Po e botojmë këtë foto nga arkivi ynë, për të sjellë në fokus atë që ka ndodhur në Kosovë.
Në vitin 2001 Gjenerali Wesley Clark do të na e dhuronte me përkushtim dhe autograf librin e tij Waging Modern War, përmes dy figurave më të shquara të Lobit Shqiptaro-Amerikan në SHBA Kongresmenit Joe DioGuardi dhe ekspertes të Ballkanit, njëkohësisht bashkëshortja Shirleys Cloyes DioGuardi. Libri i kushtohet luftës së fituar së NATO-s në Kosovë.
Kjo dhuratë na u bë për kontributin tonë në gazetës Bota Sot për dhjetë vjet, prej 1998 deri më 2008, Skënder Buçpapaj si kryeredaktor dhe Elida Buçpapaj si kolumniste redaktore. Bota Sot ishte në krahë të SHBA, pa rolin dhe ndikimin e së cilës nuk do të ndalej dot tërbimi i Millosheviçit kundër shqiptarëve. Bota Sot në shkrimet që botoheshin, e konsideronte hero Gjeneralin Wes Clark, i cili, si komandant Suprem i Forcave të Bashkuara të NATO-s për Evropën, drejtoi operacionet 74 ditore të Aleancës EuroAtlantike deri në kapitullimin e Milosheviçit.
Në libër është një moment ku Gjenerali Clarik tregon takimin që kish patur me Milosheviçin në vjeshtën e 1998, një takim i nxitur nga Shtëpia e Bardhë, kur duhej të nënshkruhej Memorandumi. Milosheviçi i kishte thënë Gjeneralit Clark se ata dinë si t’jua bëjnë shqiptarëve, se edhe më 1946 i kishin vrarë të gjithë. Milosheviçi vendosi që ta kthente përsëri vitin 1946, por kësaj here gaboi rëndë.
Prandaj ndërhyri NATO.
Gjenerali Wes Clark më 2001 do të vizitonte redaksinë e gazetës Bota Sot në New York, bashkë me Kongresmenin Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, prej ku na i ka dhuruar librat me përkushtim. Po ashtu një libër ai ia dhuroi edhe pronarit e botuesit të gazetës Bota Sot Xhevdet Mazrekaj, i cili ka ndarë të njëjtën vijë politike me kryeredaktorin e gazetës. Po ashtu edhe kërcënimet si staf drejtues i redaksisë me qendër në Zürich.
Prej 1998 deri më 2008 Bota Sot bëri histori dhe hyri në histori, si një institucion që mbronte të vërtetën, duke u bërë gazeta më e dashur dhe e shitur në gjithë trojet shqiptare e diasporë në gjithë historinë e shtypit shqiptar.
Vdekja e Ibrahim Rugovës dhe ardhja në pushtet e Hashim Thaçit në aleancë me LDK ishte një goditje edhe për fjalën e lirë e sidomos për gazetën Bota Sot që printe si një medium shumë i fuqishëm me format Perëndimor.
Nga të parat veprime sapo erdhën në pushtet aleanca PDK-LDK detyroi pronarin të na largonte nga gazeta.
Gazeta Bota Sot kishte pasur një rrugëtim të shkëlqyer në mbrojtje të çështjes shqiptare, në kornizën e interesave Euro-Atlantike por me një çmim shumë të rëndë, pasi katër bashkëpunëtorë dhe gazetarë të gazetës janë vrarë prej 11 janarit 1998 deri më 2 qershor 2005. Ata janë Enver Maloku shefi i QIK-ut dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Rugovës dhe i Bota Sot, Xhamail Mustafa, publicist, shkrimtar, këshilltar i Rugovës dhe bashkëpunëtor i Bota Sot, Bekim Kastrati dhe Bardhyl Ajeti, të dy gazetarë të Bota Sot. Të katër vrasjet kanë mbetur të pazbardhura.
Pa shtyp të lirë nuk mund të ndërtohet demokracia!
Edhe pa ndërhyrjen e NATO-s, Millosheviçi do të përmbushte objektivin e tij që ia shprehu duke u ngrefosur direkt Gjeneralit Clark, t’i vriste të gjithë shqiptarët!
Ndërhyrja e NATO-s ishte e detyruar, e nevojshme dhe e domosdoshme.
Vlerat e Perëndimit nuk mund të bashkëjetonin me kasapin e Ballkanit.