– Kam bërë udhëtim të gjatë që nga India, zonjushe, dhe kam edhe 10 orë udhëtim deri në NYC. Për kë i keni rezervuar ato dy vendet në fund? Pse të mos shkoj unë aty? Apo keni preferenca për njerëzit? Nëse pasagjerët nuk kanë ardhur deri tani,do të thotë që nuk vijnë më!
U ul në vend e indinjuar. Me insistimin e saj në fillim m’u duk si grindavece, por pastaj e guximshme. Më tregoi se ishte gazetare nga India. Po shkonte në NYC për një konferencë kolegësh.
-Unë kam udhëtuar shumë, në shumë vende, në të gjitha kontinentet, spjegoi .
Pastaj më pyeti se nga isha unë.
-Nuk besoj që të keni ardhur në vendin tim.
Më duket se në fillim të viteve ’90, të gjithë përgjigjeshim njëlloj, me një farë ngurimi. Nuk na besohej se të huajt e njihnin atdheun tonë. Kaq dekada të mbyllur ndaj botës.
Ajo u kthye e tëra nga unë dhe priti.
-Unë jam nga Albania. Tani vonë kemi filluar të udhëtojmë nëpër botë. Dhe… jemi larg me Indinë.
-Edhe afër, – tha ajo, dhe në një moment më hutoi.
-Sepse ne kemi një grua të madhe të përbashkët që ka kombësinë tuaj, por shtetësinë tonë, Mother Tereza,- tha ajo.
U hap një temë interesante për të dyja. I thashë se gjithnjë më kishte habitur fakti që NENE Tereza, kujdesej për leprozët dhe sëmundja nuk e kishte afektuar atë.
-E liga ka frikë nga shejtorët, -tha ajo me një ton afirmues. Atë kohë Nënë Tereza nuk ishte bërë ende shejt, madje as nuk ishte folur për shenjtërinë e saj, por mënyra se si e tha Mohini, mua mu duk se ajo ishte pikërisht ashtu. Një shejt. Udhëtimi i gjatë na miqësoi. Kur zbritëm në aeroportin Kenedi shkëmbyem adresat dhe kur po ndaheshim tek më zgjati dorën, u kujtua për diçka. Hoqi unazën e saj nga gishti dhe ma zgjati mua. Ishte një unazë me gurë të gjelbër rubini . Kjo qe fare e papritur. Ajo u përpoq të ma vendoste unazën në gishtin përkatës,por gishtërinjtë e Mohinit ishin më të hollë se tëmitë dhe rrethi i unazës përfundoi në gishtin tim të vogël
* * *
Ishte fillimi i viteve ’90. Muaj e vite kaluan dhe unë isha zhytur në rutinën e punës së përditshme për mbijetesë në Nju Jorkun e madh, ku ishte e vështirë të gjeje kohë edhe për një kafe me miqtë për shkak të distancave të mëdha dhe mungesës së kohës. Për Krishtlindje, hodha një kartolinë urimi në kutinëe postës që kishim buzë rrugës. Mohini më ktheu përgjigje menjëherë. Më shkruante për udhëtimet që kishte bërë, për takimet me miq e kolegë në Evropë, për planet e ardhshme të udhëtimeve , ku përfshihej edhe NYC, ku banonte një mikesha e saj. Letrën e mbyllte me ftesën : “Albana, come to Delhi , and stay with me. I will look after you”. Madje më thosh se mund të vija bashkë me tim bir, vetëm duhet të evitoja dy muajt e verës kur ajo priste miq nga Evropa. Shkonte edhe më tej, duke më dhënë adresën e Indramit, në Mahhattan, në 4-th avenue. Ajo do të më informonte për vendet e bukura që ka India. Për një moment Mohini mu duk sikur qe shqiptare. Ne ishim kaq mikpritës dhe entuziastë për miqtë. E ruajtja këtë kartolinë dhe adresën e saj. E vendosa brenda folderit tim tek xhepi me germën M”.
Sot, pas dy dekadash e sjell puna që unë e lexoj sërish. Kur mbarova provova një ndjenjë boshllëku. Si e kisha harruar kaq vite?
-Pol, i thashë tim shoqi,- duke mbajtur në dorë kartolinën-letër të Mohinit, po sikur të bëjmë një udhëtim në Indi? I tregova si ishim njohur dhe i zgjata letrën .
-Nuk jam e sigurtë nëse do ta njoh pas kaq kohësh, fola si me vete duke u ndjerë fajtore për këtë heshtje të gjatë. A nuk humbasim kur heshtim?
E kërkova në internet gazetën e saj “Delhi Diary”për të marrë informacion për të dhe mësova se bashkëudhëtarja ime Mohini Bazaz paska qenë kryeredaktore e gazetës që nga viti 1959. Gërmova edhe më, dhe mësova që emri i saj është sinonim për emrin e revistës “Delhi Diary”. Kur thua “Mohini Bazaz” nënkupton “Delhi Diary” dhe e kundërta.Revista është krijesa e Mohinit që prej vitit 1969. Fillimisht si redaktore dhe më pas edhe si pronare e saj, ajo i dha revistës një portret të ri, të larmishëm , shumëngjyrësh duke e shëndruar në enciklopedi për vendasit dhe sidomos për të huajt të cilët vizitonin Indinë duke u frymëzuar nga Ditari i Delhit. Kolegët e respektojnë Mohinin si një botuese energjike e pasionante e mrekullisë së përjavshme të Delhit,(revista dilte çdo të premte) si një personalitet i fuqishëm në fushën e saj e njohur brenda dhe jashtë Indisë. Për 40 vjet rrjesht Mohini Bazaz e ushqeu atë me ide të reja. Pasuria e larmia e temave, ishte reflektim i udhëtimeve të saj brenda e jashtë Indisë duke njohur botën me vendin e saj. Ajo vizitoi Britaninë e Madhe, Francën, Italinë, Egjyptin, Meksikën, Japoninë, Indonezinë, Singaporin, Australinë, Zelandën e Re, Rusinë, Kinën, Taivanin, Vietnamin, Israelin, Turqinë etj. Pena dhe vepra saj u bë e njohur në shumë e shumë vende. Për kontributin e saj të jashtëzakoshëm në fushën e gazetarisë turistike në 1988 u nderua nga Himalaya Marketing Association me “Lifetime Achievement Award”(2011) për revistën më popullore për qytetarët e Delhit, që nga viti 1969”.
Duke llogaritur vitet mendova që Mohini tani duhet të ishte në pension. Kishte moshën e nënës sime.
U gëzova kur gjeta një adresë të gazetës së saj në fb dhe dërgova një mesazh . Ditët kalonin dhe kur po më mbushej mendja se duhej të qe ndonjë adresë që nuk përdorej , më erdhi një përgjigje e shkurtër.” Hi Albana, Regret to tell you that Mohini has left the earth for a heavenly abode and we don’t have her with us any more”.
Mohini s’ishte më. Kolegët, lexuesit që e admironin dhe revista qe ajo krijoi, e humbën zonjen e madhe Mohini Bazas, në 28 korrik 2016.
Isha 6 muaj e vonuar.
* * *
Udhëtimet e rastit mund të na njohin me njerëz të jashtëzakonshëm. Janë mundësira të papritura për të hapur horizonte të reja në jetë. Është pakujdesia jonë, rutina e përditshme që i le ato përtej kujtesës dhe kur kujtohemi ne, është tepër vonë. Jeta është e shkurtër, por ne e jetojmë si të jetë pafundsisht e gjatë .
Shkurt, 2017