Kalvari i shqiptarëve që nuk donin të tjetërsoheshin
Jean Faveyrial është bërë tashmë i njohur me botimin në frëngjisht dhe shqip të librit të tij Historia e Shqipërisë, në sajë të punës së palodhur të studjuesit të njohur Robert Elsie, i cili pas kërkimeve në selinë e Lazaristëve të «Saint-Benoît» në (Stamboll), Konstantinopojë, e gjeti dorëshkrimin e tij në selinë qëndrore të «Urdhërit të Saint Vincent de Paul» në Paris. Unë pata fatin të njihem me drejtuesin e arkivit Claude Lautissier, i cili me një përkushtim të veçantë më hapi dyert e arkivit për të studjuar jetën e këtij personaliteti të Kishës lazariste në trojet ballkanike. Dhe ja, në duar, një tekst i shkruar nga Faveyrial, më befasoi për historinë që ai tregonte dhe që hidhte dritë rreth përpjekjes së shqiptarëve në mesin e shekullit të XIX-të që të islamizuar dikur me forcë kërkonin tashmë të riktheheshin përsëri në fenë e origjinës: kristianizmin. Tragjedia e tri fshatrave të veriut shqiptar, (zona Mbishkodrës) i tregoi Perëndimit të asaj kohe këtë pjesë të identitetit shqiptar, të cilët njerëzit e thjeshtë luftonin ta ruanin si gjënë më të shenjtë, duke e paguar dhe me jetën e tyre. Histori rrënqethëse, e denjë për një film, çka dëshmon atë që pak evropianë e kishin kuptuar në atë kohë, kur ata gabimisht e konsideronin Shqipërinë si tokë të Islamit. Edhe pse me emra islamë, shqiptarët i ruanin ritet e kishës latine, festonin festën e Shëngjergjit, Shën Markut, etj, madje dhe festat e tyre pagane, çka ishin rrënjosur në identitetin shekullor të tyre. Ritet e vjetra, kanunet dhe besytnitë e tyre, ishin pjesë e një kulture pellazgjike dhe paralele të «Homeriadës» së Homerit të madh, të cilën do ta kërkonte gjatë udhëtimeve të tij në veriun shqiptar, studjuesi i madh francez Albert Dumont, në vitin 1871. Përse ata shqiptarë pranuan më mirë kalvarin se sa tjetërsimin? Ja si e ka rrëfyer këtë ngjarje historike At Faveyrial më 1 janar tê vitit 1870, me atë shkrimin e tij të vogël, që vështirë ta deshifrosh menjëherë.
Kujtesë historike
«Kujtesë historike mbi familjet shqiptare të persekutuara dhe të syrgjynosura për shkak të fesë, më 1845-1846». Për këto shënime që duhej t’i plotësoja, m’u desh të kem një korrespondencë të gjatë me kolegët tanë dhe «motrat» («suorat») që ende janë gjallë, të cilat ishin dëshmitare të fakteve që do të tregojmë. Tani që i kam këto dokumente, po i rendis të gjitha. Për këtë do të përdor dhe disa fakte të përmëndura nga vepra e të ndjerit z. Hecquart, konsulli francez i Shkodrës, të cilat i referohen aktorëve të asaj barbarie. Sipas kolegut tim Bonnieu, ja cili ishte shkaku fetar që bëri të nxisë mizorinë e turqve. Një shqiptari, një kristiani të hershëm që gjëndej në Konstantinopojë në vitet 1844 apo 1845, i kishin thënë se një epokë e re kishte filluar për të dhe të krishterët e tjerë të Perandorisë otomane dhe se liria e ndërgjegjes ishte proklamuar. Këtej e tutje çdo njeri ishte i lirë të përqafonte fenë që donte. Por pse u përhap një lajm i tillë? Kolegu ynë nuk thotë asgjë rreth kësaj dhe sigurisht nuk dinte gjë. Por nuk ishte si shkak i Kartës së “Gul-bané”-së, pasi ajo ishte botuar që më 1839. Por shkaku, të paktën në dukje ishte ky : Më 1844, një armenian skizmatik (ortodoks), i quajtur Ovakim dhe që na ishte bërë musliman, u kthye sërrish në fenë kristiane. Por meqë u zbulua dhe u denoncua, ai nuk pranoi të rikthehej në musliman dhe atëherë e vranë. Nëse pas ekzekutimit, trupin e tij do ta hidhnin në Bosfor ky fakt nuk do të bënte zhurmë. Por atë e ekspozuan në mes të pazarit, çka ishte një fyerje e madhe për kristianët. Ky akt i dyfishtë fanatizmi dhe talljeje e ndyrë, e preku gjithë Konstantinopojën. Përfaqësuesit e opinionit publik, ambasadorët dhe veçanërist ambasadori i Anglisë, Lord Stratford Canning, i bënë kritika të forta qeverisë turke. Ata madje kërcënuan për ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike, nëse nuk premtonin se akte të tilla intolerance nuk do të përsëriteshin më. Dhe Abdul-Mexhid premtoi dhe u angazhua se askush nuk do të vritej për punë feje. Por ja motivet për tu çjerrë maskat këtyre njerëzve të errët. Shqiptarët nuk i vranë, por i internuan. Sidoqoftë, kur shqiptari që ishte në Stamboll u kthye në shtëpinë e tij, ai tregoi për atë çka flitej ato kohë për fenë. Dhe meqë të gjithë në shpirt janë kristianë, ata u deklaruan hapur se çfarë janë në të vërtetë. Një prift, i quajtur Antonio Markoviç, i cili njihej prej tyre, i përkrahu në vendimin që kishin marrë. Madje u premtoi se do t’i ndiqte kudo që do të shkonin. Sapo vendimi u muar nga shqiptarët, ky vendim iu dërgua peshkopit të Prizerenit, i cili më duket ishte z. Bogdanoviç. Figura e tij e rëndësishme nuk i bëri të heqin dorë, por peshkopi ua bëri të qartë pasojat e një ndërmarrje të tillë. E megjithatë përfaqësuesit e shqiptarëve nuk u tundën nga e tyrja: ”Ne jemi të krishterë, – thanë ata. – Cfarëdo që të na bëjnë, ne do të mbetemi të tillë. Nëse do të shuhemi të gjithë, le të shuhemi, nëse duhet të vdesim, le të vdesim!” Kur ata i çuan tek pashai i Prizerenit, shqiptarët dhanë të njëjtat përgjigje. Më kot pashai i shau dhe i nxorri në mes të këshillit, duke i fyer me tërbim. Edhe pse i qëlluan me gurë, ata mbetën në fjalën e tyre? Meqë shiheshin keq nga turqit, veprimtaria e këtyre shqiptarëve bëri që ata të mbështeteshin e të mbroheshin nga bashkëpatriotët e tyre të paditur. Shpejt, shumë prej tyre donin ta ndiqnin këtë shëmbull. Pikërisht atëherë, harbimi i turqve s’pati kufi. Autoritetet, në vend që të qetësonin gjakrat, i ndezën më keq ato. Guvernator i Përgjithshëm i provincës ishte atëherë Hafez-Pasha. Nuk e di nëse ai qëndronte në Shkup apo në Prizeren. Por Zoti Hecquard shkruan si duket pa u konsultuar me Portën e Lartë. Në fakt, nuk kishte pse të ndodhte kështu pasi një guvernator, sado i fuqishëm të ishte, nuk mund të internonte kaq shumë familje, për më tepër nga Evropa në Azi. «Sido që të jetë, të hequr me forcë nga shtëpitë e tyre, këto familje u çuan në Shkup», thotë Hecquard. Që andej, ku gjatë gjithë rrugës ata u keqtrajtuan nga shoqëruesit e tyre, familjet shqiptare i hodhën nëpër qeli, ku u desh të duronin torturat dhe urinë. Plot dhëmbshuri e besnikëri, At Markoviç i ndoqi pas dhe bënte gjithçka për të lehtësuar vuajtjet e tyre. Disa ditë më pas, pleqtë e fshatit u dërguan në gjykatë që çështja e tyre të shqyrtohej. Pa u trembur fare nga turqit, të gjithë deklaruan se ata ishin kristianë dhe dëshironin të vdisnin të tillë. Të fyer nga kjo vendosmëri, Hafez-Pasha i Skodrës urdhëroi që ata t’i torturonin. Por meqë nuk i theu dot, ai nxorri një dekret dhe i syrgjynosi në Anadoll, duke konfiskuar dhe pronat e tyre, të cilat u shitën në favor të arkës osmane, apo siç thonë të tjerë, kanë shkuar me siguri në arkën personale të pashait. “Ishte e pamundur të përshkruash trishtimin e madh të atyre familjeve të mjera, të