“Kush kontrollon të shkuarën, Kontrollon të tashmen, Kush kontrollon të tashmen, Kontrollon të ardhmen”
Xh. ORWELL
Në verën e vitit të kaluar, gjatë një vizite tek të afërmit e mi në qytetin e Tepelenës, duke ndënjur në verandën e shtëpisë së tyre e duke kundruar pamjen e bukurisë së egër që të jep ky qytet nga lartësitë e lagjes “15 shtatori”, mëndja bredharake u ndal tek rrënojat e fushës së qytetit, poshtë, midis lumit të kristaltë të Bënçës dhe atij të Vjosës, tek ish-kazermat e Italisë fashiste, ish-brigadës së ndjekjes së kohës së diktaturës apo Reparti 84, strukturë e ministrisë së punëve të brendëshme për kufirin që nga Korça e deri në Kepin e Stillos.
Më pranë tyre janë ngritur pallatet e postdiktaturës që qytetarët i quajnë lagja dhe pallatet e të përndjekurve politikë, të cilët u sistemuan atje pas rënies së regjimit barbar.
Pyes se çfarë bëhet tashti në këto ndërtesa me pamje të trishtë, madje ndjellakeqe, shumica pa çati, kujt i përkasin dhe a kanë ndonjë histori. I afërmi im, njëkohësisht edhe i zoti i shtëpisë, P. M, disa vjet më i madh se unë, edhe ai i përhumbur në kujtime, mbushet me frymë, lëviz pak në karrige dhe më tregon se ato rrënoja kanë qënë dikur, përpara se sa të vendosej reparti ushtarak, streha e shumë fatkeqëve të ardhur nga vise të ndryshme të vendit, me shumicë nga krahinat veriore që ne i quanim të internuarit. Diçka të mjegullt kisha dëgjuar edhe në familje për ta, sepse unë atëherë ende nuk kisha lindur, më tepër nga gjyshja, me të cilën kaloja orët më të shumta të ditës.
I afërmi im mu lut që të bëja diçka për të përcjellë ato kujtime të rënda të jetuara prej tij në moshën e fëmijërisë, të lëna vragë të thella në shpirtin e brishtë të një fëmije e sot, në perëndim të jetës, është detyrim qytetar e njerëzor t’i bësh të njohura për opinionin, për brezat që nuk i kanë jetuar, për fallsifikatorët e historisë që po e tjetërsojnë atë edhe me gjalljen e viktimave dhe të dëshmitarëve, të dosjeve të gjalla të asaj kohe. Ia mora përsipër si një amanet dhe detyrim qytetar, si një gur sado të vogël për ta gdhëndur në kujtesën e historisë së dhimbjeve për bashkëmoshatarët e tij, me të cilët ndante triskën e bukes.
Dua të tregoj disa realitete, ato që mbaj mënd më mirë nga fëmijëria dhe
adoleshenca e hershme dhe për të cilat mbaj përgjegjësi para ndërgjegjes dhe viteve që mbaj mbi shpinë. Në vitet 1951,52,53, isha rreth 12 – 13 vjeç dhe vija nga fshati Bënçë për të mësuar në shkollën 7 vjeçare “Avni Rustemi” të qytetit të Tepelenës ku në vitet 20 kishte dhënë mësim mësuesi atdhetar Avni Rustemi nga Libohova e Gjirokastrës. Rruga vajtje ardhje ishte rreth 10 km dhe më duhej më se dy orë udhëtim në motet e rënduara të atyre viteve. Mësues matematike kishim A. Kokën, mësues Dh. Hilën, atëhere shumë i ri dhe sot i moshuar, pothuaj të gjithë i mbaj mend, por nuk është ky objekti.
