Kuvendi i 9-të Zgjedhor i LDK-së, nuk përmbushi pritjet e anëtarësisë. Përkundrazi, ishte një zhgënjim i radhës. Përveç përbërjes pozitive të Këshillit të Përgjithshëm, por, jo edhe pa mangësi, asgjë të re! “Zgjedhja” e Kryesisë dhe sidomos statusquo-ja në Kryesinë e ngushtë, dëshpëruese. “Lindja e vështirë” e kandidatës për kryeministre, sa ngushëlluese, aq edhe stresuese. Një rebus i zorshëm.
Retrospektivë:
Viti 25 maj 2015. Kuvendi i 8-të Zgjedhor i LDK-së. Delegatët e Degës të LDK-së në Gjermani, u bllokuan në hyrjen e Hotel “Emerald”. E para nga Kuvendi farsë doli e mllefosur Vjosë Osmani, pasi kushti monstrum 50+1, i pamundësoi garën për kryetare të LDK-së. Kundër këtij kushti kishte reaguar edhe kuadri i hershëm i Presidentit Rugova, Prof.Dr.Rexhep Gjergji, i cili lëshoi sallën e “Kuvendit”. Reagime kishin bërë edhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu, ish-kryetari i LDK-së dhe i Kolegjiumit të Degëve në Diasporë, Hafiz Gagica.
Por, një zonjë e Kryesisë kishte ndërhyrë, me porosi: “Mos ia prishim hijeshinë këtij Kuvendi me debate!” Dhe, ndryshoi rrjedha kuvendore, duke vazhduar me emërime, për t`i lënë jashtë strukturave të partisë të rebeluarit e arsyeshëm. Ata (ato) u akuzuan, padrejtësisht, si “populistë, egoistë, karrieristë, anarkistë!” Ndërkohë që ata kërkonin reforma e demokraci të mirëfilltë partiake.
Viti 2017. Fushata përmbyllëse zgjedhore në Istog. Një mjedis festiv, i stolisur me banderola e flamuj. Muzikë e përzgjedhur. Radha e parë dhe e dytë, të rezervuara për figura qendrore e lokale. Mua më vendosën në radhën e dytë, aty, ku ishin ulur edhe deputetët. Hyrja e Vjosë Osmanit dhe e Anton Qunit, spontanisht, u pritën me duartrokitje. Kaluan para karrikeve të para, ende bosh, ishin të rezervuara. Vjosa kaloi gadi në cep të radhës, pa zënë vend. Përfitova nga mundësia e lëvizjes, i fola, e putha në të dy faqet, në shenjë mbështetjeje e kurajimi. Një nip i imi, në kujdestarinë shërbyese të fushatës, i bëri vend Vjosës. Në mbremje ajo foto, e marrë nga Facebook-u i Vjosës, më erdhi në e-mail-in tim, nga mbesa Erblinë dhe nusja ime.
Anatema, e shoqëruar me denigrim, krejt e pazakonshme për LDK-në e Ibrahim Rugovës, kundër të të ashtuquajturit “grupi i të rinjëve”, por, në fakt, ka edhe të grup-moshave tjera, veç kishte filluar, për të mos thënë, kulmuar.
“Bilbil ky shekull orë e çast ndërrohet…”, ofshante i urti Mjedë.
Vjosë Osmani fillon turin e takimeve me anëtarësinë e LDK-së, në cilësinë e kandidatës për kryeministre. Fjalime përgjithësuese, entuziaste, mirëpritëse, por, jo edhe programore të mirëfillta. Ndoshta të justifikueshme, mëqe nuk ka filluar zyrtarisht fushata.
Begatimi i fushatës me elemente shtesë
Andaj, lypset bërë një fushatë ndryshe. Përgjithësimi me akuza për partinë si të tërë, nuk është e shëndetshme, për një kryeministre të ardhshme, sepse ajo duhet të jetë kryeministre e të gjithë popullit të Kosovës. Vërtet, nuk justifikohet populli që mbronë e voton kriminelët, por, megjithatë, kritika duhet përqendruar tek krerët, banda e PDK-së. Kështu duhet vepruar edhe për banditët në krye të AAK-së.