cilat ranë prehë e fanatizmit musliman”, – shkruan konsulli Hecquart. (- Pleq, gra, fëmijë shkuan në këmbë drejt vëndit të syrgjynosjes, duke e përballuar me guxim lodhjen, edhe pse përtej forcave të tyre, të ndihmuar kështu nga apostulli i Krishtit, Markoviç, i cili u fliste për një të ardhme më të mirë dhe shpërblimin e përjetshëm për të gjitha vuajtjet e tyre”. Kështu shkruan Hecquart. Sipas “motrave” tona Bernardine dhe Marie, nuk ishte vetëm një fshat që u deklarua i krishterë, por tri fshatra. Sipas tyre, disa i mbajtën në burg që nga nëntori i vitit 1845 gjer në shkurt të vitit 1846. Dhe meqë torurat nuk e kishin ndryshuar qëndrimin e tyre, Hafez-Pasha nxorri dekretin e syrgjynosjes. Pra të burgosurit u vunë në rrugë: ata në këmbë dhe shoqëruesit e tyre në kuaj, ku gratë ishin veçmas burrave, dhe të trajtuar në mënyrën më barbare. Nga Shkupi në Selanik, udha e të syrgjynosurve ishte e lodhshme dhe sjellja e zaptijeve aq barbare, sa shumë nga malsorët vdiqën, disa në rrugë, të tjerët kur mbërritën në Selanik. Katër gra lindën rrugës. Në portat e Selanikut, një fëmijë të sapo lindur e hodhën në det. Ndërsa priftin, ushtarët e kishin nisur veçmas drejt Konstantinopojës. Një prift nga Syra, i cili sot është kolegu ynë dhe që quhet Leonardo Vaccandio, atëherë ishte në misionin tonë në Selanik. I informuar se një numur familjesh katolike shqiptare gjëndeshin në atë han ku i kishin vendosur, të privuar nga gjithçka dhe ku shumë prej tyre rrezikonin të vdisnin, ai nxitoi t’i shikonte. Por asgjë nga sa flitej nuk ishte e ekzagjeruar. Dhe ja pse ai shkoi t’i tregonte për këtë konsullit të Francës dhe të Anglisë, miqve të tij, për atë çka kishte parë e kishte dëgjuar. Konsujt i folën guvernatorit të qytetit dhe meqë kjo ngjarje po bënte zhurmë në Selanik, ai nxitoi t’i hiqte që andej të syrgjynosurit. Njëri sipër tjetrit ata i hodhën në një anije që do t’i çonte në Mudania, në detin e Marmarasë. Duke parë këtë, shumë familje katolike, në kohën që prifti Vaccandio bënte lutjet e tij, shkuan dhe mblodhën me nxitim një sasi ushqimesh, të cilat i sollën në kuvertën e anijes. Por me një barbari e mizori të pashoqe, ekuipazhi i anijes i mori ato për vete. Pesë apo gjashtë ditë që këta besimtarë do të qëndronin në Selanik, u vizituan nga prifti Vaccandio, i cili i ngushëllonte dhe i ndihmoi përmes familjeve katolike që banonin atje. Dhe kur ata ikën, ai nxitoi t’i shkruante Monsinjor Hillereau-së, vikarit apostolik në Konstantinopojë. Ai në fakt donte t’i mbante në Selanik ata që ishin sëmurë, por guvernatori kundërshtoi. (Mund të shtojmë se Viccandio ishte nga të parët që shkoi te guvernatori për të mos i lënë më në atë gjëndje, ata katolikë, të cilët ishin pa ushqime të mjaftueshme, flinin në tokë të xhveshur dhe ishin të keqtrajtuar nga gardianët). Me gjithë kundërshtimet, me kurajo dhe i mbështetur nga konsulli i Austrisë, Mikanoviç, një katolik i zellshëm, kolegu ynë hyri disa herë në atë han që ishte kthyer në një lloj burgu. Ai i mblodhi të rrëfehen dhe u kujdes për ata që po vdisnin, i varrosi të vdekurit dhe bekoi disa martesa mes tyre. Mëshira dhe kujdesi i tij u bënë të njohura mes katolikëve të qytetit, ku atyre të syrgjynosurve u sollën veshje, ushqime e shtroje për të fjetur, të nevojshme për atë sezon të lagësht të pranverës, çka dhe mbrojti jetën e disave. Lidhur me vuajtjet e tyre në atë kalvar, vetëm Zoti e di. Ata përjetuan gjithçka: urinë, etjen, keqtrajtimet. Më pas një djaloshi i prenë gishtat e këmbëve, për shkak se e kishin rrahur me shkopinj. Për një gotë ujë, osmallinjtë u kërkonin 1 piastër ose 25 cent. Dhe më pas ndaluan tu jepnin ujë, meqë ata s’kishin më para. Uria e etja bënë që fëmijët të lëshonin klithma të tmerrshme, aq sa marinarët nuk i duronin dot dhe shumë prej tyre i hodhën në det. Kështu ndodhi dhe me një prind që humbi dy fëmijët binjakë të moshës 8 vjeçare. Dhe një grua në agoni, e hodhën gjithashtu në det, para se ajo të jepte frymën e fundit. Kur mbërritën në Mudania, njëmbëdhjetë prej tyre, që sapo kishin vdekur, i lanë në breg, në një gropë. Të tjerët i hipën në një anije tjetër të vogël që të mund t’i ngjiteshin lumit për t’i çuar në Muhaliç. Në kohën kur po i transportonin nga anija, një shqiptar i quajtur Mici, me fe ortodokse dhe që gjëndej rastësisht aty, i njohu ata nga rrobat karakteristike që kishin veshur. Ai u habit shumë që po i tërhiqnin për t’i hedhur në një barkë tjetër, sikur të ishin trungje apo cungje drush. I prekur në shpirt, ai mori menjëherë barkën e tij dhe i çoi ata larg në Muhaliç, në atë vend tepër kënetor dhe shumë të pisët për shqiptarët tanë që kishin jetuar gjithnjë në ajrin e maleve. Por e tmerrshme ishte se i hodhën së bashku në një ndërtesë të vjetër, aty ku në kohën e kolerës vendosnin të vdekurit. Sapo i futën, djaloshi Mici iu afrua dhe së pari u përgatiti një supë, pastaj u dha paratë e tij gjersa asgjë nuk mbeti në kuvertën e tij Ndërkohë, në Selanik, me urdhër të pashait, At Antonio ishte arrestuar sapo ishte kthyer në kishën e tij. Por vendosmëria e k z. Mikanoviç, konsullit të Austrisë, arriti ta shkëpusë nga ata dhe me një anije ta nisë drejt Stambollit. Meqënëse ishte dalmat, pra një person që varej nga shteti austriak, ai shpresonte se zotit Sturmer, që atëherë ishte Internonce, si përfaqësues i Austrisë do t’i mbronte ata katolikë të mjerë, për të cilët, prifti françeskan ishte bërë një At shpirtëror. Por kjo nuk ndodhi dhe arësye diplomatike e penguan z. Sturmer të mbronte hapur kauzën fisnike të fesë dhe të njerëzimit. Madje, At Antonio u burgos nga turqit. Nuk mund ta pranojmë akuzën kundër këtij përfaqësuesi të Austrisë se ka gisht në aktin e padëgjuar e revoltues të turqve. Kolegu ynë Viccandio, që e pa At Antonion kur kaloi nga Muhaliç në Selanik, nuk ka dëgjuar për një ankesë të tillë. Madje do donim të supozonim se ndërhyrja e Austrisë arriti të marrë nga qeveria turke, në sajë të At Antonios, i cili, kur ishte gjetur një mëngjes para portës së hapur të burgut, shkoi dhe takoi shqiptarët e shtrenjtë. Ndërkohë, Monsinjor Hillereau kishte mësuar se të syrgjynosurit ishin andej nga Bursa dhe menjëherë shkoi të kërkonte z. Bonnieu, i cili e flet mirë gjuhën turke si dhe abatin Hillereau, nipin e tij.
Me të shkuar në Bursa, ata mësuan se besimtarët tanë ishin në Muhaliç në një gjëndje të patreguar. Duket se ishte zoti Sandisson, konsulli i Anglisë që na dha këtë lajm. Edhe pse protestant, z. Sandisson ka treguar gjithnjë një mirëdashje prekëse ndaj katolikëve shqiptarë. Duke parë se kolegu ynë, abati Hillereau shkoi në Muhaliç, ai dërgoi atje drogmanin e tij z. Gjeorgjiaki, sëpari për t’i shoqëruar dhe pastaj për të ditur se ç’bëhej me ata të syrgjynosur shqiptarë. Por po i lë fjalën kolegut tim në këtë raport të shkruar (jo fill pas kthimit të tij nga Muhaliç, pasi atë e kapën ca ethe sa gati dhe vdiq), por gjatë kohës së shërimit të tij.