Me trishtim të thellë kujtoj veçanrisht jetën e ashpër e të vështirë të bashkënxënësve të shkollës e të klasës që vinin nga kampi më i vështirë e famëkeq i kohës, të atyre vajzave e djemve të brishtë, mbushur me mirësi e inteligjencë dhe kulturë në sjellje e paraqitje. Edhe pse pak më i madh në moshë, Lek Mëlyshi, Veronika dhe Ernest Dosti, motër e vëlla, Hysni e Fatime Biçaku – motër e vëlla si dhe shumë të tjerë. Ata vinin nga familjet më fisnike të kohës me kontribute atdhetarie, mjaft inteligjentë e të edukuar, madje më shumë se ne, edhe pse jetonin në kushte ekstremisht të vështira. Visheshin dhe paraqiteshin, sajoheshin hijshëm. Vinin të uritur në shkollë. Për ta gatuante shteti me kazan. Unë kam ndjesinë time për vuajtjet e tyre dhe sa kam mundur, kam ndihmuar. Ndaja bukën që më mundësonin triskat me ta, sepse unë haja edhe në shtëpi, ku gatuhej për gjithë familjen, shpesh merrja edhe me vete, pasi ne diçka prodhonim edhe vetë.
Nuk di nga tia filloj. Një ditë, në pushimin e gjatë, na komunikuan para shkollës se kishte vdekur udhëheqësi sovjetik – Josif Visarianoviç – Stalini. U shpall ditë zie kombëtare sepse ashtu ishte ideologjia e kohës dhe urdhri i partisë-shtet, festat e huaja dhe hidhërimet sllave qenë festa e hidhërime edhe për ne shqiptarët. Duke hyrë për në klasë, dy vajza, Veronika Dosti dhe Fatime Biçaku, bisedonin midis tyre: mirë bëri që vdiq, ne të na rrojnë njerëzit tanë kudo që janë se nuk dimë ku ndodhen. Pjekuri dhe inteligjencë buronte prej tyre.
Në pushimin e orës tjetër, përsëri u mblodh shkolla dhe i përjashtuan përfundimisht. Iu bashkuan edhe këta dy ëngjëj radhëve të viktimave, kurse radhëve të gjata të puntoreve që ngarkonin pleh në shpinë që nga Turani në Tepelenë iu shtuan edhe dy puntorë – fëmijë.
– Për këtë shprehje?
– Po, për këtë shprehje.
– Kush i spiunoi?
– Një shoqe klase, me raporte të mira me pushtetin. E ëma ishte përgjegjëse e gruas e rrethit, i vëllai u bë operativ i qytetit, edhe ajo studioi dhe gëzoi privilegjet e kohës. Jua lanë shkollën përgjysëm. Ishin nxënëse dhe fëmijë të shkëlqyer. Fatimja me të vëllanë, Hysniun e kishte bankën pas meje, Lek Mlyshi rrinte në cep, në skajin tjetër së bashku me një shok që nuk po më kujtohet emri; koha e gjatë vepron mbi kujtesën. Unë rrija me një shok tjetër. Veronika me një shoqe që sot nuk jeton, qenë në rrjeshtin e mesit. Tomorr Dosti ishte mësues talent i fizikës. Atëhere Tepelena nuk kishte mjaftueshëm personel arsimor. Kishte edhe të tjerë, Kurt Kola ishte në klasë tjetër, por edhe të rritur, familjarë të personaliteteve historike si Muharrem Bajraktarit, Gjon Marka Gjonit, Gjon Vasia etj…
– Veç jetës shkollore, a të ka lënë gjurmë ndonjë rast tjetër i trishtë?
– Kujtoj ende sot me rrënqethje atë radhë të gjatë vajzash e grash me supe të brishtë nga mosha dhe mosushqyerja të radhitura që nga Turani, ku kishte bagëti me shumicë dhe pleh, e deri në fushën e Tepelenës tek kazermat e strehimit të fatkeqëve, rifuxho, secili në atë 2 metërshin e tij katror, si sardelet, të ngarkuara me nga një thes me pleh e fakale për ta plehëruar fushën. Ato pastronin dhe mbushnin gropat.
