⦁ Për librin “ Shtegtime të ndrydhura jete- të autorit Tahir Bezhani, botoi “ Blini BK” Gjakovë, Korrik 2023-
Gjithmonë kam menduar…
Gjithmonë kam menduar se nuk është nevoja të shpjegohemi kur marrim mundimin të shkruajmë jetëshkrimin tonë, pavarësisht përmasave të udhëtimit tonë jetësor dhe raportit delikat mes ambicieve tona dhe arritjeve apo dështimeve në jetë. Në fund të fundit, një jetëshkrim, sado i vonuar të jetë, në mos pastë lexuesin e pretenduar, gjithmonë shërben së paku si kujtim, si një sirtar ëndrrash, dëshirash dhe mesazhesh të sinqerta të një kohe, që kur të hapet qoftë dhe rastësisht një ditë trondit, mallëngjen, shkujdes memorien apo raporte të caktuara njerëzore në familje dhe shoqëri.
Dilema e të shkruarit apo jo e jetëshkrimit të tij ka sprovuar jo pak nga ana shpirtërore krijuesin e njohur Tahir Bezhani, fakti që ai në faqet e para përpiqet me një sinqeritet të prekshëm të argumentojë se përse u përfshi në të shkruarit e librit rreth jetës së tij, familjes, veprave dhe fatit të tij në jetë, për një çast tingëllon naïve dhe e tepërt, por më pas, kur ai përmbledh dhe shpalos historinë e tij, dhe përmes saj edhe të brezit dhe bashkëkohësve të tij me modesti, qartësi, dokumente dhe sjell mesazhe të forta mbështetur në realitetin , me të cilin ndjehet aq i përditësuar, duke u përpjekur që sadopak të jetë një guidë e nevojshme për të kuptuar të verteta njerëzore dhe historike njëherësh, e kupton sesa me vend është edhe parathënia personale e librit të tij.
Që kapërcejnë stadin e personales, të lavdisë së pamerituar dhe e meritave që nuk i përkasin, defekte që shpesh bëjnë të dështojnë shumë biografi dhe dështime edhe të njerëzve shumë të famshëm. Përkundrazi, jetëshkrimi i tij i shkruar si një dialog i besueshëm, konçiz dhe mbështetur në fakte dhe argumente të mirëqëna dhe të pakundërshtueshme dhe duke u paraqitur siç është ai realisht, me dobësitë, të pamundurat, por edhe çastet më krenare të një jete me mundim, por të ndershme, mbetet një shembull unik sesi duhet shkruar një jetëshkrim objektiv.
Duke kerkuar karakterin dhe identitetin e atdheut dhe familjes, të shkrirë në një, përgjatë gjithë betejave të deritanishme, ndërsa ka krijuar emër të respektuar si njeri, prind, bashkëshort, krijues, por edhe si pjesë e shndrrimit të shoqërisë dhe pjesë organike e fatit historik të vendlindjes dhe të zhvillimeve mbarëkombëtare.
Nëna…
Nëna e tij, Raza, bija e Zogaje të Bytyçit është fillim dhe fund lajtmotivi që themelon dhe mban në këmbë biografinë e tij, një shtyllë ku është mbajtur gjithmonë që nga fëminia ngadhnjimi dhe qëllimi i tij jetësor, ajo fija e padukshme që depërton në krejt momentet skajore të ekzistencës, kuptimi madhor i përpjekjeve të mbijetesës, por edhe shtytja kryesore e rrëfimit të tij të detyruar në një moment thelbësor të jetës.
Fotoja e saj e vetme, fotoja e një vajze të sapomartuar në pjesën tjetër të kombit, të ndarë befasisht dhe poshtërsisht në shkulmet e histories është bash fasada e krejt rrëfimit në vetë të parë të Bezhanit, duke e nisur rrefimin nga nëna e tij dhe drama e saj e ndarjes nga vendlindja dhe njerëzit e saj të zemrës si dhe duke ndertuar me pak fjalë, por me shumë mall, çiltërsi dhe penelata fine fatin historik të një familje shqiptare, duke personifikuar kësissoj fatin ngadhnjyes të krejt kombit në tërësi:
“ E kishin shtrirë në një qerre me kuaj të mbuluar në batanie, nuk më lejuan ti bie fytyrës, nuk më lejuan ta shoh nanën time të vdekur, kur dëgjoja vajtimin e grave pranë saj më bëhej se mishi më ndahej nga eshtrat, sikur dikush mi grryente trutë…”
Prej atij çasti e në vazhdim çdo çast jetësor i autorit ka emrin e saj, ngjyrën dhe zërin, në formën e amanetit dhe mësimit për jetën, edhe ky jetëshkrim njëfarsoj është premtimi i mbajtur i tij dhe i trungut të vet familjar për ta ruajtur nderin e fisit, ballin e nderit të kullës së vjetër të Bezhanajve të përzier përjetësisht me emrin dhe nderin e fisit të njohur të Bytyçit, me derën e njohur të Hajdarmatajve.
