Mësohet se një diplomat i profilit të lartë të Koresë së Veriut i vendosur në Kubë ka dezertuar për në Korenë e Jugut. Këtë e ka konfirmuar agjencia e spiunazhit të Seulit për BBC.
Këshilltari politik besohet të jetë diplomati më i lartë i Koresë së Veriut që është arratis për në Korenë e Jugut që nga viti 2016.
Diplomati ka dezertuar që në nëntor, tha Shërbimi Informativ Kombëtar (NIS). Hollësitë rreth dezertimeve të koreano-veriorëve shpesh duhen muaj që të dalin në dritë pasi të larguarit duhet të ndjekin kurse për shoqërinë koreano-jugore përpara se të integrohen zyrtarisht.
Mediat e Koresë së Jugut thonë se i larguari ishte një këshilltar përgjegjës për çështjet politike në ambasadën e Koresë së Veriut në Kubë.
Shërbimi sekret jugkorean NIS nuk e ka konfirmuar këtë për BBC.
Gazeta Chosun Ilbo tha se ishte në gjendje të intervistonte diplomatin, të cilin e identifikoi si 52-vjeçarin Ri Il Kyu.
Gazeta shtoi se ai u largua për shkak të “zhgënjimit me regjimin e Koresë së Veriut dhe një të ardhmeje të zymtë”.
Puna e tij thuhet se përfshinte ndalimin e Havanës nga krijimi i marrëdhënieve zyrtare diplomatike me Seulin.
Megjithatë, në shkurt, të dy qeveritë vendosën marrëdhënie zyrtare, në atë që u pa si një pengesë për Phenianin.
“Çdo koreano-verior mendon të paktën një herë për të jetuar në Korenë e Jugut”, citon gazeta të ketë thënë ai.
Dezertimi i fundit i njohur i profilit të lartë në Jug ishte ai i Tae Yong-ho në vitin 2016. Ai është ish-zëvendës ambasadori i Koresë së Veriut në Mbretërinë e Bashkuar.
Të dielën, Koreja e Jugut mbajti ceremoninë e saj të parë të Ditës së Dezertorëve të Koresë së Veriut.
Në fjalën e tij në ceremoni, presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol premtoi mbështetje më të mirë financiare për dezertorët e Koresë së Veriut dhe stimuj tatimorë për kompanitë që i punësojnë ata.
Yoon, një konservator, ka marrë një qasje më të ashpër ndaj Koresë së Veriut, krahasuar me paraardhësin e tij Moon Jae-In.
Ai mbështet sanksionet kundër regjimit të Kim Jong Un dhe ka premtuar të zhvillojë teknologji për të kryer një sulm parandalues ndaj Koresë së Veriut nëse Pheniani synon të sulmojë Seulin.
Dezertimi i fundit vjen në një kohë të tensioneve të rritura midis dy Koreve.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un ka braktisur zyrtarisht qëllimin e ribashkimit me Jugun dhe gjithashtu së fundmi e ka quajtur Seulin si “Armikun numër Një” – një kthesë dramatike nga vetëm gjashtë vjet më parë kur ai takoi zyrtarisht udhëheqësin e atëhershëm të Koresë së Jugut, Moon Jae In.
Që atëherë, ka pasur një rritje të retorikës në të dy anët e kufirit.
Të dy vendet lëshuan balona propagandistike përgjatë qyteteve të tyre kufitare, me ato nga veriu që përmbanin mbeturina dhe parazitë.
Dhe më herët në qershor, Pheniani pretendoi se kishte testuar një raketë të avancuar me kokë bërthamore. REL