VOAL

VOAL

Një faqe interneti për të ndihmuar refugjatët në Gjermani

January 23, 2016

Komentet

I dërguari i Trumpit: Ukraina ka rënë dakord të mbajë zgjedhje presidenciale

I dërguari i posaçëm i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Steve Witkoff pohoi se Kievi ka “pranuar” të organizojë zgjedhjet presidenciale në Ukrainë, pa dhënë detaje apo prova që mbështesin pretendimin e tij.

Në një intervistë me ish-prezantuesin e Fox News, Tucker Carlson, Witkoff deklaroi se “do të ketë zgjedhje në Ukrainë”, duke shtuar se udhëheqja e vendit të shkatërruar nga lufta ishte “pajtuar me të”.

Administrata Trump ka rritur presionin për të detyruar Ukrainën të organizojë zgjedhje në kohë lufte, gjë që vendit i është ndaluar me kushtetutë, shkruan Politico.

Presidenti amerikan e ka përshkruar homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, si një “diktator pa zgjedhje”.

Kritikët thonë se zgjedhjet e kohës së luftës do ta ekspozonin Ukrainën ndaj taktikave të destabilizimit të Rusisë dhe do të ishin një makth logjistik për t’u organizuar në një vend që mbron veten nga një pushtim i gjithanshëm. sn

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten: Miqtë tanë në Kosovë të mos provokohen nga Serbia

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ka kërkuar që NATO-ja të përkrahë institucionet e Kosovës në kryerjen e detyrave. Rueten tha se në Kosovë gjithmonë ekziston rreziku i provokimit nga ana e Serbisë, duke tentuar të lidhin një çështje me një tjetër.

“E dimë këtë gjë, dhe e kemi parë këtë paraprakisht. Madje kemi parë edhe sulme në territorin e Republikës së Kosovës, që të hiqet vëmendja nga zhvillime të brendshme në Serbi. Gjithmonë duhet të jemi gati, por unë shpresoj dhe u bëj thirrje miqve tanë në Kosovë që të mos provokohen dhe të mos lejohet që kjo të ju udhëheq agjendën tuaj”, u shpreh ai për Klan Kosova.

Eurodeputeti Reuten tha se është e rëndësishme që Kosova të investojë në raportet bilaterale me shtetet anëtare të BE-së, në mënyrë që të fokusohen në reforma në vend e të mos provokohen nga veprime që gjithnjë mund të ndodhin.

“Duhet të qëndrojmë së bashku në këtë: të shmangim çdo tension të panevojshëm në raporte të ndryshme. Kjo nuk do të thotë se raporti në fjalë nuk do të mbetet i zorshëm për një kohë. Por shpresoj që qasja e emisarit të ri për dialogun Kosovë-Serbi, mund të çojë te rezultate më ndryshe”, deklaroi Reuten.

Ai tha se është e nevojshme një qasje tjetër në procesin e dialogut sepse qasja që e kishin deri tani nuk solli rezultatet që po shpresonin. Po ashtu, eurodeputeti Reuten tha se duhet të procesohet aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat.

BE planifikon të furnizojë Ukrainën me të paktën 2 milionë predha në vit

Bashkimi Evropian planifikon të furnizojë Ukrainën me të paktën 2 milionë predha në vit, njoftoi  shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

 

Këtë e bëri të ditur Kallas gjatë një konference për shtyp në Bruksel, ku Komisioni Evropian prezantoi Librin e Bardhë për të ardhmen e mbrojtjes së BE-së.

Teksti përshkruan një strategji të re për forcimin e mbrojtjes evropiane dhe rritjen e mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

Një seksion i dedikuar për Ukrainën thekson planet për të ofruar jo vetëm predha, por edhe sisteme të mbrojtjes ajrore, drone dhe trajnime dhe pajisje për brigadat ukrainase.

Kallas tha se instrumenti i ri SAFE, një mjet kredie prej 150 miliardë euro (163 miliardë dollarë) i propozuar nga Komisioni Evropian, do të mbështesë arritjen e këtij objektivi.