Dhe, faktet janë sa të bollshme, aq edhe të trishtme, ngase është përgjakur Kosova, me gjakun e ushtarakëve të FARK-ut të Ibrahim Rugovës dhe të veprimtarëve të shquar të LDK-së, pikërisht, nga bandat e partive të koalicionuara në PAN.
Acarimin me Vetëvendosjen e duan PAN-istët kriminelë, për ta thelluar, pakthyeshëm, në pajtim e koalicionim. Teza e bashkimit kombëtar, e proklamuar, zëshëm e bujshëm, nga Vetëvendosja, në kushtet aktuale, është një përrallë sa e dëmshme, aq edhe e kushtueshme për Kosovën. Sepse, i jep shansin, më saktë, favorizon kërkesën e Serbisë, për ndarjen e Kosovës.
Veç kësaj, shqiptarët nuk janë të përgaditur, ende, për procesin e bashkimit kombëtar. Sepse ata nuk kanë arritur të dakordohen, të merren vesh, për tregun e çimentos, patateve, vezëve. Dhe, së fundi, taksën plaçkitëse të rrugës së “Kombit”, nga paranojaku Edvin Rama, i cili, ka ndotur skajshëm politikën shqiptare.
Qëndrimi i Vetëvendosjes, më saktë, i Albin Kurtit, ndaj Gjykatës Speciale, EULEX-it dhe të Qendrave të Vendosjes Ndërkombëtare, është vajtuese. Mosmirënjohja ndaj çliruesëve faktikë të Kosovës, është turpëruese për popullin e Kosovës dhe të shqiptarëve botërorë.
Kjo është një huazim ideologjik i Enver Hoxhës, i cili, përshkak të krimeve të bëra qysh gjatë luftës, me porosi të emisarëve kriminelë jugosllavë, njësoj sikur krerët PAN-istë, hafije të Serbisë, përgjakën Kosovën, e kushtëzoi koracimin stalinist, për ta ruajtur lëkurën e tij, me sundimin e hekurtë, vrasje e burgje masive.
Megjithatë, kjo duhet shmangur edhe për arsye shtesë: Na ishte një kohë kur Vetëvendosja ishte e vetme në mbrojtje të Republikës. Ndërkohë që, LDK-ja ishte e njëzëshme me PDK-në, në veprimet fatale për Kosovën: “Zajednica”, Demarkacioni, Hashimi – president, Kadrija – kryeparlamentar, e tjera.
Përrallisjet e Ramushit për korrigjimin e demarkacionit, i demanton ultimatumi zyrtar malazez, për rrënimin e staneve bjeshkore të shqiptarëve dukagjinas, kundruall Kullës së Zhlebit. Llogarisni sa ka kushtuar posti i kryeministrit të rrëmujshëm, arbitrar dhe, tërësisht, dështak, në krye të qeverisë PAN-iste, me vendimin fatal, për ta ligjësuar Demarkacionin, në vijën aktuale kufitare, në mes të Kosovës dhe Malit të Zi?!?
Vërtet, Vetëvendosjes, saktësisht, liderit të paparashikueshëm, Albin Kurtit, i mungon drejtë-orientimi, madje, edhe drejtë-peshimi. Dhe, vetëm koalicioni me LDK-në, do ta ndihmonte për emancipimin e saj (atij) bashkëkohor. Do të përfitonin, reciprokisht, LDK-VV. Por, e favorizuar do të ishte Vetëvendosja, sepse do të nismonte profilizimi i saj. Dhe, që këtej, do të fitonte edhe Kosova, duke fituar një forcë politike domëthënëse, aq më parë, kur kjo është një parti e dominuar nga rinia, e ardhmja e Kosovës.
Tashmë, duke u kursyer në përgjithësime, Vjosë Osmani duhet të shpalosë parësitë programore të LDK-së në qeverisjen e ardhshme.
