Cilat ishin mendimet e drejtuesit të revistës FRYMA – që botohej në Shkodër në vitin 1944, në kohën e pushtimit gjerman – në editorialin e tij të fundit në këtë platformë, mbi gjendjen aktuale të Shqipërisë, vuajtjet dhe brengat, gabimet dhe pengjet, mentalitetin popullor e atë shtetformues, e mbi të gjitha, rreth fajtorëve të asaj situate. Avokat Muzafer Pipa, njeriu i cili vetëm pak ditë më vonë do ta shihte veten në kampin nazist të Prishtinës, fajësonte për këtë një herë tregtarët e pushtetarët e një herë fshatarët, bejlerët e mentalitetin e përgjithshëm shoqëror të kohës. I gjithë shkrimi në fakt përshkohet nga një frymë tejet kritike, çka u bë shkak edhe për mbylljen e parakohshme të revistës, e cila s’kishte veçse 7-8 muaj që ishte çelur në studion e tij ligjore në Parrucë të Shkodrës, me shpenzimet e veta, ndihmuar nga një grusht bashkëpunëtorësh, të cilët për kohën përbënin elitën intelektuale, jo vetëm të kryeqendrës së Veriut. Tërësisht indinjues është fakti se ai do bëhej sërish protagonist në harkun e dy viteve, kur do i nënshtrohej proceseve të stisura të regjimit të sapovendosur në vend, të dirigjuara direkt nga Koçi Xoxe e Aranit Çela, e do të ekzekutohej në një natë të ftohtë tetori të vitit 1946 nga një batare automatiku në ambientet e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, gjoja në tentativë arratisje. E gjithë ngjarja në fjalë u bë e ditur për të vëllanë e tij (Arshi Pipa, vëlla nga babai) dhe familjarët, vetëm në vitin 1948 pas dënimit të Koçi Xoxes e grupit të tij. Arshi Pipa, pas përjetimit të eksperiencave të ngjashme, me burgosje e internime, do të arratisej në vitet ’50 e do të kthehej në njërin ndër kundërshtarët më të drejtpërdrejtë të ish-regjimit të vjetër, duke u sjellë sidomos në vëmendje gjatë procesit që pasoi (vetë)vrasjen e Mehmet Shehut në vitin 1982 e sigurisht, edhe pas ardhjes së demokracisë. Megjithatë, nëse i rikthehemi kontributit të avokat Pipës në revistën kinse kulturore, letrare e artistike FRYMA (ku siç kuptohet bëheshin shpesh edhe thirrje e analiza të mirëfillta politike), e posaçërisht editorialit në fjalë, botuar nën titullin tepër domethënës “Vetëdije apo krim?”, shohim se mendimet e tij ishin për kohën tejet të avancuara e për shumëkënd edhe “me aromë revolucionare”, ndërkohë që ai diku vë në dukje se: “U banë shpesh tentative për reformën agrare; u formuluen projekte e ligja, por kurrë ato, çuditërisht nuk u zbatuen. E sot, bujku i varfën si nga hera e punon tokën me parmendën e drunjtë prrallore të katragjyshit shekullor!”. Të gjitha këto e të tjera që botoheshin tek FRYMA, me apo pa emër autori, siç është edhe rasti i një tjetër shkrimi të botuar më parë nën inicialet R.A. (shih: “Origjina e pasunive të mëdha toksore në Shqipni”, Nr. 4, prill 1944, fq. 145-146), për pushtetin e kohës dhe “guvernatorët” nazistë të Shqipërisë, duhej të tingëllonin si “ide komuniste”, që përhapnin çoroditje në popull. Aty jo rastësisht thuhej se: “ Ato pasuni duhesh t’u ktheheshin të zotve dmth. atyne bujqve që i punojshin brez mbas brezit…. “, çka mund të përkonte me parullat e përhapura gjerësisht nga komunistët se “Toka i takon atij që e punon!”. Reagimi i tij në këtë shkrim është një pamflet i mirëfilltë politik kundër kastës së pushtetarëve të çdo lloj kohe, “kundër triumfit të politikës së egoistave, dallkaukve, e dallaverexhive”, siç do të shprehej ai. I vetëdijshëm mbi potencialin real natyror e njerëzor vendit të vet, Pipa indinjohet si pakkush tjetër me atë çka shqiptarët kishin mundur të ndërtonin deri në atë kohë, dhe i kërkon më së shumti fajtorët tek vetvetja. Në një duf indinjate, diku ai shkruan se: “Nuk u edukue kurrë ky popull. Nuk muer kurrë frymë si duhet pse e deshti beun e aganë dhe e deshti auktoritetin jo real, por feudal të shtetit. E prandej mbetme mbrapa”. Më tej ai