Më vonë atje u bë ferma e qytetit ku do të punonte në vitet gjashtëdhjetë prurja tjetër e të internuarve. I rrjeshtonte të ngarkuara kapteri i speciales – i thoshnin, në distancë çdo 1.5 -2 metra që të mos bisedonin ose ndihmonin njera tjetrën.
– A ju kujtohet emri?
– Bajram Avduli nga Fratari ose kapteri i speciales edhe sot i tmerron ata që janë gjallë, i pa shpirt, i lindur për të bërë keq.
Gjithashtu kujtoj me keqardhje të madhe vendin që quhet kantieri i ndërtimit në afërsi të qytetit. Në kthimin nga Tepelena, nga shkolla për në shtëpi, në Bënçë, tek ura e Shën Thanasit ku është ujësjellësi i Ali Pashës, shikoja varret që hapeshin për të vdekurit e internuar, nuk ishte varrezë, as një shënjë e rrethuar, i hidhnin në ndonjë gropë të hapur në lëndinë, shpesh edhe të përbashkët. Edhe sot i di varret e atyre fëmijëve, pleqve, të sëmurëve nga krahina të ndryshme të Shqipërisë.
– A ke dëgjuar apo asistuar ndonjë moment torture lidhur me ta?
– Nuk do ta harroj sa të jem gjallë një djalë të fuqishëm 35 – 36 vjeç, emrin e të cilit nuk e mësova kurrë, në se është gjallë, e përshëndes dhe duhet të dëshmojë.
Në atë kohë një grup meshkujsh të fuqishëm prej kampit të Tepelenës i kishin instaluar në Bënçë, në disa banesa të braktisura, larg familjeve dhe kazermave. Ata punonin angari – pa pagesë, me sëpatë në dorë për prerjen e drurëve të pyllit që mbulonte nevojat e qytetit me lëndë djegëse dhe përpunim industrial. I prisnin, i zbrisnin deri në lumë dhe pastaj i ngjisnin në krahë në qytet. Kalonin pranë krojeve dhe burimeve në pikën e vapës dhe sa afroheshin për të lagur buzën me ujë.
Kapter Avduli i speciales i qëllonte me tytën e pushkës ose qëllonte në ajër që të largoheshin; ashtu bënte edhe kur punonin në mes të frutave të pyllit kur iu afroheshin frutave të bollshme – Bënça është e mbushur me fiq, shegë e tj..
Shkonin në kazerma vetëm në fundjavë ku laheshin në lumë. Djali bëri një tentativë për arratisje nga puna dhe kushtet e rënda të jetesës, iku nga banesa në mbrëmje duke u hedhur nëpër greminat dhe rrëpirat përreth. Policët – Azemi, Feçori dhe xhelati, kapteri i speciales, Bajrami, e kapën dhe e lidhën pas një shtylle në fshat deri në mëngjes, ku e shoqëruan për në Tepelenë. Unë bëja përditë rrugën Bënçë – Tepelenë dhe anasjelltas për në shkollë dhe e kam si tani parasyve pamjen trishtuese me duart e tij të lidhura me tela me gjëmba. Nga shtrëngimi, teli i ishte futur aq thellë në duart e fryra, saqë nuk dukej fare. Ai na shihte dhe ne e shikonim dhimshëm që nuk e ndihmonim dot, e sollën në degën e punëve të brendëshme dhe më tej nuk e di fatin e tij.
Kaq të pamëshirshëm ishin. Ishin gjetur njerzit e duhur në vendin e duhur. Asnjë vendas nuk e pranonte atë punë të përbuzur. Jo kushdo mund ta bënte atë lloj pune. Avduli ishte po kaq i pamëshirshëm edhe me fëmijët e tij. Qe i lindur katil. Ashtu porositeshin, por njeriu fisnik disa urdhëra e porosi i anashkalon, bën sikur edhe nuk shikon, sikurse ka mjaft raste të tjera. Një njeri human nuk pranon të bëhet bullon shtrëngues i një regjimi aq barbar që ndjek e torturon njerëz e veçanrisht fëmijë e gra të pafajshëm. E kisha edhe komshi më vonë. Vdiq në varfëri të plotë.
