Dy udhëheqësit e shërbimit sekret të Serbisë, Jovica Stanishiqi dhe Franko Simatoviqi, morën dënimin meritor për krimet që formacionet ushtarake dhe ato të sigurisë të Republikës së Serbisë kanë kryer gjatë luftës në Bosnjë dhe Kroaci.
I pari [Stanishiqi] për opinionin publik është stivuar në kujtesë edhe si personi që ka terrorizuar një lagje të mirë të figurave publike dhe intelegjencës kosovare. Natyrisht me ndihmën e rrjetit të bashkëpunëtorëve të tij.
Në esenë e tij të fundit me titull “I Akullti dhe Frenki dënojnë Serbinë”, të publikuar në gazetën Koha, publicisti kosovar Veton Surroi, na kujton se Stanishiqi ka mbetur në kujtesë të opinionit “më së shumti për një episod”. Në këtë epsisod, “Shërbimi i sigurimit shtetëror serb siguroi bashkëpunimin e një personi publik shqiptar [që vazhdon të jetë publik edhe sot] në mënyrë që të hapet një kanal komunikimi me persona me ndikim politik ndër shqiptarë. Qëllimi ishte që të krijohej një platformë që do të largonte shqiptarët nga konsensusi për pavarësi.”
Në bisedat që kisha me Mahmut Bakallin gjatë luftës, në prag të fillimit të bombardimeve të NATO-s dhe më pas, por edhe pasi ishim kthyer në Prishtinë, pasi ai qe ngarkuar me detyrën e këshilltarit politik në Zyrën e kryemnisitrit Haradinaj, derisa unë kisha detyrën e Zyrtarit të lartë politik, më ka rrëfyer se si ky person publik [fjala është për Baton Haxhiun], tri herë i ka vajtur në banesë dhe i ka bërë presion që ta pranojë ftesën për të vajtur në Brezovicë në takimin me Jovica Stanishiqin.
Në këtë insistim, nuk kishin munguar as kërcnimet e drejtpërdrejta.
Prandaj gjatë bisedave, z. Bakalli nuk e fshehte asnjë herë mllefin që kishte për personin e BH në tërë këtë histori dhe atë pasuesen, kur një delegacion i drejtuesve të LDK-së tok me Bakallin do të detyroheshin të shkonin tashmë në audiencë tek shefi i Stanishiqit në Beograd – te Sllobodan Milosheviqi.
Këtë që e pohon zoti Surroi lidhur me qëllimin e këtij shërbimi – për krijimin e një platforme që do të largonte shqiptarët nga konsesusi për pavarësi, ma kishte pohuar edhe i ndjeri Mahmut Bakalli, që besoj ta ketë nënvizuar enkas në kujtimet e tij.
Por, atë që nuk do t’ia arrinte dot Baton Haxhiu gjatë luftës, duke ju bashkuar presionit psiqik e fizik ndaj të ashtuquajturës alternativë politike në Kosovë në prag të shpërthimit të luftës së UÇK-së dhe më pas, duket se ia ka arritur duke qenë në kondita më të mira ndërkohë si i pozicionuar mirë në cilësinë e këshilltarit politik të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z Edi Rama, jo vetëm në procesin e krijimit të Ballkanit të Hapur, por edhe krijimit tashmë të një platforme politike – blloku politik të veçantë opozitar në Prishtinë dhe Tiranë, në raport me Qeverinë Kurti e që ndërlidhet kryekreje me veriun e Kosovës.
Konstatimi edhe i Gjykatës Ndërkombëtare për fajësinë e Serbisë në raport me krimet e kryera në Bosnjë e Kroaci, rrjedhimisht edhe në Kosovë, meqë kjo dyshe që u dënua ishte bartëse e plojës dhe gjenocidit në Kosovë, do të duhej të reflektonte gjithësesi edhe në politikën kosovare, konkludon me të drejtë z Surroi.
Por, përkundrazi, në Kosovë dhe rreth Kosovës, edhe me shërbimet e Baton Haxhiut me Co, tutje, po vazhdon lufta speciale me intenzitet të shtuar për të krijuar destabilitet politik dhe parakushte për krijimin e një platforme politike të re që do të shkonte në shërbim të idesë për “t’ia kthyer dhuratat e Rankoviqit” Serbisë, pavarësisht se Veriu i Kosovës është jetik për Republikën dhe do të duhej cilësuar ashtu si është: interes jetësor i Kombit.
Rruga Press