“Ky është një moment kyç për sigurinë evropiane. Është një moment kyç për veprim,” tha Kallas.

Në vitin 2024, BE-ja arriti qëllimin e saj për të dorëzuar një milion predha në Ukrainë, duke përmbushur premtimin që fillimisht kishte premtuar të dorëzonte deri në pranverën e vitit 2024. Panorama

Macroni njofton një takim të ri të koalicionit që mbështet Ukrainën. Presidenti francez: Të sigurohet armëpushimi në luftën me Rusinë

Pas Samitit të djeshëm në Bruksel, Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi para mediave se liderët e koalicionit që mbështet Ukrainën do të takohen sërish javën e ardhshme, duke shpresuar të finalizojnë planet për të siguruar një armëpushim të mundshëm në luftën me Rusinë.

Takimi në Paris me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky do të jetë pas një seri takimesh në nivele të larta dhe pasi Kievi dhe Moska të mbajnë bisedime në Arabinë Saudite me Shtetet e Bashkuara të hënën.

Njoftimi i Macron të enjten erdhi pasi Londra ishte mikpritëse e drejtuesve të lartë ushtarakë nga i ashtuquajturi “koalicioni i të vullnetit” rreth Ukrainës, po ditën e djeshme.

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se planet për sigurimin e një armëpushimi të mundshëm po “bashkohen” teksa presidenti i SHBA-së Donald Trump po ecën përpara me Rusinë për t’i dhënë fund luftës së saj kundër Ukrainës.

Macron, i cili së bashku me Starmer është i gatshëm të dislokojë trupa në Ukrainë, tha se takimi të enjten e ardhshme do të jetë një shans për të “rregulluar” punën për të siguruar që çdo armëpushim të jetë i qëndrueshëm.

Ndërkohë, Zelensky tha në samitin e djeshëm të BE-së se “asgjë nuk kishte ndryshuar” pasi Moska ka vazhduar bombardimet pavarësisht se ra dakord me Trump për të ndalur sulmet në sistemin energjetik të Ukrainës.

Zelensky tha se presidenti rus Vladimir Putin duhet “të ndalojë së bërë kërkesa të panevojshme që vetëm zgjasin luftën”, duke i bërë thirrje BE-së të rrisë dërgesat e armëve dhe të mbajë sanksionet në fuqi.

Udhëheqësit e BE-së u zotuan në një deklaratë të përbashkët, e cila u ra dakord pa mbështetjen e Hungarisë miqësore me Rusinë, për të rritur mbështetjen ushtarake, pavarësisht nga kërkesat e Moskës për të ndaluar mbështetjen e huaj.

Por ata nuk miratuan një kërkesë nga Zelensky, e shtyrë nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, për t’i dhënë Kievit pesë miliardë euro (5.4 miliardë dollarë) për predha artilerie, përballë kundërshtimit nga Franca dhe Italia. bw

Zelensky me liderët e BE-së: Ukrainës i nevojiten 5 mld euro armatime. Duam armëpushim të plotë dhe pa kushte në tokë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mori një pushim nga vizita e tij në Oslo për të folur me liderët e BE-së përmes video-telefonit teksa ata u takuan në samitin e Sigurisë.

Zelensky tha se Vladimir Putin duhet të ndalojë kërkesat e panevojshme ndërsa paralajmëroi  se asgjë nuk ka ndryshuar pasi Rusia sulmoi infrastrukturën energjetike, pavarësisht se Putin u zotua të ndalojë sulme të tilla dje.

Ai gjithashtu tha se centralet bërthamore të vendit i përkasin popullit të Ukrainës, pas një sugjerimi nga presidenti amerikan Donald Trump që Uashingtoni të blejë termocentralin Zaporzhizhia.

Zelensky bëri thirrje për të paktën 5 miliardë euro (4.18 miliardë £) nga Evropa për predha artilerie sa më shpejt të jetë e mundur dhe tha se mbështetja në rritje për Ukrainën është vendimtare.