– A përshëndeteshit me ta kur shkëmbeheshit, në kontakte të ndryshme?
– Ne komunikonim sepse i kishim në shkollë, në klasë. Unë e kisha në bankë atë me të cilin ndaja bukën e triskave që përfitoja. Ata nuk krijonin kurrë probleme, ishin të edukuar dhe fisnikë. Kampi u prish rreth vitit 55 kur erdhi artilieria, u bë reparti i ndjekjes, i shpërndanë nëpër burgje e kampe, në vende të ndryshme.
Gjithashtu më del përpara pamja e trishtë e një të moshuari prej tyre, intelektual fisnik. Çdo të diel që bëhej pazari dhe kishin të drejtë të vinin në qytet disa orë, ai me një shkop me gozhdë në majë, mblidhte bishta cigaresh dhe formonte një të tërë e e pinte atë. Ishin gjithmonë të uritur. Supa e kazermës qe e pamjaftueshme. Tregu kishte mungesa dhe mbizotëronte sistemi i triskëtimit.
– Po qytetarëve a ju vinte keq për ta?
– Sigurisht, përveç një pakice të fanatizuar politikisht, ata ishin koshientë për pozitën dhe situatën dhe qëndronin të distancuar. Të internuarit shmangeshin me inteligjencë për të mos vënë në pozitë të vështirë askënd.
– A janë çvarrosur të vdekurit?
– Nuk mendoj se janë gjetur sepse atje është ngritur kantjeri i ndërtimit, magazinat, thertorja mbi ta, një pjesë të varrosur anës së lumit janë rrëmbyer nga vërshimet.
Kur u ndërtua kabina elektrike e qytetit dolën shumë eshtra. Këto tmerre dhe makabritete duhet të evidentoheshin si nga të mbijetuarit, ashtu edhe nga institucionet demokratike të pasdiktaturës.
Edhe qytetarët qenë të terrorizuar. Gjynah – thoshin, ndjeheshin keq dhe mbylleshin në vetvete, ata që kishin timi. Të fanatizuarit i shihnin si armiq, mirë i gjeti, le të vuajnë, duan të na marrin pushtetin – shpreheshin. Atëhere kjo kategori ishin pakicë por më vonë u forcuan e shumuan.
Tepelena duhet të ishte bërë simboli i parë i qëndresës dhe ato objekte makabre duhet të qenë stigmatizuar si vrimë e zezë e mundit, djersës dhe gjakut njerëzor. Ata nuk e kanë gjetur vendin që meritojnë, nuk janë vlerësuar si duhet, nuk përfaqsohen askund. Dyert e institucioneve janë mbyllur për ta. Ponat nuk ju janë kthyer. Ato po i gëzojnë pasardhësit e nomenklaturës e të persekutorëve, gjithçka përsëprapthi.
Viktimat e vdekura janë harruar, fëmijët lanë fëmijërinë, të rinjtë rininë e pjekurinë internimeve e burgimeve të gjata, pa qënë fajtorë për asgjë.
Në fillimet e viteve 90 pati një lëvizje për mirë por më vonë erdhi duke u zbehur deri sa arriti në asgjësim të plotë gjithçka.
Duhej të ushqehej kujtesa e opinionit dhe shoqërisë, dhe veçanrisht e rinisë, kudo nëpër filma, teatro, këngë, tekste shkollore, me dhimbjen njerëzore të këtyre krijesave të pafajshme. Si në nivel personal, ashtu edhe institucional, viktimat e asaj mënxyre duhet të shkruanin për bëmat e diktaturës që të vejë e drejta në vendin e saj dhe të mos fshihet, mbulohet e të ndërrojë formë e keqja. Vendet e tjera të lindjes e bënë katarsisin dhe dekomunistizimin, ne, jo.