ngre nga një pyetje për çdo sektor të jetës në vend, duke ia kujtuar ministrave e ish-ministrave premtimet e pambajtura e gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodheshin ekonomia, investimet e punët publike, shëndetësia, arsimi, arti dhe kultura etj. Për ndokënd tjetër, idetë e Pipës në këtë editorial mund të tingëllonin nihiliste e dashakeqe, duke sjellë ndërmend edhe ndonjë hatërmbetje konkrete të tij me pushtetmbajtësit e kohës, porse në një aspekt më të gjerë, artikulli i tij tek numri i fundit i revistës FRYMA, mbetet sigurisht një kontribut me vlera tashmë edhe dokumentare për të rrëfyer shpirtin reaktiv të intelektualëve të vërtetë shqiptarë dhe kundërshtinë e paepur me çdo regjim e kastë pushtetarësh, që si synim primar kanë pasurimin personal, duke lenë pas dore interesat madhore të vendit. Më poshtë artikulli i avokat Muzafer Pipës (shih: Revista Fryma, Nr. 7-8. Korrik-gusht 1944, fq. 289-293), përcjellë në versionin origjinal:
* *
Vetëdije apo krim?
Në zemër t’Europës, si kyç i Adriatikut, Shqipnija shtet ndërballkanas, fatalisht dihet se gjindet shum mbrapa nga shtetet e tjerë perëndimorë. E pra, duhej t’ishte shtet model Shqipnija e jonë, mbasi nuk i mungojnë influencat natyrore e mundësit ekonomike për riformimin e vendit, si dhe lëvizja intelektuale sidomos e 30 vjetëve të fundit për me mëkambë livelin e jetës e të kulturës dhe me përftue kështu Shqipni të vërtetë e të mirë me Shqiptarë të denjë e të lirë. Gjinden asish që thonë se Shqipnija asht nji Zvicër e dytë! Të tjerë kan guximin të shprehen se Shqipnija=Abisinija! Njena dhe as tjetra, por nji mediokritet. Dhe mediokriteti asht i rrezikshëm. Nuk asht nevoja të na sugjerojnë të tjerët se kemi mbetë mbrapa. E pohojmë edhe na vetë kët të vërtetë t’idhët, por nuk dijmë a po hezitojmë ta shërojmë kët plagë. Thuhet: Përgjegjësia e kësaj fatkeqësije i përplaset politikës së jashtëme dhe faji bie kështu ndër armiqt shekullorë Turq e Sllavë, Latinë e neolatinë. Në kët mënyrë kujtojmë se justifikohemi dhe numërojmë prap në vend. Por fajin e kemi vetë. Përgjegjës për vendin asht jo katundari e malësori, por kryesisht qytetari: qytetari borgjez sikurse tregtari, industriali e profesionisti i papërgjegjshëm qi manovojnë kapitale në kurriz të popullit e në dam të shtetit. Përgjegjës gjithashtu asht funksionari i naltë që nuk don me punue me ndërgejgje e vullnet por, me spekulue e me bashkëveprue me të parët. Kjo asht e vërteta e idhët në kët fortunë mbrapështish. Liri kërkuem e liri do të kemi por, ndërgjegje personale e kolektive nuk patme kurrë. Nuk u edukue kurrë ky popull. Nuk muer kurrë frymë si duhet pse e deshti beun e aganë dhe e deshti auktoritetin jo real, por feudal të shtetit. E prandej mbetme mbrapa.
Porsi nji rrebesh i madh fortune qi me tym e pluhun, e shi e breshën merr me vedi rrëmbyeshëm gjithshka gjen përpara në fushë të hapët tue lanë të paprekun llumin e skutuliqave, ashtu kohët e rrymat politike të kalueme por të harrueme, vuene përpara shum figura e ia ndruen pamjen vendit t’onë tue heqë e zavendësue personalitete të mbdhenj: ministra e deputeta, këshilltarë e komisera të naltë, generala e komandanta, profesora e akademista politikaj por,…kushedi, në bazë të së drejtës së trashëgimis e të parimeve spekulative, mbetën po aty pasardhësit e po atyne zotnive të shquem. Dhe kështu vazhdoi me triumfue politika e egoistave, e dallkaukve, e dallaverexhive e të tillëve qi e ndreqën vedin dhe nuk deshtën m’e përdorë kapitalin e tyne landuer e menduer për të mirën e përbashkët. Në çdo kohë dhe në çdo rasë, veprimet inkoshiente të nëpunsave e funksionarëve të naltë të shtetit dhe, në kohë turbullimi e luftash, krimet e tregtarve dhe t’industrialve shpirtë-ultë, nuk e lanë me marrë frymë kët popull dhe nuk dhanë mundësi me ba asedhe nji hap përparimi të vërtetë.