Persekutimi dhe syrgjynosja
«Persekutimi dhe syrgjynosja e 200 shqiptarëve në Muhaliç të Bursës në Bitini». Eshtë e pamundur të japësh një ide të gjëndjes së mjerueshme dhe dëshpëruese në të cilën ishin katandisur të syrgjynosurit shqiptarë, viktima të mizorisë së pashait të asaj province. Ata janë në një fshat, në jug-lindje të Bursës, i cili quhet Muhaliç, gati një orë larg liqenit të Apollonisë (në Turqi, L.R.). Unë i pashë atje në mjerimin më të tmerrshëm, të xhveshur, lakuriq e gjithë zhele. Ajo pamje më tmerroi. Nga 180 persona që kur kishin ikur nga vëndi i tyre, nuk kanë mbetur veçse 87, të cilët janë në prag të vdekjes. Ata banojnë në një han të vjetër, pothuaj një rrënojë, ku oborri është i mbushur me kocka kafshësh, që disa tregëtarë i dërgojnë në rafineritë e sheqerit, nëpër Evropë. Ditën e mbëritjes së tyre, ata ishin aq të lodhur e të dobët, aq të keqtrajtuar gjatë asaj rruge të mundimshme, sa pesë prej tyre vdiqën menjëherë. Vdekja i dha fund martirizimit të mundimshëm. Që nga 25 prilli e gjer më 3 maj, dita kur z. Hillereau dhe unë patëm lumturinë të bashkonim lotët tanë me të tyret dhe tu sillnim ndonjë ngushëllim për mjerimin e tyre, çdo ditë vdiste dikush. Ishte data 3 maj kur ne shkuam në Bursa, në sajë të z. Gjeorgjiaki, agjent atje i konsullit të Anglisë. Ishte ora shtatë e mëngjesit kur ne hymë në atë ndërtesë të trishtë. O Zot ! C’spektakël ! Duke hyrë në atë han, ne pamë në mes të oborrit një grumbull krijesash të të gjitha moshave dhe sekseve, nga foshnjet e deri tek pleqtë më të skajshëm, njerëz të kthyer në lakuriqësinë më totale, ose të mbuluar veçse me ca zhele.. Meqë kishin ethe, ata rrinin në diell për tu ngrohur, duke bërë kështu që tu binin morrat që i hanin. Dhimbja dhe dëshpërimi ishin skalitur në fytyrat e tyre të zbehta dhe të rreshkura. Disa i pashë që ishin plot plagë, të tjerë kishin këmbën apo dorën që u varej, ndërsa një tjetër, anash, këmbët i kishte të kangrenizuara. Sapo na panë ata nisën të ngashërehen dhe të psherëtijnë. Zemra ime gati u ça nga dhimbja? Nuk munda t’i mbaj lotët. Ato lotë më bijen ende, ndërkohë që po shkruaj ato që pashë. Pastaj ne filluam të shkojmë në kthinat ku dergjeshin të sëmurët. Në të parën ne gjetëm rreth 10 persona, burra, gra, fëmijë të shtrirë mbi pllakat e gurit, të xhveshur lakuriq, mbuluar me disa copa thasësh me qime kali. I pari që na dalloi ishte një plak, pothuaj në agoni. Ai u përpoq të ngrinte kokën. Zoti Hillereau i tregoi kryqin. I sëmuri ia rrëmbeu nga duart, i ngjiti buzët dhe e mbuloi me lotë. Pastaj, si të kishte marrë një forcë të mbinatyrshme, ai kërkoi rreth tij mbi një mori leckash, zbuloi dy-tri fëmijë në prag të vdekjes dhe i bëri të puthin kryqin, duke u bërë shenjën e shpëtimit. Ne dolëm nga ai vend i tmerrshëm për të hyrë në një vend tjetër akoma më të tmerrshëm. Ishin aty po aq persona, por ata ishin akoma më keq dhe në agoni e sipër. Ata nuk kishin as forcë për të klithur, e as për të ngritur kokën që të shikonin ata që kishin ardhur t’i shikonin. Pas disa çastesh, ne pamë që midis atyre të sëmurëve të pafat gjëndej një kadavër që po kalbej. Ne vazhduam më tutje dhe gjetëm edhe dy kadavra të tjera, çka na detyroi që para se të shkonim më tutje, t’i nderonim ato viktima që të mund të kishin një varr. Pas kësaj ceremonie të trishtë, ku grekët na dhanë një ndihmë të çmuar (sepse ata pranuan t’i hapnin gropat, të mbanin të vdekurit dhe të na shoqëronin tri herë rradhazi në varreza), ne gjykuam tu japim Extrëme-Onction (kungimin) njerëzve më të sëmurë. Por për këtë ata duhej të rrëfeheshin. Por si ? Ne nuk e dinim gjuhën e tyre. Por u gjet aty një njeri që dinte pak turqisht. Vendosa ta marr si përkthyes. «Eja, – i thashë, – do të shkojmë të bëjmë sakrementet për shokët tuaj. Ju e njihni gjuhën e tyre dhe kështu do na ndihmoni. Por me shfaqjen e të sëmurit të parë (ishte një vajzë 15-18 vjeçare), ai hezitoi dhe më morri mënjanë. «Më fal Ati im, – më tha ai, – kjo është vajza ime! Ajo do të ketë turp për të më rrëfyer dobësitë e saj. Por prit të thërres nënën e saj. Ajo do e mësoj më kollaj se unë tundimin e shpirtit të saj.”Isha i befasuar nga fjalët e tij. Pastaj u ktheva nga zoti Hillereau. «Eshtë tepër e dhimbëshme, – i thashë, u mbyta nga lotët». Këta ëngjëj të Zotit, martirët e besimit, i kanë larë tashmë gabimet e tyre me lotë dhe dhimbje. A është e nevojshme që ata të rrëfehen në kushte të tilla? Megjithatë i kërkova vajzës nëse ajo i falte me shpirt armiqtë e saj. Duke thënë këto fjalë, jo vetëm ajo, por të gjithë të sëmurët që ishin në atë dhomë ngritën zërin dhe thanë: «Zoti i faltë! … Po, Zoti i faltë! Ne kemi vuajtur shumë, është e vërtetë dhe ne do të vuajmë akoma, por shkak janë mëkatet tona. Persekutorët janë veçse instrumenta të Drejtësisë së Zotit. Pra fali o Zoti ynë për të gjitha ç’kanë bërë». Sapo kjo falje publike doli nga gojët e tyre dhe që u përsërit pastaj në kthinat e tjera, ne u dhamë kungimin të gjithë të sëmurëve. Dhe kur ne i bekuam këta atletë të Besimit me vajin e shenjtë, duke qarë, ne vazhduam drejt një vizite të tretë. Dy vizitat e para ishin shumë të shpejta dhe emocioni ynë ishte aq i madh sa gjithë sa kishim parë, dukej si një ëndërr. Tani duheshin parë vëllezërit tanë në veçanti, të njihnim nevojat e tyre, dhimbjet e tyre, vuajtjet për t’i lehtësuar. Midis atyre të pafatëve, pikasa një vajzë që mbahej më mirë se të tjerat. Pothuaj gjithnjë, e ulur veçmas turmës dhe me fytyrë të kthyer nga muri, ajo dukej se nuk kishte lidhje me fatkeqësinë e të tjerëve. Doja t’i thoja disa fjalë ngushëllimi dhe të njihja gjëndjen e saj, por interpreti ynë atë çast mungonte dhe unë nuk e dija gjuhën e saj. Menduam se do kishte humbur prindërit e saj dhe nga vuajtja e madhe ishte bërë e pandjeshme për dhimbjet e të tjerëve. Në një kthinë të keqe, diku larg, gjetëm 4-5 fëmijë të kthyer në kufoma, mbi një tufë leckash të pista. Ata ishin braktisur nga të gjithë. Më i madhi i tyre, çka dukej një vajzë, mund të ishte 11-12 vjeç. Në vend të klithjeve dhe lotëve të shumta, këta të mjerë nuk lëshonin veçse disa psherëtima. Nuk ishte askush që tu jepte një pikë ujë. Kur ishim midis këtyre të syrgjynosurve fatkeqë, papritmas dëgjuam një këngë ogurzezë që dilte nga goja e një gruaje në delir, apo që ishte pushtuar nga një dëshpërim i tmerrshëm. Në fund të çdo strofe, ajo qante disa minuta dhe pastaj rifillonte me një lloj tërbimi dhe me një ton, kujtimi i të cilës më bën akoma të dridhem. Ne pamë gjithashtu gra të shastisura. Na thanë se ato ishin bërë ashtu si rezultat i trajtimit të keq dhe i skamjes së madhe. Njëra nga ato kishte një vështrim të fiksuar, ndërsa tjetra, e mbulonte fytyrën dhe dukej se turpërohej nga gjëndja e saj. «Ajo që na habiti pa masë dhe që na bëri t’i admironim, ishte se këta njerëz të pafat dhe të dergjur në mjerimin më të madh, nuk na kërkuan as bukë, as veshje, as para. Ata e shikonin veten në prag të vdekjes, si në fundin e vuajtjeve të tyre. E megjithatë ata zvarriteshin drejt nesh. Por ç’donin të shikonin? Cfarë? Një medalion të vogël të Virgjëreshës së Shenjtë, tespijet apo një kryq. Dhe duke marrë diçka nga gjërat e mia, ata ngjisnin