderuar pjesmarrës!
E nderuar zonja Marjana Bulku dhe antarë të familjes Bulku, zoti Ilir, zonja Belina, Genti, Deny, Henry…
I nderuar z. Agim Rexhaj, Presidenti i Nderit i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës “VATRA”
Të dashur pjesmarrës!
Promovimi i një libri përbën gjithmonë një moment emocional, jo vetëm për atë që e shkruan por edhe për ata që e kanë lexuar ose do ta lexojnë atë, dhe që gjejnë brenda faqeve të tij jo vetëm jetën e dikujt tjetër, por shumëçka edhe nga vetvetja.
Libri që po promovojmë sot “NJË JETË DISA HISTORI” i autores Marjana Bulku, për mendimin tim është pikërisht libri ku të gjithë ne dhe qindra mijëra shqiptaro – amerikanë e gjejme vetveten në një mënyrë ose në një tjetër. Arësyea është e thjeshtë:
Të gjithë kanë kaluar nëpër një kalvar mundimesh për të ardhur në këtë vend dhe për t’u përshtatur me atdheun e dytë, Amerikën duke marrë me vete mallin, dhimbjen, shqetësimin dhe dashurinë për atdheun që kanë lënë pas,
Dua të them me plot gojën se ky libër është një transkriptim virtuoz i fjalëve të thëna prej të intervistuarve në intervistat televizive. Mendimi i autores që nëpërmjet të këtyre intervistave të sillte historitë individuale të secilit, në fakt na ka sjellë një imazh kolektiv të bashkësisë Shqiptaro – Amerikane në periudhën në fjalë. Në këtë aspekt më duket sikur kur mbaron së lexuari ke biseduar përpara një kamere me të gjithë shqiptarët e Amerikës të përmbledhur në një individ i cili ka këto cilësi:
Dashurinë për atdheun
Patriotizmin,
Virtytet më të mira shqiptare
Përpjekjte titanike për tu përshtatur në vendin e ri në Botën e Re.
Respekti për vendin ku kemi ardhur,
Progresin ekonomik dhe edukimin e klasit të parë botëror.
Organizimin shoqëror dhe kontributin kombëtar.
Ky libër është një haraç nderi për arritjet e shqiptarëve i ofruar nga autorja.
Marjana Bulku e hap siparin me këto fjalë të cilat na shoqërojnë në idenë e tyre deri në faqen e fundit:
“Unë vendosa” ta ndërtoj “ këtë “ Muzeum” në këto faqe libri përmes përshkrimeve dhe analizave të mia, intervistave dhe konkluzioneve përtej pyetjeve pasi në fare pak vite të jetës time në Nju Jork, SHBA pata fatin të njoh disa prej tyre, falë komunikimeve të drejtpërdrejta ku njoha historitë, preka veprimtaritë, ndjeva përpjekjet e pandalshme që shqiptarët punëtorë e fisnikë të Amerikës bëjnë për të mbajtur gjallë lidhjet me vendin amë: Shqipërinë, Kosovën,Maqedoninë, Malin e Zi.
Jeta e çdo njërit prej tyre mbart kaq shumë histori shumë prej të cilave nuk duhen harruar, ka nga ato që janë frymëzuese dhe burim krenarie, prandaj dhe vendosa t’i përjetësoj përmes faqeve të një libri.”
Libri fillon me një rrëfim rrënqethës për historinë e një intelektuali shqiptar i cili pasi u edukua në Francë, e pa demokracinë aty, dhe u kthye në atdhe, përfundoi në pranga dhe fati i tij mori atë drejtim tragjik vetëm se kishte thënë se mendonte dhe besonte se:
“NJË DITË DO TË NDRYSHOJË KJO PUNË”. Ai është Astrit Rama.
Pastaj vinë fjalët e zonjës, LUMI HADRI
E bija e patriotit të madh Ali Hadri dhe një aktiviste e njohur e bashkësisë shqiptaro – Amerikane:
Ajo na sjell një rrëfim të trshtueshëm për vëllain e humbur për lirinë e Kosovës por edhe filozifinë e babait të saj nën terrorin e UDB së Jugosllave. Ajo na sjell edhe atë që është më e rëndësishmja në jetën e njeriut: DINJITETI, kur thotë se babai i saj Profesori i nderuar Ali Hadri i mësonte fëmijët e tij se:
“Unë kam qenë zot i të kaluarës time,
jam zot i të tashmes dhe i të ardhmes time,
sepse unë i di rrjedhojat e qëndrimeve të mia.”
Një mësim shumë i madh ky për njeriun e sotëm. Si një aktiviste e njohur e cështjes së Kosovës, ajo shpreh edhe shqetësimin e ligjshëm për mbarëvajtjen e shtetit të Kosovës kur thotë:
“Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës u hapën ambasadat dhe si rezultat diaspora nuk vazhdoi të luajë rolin proaktiv në aspekin e lobimit. Fokusi u vu më tepër në investime. Përse kjo ngjau dhe kush e shkaktoi shkyçjen e diasporës të SHBA-së është e debatueshme. Pasi që shteti i Kosovës edhe pas 20 -viteve akoma nuk është konsoliduar është evidente që ekziston një vakuum dhe që përsëri diaspora duhet të mobilizohet për të ndihmuar në përmbylljen e këtij proçesi me përkrahjen e Administratës Amerikane. Përsa i përket prosperitetit përpjekjet tona nuk kanë ndaluar asnjëherë.
