Në vitin 1892, në Universitetin e Stanfordit, një student 18-vjeçar luftonte për të paguar tarifat e shkollimit. Ai ishte jetim dhe, duke mos ditur se ku të kërkonte para, i lindi një ide e shkëlqyer. Ai dhe një mik vendosën të organizonin një koncert muzikor në kampus për të mbledhur fonde për edukimin e tyre.
Ata iu afruan pianistit të madh Ignacy J. Paderewski. Menaxheri i tij kërkoi një tarifë të garantuar prej 2,000 dollarë për recitalin e pianos. U arrit një marrëveshje dhe djemtë filluan të punojnë për koncertin që të kishte sa më tepër sukses.
Dita e madhe erdhi, por për fat të keq, ata nuk kishin arritur të shesin biletat e mjaftueshme. Ata kishin mbledhur vetëm 1600 dollarë. Të zhgënjyer, ata iu afruan Paderewskit dhe i shpjeguan situatën e tyre të vështirë. Ata i dhanë të gjitha 1600 dollarët, plus një çek për 400 dollarët e mbetur. Ata premtuan se do ta paguanin çekun sa më shpejt të ishte e mundur.
“Jo,” tha Paderewski. “Kjo nuk është e pranueshme”. Ai grisi çekun, iu ktheu 1600 dollarët dhe u tha dy djemve: “Ja ku i keni 1600 dollarët. Zbrisni çdo shpenzim që keni bërë. Mbani paratë që ju nevojiten për tarifat tuaja të shkollimit dhe më ktheni atë që ka mbetur.” Djemtë u habitën dhe e falënderuan pa masë. Ishte një akt i madh dashamirësie, që vinte në dukje se çfarë qënie njerëzore ishte Paderewski.
Përse do t’i ndihmonte dy djem që as nuk i njihte?
Të gjithë ne hasim situata të tilla në jetën tonë. Dhe shumica prej nesh mendojnë vetëm: “Nëse i ndihmoj, çfarë do të ndodhë me mua?” Ndërsa njerëzit me zemër të madhe mendojnë: “Nëse nuk i ndihmoj, çfarë do të ndodhë me ta?” Ata nuk e ndihmojnë duke pritur diçka në këmbim. Ata e bëjnë këtë sepse mendojnë se është gjëja e duhur për të bërë.
Paderewski më vonë u bë Kryeministër i Polonisë. Ai ishte një udhëheqës i madh, por për fat të keq, kur shpërtheu Lufta Botërore, Polonia u shkatërrua. Në vendin e tij kishte mbi 1.5 milionë njerëz të uritur dhe qeveria e tij nuk kishte para për t’i ushqyer.
Paderewski nuk e dinte kujt t’i drejtohej për ndihmë. Ai kërkoi ndihmë nga Administrata Amerikane e Ushqimit. Ai dëgjoi se ishte një njeri i quajtur Herbert Hoover, i cili më vonë u bë President i Shteteve të Bashkuara. Hoover pranoi të ndihmonte dhe shpejt dërgoi tonelata drithë për të ushqyer popullin polak të uritur. Një fatkeqësi u shmang.
Paderewski u ndje i lehtësuar. Ai vendosi të udhëtojë për të takuar Hooverin dhe për ta falënderuar personalisht. Kur Paderewski filloi të falënderonte Hooverin për gjestin e tij fisnik, Hoover ndërhyri shpejt dhe tha: “Ju nuk duhet të më falënderoni, zoti kryeministër. Ndoshta nuk ju kujtohet, por shumë vite më parë, ju ndihmuat dy studentë të rinj të shkonin në kolegj. Unë isha një prej tyre.”
Bota është një vend i mrekullueshëm. Çfarë të mbjellësh, do të korrësh. Ju lutemi ndihmoni të tjerët sa më mirë. Në planin afatgjatë, ju mund të ndihmoni veten. Universi nuk harron kurrë këdo që mbjell një farë të mirë te të tjerët, kurrë.
Asgjë në natyrë nuk jeton për vete. Lumenjtë nuk e pinë ujin e tyre. Pemët nuk hanë frutat e tyre. Dielli nuk jep nxehtësi vetëm për vete. Lulet nuk përhapin aromë për veten e tyre. Të jetosh për të tjerët është rregull i natyrës.
Dhe aty qëndron sekreti i të jetës!
Kredite: Sueños de Luna