Kemi drejtues të institucioneve ligjbërëse e ligjzbatuese si dhe bij e pasardhës të klikës diktatoriale, akademikë e historianë të përlyer me të kaluarën që e kanë pështjellë për fyti demokracinë por që e mjelin ekonominë e vendit nëpërmjet kolltukëve të uzurpuar si një çiflig të merituar nga paraardhësit e tyre.
Edhe unë e ndjej për detyrë t’i hedh në letër këto kujtime të gdhëndura në kujtesën time fëminore si një vëzhgues i jashtëm, edhe pse nuk më preknin direkt
Isha nga një familje e pa cenuar nga pushteti i kohës por ma kanë plagosur e shëmtuar fëmijërinë. Askush nuk ndjehet i lumtur e i lirë kur vuan shoku, miku, fqinji i tij. Nuk e kam mundësinë shëndetsore për të hedhur këto kujtime, as material aq të mjaftë sa ata që i kanë jetuar e përjetuar në çdo moment. Në se do të mundesh, ta lë detyrë ta publikosh këtë dëshmi autentike.
Unë i deklaroj seicilit nga vuajtësit e asaj kohe se jam mjaft i keqardhur, si për ato që kaluan, ashtu edhe për interesimin e tyre për kërkimin dhe çvarrosjen e të afërmve të tyre, si individualisht, ashtu edhe institucionalisht.
Goxha djem e vajza, të edukuar, të formuar edhe nëpër universitete nga më prestigjiozet e botës, të paisur me parimet e mirëfillta demokratike. Duhet të organizohen dhe të shporrin simbolet e komunizmit, filmat e lulëkuqeve, analistët dhe moderatorët uzurpatorë të kanaleve me të kaluar të përlyer dhe ekspertiza vrastare për poetët e ekzekutuar, historianë fallsifikatorë të lidhur me majat më të larta të nomenklaturës, gjyqtarë të niveleve të larta dhe hetues e kryehetues gladiatorë të diktaturës, që në një vend normal nuk do ta shihnin kurrë lirinë për bëmat e tyre, me protesta paqësore dhe bojkot kanaleve televizive që intervistojnë funksionarët e nomenklaturës, me kulmim kryediktatoren – zhdanovisten HOXHA – XHUGLINI fashisten dhe nostalgjiken që ka ruajtur me fanatizëm edhe dokumentin dëshmi të antarësisë. I kishte të gjitha mundësitë ta eliminonte. Ndoshta ëndërronte ndonjë fashizëm tjetër ku mund t’i hynte në punë.
Ata dhe institucionet e mirëpaguara nga taksat e qytetarëve, sikurse mediat jo publike të financuara dhe nga kostot e rritura të produkteve prej reklamave marramendëse, nuk duhet të lejojnë as të përmendet emri i diktatorit dhe bandës së tij në asnjë lloj medie. Europa lindore mjaft e ndjeshme në këtë drejtim, e ka pastruar me kohë shoqërinë edhe nga hijet më të vogla të këtyre dukurive.
Televizioni gjerman “Ard” e pushoi nga puna gazetaren profesioniste me kontribut 20 vjeçar – Eva Herman në vitin 2009, pasi duke promovuar librin “Arka e Noes”, krahas demaskimit dhe kritikës së ashpër që i bënte regjimit nazist, përmendi kalimthi edhe ndonjë vlerë sociologjike të kohës për familjen si institucion shoqëror.
Edhe atje kishte mbi 60 vjet që nazizmi ishte rrëzuar e dënuar por opinioni i ndjeshëm e i kulturuar nuk pranon të përmendet nëpër media kurse tek ne, moderatorët i ledhatojnë me pyetje të parazgjedhura dhe rrinë para tyre si nxënësi para mësuesit, pra, ajo që kontrollonte dje vendin, e kontrollon edhe sot dhe do ta kontrollojë edhe nesër nëpërmjet zgjatimeve të saj.