ADEM BELLIU, një aktivist i njohur i Bashkësisë tonë Shqiptaro – Amerikane thotë në intervistën e tij:
Duke jetuar në Demokraci e në liri qytetari nuk duhet të presë vetëm nga shteti apo nga tjetri. Duhet qe të kërkojë shumë më shumë nga vetja në drejtim të punës, të ekonomisë personale e të gjejë forma e mënyra për të punuar privatisht.
IDRIZ LAMAJ ish gazetar i VOA i përgjigjet kështu autores kur ajo dëshiron të dijë më shumë për rolin e shtypit të lirë në Amerikë:
“Zëri i Amerikës” është një institucion i veçantë, ashtu siç janë të gjitha institucionet e Qeverisë Federale Amerikane, serioze në mbilartësi ndërkombëtare. Si gazetar shumë- vjeçar në seksionin e gjuhës shqipe kam mësuar shumë gjëra:
Të përqendrohesh në thelbin e çështjes.
Të shkruash për subjektin që ke para sa më shkurt.
Në secilin shkrim i rëndësishëm ose i parëndësishëm, të mbështetesh të paktën në dy-tre burime të ndryshme.
Ndërsa sa i takon vendlinjes ai thotë:
“Unë jam malësor i thjeshtë, i rritur dhe plakur tashmë rrugëve të mërgimit. Atdheu im i lindjes nxën vend tek unë, aq sa nxën vend nderi dhe dinjiteti im. Çfarë vendi nxën atdheu, te secili mërgimtar?! Kjo gjëndet më së miri në poezinë e Ernest Koliqit “ Shqipnin e mora me vete”.
FRANK SHKRELI, po ashtu gazetar shumë i njohur i VOA dhe analist politik jep këtë mesazh:
Mesazhi im është i thjeshtë: Të thuhet dhe të shkruhet e vërteta!
Nuk është aspak e rastit se në një botë si sot, ku “informacioni nuk njeh limit dhe ku e vërteta dhe mashtrimi janë sa larg po aq edhe pranë për shkak të disinformimit” – që liria e shtypit, gazetaria e lirë në pëgjithësi, është sot më e kërcënuar se kurrë.
Prandaj, sot është më e rëndësishme se kurrë që të mbrohet, të promovohet dhe të fuqizohet shtypi i lirë, në interes të publikut dhe në interes të demokracisë së vërtetë.
IRIS HALILI na jep këto tre alternativa nëse vjen në Amerikë:
Emigrimi të le mundësinë të zgjedhësh një nga tri rrugë:
Ose do të asimilohesh,
Ose do të margjinalizosh,
Ose do të integrohesh.
DESHIRA AHMETI KËRLIU, kangëtarja lirike me një një vokal gurgullues porsi burimet e kulluara e ajri i pastër nga ajo vjen DIBRA na thotë:
Personalisht mendoj se ka shumë rëndësi ambijenti ku rritesh, qyteti, natyra që të rrethon, ajri që thith dhe uji që pin. Pastaj është me shumë rëndësi familja, edukata familjare dhe ajo sociale, kultura e atij qyteti, qytetaret, mësuesit që të edukojnë në shkollen fillore deri te momenti kur merr valixhet dhe me të gjitha këto brenda shkon në studime për të arritur të bëhesh një profesionist dhe ta zhvillosh më tejtalentin që posedon.
MJAFTIME BRATI DUSHOLLARI
Largimi i çdo njeriu nga vendi i lindjes është i vështirë dhe i dhimbshëm, pavarësisht nga arsyet që e diktojnë. Dhe sa më i rritur të largohesh, aq më e dhimbshme bëhet sepse lë pas vendin që të lindi e të rriti, të afërmit, kujtimet, kulturën e vendit tënd, shoqërinë… etj. Unë personalisht jam ndjerë sikur lashë pas një pjesë të vetes time.
DR PASHKO CAMAJ
Një nga gjërat shumë frymëzuese ka qenë të shohësh se si shqiptarët përpiqen të ndjekin arsimimin e tyre, pavarësisht nëse janë shqiptarët që kanë emigruar këtu kohët e fundit, ose pasardhësit e tyre ata duan të ndërtojnë një bazë të mirë e të qëndrueshme arsimore për të ardhmen.