Skepticizmi i opionistëve, (lexo edhe banalistëve), në media, se Vjosë Osmani është nën vartësinë e klanit Mustafa, të disa syrësh, si Ilir Morena, me një anëshmëri tendencioze, deri në neveri, kundër LDK-së, me porosi të bandës PAN, tashmë, është zvetënuar, në mos tejkaluar.
Kryetari Isa Mustafa, në kërkim të përmirësimit të imazhit të tij dhe të LDK-së, fort të rrënuar, më në fund, u dorëzua, lehtësisht, me justifikimin se Vjosa është dashuria numër 1 (një) e anëtarësisë të LDK-së, madje, e duan, jo më pak se kryeministre.
Një fiksim filmik, një foto, tashmë, proverbiale, që pushtoi mediet digjitale, në çastin kur kreu i LDK-së, Isa Mustafa, shpallë Vjosë Osmanin kandidate për kryeministre, akademik Kujtim Shala, fort i pranueshëm edhe për kryetar të ardhshëm të LDK-së, përqafon dhe shtrëngon fuqishëm, deri në kërcitje dhëmbësh, me emocione shpëthyese, Vjosën mençurake, luftarake e hyjnore.
Loti i Agim Veliut, në prezantimin e Vjosës në Podujevë, përloti ndjenjatarët e LDK-së. Puthja e Vjosës nga Lutfi Haziri, si vëllai motrën, në prezantimin e saj në Gjilan, është domëthënëse dhe flet për pendesën e Lutës, në qendrimet e hershme ndaj saj. Duam të besojmë se sjelljet fisnike të dy nënkryetarëve të LDK-së, janë të sinqerta, madje, të shprehura ndjeshëm, bindshëm dhe botërisht.
Rrjedhimisht, skepticizmi medial është i sponzorizuar nga kundërshtarët politikë të LDK-së. Shtetarë e pushtetarë aktual, kanë pushtuar edhe institucionin media, ashtu siç kanë kapur shtetin të tërë.
Fushata e kandidatës për kryeministre të Kosovës, Vjosë Osmani, duhet të begatohet edhe me premtime, që do ta rikthejnë frymën rugoviane në LDK-e, që, tashmë, është bjerrur, duke mbetur vetëm si një kujtim nostalgjik, i një të kaluareje jo shumë të largët:
1) Vjosë Osmani duhet të premtojë, hapur e botërisht, se do të punojë me ekip dhe jo me klan;
2) Se kryetari i LDK-së do të zgjidhet me – një anëtar, një votë -, duke shmangur hatërime, zemërime, pretendime, për t`u bërë kryetar klanor, kundër vullnetit të anëtarësisë, rrjedhimisht, ndarje të LDK-së;
3) Se do të nismojë ndryshimin e statutit të LDK-së, duke hequr kushtin monstrum 50+1, për zgjedhjen e kryetarit të LDK-së;
4) Do të aplikojë, zbatojë, domosdoshmërisht, tri parimet bazë të demokracisë:
a.- debatin e gjerë, të shpenguar në të gjitha strukturat e partisë;
b.- konkurrencën e ndershme, për të gjitha strukturat e partisë;
c.- votimi i fshehtë demokratik, për të gjitha strukturat e partisë.
Kryesia aktuale e LDK, bombë e kurdisur
Fushatës të LDK-së i mungon veprimtarja e suksesit cilësor, Donikë Gërvalla. Dhe, ky është paradoks dhe difekt i madh i kësaj fushate, tejet e rëndësishme partiake. Nevoja e kooptimit në Kryesinë Qendrore, të Donikë Gërvallës, do të ishte parakusht për praninë e saj në fushatën aktuale.
Gjithashtu, kooptimi i kryetarit të Degës të LDK-së në Gjermani, Osman Ferizi, në Këshillin e Përgjithshëm, është sa i ligjshëm, aq edhe i nevojshëm. Sepse veprimtarët e Mërgatës janë vlerë. Ata nuk e pranojnë hilenë e hipokrizinë. Kanë guximin qytetar, për ta denoncuar të ligën, të keqen, qoftë edhe të vetmuar, në kundërshti me heshtjen tufëzuese, qyqare, mjerane.