Është për tu përshëndetur veprimi i gazetarit grek Stavro Xima që në librin e tij për Shqipërinë – “Në yllësinë e nacionalizmit”, botuar në Selanik, në faqen 270, në pjesën e titulluar “Nexhmije Hoxha, një komuniste e papenduar” denoncon një fakt të viteve 2002 dhe 2008.
Në përpjekjen për ta intervistuar, i shkon në banesën e saj karrem në Laprakë – banesën e vërtetë e ka në Bllok. Ajo i vë përpara disa fletë formati me një numur të madh pyetjesh të parapërgatitura dhe përgjigjet e përzgjedhura po prej saj:
– Intervista është gati, të mos lodhesh.
Ai, me kasetofonin dhe reporterin, i befasuar e pyet se ç’do të thotë që është gati; pyetjet i bën ai dhe përgjigjet i jep ajo. Ia refuzon pyetjet dhe intervista vazhdon normale për katër orë.
Ai shprehet se m’u duk sikur para vetes kisha një “fëmijë” origjinal ideologjiko – politik të Zhdanovit – shefit sovjetik të propagandës, ku për 4 orë rrjesht, jo vetëm pendesë nuk gjeta gjat intervistës, por më impresionoi përgjigja cinike e saj se ne vetëm 4500 vetë kemi vrarë.
Për 45 koka preshi të thara nga moti, në sundimin e saj do të kishte shpallur e ekzekutuar 4500 sabotatorë!
Pohimit të tij se ekzekutimin e kunatit të saj, Bahri Omari, burrin e motrës së diktatorit, në familjen e të cilit ata strehoheshin gjatë luftës, mëndja ime nuk mund ta perceptojë që e latë motrën vejushë, ajo i përgjigjet me paturpësi se Enveri nuk dinte asgjë, e bëri agjenti jugosllav Koçi Xoxe. Enveri i tha të motrës që t’ja kërkonte si nder Koçit lirimin e të shoqit pasi ai nuk ndërhynte tek drejtësia.
Është e dhimshme të mendosh se asnjë nga gazetarët tanë nuk e ka vënë në vështirësi me pyetje të tilla. Madje as nuk e intervistuan kur u arrestua i nipi “xibrakas” e as kur i doli në dritë tesera e partisë fashiste. Turpi i shekullit!.
Ajo dhe klika e të shoqit 50 vjet hodhën baltë mbi atdhetarët që shkrinë gjithçka për vendin, që nga firmëtarët e pavarsisë e deri tek akademikët e diplomuar me medalje të arta nëpër universitetet më të mira të Europës, asnjë prej të cilëve nuk kishte pranuar të marrë teserën e antarësisë fashiste.
Gjithashtu duhet të tronditej vendi nga protestat mbarëshqiptare për dekoratat e shpërndara fshehtas, me postë nga ministrja e mbrojtjes Kodheli me rastin e 70 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, ndërkohë që të zhdukurit e kampeve komuniste, thërrasin nga varrezat e humbura.
Nuk dua të kaloj në ekstremizëm, as në hakmarrje se nuk kam hak për të marrë, por për atë tragjedi 50 vjeçare duhet të ketë një përgjegjësi dhe një kosto.
Është trishtues fakti që presidenti i fundit i diktaturës të quhet presidenti i parë pluralist sepse të gjithë e dijmë se si u imponua të lejonte pluralizmin politik, pas manovrave të “pluralizmit të mendimit”. Shqiptarë, mos i lejoni këto mashtrime, veçanrisht ju të përndjekur politikë.
Kete material historik duhet ta shumfishojne te gjithe te persekutuemit politik dhe, te mesojne sesi duhet me fole per te kaluemen e vet.
Ju falnderoj e Nderueme zj. Islami per kete perle historike te asaj kohe te mnershme!
Ju uroj shndet e jete te gjate! Me shume respekt.