“BE -ja duhet të përfshihet në bisedimet e paqes , tha ai, duke kërkuar unitetin midis vendeve anëtare

Është thjesht anti-evropiane kur vendimet që janë të rëndësishme për të gjithë kontinentin ose që tashmë janë rënë dakord” bllokohen nga një person , shtoi ai.

Ai i kërkoi Evropës të mos lehtësojë presionin ndaj Rusisë lidhur me luftën  dhe se sanksionet duhet të vazhdojnë

Ai tha gjithashtu se kishte një bisedë produktive me Presidentin e SHBA Donald Trump dhe bëri thirrje për mbështetjen e BE-së për një armëpushim të plotë të pakushtëzuar në tokë.

Më herët, udhëheqësi i Ukrainës Volodymyr Zelensky iu drejtua samitit, duke thënë se është “thjesht anti-evropiane kur një person bllokon vendimet që janë të rëndësishme për të gjithë kontinentin ose që tashmë janë rënë dakord”.

Ndërsa ai nuk bëri asnjë referencë të drejtpërdrejtë për Orbanin, Zelensky tha se ishte e gabuar që “përpjekjet evropiane që duhet të sjellin më shumë siguri dhe paqe po pengohen vazhdimisht”. bw

“Bisedë pozitive dhe tepër thelbësore”- Zelensky jep detaje nga telefonata me Donald Trumpin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e cilësoi bisedën telefonike me Donald Trump si pozitive, shumë të rëndësishme dhe të sinqertë.

Ai theksoi dakordësinë e tij për të ndaluar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë dhe shprehu mbështetje për propozimin amerikan për një armëpushim të pakushtëzuar në vijën e frontit.

Për më tepër, Zelensky nënvizoi diskutimet për përmirësimin e mundshëm të mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Shtëpia e Bardhë, gjatë konferencës mbi këtë komunikim, bëri të ditur se presidenti amerikan ra dakord të shqyrtonte mundësinë e dërgimit të më shumë sistemeve Patriot, duke pasur parasysh disponueshmërinë e tyre, kryesisht në Evropë.

Postimi i Zelenskyt:

Kam pasur një bisedë pozitive, shumë thelbësore dhe të sinqertë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. E falënderova për fillimin e mirë dhe produktiv të punës së ekipeve ukrainase dhe amerikane në Jeddah më 11 mars  ky takim i ekipeve ndihmoi ndjeshëm në rrugën drejt përfundimit të luftës. Ne ramë dakord që Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku për të arritur një fund real të luftës dhe paqe të qëndrueshme. Ne besojmë se së bashku me Amerikën, me Presidentin Trump dhe nën udhëheqjen amerikane, mund të arrihet paqja e qëndrueshme këtë vit.

Presidenti Trump ndau detaje të bisedës së tij me Putinin dhe temat kryesore të diskutuara. Një nga hapat e parë për t’i dhënë fund luftës plotësisht mund të jetë përfundimi i sulmeve kundër energjisë dhe infrastrukturës tjetër civile. Unë e mbështeta këtë hap dhe Ukraina konfirmoi se ne jemi gati ta zbatojmë atë. Ekipet tona diskutuan këtë hap në Jeddah. Pala amerikane propozoi gjithashtu një armëpushim pa kushte në vijën e frontit dhe Ukraina e pranoi gjithashtu këtë propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë për ta bërë këtë realitet. Ne besojmë se hapa të tillë janë të nevojshëm për të krijuar mundësinë e përgatitjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të paqes gjatë armëpushimit.

Kam dhënë gjithashtu një përditësim mbi situatën në fushën e betejës dhe pasojat e sulmeve ruse. Biseduam për situatën në rajonin e Kurskut, prekëm çështjen e lirimit të robërve të luftës dhe kthimit të fëmijëve ukrainas, të cilët u rrëmbyen nga forcat ruse. Ne diskutuam gjithashtu gjendjen e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe mundësinë e forcimit të saj për të mbrojtur jetët.

Ne kemi udhëzuar ekipet tona të zgjidhin çështjet teknike në lidhje me zbatimin dhe zgjatjen e armëpushimit të pjesshëm. Ekipet ukrainase dhe amerikane do të takohen në Arabinë Saudite në ditët në vijim për të vazhduar koordinimin e hapave drejt paqes. Ne kemi porositur këshilltarët dhe përfaqësuesit tanë që ta përfundojnë këtë punë sa më shpejt të jetë e mundur. Ne vumë re punën pozitive të këshilltarëve dhe përfaqësuesve tanë – Rubio, Ëaltz, Kellogg, Yermak, Sibiha dhe Palisa. Në takimet e mëtejshme, grupet mund të bien dakord për të gjitha aspektet e nevojshme të lëvizjes drejt paqes së qëndrueshme dhe garancive të sigurisë.

Falënderova Presidentin Trump dhe popullin amerikan për mbështetjen e tyre. Theksova se ukrainasit dëshirojnë paqen, prandaj Ukraina pranoi propozimin për një armëpushim pa kushte. Theksova rëndësinë e konceptit të Presidentit Trump për paqen përmes forcës. Ne ramë dakord të mbajmë kontakte të vazhdueshme, duke përfshirë në nivelin më të lartë dhe përmes ekipeve tona. bw

Zelensky mbërrin në Finlandë për bisedime mbi luftën dhe marrëveshjet e mbrojtjes

Ndërsa pritet një rezultat nga biseda telefonike mes presidentëve të SHBA dhe Rusisë, Donald Trump dhe Vladimir Putin, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy zbarkoi në Helsinki përpara një vizite zyrtare në Finlandë të mërkurën. Ai do të diskutojë mbështetjen ushtarake dhe politike për Ukrainën me presidentin finlandez Alexander Stubb. Sipas zyrës së Stubb, bisedimet do të mbulojnë ndihmën e Finlandës për Ukrainën, përpjekjet për t’i dhënë fund luftës me Rusinë dhe takimet me drejtuesit e industrisë së mbrojtjes. Zelenskyy do të takohet gjithashtu me kryeministrin Petteri Orpo dhe kryetarin e parlamentit Jussi Halla-aho, ndërsa gruaja e tij, Olena Zelenska, viziton shkollat ​​lokale me Suzanne Innes-Stubb, gruan e presidentit finlandez. bw

Bosnja shpalli urdhër arresti ndaj tij, dhjetëra eurodeputetë bëjnë thirrje për sanksione ndaj Dodikut

Një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian i kanë bërë thirrje shefes së Bashkimit Evropian të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të vendosur sanksione ndaj Millorad Dodikut, presidentit të entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.

Përmes një letre, të nënshkruar nga 28 anëtarë të Parlamentit Evropian, ata i kërkojnë shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ta sanksionojë Dodikun për shkak të veprimeve të tij rishtazi për ta ndarë Republikën Sërpska nga Bosnja e Hercegovina.

“Dodiku përbën kërcënim serioz për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës, e në këtë mënyrë edhe për sigurinë e Bashkimit Evropian, për shkak të veprimeve të tij gjithnjë e më të theksuara secesioniste dhe lidhjeve të ngushta me Kremlinin”, thuhet në letër.

Ata besojnë se përpjekjet diplomatike për të bindur Dodikun të heqë dorë nga politikat e tij të tanishme kanë dështuar dhe se sanksionet janë të nevojshme për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.

Letra është nismë e deputetëve Tineke Strik, Thijs Reuten dhe Irena Joveva, e cila ka marrë përkrahjen e deputetëve të dhjetë vendeve anëtare të BE-së dhe pesë grupeve politike.

Ata kanë thënë se veprimet e Dodikut janë në përputhje me interesat e Moskës.

Eurodeputetët besojnë se Dodiku ka ndërmarrë hapa drejt shkëputjes së paligjshme të Republikës Sërpska nga Bosnja në javët e fundit.

Entiteti serb i Bosnjës i mori një sërë veprimesh rishtazi, pasi Dodik u dënua më 26 shkurt nga Gjykata e Bosnjës me një vit burgim dhe iu ndalua ushtrimi i detyrës së presidentit për gjashtë vjet.