buzët e tyre me përkushtim dhe me një lumturi të dukshme. Të syrgjynosurve tanë të shenjtë u dhamë kungimin. Por s’kishte mbaruar e tëra. U duhej dhënë buka e të fortëve, Saint-Viatique. Por atëherë një tjetër vështirësi na doli. Ku të gjenim në atë vënd të tmerrshëm një mjedis për të kujtuar Saints-Mystères. Pasi e menduam mirë, z. Hillereau dhe unë vendosëm që meshën ta bënim fare mirë në oborr. Por meqë na duhej një tavolinë, grekët na e sollën një. Sa hap e mbyll sytë, një altar u improvizua. Ndërkohë që abati Hillereau vishte petkun e duhur të saçerdotit, unë afrova të sëmurët dhe gjithë ata që mundnin që të qëndronin jashtë pa rrezik, gjatë «sakrificës auguste». Oborri ishte mbushur me kocka të panumurta që më kujtonin atë që thotë Profeti. Pikërisht, këto skelete të mbetura, imazhi i vërtetë i vdekjes, vëllezërit tanë martirë, u vunë në gjunjë gjatë gjithë meshës. Thirrje të vuajturisht, psherëtima e ngashërime, dëgjoheshin nga të gjitha anët. Lotët gjithashtu rridhnin me shumicë nga të gjithë të pranishmit, dëshmitarë të një skene të dhimbshme. Pasi u bë bekimi i atyre që ishin rreth altarit, (Sainte-Communion), ne shkuam ta bënim këtë te ata që ishin të shtrirë tek kthinat. Me të mbaruar meshën, unë u ktheva nga ata të syrgjynosur të mjerë, duke u drejtuar fjalë ngushëllimi përmes interpretit tim. «A e dini, – u thashë, – se sa i mirë është Zoti me ju? Ai ka qënë gjithnjë pranë rrugëtimit tuaj të syrgjynosjes, duke ju ushqyer me mishin e tij të adhurueshëm. Ai u është përkushtuar dhe tani ju e mbani në zemrat tuaja. T’i jeni mirënjohës! Duajeni dhe ju! Mos e fyeni kurrë! Kurajo vëllezër të dashur. Ngrijini sytë në qiell. Porta për ju është e hapur! Sa më shumë të keni vuajtur, aq më të lumtur do të jeni. Duajeni njëri tjetrin, ngushëlloni njëri tjetrin, kujdesuni veçanërisht për vejushat dhe jetimët. Zoti do t’ua shpërblejë njëqind herë më shumë! Pastaj, duke u kthyer drejt asaj turme ortodoksësh, që dëgjonin këtë fjalim të trishtë sa me vëmëndje aq dhe me dhëmbshuri, u kërkova të vazhonin veprën që kishin nisur. I luta veçanërisht t’i varrosnin të vdekurit, pasi kjo ishte një vepër që duhej bërë dhe që Zoti do ta pëlqente.
Qëndrimi ynë në Muhaliç zgjati nga e shtuna në mbrëmje, më 2 maj, gjer të hënën në 4 maj. Pastaj ne u ndamë me zemrën e rënduar për miqtë tanë. Por vonuam të ktheheshim në Konstantinopojë që të mund të informonim për këto tmerre autoritetet e duhura dhe përmes ambasadës sonë të sugjeronim ndonjë ndihmë për të syrgjynosurit tanë. Duke kaluar në Bursa, ne i treguam për ato që pamë konsullit tonë, zotit Crepin dhe atij të Anglisë, z. Sandisson, duke iu lutur që të përdonin gjithë influencën e tyre pranë Portës Sublime, për t’i dhënë fund këtij persekutimi mizor. Konsulli i Anglisë u tregua më i ashpër. Ai i shkroi ambasadorit të tij, lordit Stratford Canning dhe ishte ky ambasador që u ankua te Reis-Efendi, ose ministri i Punëve të Jashtme».
Këtu dhe mbaron raporti i tyre. Faveryal shkruan se sipas shënimeve të “suorave” Bernardine dhe Marie, të cilat shoqëronin superioren e tyre Lesueur në Muhaliç, ato pohojnë se lordi Canning siguroi menjëherë nga Reis Efendi, ushqime, ilaçe, veshje dhe shtroje për të syrgjynosurit e mjerë. Gjithçka u bë menjëherë. Gruaja e lord Canning, e cila takohej ndonjëherë me suorat, u tha përmes një sekretari të ambasadës se do të ishte kënaqësi për të dhe burrin e saj që të shkonin të vizitonin të syrgjynosurit, të shoqëruar me një mjek dhe interpret, duke shtuar se anija me avull e ambasadës do të vihej në dispozicionin e tyre që nesër në mëngjes. Superioria Lesueur kërkoi menjëherë të shkonin bashkë me dy motrat e tjera. Ajo e falenderoi lordin Canning për dëshirën e tij që tu vinte në dispozicion atë anije, pasi dhe ambasadori francez, z. Bourqueney, u ofronte tashmë të tijën.
Dy anijet me avull u nisën nga Gallata më 12 maj 1846 për të ndihmuar katolikët e syrgjynosur. Në njërën nga to ishte mjeku i ambasadës angleze dhe një drogman, interpret, ndërsa në të dytin, tri «suorat» e urdhërit «Saint Vincent de Paul», bashkë me z. Lauxerrois, sekretar i ambasadës së Francës. Zoti Lauxerrois do t’i shoqëronte deri në Bursa, duke ia besuar pastaj këtë mision konsullit Crepin. Në Bursa, «motrat» kaluan veçse një natë. Të nesërmen, më 15 maj, ato morrën udhën, të prira nga një hebre, të shoqëruara nga një armen dhe të ruajtura nga një turk, i cili i ishte betuar zotit Crepin se do t’i çonte gjallë e shëndoshë në atë vënd. Sapo kishin udhëtuar tre çerekun e ditës, kur ato takuan drogmanin anglez. Nga Mudania, ai kishte shkuar drejt e në Muhaliç dhe tani po kthehej në Bursa. «Ah, “motrat” e mia, – u tha ai, – ç’ndërmarrje të tmerrshme që keni marrë përsipër dhe ç’udhë të llahtarshme keni për të bërë!» (Kali i tij ishte me baltë gjer në bark). Por megjithatë, Zoti do tu japë mbrojtje. Nxitoni që të arrini liqenin, para se të bjerë nata!» «Suorat» u ngjitën në karrocë të pinin pak qumësht, i vetmi ushqim që kishin gjetur në një fshat të vogël ku ishin çlodhur pak. Pastaj, kur mbërritën në breg të liqenit, siç u kishte thënë drogmani, ra nata. Të vije qark liqenit në një orë të tillë ishte e pamundur. Lumturisht ato i dëgjuan disa njerëz të një manastiri ortodoks dhe një barkë erdhi e i mori. Njëra prej tyre i shërbeu mikeshave kurajoze të shqiptarëve. Për të arritur në Muhaliç duheshin ende dhe 2-3 orë rrugë. Të nesërmen ato u nisën që herët dhe më së fundi mbërritën. Ato ende nuk ishin instaluar tek një familje e mirë ortodokse kur ia behu mjeku anglez. Ai erdhi dhe u uroi mirseardhjen. «Ishte një njeri mjaft i mirë dhe i zellshëm, një protestan që ishte kthyer në katolik, – thanë “suorat”. S’patëm asnjë problem për tu kuptuar me të me qëllim që të ndihmonim shqiptarët. Meqë po vonoheshim për tu takuar me shqiptarët dhe për tu ardhur në ndihmë atyre fatkeqëve, atëherë nxituam. Kishe frikë t’i shikoje. Ishin si fantazma të vërteta që lëviznin, kockë e lëkurë, aq sa lëkura e tyre ishte nxirë. Nuk arrinin dot të flisnin. Ditë e natë i dëgjonim të rënkonin. Megjithatë ne i fuqizuam pak nga pak në sajë të lëngut të mishit që kishim, në sajë të rrobave dhe ilaçeve që kishim sjellë dhe në sajë të pranisë sonë, fjalës dhe asaj çka po bënim për ata. «Përpara ata binin përdhe si mizat, por që nga ajo ditë, nuk vdiqën, veç pesë apo gjashtë, mes të cilëve dhe një vajzë që ishte e pamundur ta shpëtonim nga plagët e tmerrshme që kishte dhe kangrenën që e kishte pushtuar pak nga pak… Xhandari turk që shoqëronte karvanin tonë, duke parë të respektuarën “suorën” Lesueur aq të gëzuar dhe me kurajo tek mbështeste të tjerët, (megjithë shëndetin e saj të dobët dhe ushqimin e pakët, – veçse një vezë që kishte ngrënë), ai u thoshte muslimanëve: «Kjo grua është një Evlia, një mike e Zotit, një Shënjte ! »
