Sigurisht, nuk kam qenë indiferent me ngjarjen e ditëve të fundit, kur presidenti dekoroi me titullin “Martirë të lirisë” 63 nacionalistët në tetor 1943 në Matjan të Lushnjës nga dora kriminale e Mehmet Shehut, me bandën që drejtonte asokohe. Pas dekorimit, menjëherë reaguan enveristët e mbetur gjallë, si dhe ushtarët e tyre, që tashmë janë “historianë”, që në fakt vetëm të tillë nuk janë. Akuza e rëndomtë e tyre dihet, se 63 të pushkatuarit ishin bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit. Akuza e tyre bie poshtë, referuar fakteve historike. Italia fashiste kapitulloi në shtator 1943 dhe nazistët gjermanë nuk kishin mbërritur ende në Shqipëri. Lind pyetja: Bashkëpunëtorë të kujt ishin atëherë 63 nacionalistët? Normal, të askujt! Kjo ishte një alibi e komunistëve për të justifikuar një nga krimet më makabre të radhës. Bile, sarkazma dhe ironia e tyre e ndyrë shkon deri atje se gjoja Mehmet Shehu (sadisti) i paska kërkuar ndjesë Enver Hoxhës dhe se “Shpati” i paska tërhequr vërejtje: “Mos i vrisni katundarët, se janë aleatët tanë”. Po kush i ha këto mbroçkulla?! Mund t’i hajë Paloka i PD-së, që ka pasur babain partizan, por jo unë, biri i nacionalistit.
Çfarë ndjese kërkoi xhelati Shehu; kishte qëlluar ndonjë person me pëllëmbë, apo kishte urdhëruar vrasjen e 63 burrave të pafajshëm?! Jo, ai ishte thjesht një vrasës kriminel gjakftohtë dhe duhej të dënohej qysh atëherë për gjenocid, e jo të vazhdonte të jetonte deri në 1981-shin, kur vrau veten si bastard. Sigurisht, e zunë haqet e atyre që u krijoi aq fatkeqësi, dhe në këtë botë lahen të gjitha poshtërsitë. Ndërkohë, më ka çuditur fakti që ish-i burgosuri politik, Fatos Lubonja dhe prof. Mark Marku, ekzekutimin e 63 nacionalistëve i quajnë viktima. Më vjen shumë keq për këta dy intelektualë, që nuk dinë të dallojnë viktimën nga një vrasje të paramenduar. Zotërinj, viktimë quhet ai individ, ose një grup njerëzish që mbyten në lumë, që vdesin nga tërmetet, që vdesin nga terroristët që hedhin veten në erë me tritol, si ngjarjet e fundit në Belgjikë e gjetkë, apo kur një vrasës qëllon me kallashnikov ndaj një individi dhe plumbat qorrë të shpërndarë vrasin edhe persona të tjerë. Këta të fundit quhen viktima, se nuk ishin objektiv i kriminelit.
Po si mund të quhen viktima 63 nacionalistët e Mit’hat Frashërit, që firmosi shpalljen e Pavarësisë në 1912-ën krah Ismail Qemalit, kur çeta e banditit Mehmet Shehu në mënyrë të organizuar, në mënyrë selektive grumbulloi me forcë të gjithë anëtarët e formacionit të organizatës luftarake të Ballit Kombëtar dhe i ekzekutoi pa gjyq?! Do të thotë që gjithçka ka qenë e paramenduar dhe ekzekutimin nuk e kanë bërë në përpjekje lufte për të ruajtur kokën, por me gjakftohtësi të plotë, duke eliminuar kundërshtarin politik. Kjo ngjarje e ka emrin krim në përmasa të mëdha kundër një organizate politike sikundër ishin 63 martirët e lirisë, që me të drejtë, Presidenti i Republikës u ka akorduar një titull të tillë. Kjo është e qartë si drita e diellit!
Problemi i kopesë së enveristëve dhe pinjollëve të tyre nuk është thjesht dekorimi që iu bë martirëve, por janë duke u diskretituar në sytë e rinisë shqiptare, e cila nuk e njeh historinë e shkuar dhe kjo është bërë e qëllimshme nga forca të caktuara politike, që kanë qenë të komprometuara me regjimin totalitar komunist. Unë po ju bëj prezente një histori të ngjashme me atë të Matjanit në Lushnjë. Në dhjetor 1943, banda e Mehmet Shehut sulmoi natën me serbin Dushan Mugosha fshatin tim, Dukat i Vlorës. Ata vërshuan natën nën breshërinë e armëve, por burrat dhe gratë trima të Dukatit u ngritën në këmbë dhe iu përgjigjën me armë banditëve. Unë i quaj banditë, se vetëm kjo kategori sulmon natën njerëz të pafajshëm për t’i grabitur apo për t’u nëpërkëmbur nderin në mënyrë tinëzare, se një organizatë luftarake politike që ka marrë përsipër misionin e shenjtë të luftojë pushtuesin, nuk mund të sulmojë e të vrasë pa asnjë shkak vëllezërit e tij të gjakut, popullin e vet.