Dodik, së bashku me liderë të tjerë të Republikës Sërpska, gjithashtu dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues, një vepër penale sipas Kodit Penal të Bosnje e Hercegovinës, që parashikon një dënim me burg deri në pesë vjet dhe ndalim të ushtrimit të detyrës zyrtare.

Gjykata e Bosnjës urdhëroi më 14 mars vendosjen e Dodikut kryeministrit Radovan Vishkoviq dhe kryetarit të Asamblesë Kombëtar Nenad Stevandiq, në paraburgim 30-ditor.

Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska miratoi ligje më 27 shkurt të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Dodik i dekretoi këto ligje më 5 mars.

Por, dy ditë më vonë, Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës i shpalli jokushtetuese këto ligje, duke i pezulluar përkohësisht, ndërsa pritet t’i ndalojë ato përfundimisht pas një shqyrtimi të plotë.

Sekretari amerikan i Shtetit Rubio tha më 8 mars se veprimet e Dodikut përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës, si dhe i minojnë institucionet shtetërore të saj.

Sipas Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska dhe Federata Boshnjako-Kroate janë entitete e që përbëjnë Bosnjën dhe ato nuk gëzojnë kompetencat e shtetit.

Prandaj, sovraniteti dhe integriteti territorial janë të rezervuara vetëm për shtetin e Bosnje e Hercegovinës dhe jo për entitetet e saj.

Më 13 mars, Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska e miratoi një draft të kushtetutës së re, e cila synon ta përcaktojë si shtet entitetin serb të Bosnjës.

Kjo kushtetutë është në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës, dhe rrjedhimisht me Marrëveshjen e Dejtonit.

Që nga Marrëveshja e Dejtonit për paqe, e cila u nënshkrua në vitin 1995 dhe i dha fund luftës në Bosnje, vendi përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Sërpska e dominuar nga serbët etnikë, nën një qeveri të dobët qendrore./ REL

Sorensen: Kompromiset në dialog i përcaktojnë palët

Radio Evropa e Lirë

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Peter Sorensen, ka thënë se prioritet për të do të jetë të sigurojë takime mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, janë vetë palët që pastaj do të vendosin për kompromise potenciale.

“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kjo kompromise apo jo, u takon palëve për ta përcaktuar”, tha Sorensen, gjatë deklarimit për media, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Takimi i fundit në Bruksel i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mes Kosovës dhe Serbisë, ishte zhvilluar më 17 dhjetor të vitit të kaluar.

Sorensen po e viziton Kosovën për herë të parë prej se e mori detyrën në fillim të shkurtit, për t’u takuar me zyrtarë të lartë të vendit.

Ai e quajti takimin me Kurtin “fillim të mirë”.

“Ishte një takim prezantues, folëm për atë se si mund të vazhdojë procesi përpara. Është një fillim i mirë”, tha Sorensen.

“Sapo t’i kem bërë këto biseda [me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë], mund të ulem dhe të vlerësoj se ku jemi. Por është shumë e qartë që procesi i dialogut mban në vete edhe një numër të madh të zhvillimeve të rëndësishme dhe duhet të merremi edhe me to”, shtoi Sorensen.

Më herët, Sorensen zhvilloi takim edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Pas takimit, Osmani tha se ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) të trajtojë Kosovën në mënyrë “të barabartë” në dialogun e Brukselit.

Në një postim në Facebook, Osmani tha pas takimit se Kosova “është dëshmuar tashmë si pala konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit”

“Prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë por edhe balansin e nevojshëm në dialog”, tha Osmani.

Blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.

Sorensen ende nuk e ka ndërmjetësuar ndonjë takim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, por ka punuar kohëve të fundit për mënyrat për ta çuar përpara dialogun, duke takuar ndaras zyrtarë nga të dyja vendet.

Ai e mori detyrën më 1 shkurt, duke e pasuar Mirosllav Lajçakun.

Në takimin e fundit në Bruksel nën ndërmjetësimin e Lajçakut, më 17 dhjetor, Kosova dhe Serbia u pajtuan për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur.