Për me formue bindje rreth gjendjes s’onë të status quo-s, rreth apatisë, indiferentizmit e pasivitetit për të gjitha punët e detyrat e qytetarve përgjegjësa, na vjen me pyetë: Cili qe deri tash ay ministër qi së pakut vuni vetëm nji gur në themelin e ktij tempulli qi po ndërtohet me gjakun e djersën e popullit? Ku janë veprat dokumentare e monumentare të këtyne prijsave e dirigjuesave të masave,përveç pallateve e çifliqeve private nëpër Tiranë, Romë e gjetkë? Janë këto pyetje të thjeshta e spontane qi sot përgjegjen e tyne e prêt me kërshëri gjithkushi. Dhe përgjegje nuk vjen, pse problemi paska në vetvedi shum mistere! – Mistere e jo mistere, por Shqiptari ndërkaq asht zgjue dhe nuk han bar: Ay i ka kuptue mirë ngjarjet e jetës së mbrendshme dhe të jashtme dhe e ka kostatue bukur fort veprimtarinë e autoriteteve dhe të dikastereve nga të cillat mëvaret. Din populli dhe kupton gjithshka.
Din b.f. se Arsimi, qysh mbas vj. 1934 dha shenjë dobësijet e shkatrrimit. Rrëshqiti mbrapa. Shënojmë për titull kronake se, kur ministri i asaj kohe i pat parashtrue parlamentit nji projekt-ligjë shkollore, përgjegja skandaloze e nji deputetit personalitet qe kjo: “Shkëlqesë, ç’i doni gjithato shkolla në vendin t’onë; neve kemi nevojë për bujqër; ky milet është bile më tëpër bari”! Le të mos harrohet pra dhe qarkorja e atij ministrit të kohës s’Italjanëve qi i detyronte profesorat dhe u imponohej atyne me krye akte spiunazhi kundra xansave! Populli përditë ankohet edhe për shkollat e mesme tregtare, normale e industriale qi u mbyllën pa ndonji arsye për m’i lanë vend, ndoshta për oportunitet politik e jo për nevojë, hapjes së shkollave gjysëm-zyrtare. Dhe ndërsa ndodhshin këto ndër qytete, nëpër katunde ku fëmijt ishin të djegun për shkrim e këndim, jo vetëm qi nuk hapeshin shkolla të reja si mbas projektit të caktuem, por suprimoheshin e mbylleshin edhe disa prej atyne shum të domosdoshme e të nevojshme për ato vende. Këto e të tjera banë për arsim ministrat qi kaluen.
Po ekonomija me industri e me tregti dhe me gjith komisariate të naltë, ç’fryt i dha ktij vendi? Pak ose aspak! Le t’a gjykojë vetë populli, mbasi gjithkushi asht në dijeni të gjithshkafes. Na këtu shënojmë se inisiativa private për qëllime private, përfitoi nga rastet e ndryshme, por shteti si shtet nuk bani asgja të dukëshme në dobi të popullit, me gjith konditat e favorshme natyrorë. U banë shpesh tentative për reformën agrare; u formuluen projekte e ligja, por kurrë ato, çuditërisht nuk u zbatuen. E sot, bujku i varfën si nga hera e punon tokën me parmendën e drunjtë prrallore të katragjyshit shekullor! Nuk kemi kanalizime nga të cillat të përfitojshim qindra-mija hektarësh tokë e të shpëtojshim për çdo verë ndoshta jetën e qinda banorëve e të mija bagtive nga innondatat e lumenjve irruenta. Nuk kemi nji energji elektrike nga këta lumenj me gjithse pasunit hydro-elektrike të vendit t’onë janë jashtëzakonisht të mjafta për ne dhe nuk kemi shum të tjera. Kemi vetëm tregtarë qi, në fushën e tregtis spekulative kan tregue aktivitet kontrabanditesk të mbrekullueshëm në misionin e tyne; por qi nuk i kan sjellë asedhe ma të vogëlën dobi popullit e vendit.