Pas shërbimeve të para për të syrgjynosurit, duhej menduar për të vdekurit. Ata i kishin vendosur në lëndinë, mbuluar me ca lopata dhé. «Një varr i tillë nuk është mirë!» – tha mjeku anglez. Janë vëllezërit tanë. Vdekja e tyre ka qënë një vdekje martiri. Trupat e tyre janë të shenjtë. «Shpejt ne do të ikim dhe nuk është mirë që t’i lëmë në atë gjëndje, në atë vënd ku hodhën kërma dhe plehra. Le t’i kërkojmë zëvëndës-prefektit një vënd varrimi. Dhe kjo gjë u akordua menjëherë, – thanë “motrat” Bernardine dhe Marie dhe sipas dëshirës sonë. Pastaj sollën ca ustallarë dhe gurë të shumtë për të bërë një lloj muri. Për pak ditë muri u ngrit, iu vu një portë dhe një kryq mermeri në mes të varrezës. Ai kryq kishte një mbishkrim që do tu përcillte shekujve të ardhmë historinë e kësaj ngjarjeje. Dhe kur varreza u bë gati, atëherë u hapën gropat për t’i vendosur kufomat siç duhej. Por si t’i transportonim? Që prej 10, 15 apo 20 ditësh, ato ishin dekompozuar. Cili do ta kishte guximin dhe kurajon të gërmonte tokën dhe t’i nxirrte që andej, t’i mbështillte me qefinin e përgatitur nga “suorat” dhe t’i transportonte pastaj në varrezën e re? U vendos që më të fuqishmit e shqiptarëve ta bënin këtë shërbim për bashkëatdhetarët e tyre. Por sapo u afruam në gropat e vjetra me belat në duar, askush nuk guxonte të fillonte. Duke e parë se të gjithë hezitonin, mjeku anglez, nxorri diamantin e çmuar që kishte në gishtërinj (të cilin mund ta thyente duke punuar), ia besoi “suorës” dhe nisi të gërmonte. Atëherë të gjithë filluan menjëherë pas tij. Një çast më vonë kufomat u shfaqën. Ata i mbështollën me qefinë, i vunë në karroca dhe i çuan në varreza, shoqëruar nga At Antonio, i cili lumturisht sapo kishte mbërritur. Në fakt, kur kishte gjetur derën e burgut hapur në Selanik, ai ia kishte mbathur dhe i veshur si xhandar, kishte mundur të vinte deri këtu. Varrimin e kufomave e bënë me vështirësi, pasi era e qelbur e kadavrave ishte mbytëse. Por ishte dita e “Ascension”, (e ngjitjes së Krishtit në qiell) dhe Perëndia e bëri këtë vepër. Një erë e fortë nisi të frynte, aq sa të merrte frymën. Kurrë nuk do të na shqitet nga kujtesa ajo ditë, – kujtojnë suorat. – Kurrë nuk do ta harrojmë spektaklin që pamë kur trupi i një gruaje të varrosur 15 ditë më parë ishte dekompozuar. Flokët e saj të gjata e të zinj i binin nga koka dhe dy fëmijë të vegjël ajo i mbante ende në krahët e saj. Varrimi i të vdekurve tanë të shtrenjtë u bë në prani të gjithë njerëzve të Muhaliç. Kishin ardhur turq e ortodoksë. Një ndjesi respekti e tmerri e mbante atë turmë të madhe. At Antnio printe proçesionin. Mjeku anglez i shërbeu atij si fëmija e korrit, duke kënduar me sa fuqi kishte. Sapo kadavrat u vunë në tokë, u dëgjua psallma për ta. Dhe At Antonio përfundoi me një falje të përgjithshme të mëkateve për ata të dashur që kishin vdekur tashmë. Megjithatë, shumë të sëmurë e kishin marrë veten dhe i kishin vendosur në ndërtesa të veçanta. Por ngaqë ai lloj strehimi nuk ishte për të qënë, apo nga vetë ajri i Muhaliç-it, ata u sëmurën nga ethet e herëpasherëshme. Pra “suorat” dhe mjeku anglez menduan se duhej gjetur një vënd i përshtatshëm. «Le të shkojnë dy-tri nga ata që mbahen më mirë dhe le të gjejnë një vënd apo fshat që tu pëlqejë, – tha zëvëndes-prefekti. Ne i dërguam me shpresë që të tjerët do të bashkoheshin me ata. Pra, dy-tri nga më të fortit u nisën për të gjetur vëndin më të mirë. Nëntë ditë më pas ata u kthyen, duke thënë se Filidare ishte mjaft mirë për ata. Pamja ishte e bukur. Klima e shëndetshme, dhe atje do të vendoseshin së shpejti, në atë vënd përballë Bursës, në breg të detit, midis Guemlek dhe Mudania. Në fakt, Filadare ishte ajo që ata shpresonin më mirë. Por për t’i çuar atje duheshin karroca. Zëvëndës-prefekti dha 22 karro të tilla. Motra Lesueur, xhandari i dhënë nga zoti Crepin dhe Charles, interpreti i mjekut anglez, u ngarkuan me detyrën që t’i çonin ata gjer në destinacionin e ri. Kjo nisje ndodhi ditën e dytë të Pentecôte-s. Për të shmangur një kthesë të madhe, u vendos që burrat t’i transportonin përmes liqenit me varka, me buaj apo me not. Por që të bëhej ky lloj kalimi u deshën shumë mundime, pasi bënte një vapë e madhe dhe buajt, sapo hynin në ujë s’donin të lëviznin më. Më e keqja është se pas një stuhie të tmerrshme, era i përmbysi gjithçka dhe u desh që të shtriheshin në mes të fushës me karrot dhe plaçkat e bëra qull. Kishte ende dhe një ditë udhë e të nesërmen askush nuk donte të lëvizte, aq e keqe kishte qënë ajo natë. «Nëse s’doni të lëvizni, askush nuk do të hajë! – u tha “suora” Lesueur. Dhe menjëherë ajo nisi karron që mbante ushqimet përpara. Karrot e tjera e ndoqën. Me hir a me pahir të gjithë u vunë në rrugëtim. Natën mbërritën në Filadare dhe kërkuan vënd për të fjetur. «Po ku tu gjejmë vënd për të fjetur? – u thanë atje banorët. Të gjitha shtëpitë tona janë plot krimba mëndafshi, ndërsa ne flemë në qiell të hapur. Një burrë i veshur më mirë se të tjerët u tha se ishte mësuesi i fshatit. «Të jini e sigurt! – i tha ai “suorës” Lesueur, – se ambasada u është mirënjohëse për gjithçka keni bërë për këta të mjerë. C’mbrojtje e përkujdesje për ata!» Dhe sa tha këto fjalë, zotëria vendosi t’i presë miqtë e rinj. A do ia dilte mbanë? Dukej e dyshimtë, sepse kishte të bënte me ortodoksë. Ja ku erdhën ndërkohë dy kalorës. Ishin dy xhandarë të dërguar nga guvernatori i Bursës. Menjëherë dhe pa diskutuar duhej që t’i prisnin shqiptarët tanë të shenjtë por dhe tu gjenin një vënd të mirë për të fjetur. Suora Lesueur pati strehën më të bukur. Ishte një shtëpi e re, pa portë e dritare. Por të paktën ishin të mbrojtur nga shiu. Pra Filadare ishte më i përshtatshëm për shqiptarët e mjerë. Ajri ishte i pastërt dhe klima e shëndetshme. “Suora” Lesueur qëndroi pranë tyre që mos tu mungonte asgjë. Dy “suorat » e tjera, mjeku anglez dhe At Antonio qëndruan që të katër në Muhaliç për të shëruar të sëmurët. Midis tyre gjëndej dikush që quhej Andrea. Gjatë rrugës nga Shqipëria në Muhaliç, duke e rrahur me shkopinj, atij i kishin thyer krahët dhe këmbët. Më vonë, kur të sëmurët e fundit i dërguan në Filadare dhe në Bursë, me ata shkoi dhe “suora” Marie, që të shëronte plagët e këtij të riu. Kur të shtrenjtët tanë shqiptarë ishin ende në Muhaliç, ata panë të vinin për te ta dy njerëz të legatës prusiane, të cilët i siguruan se Shkëlqesia e Tij, Frédéric-Guillaume IV interesohej për fatin e katolikëve shqiptarë. «Një ditë, – më tha “suora” Marie, – kur ne i kishim varrosur ata tri fëmijë, tri ëngjëj tre-katër vjeçarë, unë kisha thurruar për ata një kurorë me lule që i kisha mbledhur fushave.» Kur ne filluam të shkojmë drejt varrezave, një nga këta zotërinj tha : – “Suora” Marie, më jep dhe mua një nga këto kurora! Dëshiroj ta mbaj në dorë dhe t’i shoqëroj këta tri ëngjëj të vegjël për në banesën e fundit dhe pastaj do ta vë në krye të atij, të cilit kishit menduar t’ia vinit. » «Ka disa vjet, – thotë “suora” Marie, – kur isha në Selanik, shkoja buzë Vardarit, kur papritmas u gjënda pranë tri xhandarëve. «Ah, tha njëri nga ata. Kur isha në Bursa kisha bërë një udhëtim bashkë me ca gra të veshura si kjo gruaja këtu». Kur dëgjova këto fjalë, e vështrova xhandarin dhe e njoha. Ishte turku që na kishte dhënë me vete z. Crepin. – Ah Mustafa! Nuk e njeh më suorën Marie? – i thashë. Xhandari i shkretë u habit nga ky takim dhe plot dëshirë më përqafoi. Që nga ajo kohë nuk e kam parë më atë burrë të mirë. Sa shumë na shërbeu ai njeri, neve dhe shqiptarëve të shtrenjtë!».
