Voal – Muaji tetor lidhet me emrin e të madhes Nënë Tereza, tashmë Shën Nënë Tereza, pasi në 19 Tetor të vitit 2003 ajo u quajt “ Tereza e bekuar e Kalkutës” duke u lumturuar nga Papa John II e më pas në 4 shtator të vitit 2016 u bë kanonizimi i saj një ditë para 19 vjetorit të vdekjes.
Për të kujtuar jetën, veprën, kalvarin e vuajtjeve dhe të bamirësive të saj, Shoqata “Në Dobi të Gruas Shqiptare” me presidente Znj Sevim Arbana hapi dyert për aktivitetin e rradhës duke bërë bashkë të rinj e të reja, gra intelektuale, poetë e artistë .
E ftuar nderi për të folur mbi emocionet e përjetimet e shenjtërimit në Vatikan ishte Znj. Liliana Pere , e ftuar në Vatikan me cilësinë e presidents së “ Gruaja Shqiptare në Botë, “ dhe si këshilltare nderi në Misionin e Paqes (Honorary Advisor & Peace Missionary at Diplomatic Mission).
Ky aktivitet u sponzorizua teknologjikisht nga kompania e programim – dizenjimit inTech, kompani që bëri të mundur përzgjedhjen e pamjeve “ live” të eventit të shenjtërimit, duke i dhënë ngjyra të gjalla kujtimeve mbi jetën dhe veprën e shenjtores shqiptare. Znj. Liliana Pere përtëriu emocionet e përjetuara në ditët e shenjtërimit duke e quajtur ngjarjen ndër më të rrallat e jetës së saj. “Përjetim dhe emocione të papërshkrueshme…. Hyjnore do të thoja. Një Event që gjithë jetën do qendrojë në kujtesë si eventi më i rëndësishem dhe i bukur…. Isha bashkë me motrat e Nënë Terezës, në ditën e lutjeve në ”San Giovanni”. Bisedova, mora frymë shenjtërimi dhe dashurije, Motrat e Nënë Terezës më dhanë emocion të veçantë, pasi sa morën vesh që unë isha shqiptare, më vunë në mes, kënduam së bashku “aleluja” më ftuan të rrija e madje të flija tek shtëpia e tyre, Ato më shikonin me dashuri dhe më bënë të ndjehesha e afërt me to si Misionare Shqiptare nga vëndi i të shenjtës Nënë Terezë. Sigurisht isha shumë krenare për këtë e vazhdoj të jem si të gjithë shqiptarët. U luta në ditën e lutjeve, lutje për shenjtërimin e Nënë Terezës, Por u luta me shpirt edhe për femijët shqiptare, familjet shqiptare dhe për ju miket e mia që më dilnit para fytyrës. U luta me shpirt, me shpirt, me shpirt, për të gjithë gratë shqiptare. Jemi dhe qofshim të bekuar, sepse Zoti na dhuroi një Nënë të madhe që e nderon e gjithë Bota. Një Grua Shqiptare është sot shenjtore.” – tha mes të tjerash Znj. Pere.
Klubi i grave, morri ngjyra të ngrohta edhe nga recitimet e vargjeve të shkruajtura nga vetë Nënë Tereza ndërkohë që ambjenti buçiste nga Hymni i Nënë Terezës kënduar nga sopranoja Inva Mula në Vatikan.
Pjesmarrësit e morrën të gjithë fjalën duke sjellë kujtime humane nga veprmtaria e tyre shoqërore dhe e grave të tjera.
Aktiviteti ishte menduar bukur si një mbrëmje me tavolina të mbushura plot sponsorizuar nga znj. Sevim Arbana dhe kompania e programimit inTech.
Një gotë verë, një lutje, një urim e shumë kujtime ku secila pjesmarrëse u ndie paksa e shenjtëruar.
Faleminderit inTech, faleminderit Sevim Arbana dhe Shoqata në dobi të Gruas! Faleminderit Znj Liliana Pere që ndave me ne emocione kaq të rralla.
Faleminderit shenjtja jonë, Nënë Tereza jonë, që shenjtërove edhe Shqipërinë e gratë shqiptare kudo në Botë, duke na bërë krenarë që jemi si ti të vegjël në trup e të madh në shpirt.







Komentet