Nuk kam parë asnjëherë një rast të tillë, kur një njeri dhe krijues me emër ta vendosë aq bukur dhe aq pranueshëm, si gur themeli i ekzistencës dhe krijimtarisë së tij gati dyzetvjeçare historinë e nënës së tij dhe ta shndrrojë në një simbol të bukur dhe gjithëpërfshirës të veprave tëtij, porse dhe të veprimtarisë së përditshme si inicues i veprimtarive kulturore për të thyer barrierat dhe kufirin si koncept tashmë i papranueshëm për marrëdhëniet dhe zhvillimin tone si komb, në rrugën drejt integrimit evropian.
Tahir Bezhani me hapjen e kufirit u kthye në atdheun e nënës, tek njerëzit që e pritën si birin e tyre, si atherë kur kaloi tinëz kufirin, si tash që falë kontributit të tij ka fituar natyrshmërinë e të qënit qytetar i merituar dhe i nderit të Tropojës, por edhe shumë më gjerë. Në poezitë e tij fryma e ngrohtë e mirënjohjes ndaj nënës, atdhedashuria dhe ndjenja e përkushtimit për fatin dhe të ardhmen e bashkimit kombëtar ngjyer në tone të ngrohta dhe figuracion befasues dhe aq original, i kanë dhënë mundësinë të rrëfejë këndshëm dhe ta ngërthejë lexuesin e tij faqe pas faqes në ndodhitë dhe kulmet e jetës së tij shkrirë me fatet e atdheut:
“ Përmes këtij dorëshkrimi, i hershëm apo i vonuar, bëra përpjekje maksimale të zbraz borxhin tim që e mbaja mbi gjysmëshekulli mbi supe, do të kasha mbetur gjithmonë borxh në jetë pot ë mos e kasha shkruar…Këto rrëfime le të jenë një dritë sado e vogël e rrugëtimeve nëpër kohë, me dritë, por edhe me terrinë…”
Shtegtime , trishtime dhe gëzime…
Modestia ishte dhe mbetet normë e padiskutueshme e autorit në jetë, vlerë që gjatë gjithë kohës, në sekuencat dhe retrospektivën e saj përcillet nga prindët tek fëmijët, rrita e tyre, edukata, karakteri dhe identiteti njerëzor dhe kombëtar janë investimet kryesore të Bezhanit , të cilat kanë dhënë frytet e tyre , ai pohon se nuk mundi të krijojë pasuri, por edukatë për besë dhe qendresë si shqiptarë po.
Bezhani shtegton me fëmijët, nipërit dhe mbesat viseve të pashkelura të atdheut, shtegton kah viset e kujtimeve të idhta dhe të ëmbla, krah shokëve të vjetër dhe të rinj, e pamundura e trishton, mungesat i përcjell me lot dhe gëzimet gjithashtu, politika e nervozon dhe ndjehet konfuz kur mendon se sadopak çaste të humbura në përçartjet e saj cënojnë fatet e bashkimit dhe integrimit me botën e qytetëruar, kur ka ngërç dhe vargjet poetike vonojnë muzës së tij ndjehet i thyeshëm, por gjithësesi është njeri krenar dhe i zakonshëm, poaq sa unik dhe i papërsëritshëm, një segment i ndritshëm i Gjakovës, por edhe i malësisë së saj në veçanti.
Jetëshkrimi është i tij, sikurse dhe i Gjakovës dhe i malësisë, por edhe i Kosovës në hekurudhën e saj historike kah ngadhnjimi mbi vdekjen e synuar qindravjeçare nga armiqtë dhe në paqen e garantuar nga miqtë e saj të mëdhenj.
E tillë në fakt është historia e saj, shtegtim, trishtime dhe gëzime dhe kush më mire sesa një shkrimtar i inkuadruar në fatin e saj mundet të përshkruajë sit ë tillë…
Tropojë, 14 gusht 2023