U mbyll me shumë sukses edicioni i 6-të i MIK FESTIVALIT në Korçë
Një rrugëtim i bukur dhe shumë kreativ tashmë përfundoi. Asgjë më e bukur se perdja e MIK FESTIVAL-it të 6-të që sapo ra. Për mua e rëndësishme është që në fund të çdo udhëtimi të tillë të mbajmë në memorie momente të bukura dhe marrëdhënie të vërteta dhe duke gjykuar nga emocionet që më përshkuan këto ditë, ia dolëm më së miri!
Personalisht kam shijuar shumë çdo moment që përjetova gjatë rrugës që bëri MIK FESTIVAL këtë vit dhe prandaj i detyrohem një falenderim të madh dhe publik Inva Mula e cila më përfshiu për të dytin vit radhazi në stafin e festivalit.
Gjithashtu shumë i rëndësishëm për mua është edhe ai “falenderim” i madh që u detyrohemi të gjithë atyre heronjve të padukshëm që ndihmuan pa u parë në gjashtë koncertët dhe sigurisht pa marrë duartrokitje.
Ka qenë një nder të punoj përkrah njerëzve kaq të mrekullueshëm, të cilët kanë kushtuar kaq shumë orë për t’u ofruar korçarëve (dhe jo vetëm) më të mirën dhe jam jashtëzakonisht krenar për gjithçka që kemi arritur së bashku.
Për mua, MIK Festival është një shkollë, një vend krijimi, një strehë dhe një vend ku ëndrrat marrin hov dhe miqësitë ndërthuren përgjithmonë. Kujtimet që kemi krijuar dhe emocionet që na kaluan trupin do të mbeten përgjithmonë të gdhendura në zemrat tona.
Dëshiroj të falënderoj secilin prej jush që u bë pjesë e këtij rrugëtimi. Ka qenë një nder dhe një privilegj të bashkëpunoj me njerëz si Odeta Hoxha (të cilën e kam çmendur këto ditë dhe i kërkoj ndjesë), Albi Greva, Jusuf Beshiri, Eraldo Rexha, Deshira Ahmeti, Jeta Sheholli, Nis Tuga, Zamira Kita nga Qëndra Artit Kulturës Korçë dhe Teatri Korce.
Po, ky Festival ka frymëzuar njerëz në Korçë dhe në qytete të tjera të rajonit. Po, në këtë Festival muzika nuk pret publikun, por përhapet në sheshe, në shtëpitë e njerëzve dhe në hapësira jokonvencionale. Tingujt e pianos shpërndahen dhe ndryshojnë të gjithë peizazhin e qytetit.
Orkestra simfonike bashkoi njerëz të të gjitha klasave dhe interesave, përmes muzikës në një tjetër nivel në fushat e Drenovës.
Mirënjohje dhe Falenderim sigurisht për ata që demonstruan aftësitë dhe talentin e tyre duke dhënë gjashtë koncerte vetëm për tre dite, me një repertor që varion nga klasikja në atë bashkëkohore si soprano Ramona Tullumani, pianistja Ingrid Pulizo, këngëtarja/deputetja greke Kalliopi Vetta dhe Orkestra e shaj nga Athina, Tenori italian Gulio Pelligra dhe sopranoja Italiane Desire Rancatore, grupi Katalan me: Alba Bioque, Jeronimo Maya,David Dominguez dhe kërcimtarja Violeta Barrio, e mira Elda Laro që më dhuroi emociome të papara, sigurisht Orkestra Simfonike FA, Gjergji Mani që më mbushi sytë me lot dhe Ionela Mani që edhe pse rumune interpretoi shqip dhe të madhit Igli Tuga. Talenti i tyre bashkë me Bashkinë e Korçës nxorri në pah të gjitha anët e bukura të qytetit të Korçës. Pa diskutim dhe Bleri Dervishi, Gridi Kraja, Nuçiel Doko dhe Edison Labi, të cilët u shfaqën si «Deus ex machina» për të ndihmuar në zgjidhjen finale të situatës.
Muaj të mbarë dhe pushime të mbara
Më poshtë po ju sjellim programin që u shpalos gjatë ditëve të Edicionit të 6-të të MIK
E premte, 28 korrik
ora 19:00
Hapja e Festivalit me një koncert kushtuar jetës dhe veprës të muzës së parë shqiptare: Jorgjie Truja- Filçe.
Solistja e TKOB dhe Operas së Sofjes, soprano Ramona Tullumani interpretoi pjesë të repertorit botëror të Operës dhe këngë popullore, të cilat Jorgjia Truja ose i kishte interpretuar gjatë karrierës së saj, ose i kishte vënë në skenë në fillimet e TKOB si regjisorja e parë shqiptare. Në piano e shoqëroi pianistja e TKOB Ingrid Pulizo e cila përbën një “rrëfim okular” të historisë së muzës së parë, pasi Ingridi e takuar atë nga afër në fillimet e saj dhe ka fituar edhe festivalin që mban emrin e saj. Një udhëtim i rrallë nëpër kohë në Skenën e Teatrit nën drejtimin e vetë të madhes Inva Mula, e cila ndër të tjera performoi me Ramona Tullumanin duetin e njohur të Konteshës me Suzanën nga “Dasma e Figaros”. Vlen të theksohet se për arsye simbolike, pasi vetë Musa e parë Jorgjie Truja në karrierën e saj të gjatë kishte promovuar dhe ndihmuar disa këngëtarë të rinj lirikë të Shqipërisë, përshëndeti me dy këngë popullore tenori korçar Gjergji Mani që prej 15 vitesh performon në skenat e Rumanisë. Koncertin e homazhit e ndoqi nga salla e teatrit e bija e sopranos së madhe, pianistja e njohur Takuina Adami, e cila totalisht e prekur, falënderoi Inva Mulën dhe organizatorët e Mik festivalit nga skena, me sfond nënën e saj në koncertin e fundit.