Suorat qëndruan një muaj pranë shqiptarëve tanë, sa në Muhaliç dhe në Filadare, ku “suora” Bernardine ishte bashkuar me kryemurgeshën, ndërkohë që “suora” Marie shëronte plagët e Andreas në Bursa. Ato mbërritën nga Bursa në Konstantinopojë ditën e festës së Zotit, ditën e Proçesionit. Kishin sjellë me vete tri fëmijë, një vajzë dhe dy djem. Pak më vonë, vajzën e kërkuan prindërit, të cilët e morën pranë tyre. Një nga djemtë vdiq më 1847, koha kur unë mbërrita në Konstantinopojë. Disa vite me rradhë qëndroi me ne djaloshi tjetër. Ai mësoi të lexojë, të shkruajë e të flasë mirë frëngjisht. At Paolo, i cili atëherë ishte një prift i thjeshtë dhe sot peshkop, erdhi në Konstantinopojë për çështjen e shqiptarëve tanë të thjeshtë dhe i kërkoi superiorit tonë, z. Doumerq, autorizimin që ta merrte këtë djalë në Romë që të bënte studime. Nga Roma, djaloshi Mark, i shkruante herë pas here superiorit tonë z. Gamba dhe “suorës” Lesueur. Tani është prift dhe shërben në dioqezën e Prizerenit, por nuk e di në cilën kishë. Mjeku anglez i la të surgjynosurit tanë, në një kohë me suorat. Nuk di se ç’bëhet me të, nëse është gjallë apo ka vdekur. Por «suora» Bernardine thotë se është me siguri, sepse erdhën bashkë gjer në Guemlek dhe se me të mbërritur në një fushë, rrethuar plot pemë, ai i tregoi një aventurë që i kishte ndodhur pikërisht këtu, kur po shkonte për në Muhaliç. Ai kishte pikasur diçka si një qënie njerëzore mes barishteve dhe kishte pyetur se çfarë ishin. «Janë njerëz që vijnë nga Ismid (Nicomedie). Uria i ka detyruar të lënë vëndin e tyre dhe tani kërkojnë të hanë bar. I prekur, doktori i thirri ata të mjerë, u bleu bukë, u dha kafe dhe duke u lënë një shumë parash, vazhdoi udhën… »
Lexon këto rreshta dhe mendon menjëherë se përpjekjet për tjetërsimin e njerëzve që bëjnë edhe sot fetë apo shtetet ndaj më të pafuqishmëve, janë përpjekje të kota, sepse që të transformohesh pa pritur e pa kujtuar në grek apo turk, duke përqafuar fe për interesa imediate e jo rrallë jetike, kjo mbetet shumë efemere dhe nuk u shërben atyre që mendojnë ende për një «megalo-ide».
Shqiptarët, siç i pa At Faveyrial
Jean-Claud Faveyrial (1817 – 1893), është i njohur tashmë nga bota shqiptare përmes librit të tij ”Historia e Shqipërisë”. Ai ishte një nga personazhet spikatëse të Kishës lazariste të shenjtit Saint Vincent de Paul në gadishullin ballkanik. Një personazh që iu kushtua popujve të këtij rajoni me tërë humanizmin që mund të mbartë një zemër, një jetë. Ishte një mbrojtës i së drejtës dhe së pari i lirisë, i gjuhës dhe kulturës së popujve dhe komuniteteve. Ai ishte kundër shovinizmave kudo që ato shfaqeshin. Mik i madh i shqiptarëve, ai ishte njëkohësisht dhe i vllehëve, bullgarëve, etj, duke i bërë thirrje gjithnjë tolerances dhe mirëkuptimit të popujve. Faveyrial ka mbajtur një lidhje të vazhdueshme me shqiptarët dhe ishte pikërisht udhëtimi i tij në jug-lindjen e Shqipërisë, në Korçë e Voskopojë, që e nxiti ta shkruante historinë e vjetër të shqiptarëve. Ja si e kujton ai në dorëshkrimet e veta këtë udhëtim, shënime që i gjetëm në arkivin e Misionit Lazarist në Paris (Congrégation des Missions Lazariste): «Ka dy vjet që shkova dhe unë në Shqipëri. Gjatë tetë orëve ne ishim nëpër pyje, midis shkurreve, në pjerrësira dhe në mes të maleve. Në sajë të Zotit, ne nuk na ndodhi ndonjë gjë. Përse? Sepse ne ishim nisur papritur, pa i thënë askujt dhe pastaj, me siguri që ishte Zoti ai që na mbronte. Por tetë ditë më pas, një shqiptar që protestonte kundër qeverisë ishte kapur në mes të pyllit që ne sapo kishim kaluar dhe e kishin çuar në Shqipëri, nga ku nuk u kthye, veç, siç më tregoi më pas ai, duke paguar 1000 livra turke, d.m.th. 12.000 franga, të cilat ia kishin dërguar që nga Amerika. Megjithatë, gruan, siç thoshte dhe feja, e kishin respektuar. Duke qënë në Korçë, (Gortcha – Dardha), nga dritarja e dhomës ku isha, ndiqja lëvizjet e njerëzve në tregun e qytetit. C’tipa të ndryshëm burrash e grash dhe ç’atmosferë e rëndë. Ata shkonin, vinin, e blinin pa e ngritur shumë zërin. C’kontrast me ata që kisha parë në Greqi. Më së fundi, nga mbrëmja, dola dhe shëtita nëpër treg. Ngado më vështronin, meqë kisha një veshje të veçantë me rrobën dhe kapelen e priftit katolik, veshje e kapele që ata s’i kishin parë që prej shumë shekujsh. Me siguri që në vënde të tjera më kanë sharë për këtë, por në Korçë aspak. Dhe nëse më vështronin gjatë, ata më shikonin me një vështrim të matur e hijerëndë. Tri ditë më pas unë u nisa dhe guvernatori «par interim», një shqiptar, na shoqëroi me dy xhandarë gjer përtej atyre maleve jo aq të sigurta, të cilat i kishim kapërxyer kur kishim ardhur. Në një vizitë që i bëra në konakun e tij, ai u habit që unë e njihja aq mirë historinë shqiptare. «Ne kemi urdhër, – më thoshte ai, – të ngrejmë këtu një shkollë të përbashkët për mësimin e gjuhës turke e franceze, ku këtë shkollë ta frekuentojnë të gjithë… » Të krishterët, nga ana e tyre më pohuan dëshirën e tyre që të hapim në Korçë një shkollë, ku të mësohet gjuha franceze dhe shqipe… »
Së pari gjuha
Faveryal e kujtonte me një kënaqësi të veçantë udhëtimin e tij në Korçë e Voskopojë, çka dhe e shtyu t’i kushtohej vite të tëra historisë së këtij populli. «Që nga ajo kohë, – shtonte ai rreth këtij udhëtimi, – një nga priftërinjtë tanë e hapi një shkollë për vllehët. Ish peshkopi fanarist nuk kishte thënë gjë për këtë, edhe pse ndjente një lloj pakënaqësie të cilën e fshihte, por pasuesi i tij në krye të kishës ishte shumë i rrituar. «Ti duhet ta mbyllësh patjetër atë shkollë! – i thoshte Harallambi priftit tonë. – Po ç’e keqe u gjen nga kjo? Ju grekët, keni të tilla shkolla në Greqi. – Po, kemi, por unë nuk dua shkolla të tilla në dioqezën time. – Jo, nuk mund ta mbyll, sepse me këtë shkollë ha bukë! – Po u jap unë një kishëz. – Jo, nuk dua, aspak. – Atëherë do tu drejtohem autoriteteve të këtushme. – Kjo nuk bëhet. Unë shpesh e kam takuar guvernatorin dhe ai s’më ka thënë asgjë për shkollën. – Atë që ai s’ka bërë deri tani, do ta bëjë! – Të shohim! – dhe ai doli.
Kur e la peshkopin, popi Harallamb shkoi të takonte bejlerët muslimanë, mikun e tij, dhe i tregoi për gjithçka. – Mos kini frikë, vazhdoni detyrën tuaj, – i kishte thënë Belul Beu. Pas disa kohësh, një shqiptar i krishterë, një beqar i pasur në Bukuresht, propozoi të linte si trashëgimi një shumë prej 25.000 napolonash qytetit të Korçës, por me tri kushte : që të hapej një shkollë shqipe; të caktohej një mjek për të ndihmuar gratis të varfërit dhe të pagoheshin martesat e të varfërve. Si përgjigje, peshkopi dhe grupi i tij u mblodhën në arqipeshkvi dhe falenderuan shqiptarin e pasur, duke thënë se qyteti s’kishte nevojë për paratë e tij. Por 250 familje të krishtere, të mbështetur nga bejlerët muslimanë e pranuan trashëgiminë dhe i adresuan atij falenderimet e tyre. Kur mori letrën e tyre, shqiptari hapi një llogari jo në emër të peshkopatës por të një personi të veçantë. Ata që kishin kërkuar do të kishin 25.000 napolonat dhe të tjerët asgjë. Atëherë Harallambi u nis me ca instruksione për qëndrimin që duhej të mbanin vllehët e Korçës dhe pjesën që do u takonte në këtë veprimtari shkollore. Nga ana ime u dhashë vllehëve nja 50 medalione. Më kërkuan dhe të tjera… »
Duke folur rreth këtij udhëtimi dhe përshtypjeve që kishte patur, sipas dhe relacionit që i dërgonte superiorit të tij fetar në Paris pesë vjet më vonë, Faveyrial i kujtonte atij se «Nga shkollat vllehe ne kaluam tek shkollat shqiptare. Në Korçë nuk kishte shkolla aty ku kishim kaluar pesë vjet më parë (viti 1884), ndërsa tani kishte një të tillë. Eshtë ende e vogël dhe pa peshë, por ajo gjëndet në duar të mira dhe na duket e shkëlqyer idea e shqiptarëve për të patur sulltanin si mbrojtës të tyre. Peticioni i votuar në Bukuresht më 26 maj të vitit 1889, jo vetëm që është një shprehje e besnikërisë kombëtare, por ishte dhe një protestë solemne kundër përpjekjeve të Greqisë dhe sistemit antikristian, të cilin kleri fanariot vë në praktikë në Shqipëri. Por pa aq sa dëshirojmë përparimin shkencor të shkollave shqiptare, qoftë në Korçë apo diku gjetkë, po aq dëshriojmë që toskët të krijojnë njërëzit filantropë, ashtu siç kanë bërë dhe gegët në Prizeren (viti 1888). Nuk mjafton vetëm të ndriçosh shpirtin nëpërmjet një arsimimi të mirë, por duhet të lehtësosh dhe mangësitë e trupit. Por në shkollat greke të Korçës, formohen vajza pretencioze e jo me shpirt të dhëmshur…»
Voskopoja e shenjtorëve
Vizita në Voskopojë ka për të imazhe tronditëse. Shtëpi të rrënuara dhe kisha të shkatërruara me kambanore të shëmbura. Një stuhi e tërbuar fanatizmi dhe fondamentalizmi kishte kaluar mbi atë qytet që dikur ishte një nga qëndrat më të lulëzuara të Shqipërisë së jugut. Lumturisht, shumë nga afresket nëm ure tek ishave nuk ishin dëmtuar. Ai e njihte mirë historinë e kësaj qëndre të madhe të kulturës në të gjithë zonën e jugut shqiptar. «Moskopoli dhe Voskopoja, – do të shkruante më pas ai, – ishte për vllehët e Pindit të lartë, ashtu siç kishte qënë Meçova për vllehët e Pindit të poshtëm. Por këto dy qytete nuk patën të njëjtin fat dhe të njëjtën rëndësi. Meçova ekziston ende, ndërkohë që Voskopoja është shkatërruar. Voskopoja kishte tri kisha të mëdha: ajo e Shën Mërisë, e Karallambit dhe e Shën Nikollës, dhe kishte më se 45.000 banorë. Shkollat e saj ishin të shumta dhe në lulëzim. Ato frekuentoheshin jo vetëm nga fëmijët e qytetit, por dhe nga të ardhur të tjerë nga Nikolica, Lipoteni dhe nganjëherë edhe shumë larg. Dhe nga Voskopoja, ashtu si nga Janina, shkohej më pas në shkollat e Italisë për të përfunduar studimet… Plaku Nikarush më thoshte për Voskopojën se ky qytet i lulëzuar u plaçkit për herë të parë në vitin 1753 ose më 1754. «Hordhitë osmane të Dangëllisë dhe Kolonjës, – shkruan Pouqueville, – qenë fillimi i këtyre fatkeqësive. Ata plaçkitnin karvanet dhe vrisnin ata që vinin në tregun e këtij qyteti. Për Shqipërinë e Epërme, pasuria e Voskopojës dhe Vithkuqit ishte një burim begatie. T’i shkatërroje ato, ishte si të shkatërroje vëndin. Por a është parë ndonjëherë që banditët të arsyetojnë?…”
Por Voskopoja do të plaçkitej përsëri më vonë dhe këtë At Faveyrial e kishte mësuar nga dëshmitë e shumë prej voskopojarëve që ende banonin atje.
«Voskopojarët, – më thoshte një ditë Potliu plak i Ohrit, – ia vunë fajin për këtë mënyrë luksit të tepruar të femrave të tyre. Kjo është aq e vërtetë, sa vetë Perëndia vuri në punë duart e njerëzve të ligj për të çuar në udhë të drejtë ata që kanë dalë nga udha e Zotit. Duke e parë të pamundur të qëndrojnë në një vend të mbushur me armiq, voskopojarët kërkuan një garnizon. Por garnizoni përmbushi atë çfarë kishin filluar kaçakët e tjerë. Dhe atëherë, të gjithë të pasurit e braktisën këtë vënd të mallkuar, njëri pas tjetrit (v. 1780). Ka të ngjarë që të emigruarit nga Voskopoja krijuan atë kohë komunën e madhe Peçera në Rodop, atë të Rogotinës, pranë Manastirit dhe të tjerët komunën e Arvanitohorit, gjysmë ore në perëndim të Tërnovës së madhe. Kur kersalët erdhën për të plaçkitur fshatin e tyre, këta të fundit kaluan në Vllahi… »
Kujtimet e Faveyrial janë të shumta. Një interes të veçantë ai tregoi për letërsinë e shkruar nga vetë shqiptarët. «Një dibran i krishterë – shkruante ai në shënimet e tij, – më tregoi, në vitin 1866, ngjarjen e mëposhtme që kishte ndodhur në Dibër. Një musliman plak kishte gjetur një libër të krishterë në shtëpinë e tij. Nga kureshtja, ai e kishte lexuar atë libër dhe në fund, kishte kuptuar kotësinë e muslimanizmit, siç thoshte ai. Duke mos mundur ta mbajë të fshehtë këtë bindje të tij, ai bisedoi për këtë me fqinjët. Fjala e tij zuri vend, për më tepër ngaqë ishte një burrë i nderuar nga të gjithë. Sa për librin, të cilin ai e shikonte si shkak të konvertimit të tij, mendoj se ishte Cuneus Prophetarum i imzot Bogdanit, arqipeshkvit të Shkupit, libër për të cilin unë kam folur. Por sidoqoftë, të nxehur nga idetë e plakut, muslimanët e tjerë e kallzuan atë tek pushteti. Çështja iu dërgua Portës së Lartë dhe përgjigja ishte që ose ai duhej të ndërronte mëndje, ose duhej të vdiste. Meqë ai nuk deshi të heqë dorë, atëherë atij i prenë kokën. Kjo ndodhi më 1854 apo 1855… »