Kjo u provua edhe në Kuvendin e 9-të Zgjedhor të LDK-së, kur delegati i nga Dega e LDK-së në Gjermani, autori i këtij shkrimi, reagoi, madje, fuqishëm, 6 (gjashtë) herë radhazi, përgjatë Kuvendit, në kundërshti të veprimeve kundra-demokratike të Kryesisë së punës kuvendore. Dhe, gjithëherë, përfaqësonte të drejtën absolute.
Çuditërisht, duartrokitej kundërshtia e tij ndaj klanit, drejtues të punës kuvendore. Por, hipokrizisht, po ata delegatë të Kuvendit, në tufëzim blegëtor, aprovonin e votonin veprimet dhe vendimet arbitrare e skandaloze të Kryesisë klanore!!!
Në takimin tonë me kryetarin Isa Mustafa, si Kryesi e Degës të LDK-së, në Gjermani, ai kërkoi unitet në LDK-e. Por, uniteti nuk bëhet me fjalë e sofizma, por, me fakte e veprime konkrete. Normalisht, kandidatët në garë, brenda një subjekti, humbësi bëhet i dyti i partisë. Thyerja e këtij kodi, të Sejdiut për Dacin, i kushtoi shumë LDK-së dhe atij, personalisht.
Nga ky pësim, duhet të mësojë, Isa Mustafa, edhe pse Fatmir Sejdiu nuk është humbës, ngaqë nuk është provuar me votën e fshehtë demokratike. Rrjedhimisht, Profesor Fatmir Sejdiu duhet të kooptohet në Kryesinë e LDK-së dhe prania e tij në fushatë, fisnikëron LDK-në.
“Po të bëhesha edhe një herë nuse, do të dija si të nusëroja”,- fjalë sa përmallëse, aq edhe penduese të plakës apo plakave. Dhe, vërtet, ish-kryetari Fatmir Sejdiu është denoncuesi, fort i saktë, i të gjitha devijimeve nga rugovizmi i suksesshëm e klasik i LDK-së, që bëri Isa Mustafa me klanin e trashëguar, por, rrast të konsoliduar, që i kushtoi shumë LDK-së dhe Kosovës.
Është një fiksim kamere, kur mendja e zgjuar e Profesor Sejdiut, e nuhati se lista seleksionuese e Këshillit të Përgjithshëm, nën ndikimin e klanorëve të tij, është fatale, andaj, provoi ta zhbënte. Por, pengohet nga klanori i fuqishëm, duke e pushtuar për krahu dhe stopuar, për të vazhduar me listën shkaktare të ndarjes të LDK-së.
Përvoja prej 6 (gjashtë) dekadash në rrjedhat e politikës së brendshme dhe të jashtme, opinioni dhe veprimet e mia politike, se pavarësisht travajave e vuajtjeve personale, duke lënë modestinë me një anë, unë isha gjithëherë në anën e së drejtës. Dhe, kjo ka qenë dhe mbetet ngushëlluese për mua, pa menduar kurrë për pendesë.
Por, konservimi i Kryesisë butake, e ruajtur me prapavijë qëllim-keqe, për ta përdorur në vendim-marrje klanore e nepotike, është një bombë e kurdisur brenda LDK-së. Sepse pretendohet që partia të trashëgohet brenda klanit, tashmë, të stazhionuar. Çaktivizimi i kësaj bombe-murtajë, do të shënonte nismën e ndryshimit të mirëfilltë, njëherësh, shpëtimin e LDK-së.
Prandaj, jam fort i bindur, për gjithçka që sugjëroj për mikën time dinjitoze e njerëzore, Vjosë Osmani. Ajo anjëherë nuk bëri kompromise, në kundërshtim me parimet e saj. Tashmë, Vjosa jonë është dëshmuar si ndjekëse, mbrojtëse e denjë, madje, e rreptë e vizionit të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Rrjedhimisht, LDK-ja rugoviane, identifikohet, madje, denjësisht, me Vjosë Osmanin, dhe shumësinë e anëtarësisë.
Urojmë për suksese Vjosën, LDK-në, Kosovën, sepse fiton Vjosa, fiton Kosova!
Komentet