LORETA STAMO, shëmbulli i aftësive të shqiptarëve për progresin e jashtëzakonshëm teknollogjik në të cilën shqiptarët janë përfshirë dhe përshtatur në këtë vend thotë:
Ndjehem mire, si në ‘shtëpinë time! Fusha e Inteligjencës artificiale (Artificial Inteligjence) dhe e kompjuterave të mësuar (Machine Learning) po hyn në çdo drejtim. Makinat pa shofer, bankieri robot që të identifikon në varësi të sinjalit zanor, doktori robot që të dikton direkt gjithë opsionet ekzistuese në varesi të analizave dhe ankesave, shahisti robot që mund edhe vet kampionet e shahut, edhe ata që e kanë programuar etj, etj…duken të frikshme për brezat më të vjetër, por s’ka asnjë mister aty tanimë. Në bazë të të gjithave është mendja e njeriut por që edhe mendja vet ‘dorezohet’ para fuqisë dhe shpejtësisë llogaritese të super-kompjuterave të sotëm.
AZETA ZHABJAKU KOLA flet për mallin për vendlindjen:
Kushdo që le vendin e lindjes dhe emigron në një vend të huaj ka një histori për të treguar. Secila histori është personale dhe mbresëlënëse. Unë u bëra qytetare e vendit të adoptuar në të cilin jap kontributin e duhur në shoqëri.
DRITA GJONGECAJ themeluesja dhe drejtuesja e Shkollës “Sons of the Eagle” na thotë:
Mësuesia mbetet një profesion i dashur për mua. Përvoja ime si mësuese dhe drejtuese shkolle në Shqipëri më dha një pikënisje të fuqishme në zgjedhjen e kahjes së karrierës këtu në vendin e ri.
Me rëndësinë që po merr dy-gjuhësia në përgjithësi dhe përfitimet në nivelin personal por edhe atë të identitetit kombëtar, unë e shoh me optimizëm të ardhmen e përdorimit të shqipes. Më shumë se asnjëherë tjetër shohim organizata dhe shkolla shqipe si dhe bashkëpunim në shërbim të ruajtjes së gjuhës e traditës.
MIRJANA LUKIC na jep këtë mesazh për fëmijët shqipëtarë:
Mesazhi im për fëmijët shqiptarë është se ne si kulturë duhet të jemi krenarë për paraardhësit tanë dhe brezat para nesh. Ne jemi duke jetuar jetën që kemi sot sepse brezat para nesh bënë sakrifica për të siguruar të ardhmen tonë. Unë i adhuroj prindërit e mi që rrezikuan për të hyrë në të panjohurën me aq shumë rreziqe të paparashikuara. Por ata e kishin guxim në zemrat e tyre dhe ëndrrat për një jetë më të mirë për familjen e tyre.
GJON BUCAJ, ish drejtues u VATRËS dhe zonja e tij NIKOLETA BUCAJ, na japin këtë mesazh prekës për për VATRËN tonë të dashur:
“Vatrës” do të doja t’i kisha dhanë ma shumë, por kohën dhe përpjekjet për t’a ndimue, ia kam kushtue me dashuni, i motivuem kryesisht nga idealizmi atdhetar i para-ardhësavet tanë. Kam pasë fatin të kem bashkëpuntorë të përkushtuem për arritjet sado modeste që mund të jenë”
Autorja na jep edhe një listë profilesh të cilët do ti gjeni në faqët përmbyllëse të këtij libri por mua më pëlqen të citoj tre prej tyre që i kam patur dhe i kam miq dhe njerëz të dashur e të respektuar: Ata janë:
I ndjeri DALIP GRECA, ish editori i DIELLIT për te cilin autorja thotë:
Nuk është e lehtë që ta ruash profilin e intelektualit në emigrim, do të duhet jo pak investim nga koha personale dhe ajo e familjes përmes angazhimit sistematik në komunitetin shqiptaro-amerikan, reflektimit të matur e të barazpeshuar, gjykimit të mprehtë me pendë e mendim dhe bashkëpunimit të ngrohtë e miqësor me kolegët përtej çdo rivaliteti dhe oponence qëndrimesh.
FADIL BERISHA fotografi tashmë botnisht i njohur:
Ai është një emër i njohur në botën amerikane dhe atë shqiptare pasi ka një profil ku shkrihet profesionalizmi dhe humanizmi. Përmes fokusit fotografik syri i tij sjell tek ne bukurinë njerëzore; natyralen, provokativen, pozanten, të pastrën, të kultivuarën, të retushuarën, atë para të cilës gjithkush kthen kokën dhe thotë Uau! Sa e bukur!
RIAD YMERI, tenor:
Artisti që i ngjan aq shumë vendit të tij. Potent në skenë, me një zë të thellë sikur del prej mijëra vitesh e kërkon të thotë atë çka nuk u tha, i brishtë dhe human në jetë, Riad Ymeri ndriçon në çdo skenë dhe podium ku interpreton.
DR. DHIMITÊR BENO, mjeku i palodhur dhe njëriu humanist, babai i Elizabeth Benos, e cila drejton Shoqatën Motrat Qiriazi. Ai na thotë:
“Gjëja më ë rëndësishme është të qënit njeri.
Dike shpresuar se po kalojmë ca çaste të bukura të cilat unë i quaj QUALITY TIME, zonjës Bulku i Uroj shumë suksese, mbarësi dhe krijimtari të bollshme edhe në të ardhmen.
Ju falenderoj për vemëndjen!
Me respekt
Mal Berisha