1.
Ka sa kohë që kam mall
Për të ardhur tek Ti
Kullë, s’di e kujt je
Vetëm e di se aty u linda
E tash të kam histori
Që më përcëllon…
2.
Do të vij një ditë
Edhe pse e di
Tash vetëm muret
Kacul të kanë ngelur
Ndoshta relikt i gëzimit
Për lindjen time
Edhe i buzëqeshjes së nënës
Për djalin që e lindi
3.
Do të dal një ditë tek Ti
Dhe ahurit do t’ia mësyj
Se aty më lindi nëna
Nuk kishte ku tjetër
Në Kullën e huaj
Bile pip në këmbë
Më kishte lindë
Për të mos u përlyer
Nga baglat në ahur
Dhe, do të rri aty
Për aq kohë
Sa ta kujtoj nënën
Duke më lindur
Dhe atëherë ta përqafoj
Për sakrificën e saj
Se rrugëtim të bëfshëm kemi bërë
4.
Derisa ta kujtoj rrëfimin e saj
E cila as në tokë
Lëshuar nuk më ka
Se foshnja duhet të lind e pastër
Për këtë arsye
Si duket
Edhe me stinët kurrë pajtuar s’jam
Por
Gjithnjë përmalluar më kanë
Më kanë forcuar
Rebel më kanë bërë
Nuk e di pse kështu
Se unë, shpirtin të butë e kam
Edhe të tërin mbështjell me lot
5.
Do kthehem një ditë
Tek Kulla ku u linda
E di se do përmallohem
Se nga ajo
Tani asnjë gjurmë mbetur s’ka
Bile asnjë gur
Diçka për të treguar
Dhe e di
Dhembja do të më rëndojë
E do kthehem
Me kujtimin e nënës
Që një vizitë
Tek varri i saj ma detyron
E pastaj të ngarkohem
Me një bagazh historie
Me plagë e kujtime
E me plotë fjalë të pathëna
Që jetën dhe tokën rëndojnë
6.
Një ditë
Patjetër do kthehem
Tek Kulla ku u linda
Me frikën e flokëve të thinjura
Dhe, athua…
Ku e kam unë vendlindjen
Apo, ndoshta…
Jam njeri i pa vendlindje
Sa më pëlqen kjo e fundit…
7.
Po po
Një ditë do kthehem tek Kulla…
Ku u gëzua nëna
Me lindjen time…
Komentet