Tue vezhgue rezultatet e deritashme, na epet me pyetë: Ç’bani deri tash Botoreja? Formuloi projekte e sistemoi plane apo goditi rruga e ndërtoi ura e pallate? Përgjegja asht natyrisht negative: Asgja. Për ç’farë reforme kodifikimi u orvat Drejtësija? Ç’ligja të reja dekretoi përveç atyne të vjetrave? Ku asht letërsija juridike e jona e ku janë revistat e duhuna të këtij lloji? – Ku asht vepra e Drejtoris së Shëndetsis? Ku janë sanatoriumet o së pakut spitalet e kompletueme me mjete dhe vegla përkatëse? Ku asht lufta kundër tuberkulozit, sifilizit e malarjes qi janë përhapë aqe shumë në kët vend? – Ku asht rezultati i punës së Istituteve të naltë për studime; ku asht harti e muzika e jonë; ku janë bibliothekat e muzeumet; ku asht kultura popullore? E në fund, ku qindroi deri tash lirija personale: ajo e fjalës dhe e shtypit? Ndoshta ndër burgje, ndër internime, ndër persekutime?
Po të bahet pra qoftë përciptas diagnoza e të gjitha këtyne veprimeve dhe po t’u përgjegjet pa-anësisht dhe pa frigë pyetjeve të sipërme, problem qi përpara ishte mister zgjidhet vetvetiut dhe rezulton të dalin fajtorë të gjith ata intelektualë qi nuk ishin intelektualë, por matrapaza në funksionin apor në misionin e detyrave qi u ishin besue. Dhe senkserë e matrapaza, asish qi harruen shpesh se ishin Shqiptarë, braktisën anën positive të mendësis e të karakterit të tyne, qi u lëshuen me i rrokë me passion bastardhimet, e importueme nga të huejt bastardha, qenë ata zotnij të shquem pra dhe shkëlqesa qi, bashkë me buono-t e famshme të mallnave shitën turpësisht edhe vendin, familjen dhe shtetin. E në proporcion me numrin e intelektualëve të vendit dhe në relacion me funksionin e tyne, bashkë me tregtarët kapitalista, rezulton gjithashtu të jenë përgjegjësa, të gjithë ata qi tue pasë mundësin me dhanë kontributin e tyne të domosdoshëm umanitar për popullin kolektivitet e për shtetin entitet, kan qenë jo vetëm indiferenta dhe pasivë, por shpesh dhe anmiq të vërtetë të vendit t’onë.
Dhe po t’i studiojmë pakëz këta tipa për karakter, nder e burrni të tyne si mbas temperamentit e zakonit Shqiptar, do të shofim se këto cillsi të dallueme ata i kan bjerrë krejtësisht për me i lëshue vendin pikpamjeve moderne jo aqe të shëndosha e të qindrueshme se sa të plogëta e oportuniste. Në vend të mësimeve të urta e të qytetnimit të vërtetë, ata kan importue fundëri zakonesh të klasave të degenerueme, të cillat tue i fuzionue me ato t’onat, të mira e të këqija, kan shkaktue prishjen e racës thjesht Shqiptare. Ata u janë shmangë perceptive dhe parimeve të kanunit të Lek Dukagjinit, të zakoneve të mira e të ndershme qi të parët na lanë trashgim. Pra, kan kopjue negativitetin e popujve jashtëballkanas. Shkurt: janë bastardhue jo vetëm shpirtnisht, por edhe fizikisht. Gjinden asish qi nuk iu ban aspak përshtypje me gënjye, me vjedhë, m’e pre në besë mikun; asish njerz të naltë ( siç) qi, po t’u shkojë tymi i tyne drejtë, thonë: “të rroposet bota për mue”!. Janë të pandërgjegjshëm ata qi mendojnë e veprojnë në kët mënyrë. Janë kriminela të tillë qi mundohen t’ia marrin frymën popullit dhe, t’a fusin shpejtazi në greminë Shtetin. Dihet se të gjith kemi të drejta, por edhe detyra. Detyrat përpara të drejtave. Jo me jetue hipokritisht, jo si parasite. Kontributi qi seicili do t’i api këtij vendi, duhet të jetë i vetëdishëm. Vetëm kështu shërohen plagët t’ona. Dhe barka, duhet me pasë jo vetëm motor të fortë, por edhe kapidana të zot e të sakrificës. Përndryshe, ajo do të mbytet me gjith njerz që ka mbrenda.
Komentet