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, tha muajin e kaluar se po dëgjonte kritika rreth formatit të deritashëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo paralajmëroi se, së bashku me Sorensenin, po shqyrtonte mundësinë për ta bërë funksional dialogun mes dy vendeve fqinje.

Kosova dhe Serbia dialogojnë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011. Në vitet e fundit, dialogu është zhvilluar në nivel të lartë, mes liderëve të dy vendeve, dhe në nivel kryenegociatorësh.

Gjatë mandatit gati pesëvjeçar të të dërguarit të kaluar të bllokut, Mirosllav Lajçakut, në fillim të vitit 2023 Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për palët, ka thënë blloku, i cili i ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit.

Në të kaluarën, liderë të Kosovës, nisur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani e deri të kryeministri Albin Kurti, e kanë kritikuar Lajçakun për qasje të pabalancuar në dialog dhe për rreshtim me raste kah Serbia.

Nuk është e qartë se kur mund ta mbajë takimin e parë Sorensen në kuadër të dialogut, duke qenë se Kosova mbajti zgjedhje më 9 shkurt dhe pritet ta formojë qeverinë e re, ndërsa Serbia përballet me paqartësi politike midis protestash të mëdha të studentëve.

Kallas tha në shkurt se po priste derisa Kosova të formojë qeveri të re, për të “parë se si të vazhdojmë tutje”.

Sorensen, për dallim nga paraardhësi i tij, do të merret vetëm me dialogun ndërmjet dy vendeve fqinje, e jo edhe me çështje rajonale të Ballkanit.

Emërimi i Sorensenit është parë si pozitiv, duke qenë se 57-vjeçari e njeh rajonin. Diplomat prej shumë vitesh, ai ishte angazhuar në Kosovë, në kuadër të Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), si dhe në role tjera, në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Sipas njohësve të politikës, ai nuk ka nevojë që të informohet paraprakisht për njerëzit apo faktet historike të rajonit, sepse tashmë ka pasur mundësinë ta krijojë një pasqyrë nga afër.

Një tjetër argument që është përmendur si pozitiv nga zyrtarët në Prishtinë është se ai është nga Danimarka, vend që njeh shtetësinë e Kosovës, dhe se do të ketë qasje të barabartë në dialog.

“Referendumi” i Krimesë 11 vjet më parë, Erdogan mesazh të fortë Putinit: Nuk e njohim aneksimin e gadishullit, dënojmë agresionin rus

Në 11-vjetorin e “Referendumit të Krimesë”, Ministria e Jashtme turke deklaroi se nuk e njeh aneksimin e paligjshëm të gadishullit.

Turqi u shpreh se mbështet plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan theksoi se Ankaraja e ka dënuar vazhdimisht agresionin rus.

Po ashtu lideri turk u bëri thirrje të dyja palëve të negociojnë për t’i dhënë fund konfliktit. bw

 

 

 

Macron: Nuk i takon Rusisë të vendosë për paqeruajtësit në Ukrainë

Radio Evropa e Lirë

Stacionimi i forcave paqeruajtëse në Ukrainë, siç është propozuar nga Britania dhe Franca, në rast të arritjes së ndonjë armëpushimi me Rusinë, është çështje për të cilën duhet të vendosë Kievi dhe jo Moska, ka thënë presidenti francez, Emmanuel Macron në një intervistë.

Macroni dhe kryeministri britanik, Keir Starmer i kanë rritur përpjekjet për të konsoliduar mbështetjen ushtarake për Ukrainën, teksa presidenti amerikan, Donald Trump çon përpara marrëveshjen për paqe me Rusinë.

Starmer ka mbajtur të shtunën një takim virtual me Macronin dhe me aleatë tjerë të Ukrainës.

“Ukraina është sovrane. Nëse bëhet fjalë që forcat aleate të jenë në territorin e saj, për këtë nuk duhet të vendosë Rusia”, ka thënë Macron në një intervistë të përbashkët për shumë media franceze, që është publikuar të shtunën vonë.

Rusia e ka hedhur poshtë idenë që ushtarë prej vendeve të NATO-s të stacionohen në Ukrainë.

