Shtohen shenjat e mosdurimit kundrejt demokracive liberale. Për shembull ministri i Brendshëm Italian në ditët e fundit ka deklaruar se zgjedhja e një përfaqësuesi të Partisë demokratike në postin e kryetarit të Parlamentit evropian, nuk respekton votat e italianëve dhe të evropianëve dhe drejtësia italiane nuk është ajo që i duhet Vendit.
Ai, pra, dëshëron të peshojë më shumë në Bashkimin Evropian edhe se i ka cilësuar drejtuesit e tij të mundshëm si “politikucë” edhe mbasi nuk ka marrë pjesë pothuajse në të gjitha mbledhjet e organizmave evropiane në të cilat duhet t’ishte i pranishëm. Do të dëshironte gjithashtu që normat të interpretohen e të zbatohen simbas dëshirave të tij, me mëtimin që është i vetmi zëdhënës i popullit italian.
Armiqtë e demokracisë liberale do të duhej të bënin një përsëritje të shpejtë të rregulloreve bashkëkohore, sepse atyre i u mungon gramatika e kushtetueshmërisë. Ministrit të Brëndshëm italian, për shembull, i ikën nga mëndja funksionimi i parimit të shumicës. Votat e mbledhura prej partisë së tij në zgjedhjet e fundit evropiane përfaqësojnë një të tretën e atyre që votuan, më pak se një të pestën e zgjedhësve, më pak se një të gjashtën e popullsisë. Në këta kushte a mund të flasë ai në emër të popullit italian duke mëtuar se ka të drejtën përjashtimore? Më parë se të thuhet se fituesi merr gjithshka, duhet të jetë fitues.
Mbështetësit e demokracisë iliberale harrojnë, në rradhë të dytë, se në organizimin bashkëkohor demokracia është e vendosur në shkallare të ndryshme, aq sa ne votojmë për Këshillat e qyteteve, për ata rajonalë, për Parlamentin kombëtar e për atë evropian. Mund të jetë parti e parë në një komunë, në pakicë në një komb; mund të jetë pakicë në një Rajon e shumicë në shkallë kombëtare e evropiane. Pra, historia dhe kushtetutat i kanë përvijuar organizimet bashkëkohore duke i themeluar mbi vullnetin e popullit e, në të njëjtën kohë, duke mos i besuar atij, prandaj i kanë dhënë popullit shumë zëra, që të mund të vendosë në mënyra të ndryshme, dhe të mund të korigjohet. Pra, të mos ketë vetëm një fitues, por shumë fitues. Jo, pra demokracia por demokracitë.
Rryma e re demokratiko – populiste, në rradhë të tretë, harron se pothuajse të gjithë të zgjedhurit kanë kohë të ndryshme. N’Itali antarët e Parlamentit janë të zgjedhur për pesë vite, presidenti i Republikës qëndron në detyrë për shtatë vjet, gjykatësit e Gjykatës kushtetuese nëntë. Këshillat komunale, ata rajonale, Parlamenti kombëtar, Parlamenti evropian përtërihen në çaste të ndryshme. E gjithë kjo për të ndaluar që pushteti publik të jetë prerogativë e vetëm një force politike, sepse dëshërohet të ruhet pluralizmi i shoqërisë.
Harresa e fundit e armiqve të lirisë ka të bëjë me trashëgiminë e liberalizmit, kryesisht ndarjen e pushteteve dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Kuptohet që ka bërë shkollë kryeministri hungarez Viktor Orban, lëvrues i demokracisë iliberale. Demokracia nuk mund të mos jetë liberale, jo vetëm sepse, historikisht, përbën një zhvillim të liberalizmit, por edhe se pjesëmarrja në zgjedhje dhe e drejta e votës do të ishin një iluzion i zbrazur po të mos ishin së bashku të gjitha liritë, duke filluar nga ajo e shfaqjes së mendimit dhe e grumbullimit, veç gjykatësve të pavarur në mbrojtje të tyre. Këta gjyqtarë duhet të kenë mundësi të interpretojnë ligjet pa detyrime që vijnë nga qeveria, madje duhet të kenë mundësi, simbas rastit, edhe të venë në dyshim ligjëshmërinë e tyre e të japin një interpretim në përputhje me Kushtetutën, ose t’i drejtohen Gjykatës kushtetuese për gjykim, sepse edhe vetë vlera e demokracisë ka një cak në liritë e të drejtat.
Ministrit të Brëndshëm italian, në veçanti, dua t’i kujtoj se nuk mjafton të veshësh rroben e policisë ose të premtosh marrjen në punë të forcave të reja të mbrojtjes së rendit, për të qenë një ministër i Brëndshëm i mirë. Në vend që të përjetësohet me një mitraloz në dorë, më pas me një pushkë e së fundi me një revole elektrike, do të bënte mirë të merrte shëmbull nga i pari ministër i Brëndshëm, mbas shpalljes së Republikës, Alcide De Gasperi, që qe një shëmbull aftësie politike dhe mase në administrim.
“Corriere della Sera”, 9 korrik 2019 E përktheu Eugjen Merlika
*Shënim i përkthyesit:
Autori i kërij shkrimi është editorialist i njohur i kësaj të përditëshmeje. Ka lindur në vitin 1935. Ka qenë dhe vazhdon të jetë profesor në disa universitete italiane dhe evropiane e amerikane. Ka qenë antar i Gjykatës kushtetuese të Italisë gjatë periudhës 2005 – 2014. Është njëri ndër kostitucionalistët më të mirë italianë. Ka në arkivin e tij 24 vepra të botuara mbi probleme të ndryshme.
U vura t’a përkthej këtë shkrim se m’u duk si një artikull mjaft instruktiv per çastin e veçantë të amullisë institucionale në të cilën ndodhet Shqipëria. Mendoj se kemi nevojë si opinion publik, për të mos përmendur atë politik, për të freskuar disa njohuri mbi të drejtat e detyrat e të zgjedhurve e të zgjedhësve në një vënd demokratik, siç mëtojmë të gjithë se duam të ndërtojmë në Shqipërinë tonë. Besoj se ky shkrim na jep një vështrim mjaft të saktë të kësaj problematike. Edhe se i kushtohet gjëndjes së Italisë së sotme besoj se edhe neve kemi mjaft për të mësuar prej këtij shkrimi.
Komentet