Në rastin konkret, partizanët e Nacionalçlirimtares sulmuan pabesisht fshatin Dukat. Pas asaj beteje u vranë shumë kaçakë dhe po aq fshatarë, trimat e vendit i vunë përpara si derrat banditët e malit dhe i detyruan të tërhiqeshin me turp, duke ikur nga sytë këmbët. Po përse e sulmoi Mehmet Shehu Dukatin me kaçakët e tij? Dihet, Dukati ishte rreshtuar në krah të forcave nacionaliste dhe jo komuniste, siç e quanin veten ata, dhe nga urrejtja që kishin për këtë fshat krenar, e sulmuan për ta nënshtruar me dhunë, por thyen hundët keqas. Ç’ndodhi pas lufte me të vrarët në Dukat? 12 të vrarët e komunistëve u shpallën dëshmorë, ndonjëri edhe hero, – më duket Myrto Sadiku nga Tërbaçi, – familjet e tyre morën pension lufte për 46 vite, plus përfitimet si shkolla, shtëpi, me një fjalë dyer të hapura kudo.
Po me fshatarët e vrarë dhe familjet dukatase, ç’ndodhi? Të vrarët u shpallën armiq dhe familjet e tyre morën damkën “armiq të pushtetit popullor” dhe lufta mizore e klasave nuk iu nda për 46 vite rresht; pasojat dihen: persekucion, privime për shkollim, punë etj. Në nëntor 1944, sa fituan pushtetin, Mehmet Jaho, një komandant partizan u gjend në Dukat bashkë me njerëzit e tij, si për t’u thënë fshatarëve “Ja, fituam”, por edhe për të qetësuar ujërat, pas asaj drame që kishin lënë pas. Babai im 24 vjeç, trim dhe me temperament, anëtar i Ballit Kombëtar, iu drejtua Jahos pa iu dridhur qerpiku: “Kush i vrau vëllezërit Deroj?” Mehmet Jaho, komandanti, u step nga 24-vjeçari Xhevit Havari dhe i trembur i tha: “Nuk i vrava unë, por komisari”. Po pse i vranë vëllezërit Deroj? – do pyesë lexuesi. Dy banditë hynë me forcë në shtëpinë e vëllezërve të moshuar dhe iu thanë parullën “Vdekje fashizmit” dhe vëllezërit u përgjigjën “Shqipëri e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”. Vetëm pse nuk kthyen parullën e tyre “Liri popullit”, i nxorën në oborr dhe i pushkatuan në çast. U trondit shumë fshati, dhe nga ai moment u hipi gjaku në kokë, me të drejtë e morën hakun aty për aty.
Këta ishin çlirimtarët e Petro Koçit dhe Paskal Milos e kompani… Unë i pyes këta pseudohistorianë apo dhe njerëz të kulturës: Cili është ndryshimi midis të vrarëve të NÇ dhe fshatarëve të Dukatit?! Përse njëra palë janë dëshmorë dhe tjetra janë armiq?! Kush e sulmoi Dukatin, kaçakët e NÇ, apo Nacionalçlirimtaren Dukati? Sigurisht, komunistët e ardhshëm sulmuan fshatin. Duket qartë diferenca, dhe për këtë nuk ka diskutim. Me të drejtë ish-presidenti Bamir Topi iu ktheu dinjitetin në vend të rënëve që mbrojtën nderin dhe dinjitetin e tyre dhe familjeve të tyre nga hordhitë sllavo-komuniste. Natyrisht, nuk mund t’iu kompensonte dot kalvarin e gjatë të vuajtjeve të pamerituara nga ajo e keqe e madhe që quhej diktatura e proletariatit.
Është identik edhe rasti i Lushnjës, ku 63 të vrarët nga banda e Mehmet Shehut, me gjithë “ndjesën” e tij dhe të shefit të tij “Tarasi”, u quajtën armiq dhe jo viktima, familjet e tyre u konsideruan armike të pushtetit dhe konsekuencat e luftës së klasave vazhduan deri në dhënien shpirt të atij regjimi të egër diktatorial që rrallë kishte parë bota e qytetëruar. Është turp që, pas 25 vitesh demokraci, gjërat nuk kanë shkuar në vend. Historia nuk duhet lexuar si e shkruan ideologët mashtrues komunistë, por ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë. Historia jonë kërkon një revizionim të thellë. Ky është një detyrim i madh për brezat që do të vijnë, atë revizionim që bënë të gjitha vendet ish-komuniste me Gjermaninë simbol.
Komentet