Ora 21:30 Në Sheshi i Pazarit
Koncerti “Aroma Greke” kushtuar 98-vjetorit të lindjes së kompozitorit të madh grek “Mikis Theodorakis”. Ku interpretoi Këngëtarja dhe deputetja e Kuvendit Grek Kalliopi Vetta, një nga bashkëpunëtoret e fundit të kompozitorit grek. Kalliopit iu bashkuan Maestro dhe Kompozitori i madh grek Janis Ioannou, krijues i disa hiteve të njojura greke bashkë me instrumentistë nga Athina që kanë bashkëpunuar me vetë Mikis Thodhorakis si: Aris Koukos në buzuk, Fotis Mylonas në bas dhe në flaut, Angeliki Papanikolaou në fizarmonikë dhe Giorgos Mitsotakis në bateri. Një koncert i veçantë që në pjesën e pare të tij solli hite të njohura greke dhe në pjesën e dytë të tij ishte kushtuar veprës të kompozitorit kryesor grek Mikis Theodorakis.
E shtunë, 29 korrik
Ora 19:00
Koncerti spanjoll “Nën ritmin e hapave të Flamenkos” në Teatrin e Korçës A.Z. ÇAJUPI me artistët katalanas: Alba Bioque, Jeronimi Maya, Violetta Barrio, David Domingues. Një shfaqje e mrekullueshme që transportoi për më shumë se një ore publikun Korçar në Spanjën e largët nën ritmin e hapave të flamenkos.
Ora 21:30 Sheshi i Pazarit
Koncert italian “La Notte Italiana” me Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura nën drejtimin e Maestro Elda Laros. Interpretuan kryeveprat e dashura të repertorit italian të njohur gjerësisht në mbarë botën, nga Rossini, Guglielmo Tell, Arditi, L, Donizetti, Bellini, Verdi, Mascagni, Puccini, Giordano, Cardillo, De Curtis, Denza Di Capua etj. sopranoja italiane Desirée Rancatore dhe tenori italian Giulio Pelligra. Një mbrëmje e veçantë muzikore që i dha mundësinë publikut artdashesh të udhëtojë me muzikën italiane në kohë.
E diel, 30 korrik
Ora 12:30 në fshatin Mborje
Koncert “Aty ku takohen shpirti, muzika dhe gastronomia” në pararojë të kishës “Ristozi” që daton nga viti 1390 në fshatin Mborje të Κorçës, me Arie antike dhe psalme byzantine rumune nga kompozitori rumun Ciprian Porumbescu. Interpretuan Tenori Korçar Gjergji Mani dhe Sopranoja Rumune Ionela Mani. Më pas vijoi një degustim nga shefi shqiptar me famë Bler Dervishi.
Ora 19:00 Koncert në fshatin Drenovë
Koncerti final i edicionit të 6-të të Mik Festivalit ishte koncerti Shqiptarorumun “Një ditë shkova nga Drenova” serisht me Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura nën drejtimin e Maestro Elda Laro. Interpretuan tenori Korçar që vjen nga Rumania Gjergji Mani dhe sopranoja rumune Ionela Mani. Ari i mbrëmjes, një klarinetist brilant nga Shqipëria që vjen nga ana tjetër e oqeanit (SHBA) Igli Tuga.
Μeriton të theksohet në këtë pike se lidhja e fshatit Drenovë me kulturën Rumunë është e thellë dhe buron nga vetë historia e Shqipërisë, të mos harrojmë se artisti i madh lirik shqiptar Dhimitër Toskani i njohur në Rumani dhe si Mihal Mihajlesku kishte origjinë nga Drenova dhe ishte një nga personalitetet që përgatiti disa prej pionierë të Operas Shqiptare si Mihal Ciko, Kristaq Antoniu, Jorgji Velo etj.
Vlen të theksohet se koncerti u zhvillua në një nga skenat më të mëdha të ngritur ndonjëherë në natyrë në Shqipëri me spektatorët të ulur mbi dengje kashte. Skena e projektuar posaçërisht në një peizazh të mrekullueshëm natyror nën perëndimin e diellit dhe lindjen e hënës -monent që jetuan të gjithë ata që ishin të pranishëm- hapi një faqe të re si për aktivitetet koncertale të MIK Festivalit ashtu edhe për aktivitet e shumta të rajonit të Korçës me ndihmën dhe mbështetjen e Bashkisë Korçë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit.