Pesë poezi nga libri ”Të vizatosh një zog në mur”
KAPMA DORËN
Kapma dorën ose afroje tënden
Kjo pamje bizare
Një kohë të gjatë
Po dënes mbi tavolinë
Pranë disa mollëve prej deltine.
Thonë se ishte dita e shtatë
Kur u krijuan yjet
Kurse të tetën ditë njeriun
E zuri mallkimi i erës
Dhe derisa u fundos notoi pa vela.
Zbraze ose mbushe miku im
Gotën e pikëllimit sonte
Akoma kemi kohë
Për numërimin e mëkateve
Kemi kohë edhe të pendohemi.
Thonë se vdiq ai që i krijoi yjet
Dolën në shesh frikacakët
Dhe në një humbëtirë i gjetën perënditë
Duke vajtuar fatet e njerëzve.
SONTE DUHET TË ECIM
Sonte do të na duhet të ecim
Na pret një rrugë e gjatë andej lumit
Na presin edhe kashelashat
Kaluan më ato kohëra
Kur loznim si fëmijë
Me flokët e shprishura të yjeve.
Domosdo duhet të ecim
Nuk guxojmë të ndalemi në asnjë liman
Ne vetëm në ecje mund të ekzistojmë
Nëse ndalemi
Veç në hapat e para
Do e përjetojmë gurëzimin e përrallave.
Po të mos kishim lëvizur
Para mija vjetëve ne do të zhdukeshim
Sa e sa popuj të mëdhenj
E të vegjël u harruan ose u zhdukën
Nëpër rërat e shkretëtirës.
U zhdukën
Vetëm pse i ndalën lëvizjet
Sonte duhet të ecim përtej çdo mundësie
Se përndryshe
Mund ta pësojë keq e nesërmja.
I NGJANIN ANIJEVE TË DEHURA
Nëpër pragje pritjesh
Prisja etjen në syrin tim
Sapo çeli trëndafili i egër
Selvitë filluan të lëkunden
I ngjanin anijeve të dehura.
Mbi qindra tasa të konservave
Përkundet detit
Një peshkatar i shtyrë në moshë
Prite të kthehen anijet e fundosura
Bunaca mbi një kep të përgjumur
I krihte flokët e meduzave.
Horizontin e kishin mbuluar
Retë e zeza
Një saç i përskuqur
Si eshka e mykur digjej në rërë
Vlonte uji në kthetrat e gaforres.
Nga hapësira blu zunë të rigojnë shirat
Si lotët e nuseve stërkalat
Binin mbi molin e rrëqethur
Peshkatarët me nostalgji të pashoq
Këndojnë një këngë të vjetër.
SI NËPËR VALLET E LEGJENDAVE
Pemët po më duken delikate si shirat
Po lëvizin degët pa pra
Në anën e kundërt të memories
Veshur me këmisha të bardha
Vallëzojnë në vallen e luleve.
Një hënë e grisur
Me qindra lloje leckash
Po e arnon fustanin e nusërisë
Me flokët e meteorëve
Po qëndis një tjetër hënë
Më të re.
Si nëpër vallet e legjendave
Pa reshtur po vijnë dasmorët
Shtatëdhjetë e shtatë ditë
Nuk pushuan zurnatë
Dhe daullet
S’ndaleshin as defet e zanave.
Lëkura e ajrit pëlcite nga shëndeti
Prej fryteve të pjergullës
Pikonte një lloj vere
E paparë
Me qindra vite në këto anë.
SI I LUAJTUR MENDSH
Si i luajtur mendsh
Trokas në ditët e javës
Mbase sot është ditë e hënë
Kurse e diela
Shtatë ditë larg nga pasqyra ime.
Po kam ftohtë më kanë rrethuar ethet
Nga krehri im
Si pikëllimi pikon dita
Kardinalët mbrëmë protestuan
E kambanorja qeshte me ironi.
Si i luajtur mendsh
Era trokiste në ndërgjegje
Çdo ditë jave xhelozish fshihej
Pas një tjetër dite
Heshtja në një heshtje solemne
I këndon psalmet e saja të vjetra.
Komentet