Macroni ka thënë se çdo forcë paqeruajtëse do të përbëhet nga “mijëra trupa të secilit shtet”, të cilat do të stacionohen në lokacione të rëndësishme, dhe që ka shtete evropiane dhe përtej që janë të interesuara të marrin pjesë.

Por, sikurse aspekte tjera të armëpushimit potencial, pak dihet se si mund të formohet forca paqeruajtëse.

Britania dhe Franca kanë thënë se mund të dërgojnë forca paqeruajtëse në Ukrainë, derisa kryeministri australian, Anthony Albanese, ka thënë se shteti i tij është i hapur për negociata.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë të enjten se mbështet në parim propozimin e Uashingtonit për armëpushim në Ukrainë, por që forcat e tij do të vazhdojnë të luftojnë derisa të plotësohen disa kushte.

Rusia dhe Ukraina i kanë vazhduar sulmet ajrore ndaj njëra-tjetrës të dielën, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

BE-ja nën presion, kërkohet qasje në arkivat serbe dhe nisjen e gërmimeve për të zhdukurit

Qasja në informata të klasifikuara në arkivat e policisë, ushtrisë dhe inteligjencës serbe, krahas nisjes së gërmimeve në Batajnicë dhe në Kozhle në territorin e Serbisë, janë kërkesa në të cilat këmbëngul kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

Këto dhe çështje të tjera, Hoti tha se do t’i diskutojë në takim me Përfaqësuesin e Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, javën e ardhshme në Prishtinë.

Pasi theksoi se përfaqësuesit e kaluar të BE-së në procesin e dialogut “nuk e kishin në fokus dhe prioritet këtë temë aq sa nevojitet”, ai kërkoi që lehtësuesit e rinj të jenë më të prerë.

“Nëse z. Sorensen dhe znj. Kallas vërtetë do ta kenë vërtetë me rëndësi, me prioritet dhe do ta trajtojnë si çështje humane çështjen e personave të zhdukur. Kjo nënkupton që Serbia nuk mjaftohet me ledhatime, që Serbia nuk mjaftohet më me ato presionet e buta e gati hiç presione ndaj saj, tash e katër vjet, prej 2021 prej kur jemi në Bruksel. Por, Serbia duhet të kushtëzohet”, ka thënë Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në Bruksel, nën kryesimin e BE-së, i paraparë të mbahej më 15 Janar, kishte dështuar si pasojë e bojkotit nga pala serbe – e cila, dy javë më vonë, bllokoi edhe nën-grupet punuese të ndërmjetësuara nga Kryqi i Kuq.

Derisa sipas Termave të Referencës në gjashtë muajt e parë parashihen takime të rregullta, çdo muaj, katër muaj nga dakordimi në Bruksel, emisari Sorensen synon caktimin e takimit të parë të Komisionit të Përbashkët.

Referuar pengesave dhe zvarritjeve nga pala serbe, Hoti përmendi rëndësinë që BE-ja ta mbajë atë përgjegjëse.

“Në kuadër të Komisionit të Përbashkët, ajo (BE-ja) e ka për obligim të raportojë te 27 shtetet anëtare të BE-së. Po flas ndonjëherë me familjet – kjo prapë nuk do të thotë që kemi rezultat, sepse familjeve u intereson vetëm rezultati. Mirëpo kjo do të thotë që ne jemi një hap para, sepse 27 shtetet anëtare do ta kenë në tavolinën e tyre çështjen e personave të zhdukur të Kosovës dhe për mua besoj se është me rëndësi kjo çështje”, ka thënë Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Edhe zyra e zëvendëskryeministrit për dialog, Besnik Bislmi, thanë se kanë i kërkuar BE-se të rrisë e presionin ndaj Serbisë, lidhur me këtë temë.

Bashkimi Evropian i konfirmoi Dukagjinit se menjëherë pas vizitës në Prishtinë, Përfaqësuesi i Posaçëm Sorensen do të ftojë në Bruksel takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur./Dukagjini/


Send this to a friend