Më 15 mars të vitit 1887, gjëndesha në Shkup dhe imzot Carev më tregoi një libër të Imzot Bogdanit që e kishte titullin «E vërteta e pagabueshme e Besimit Katolik», libër që ishte shtypur në Venedik në 1691, tek shtëpia botuese «Albrizzi». Imzot Carev më thotë se letërkëmbimi i Imzot Bogdanit me Romën ekziston ende. Hirërsia e tij më pohon se Pjetër Bogdani, i kthyer në dioqezën e tij pas dështimit të ushtrive austriake, vdiq në Janjevë, ku gjëndet po ashtu dhe varri i Imzot Mazrekut… » Faveryial tregon dhe një histori tjetër në në vitet 60’-70’ të shekullit XIX, kur në Prizeren e Gjakovë kishin ndodhur trazira të mëdha, ku dy grupe shqiptarësh po vriteshin mes tyre. «Kjo përplasje e ethëshme, – shkruan Faveryial, – ndodhi për shkak të një vajze muslimane nga Zadrima, e cila kishte qënë edukuar në një familje katolike, përballë shtëpisë së saj. Meqë i kishte mësuar shumë mirë lutjet, dhe pasi kishte mësuar mirë fenë katolike, kjo vajzë deshi të bëhej katolike dhe të martohej me një katolik. Në të vërtetë ajo u martua dhe u dërgua tek një i afërm i djalit, në Gjakovë. Në Prizeren, ajo deklaroi më pas në «mexhlis», se ishte katolike dhe se donte të mbetej katolike. Me të marrë lajmin se çfarë po ndodhte në Prizeren, mirditorët, me një krye Bib Dodën, morën armët. Fatmirësisht, trupat e ardhura me nxitim nga Manastiri arritën para mirditorëve, përndryshe do të kishte plasur lufta. Gjithsesi, që të qetësoheshin shpirtrat, autoritetet kërkuan që vajza me burrin e saj të largoheshin nga Prizereni. Fakti është se ata nuk vonuan të kthehen në Shqipëri dhe se tashmë (viti 1884), mesa duket, gjënden në rrethinat e Zadrimës… »
Më 28 korrik të vitit 1868 kishte vdekur Bib Doda, princi i mirditasve, por siç flitej në popull, ai nuk kishte vdekur nga vdekje natyrale, por ishte helmuar, meqë kishte patur konflikte me Portën e Lartë të Stambollit. Thuhej se ai kishte qënë ftuar në një drekë të madhe nga një «mirallai» shqiptar i quajtur Salik, por ai dhe trimat që e shoqëronin kishin vdekur njëri pas tjetrit pas tri javësh. «Dhjetë ditë pas varrimit të Bib Dodës, – shkruan Faveyrial, – varri i tij ishte hapur dhe kufoma ishte gjymtuar. Atij i ishin nxjerrë sytë, i kishin prerë hundën, veshët, buzët, duart e këmbët, i ishte hequr zemra dhe i ishin shkëputur pjesët burrërore. Me marrjen e këtij lajmi, gjithë Mirdita u ngrit e tëra në këmbë si një trup i vetëm dhe gjaku do të derdhej lumë. Ismail Pasha këtë priste, sepse donte të bënte një masakër mbi këta të ashtuquajtur rrebelë. Por konsujt e Francës dhe të Austrisë, z. Obaret dhe Duçizi e kuptuan qëllimin e guvernatorit. Ata ndërhynë dhe iu bënë mirditorëve premtime, por që më pas nuk u mbajtën… Disa shkodranë më tregojnë një ditë, se duke e parë që po vdiste, princi i mirditorëve kërkoi të thirrej konsulli i Francës dhe i tha: «Ja im bir, ja dhe paratë e mia. Po t’i besoj ty. Gjithçka që më takon është nën kujdesin tënd. Sa për mua ka mbaruar gjithçka. Unë s’do të merrem më dot me ato». Faveryial kishte gjetur dhe një korrespondencë nga Shkodra, botuar nga gazeta La Turquie, e Konstantinopojës, ku shkruhej për funeralet e princit. Në të shkruhej se konsulli i Francës mbante për dore djalin e Bib Dodës (që kishte lënë dhe një vajzë 16 vjeçare), duke i paraprirë kortezhit dhe se katër anët e arkivolit mbaheshin nga konsujt e Austrisë, Rusisë Italisë dhe sekretari i konsullatës së Rusisë…”
Në analet e Misionit Lazarist të Parisit janë dhe një sërë letrash e korrespondencash të Faveyrial me familjen e Princit të Mirditës, Bib Doda, (Prenk Bib Doda, Davidika Bib Doda, Margela Bib Doda, Primo Doçi apo «monsinjorë» të tjerë) çka tregojnë lidhjen e fortë të Faveyrial me shqiptarët.
Dyqind shqiptarë që shkojnë të luftojnë përkrah Francës
Në librin e tij, Faveryial na sjell dhe një korrespondencë mjaft interesante të marrë nga Gazeta La Turquie e 19 nëntorit të vitit 1870, e botuar në Konstantinopojë, ku jepet një korresponcencë e Berlinit. Eshtë koha e luftës franko-prusiane, kur prusianët i janë afruar portave të Parisit. Një gjëndje e rëndë ku luhet fati i vetë Francës. Midis të tjerash, në këtë gazetë shkruhet: «Njoftohet mbërritja në Marseille e 200 shqiptarëve, që me pushkët e tyre të gjata, vijnë të ndihmojnë Francën. Duket se kjo është veçse pararoja e shqiptarëve. I gjithë muhamedanizmi i udhëve kryesore bëhet gati të ndjekë detashmentin e parë. Këta shqiptarë republikanë të pa parashikueshëm, të formuar në zjarrin e luftës së Ali Pashës së Janinës dhe ndihmës të pashpresuar të z. Gambetta me shokë, natyrisht u brohoritën dhe u pritën përzëmërsisht, duke u mbuluar me lule kur ata zbritën në tokën franceze. Ndërkohë që ushtarët e vërtetë të Francës, «bazenët», «kurbertët», «lebëfët»[1], e ndjejnë veten të përbuzur nga bashkëatdhetarët e tyre demokratë… » Skena duhet të ketë qënë padyshim mjaft prekëse. Këta 200 shqiptarë, me veshjet e tyre karakteristike dhe pushkat e gjata, edhe pse të pakët në atë lloj lufte, ishin një llooj frymëzimi. Dhe Faveyrial shton: «Nisur nga kjo, devotshmëria e shqiptarëve për Francën e pafat, meriton jo pak për tu bërë e njohur. Qoftë e thënë që Franca të kujtohet ndonjë ditë për këtë !… »
Vdekja e Atit
Faveyrial iku nga kjo botë me besimin te Zoti dhe Njeriu, pasi ai vetë nuk i ndante këto të dyja. Por ai ishte një atipik në rradhët e klerikëve aq sa një gazetar francez e ka quajtur «aventurier të Zotit», në kuptimin e mirë të fjalës aventurier, pra që kishte shpirtin e aventurës, e zbulimit të botrave, popujve dhe kulturave të komuniteteve të tjera. Kur ai u shua, shqiptarët nuk e dinin shërbimin e madh që ai i kishte bërë historisë shqiptare me atë përkushtim shumëvjeçar duke kërkuar dhe hulumtuar historinë e vjetër të shqiptarëve, me përpjekjen për ta bërë atë të njohur në sytë e Perëndimit. Kontributi historik i shqiptarëve nëpër epoka, ishte për të mëse i qartë dhe kjo duhej dëshmuar. Ai vdiq në 25 nëntor të vitit 1893 në Manastir, pas një sëmundje të mushkrive. At Vincent Dupuy që njoftonte hierarkinë e tij në Paris, për vdekjen e Faveyrial shkruante jo vetëm për kontributin e tij të jashtëzakonshëm por dhe se ai u përcoll me një nderim të jashtëzakonshëm dhe me praninë dhe kurorat e pesë konsujve si, atij të Francës, Austro-Hungarisë, Anglisë, Rumanisë, Serbisë dhe Rusisë. «Gjithë ditën ne e lamë trupin e tij në shapelën plot dashuri, ku njerëzit që e shikonin thonin «Ky At i mirë po flë, ai nuk ka vdekur!»
Dorëshkrimet e Faveyrial në arkivin e Misionit Lazarist në Paris (ku shpesh në ato letra të zverdhura nga koha dhe atë shkrim të vogël, janë bashkangjitur letra, korrespondenca apo pjesë nga gazetat e kohës ku shkruhet për shqiptarët dhe Shqipërinë), shkruajnë veçanërisht dhe për fisnikët e Mirditës, një nga kryeqëndrat e fuqishme të katoliçizmit në Shqipëri, e cila mbrohej si nga francezët, ashtu dhe nga italianët dhe austriakët që jo rrallë ndërhynin tek Porta e Lartë apo e përcaktonin mbrojtjen e fesë së tyre në marrëveshjet ndërshtetërore me Perandorinë Osmane. Një studim i mëtejshëm do ta njohë lexuesin me fakte të reja të këtij adhuruesi të shqiptarëve.
[1] Ushtarët e mareshallëve të Francës Achile Bazaini, Edmond Lebeuf dhe të admiralit të Francës Amadée Courbert.
Komentet