Prej vitesh Evropa nuk arrin të bëjë asnjë hap përpara, vendimtar për t’u kthyer në një subjekt të vërtetë politik. Pra e aftë për të patur një politikë të jashtëme të përbashkët e, për pasojë, të ketë njëfarë peshe në arenën botërore. Gjë që nga ana e saj, natyrisht, do të thonte edhe aparat ushtarak të përbashkët, të bindur një komande të përbashkët, të pajisur me një armatim të njëjtë për të gjitha ushtritë, madje të furnizuar nga i njëjti prodhues.
Por Bashkimi Evropian nuk dëgjon nga ai vesh. Qeveritarët e Vendeve të ndryshëm antarë nuk kanë ndërmënd të kryejnë hapin e nevojshëm për të ndërtuar një politikë të jashtëme e ushtarake të përbashkët, pra për të hequr dorë nga një pjesë e rëndësishme e sovranitetit kombëtar, i të cilit janë mbajtës. Fakti përcaktues është se mbas këtij kundërshtimi ka një arsye që cilido demokrat nuk mund të mos e ketë në vëmëndjen më të madhe: pra atë që shumica e zgjedhësve të tij nuke dëshiron. Kjo do të thotë se shumica e qytetarëve të Vendeve evropiane nuk ndihet aspak “evropiane”. Më saktë, nuk ndihet para së gjithash evropian e mbas kësaj letonez, hollandez apo italian: siç duhej të ishte e nevojshme për t’i dhënë jetë një Evrope të vërtetë politike. Në fakt është e vërtetë se në kontinentin tonë më parë kanë lindur Shtetet e më pas qytetarët e tyre. Me një fjalë është e vërtetë që më parë ka lindur Mbretëria e Francës ose Mbretëria e Spanjës, e vetëm më mbrapa, shpesh shumë më mbrapa, kanë lindur francezët ose spanjollët me vetëdijen e një njinjisimi të vet kombëtar.
Njinjisim që, duke qënë një krijim historik, nuk ka asgjë pra “të natyrshëm”. Por kujdes: kjo nuk do të thotë aspak se ky njinjisim kombëtar është diçka e stisur, e sajuar, që mund të agjësohet apo të ndryshohet simbas qejfit, siç ndrrohet një veshje. Historia, pra kalimi i kohës, prodhon dhe ajo një realitet. Krijon ndjenja, mënyra të menduari, të qëni, e të jetuari, prodhon njerëz me subjektivitetin e tyre. Një subjektivitet që n’Evropë prej dy qindvjetorësh është mësuar me demokracinë: një fakt që ka ndryshuar gjithshka o së paku shumë gjëra që kanë të bëjnë me bisedën që po bëjmë.
Në të vërtetë, ndërsa në atë kohë askush nuk i pyeti ata që u gjëndën në jetë në mbretërinë e Francës apo të Spanjës nëse dëshironin të bëheshin francezë apo spanjollë, ndërsa sot, nëse duhet të lindë një Shtet evropian duhet t’u pyetet evropianëve nëse janë në një mëndje. Nëse pranojnë të braktisin një gjëndje që shpesh është prej shekujsh e tyre, për të fituar një tjetër të re e të panjohur: pikërisht për të bërë të lindë Evropën e dëshiruar politike. Gjithkush e kupton se nuk është një gjë e lehtë. Aq më shumë se kjo përputhet me një shndërrim vendimtar të ndodhur në dhjetëvjetorët e fundit të klasave drejtuese të kontinentit. Një shndërrim që ka një emër: zhdukja e politikës.
Nga dalja nga skena e atyre që kishin jetuar klimën evropiane të luftës e të mbasluftës – të personaliteteve si Kohl, si Mitterrand, si Delors ose përfaqësuesit e Demokracisë së hershme të krishterë: por nuk do të harroja edhe zonjën Thatcher – në Vendet drejtuese të kontinentit nuk ka arritur më në majat e pushtetit asnjë udhëheqës i aftë të matet me politikën në vështrimin e fuqishëm të fjalës, me politikën që synon të ndryshojë gjërat, të bëjë të lindë të renë. Asnjë drejtues t’aftë për një kujtesë historike, që të shohë përtej interesave zgjedhore, me njohjen e problemeve të mëdha dhe pasionin e synimeve të mëdha, siç qe vendimi tepër i guximshëm i lindjes së euros në prag të Dymijës.
Ndërsa mbas tij zbrazësia. Mbas asaj kohe ndërtesa evropiane ra në dorë të burokracive, u ngatërrua me murtajën e “kompetentëve”, të komisioneve, të llogaritarëve të defiçiteve e të “tejkalimeve”. Është shqetësuar vetëm për të shpërndarë para. Duke u përkundur në iluzionin që formula kërkuese e “hapësirës së lirisë, të drejtësisë e të paqës”, me të cilën nga një farë pike e më pas BE ka filluar të përcaktohet, do të mund të përbënte një tërheqje ideale të dobishme, fillimin e një përkatësie një atdheu. Por që kur ka lindur bota një bankë apo një gjykatë nuk kanë përbërë kurrë një zanafillë nënshtetësie. Shumë më tepër se sa një Pnrr duhet për të bindur ndonjërin të mos quhet më çek apo spanjoll, por evropian.
BE ka munguar pikërisht në atë që duhej të ishte detyra e tij e parë: të bënte evropianët. Në të vetmen mënyrë në të cilën ajo ka ndodhur gjithmonë: duke i dhënë banorëve të kontinentit kuptimin e historisë së tyre, të vlerave (edhe fetare) që ajo u ka dhënë jetë, të të qënit i përveçëm e, nëse më lejohet, të madhështisë e të rëndësisë së njërës e të tjerave. Duke treguar edhe fletët e zeza, natyrisht, por së bashku me mësimet që Evropa ka qënë e aftë të nxjerrë. Sigurisht, për të gjithë këto do të kishte qënë e nevojshme të sfidonte ndonjë qoshe të përbashkët të politikisht korrektes e veçanërisht të vendoste se çfarë janë, se çfarë duhet të jenë apo të mos jenë. E pra të kryhej ndonjë zgjedhje ideale, ndoshta ndonjë zgjedhje e guximshme, të tregohej një e shkuar e duke u nisur prej saj të kishte një projekt, një ëndërr. Me një fjalë do të kishte qenë e nevojshme politika vetëm politika e kuptuar në këtë mënyrë themelon Shtetet e ndërton njinjisinë e popujve. Përndryshe nuk mbetet veçse të bëhen lloqe e votime çdo pesë vite.
“Corriere della Sera”, 2 prill 2024 E përktheu Eugjen Merlika