– Të pëlqen dhoma?
– Shumë e këndshme qenka.
– Hm, – dhe qeshi pak. – Edhe mua më pëlqen, por ja që nuk është vetëm e imja tani. Kjo dhomë është edhe e imja edhe e jotja, Dorinë. E kupton? Është edhe e jotja, është e të dyve, domethënë, – dhe iu afrua më pranë. I vuri duart e tij mbi fytyrën e saj dhe po e shihte. Edhe ajo po e shihte dhe, pa e kuptuar as ajo vetë si ndodhi, e përqafoi. E përqafoi edhe Saimiri, duke bashkuar buzët e tij më buzët e saj.
– Dëshiron të rimë këtu, apo të shkojmë në dhomën tjetër ku fle mami? Dëshiron ta shohësh edhe atë dhomë? Atje është krevati dopjo.
– Më mirë rrimë këtu. Qenka shumë ambient i këndshëm.
– Dorina, kam shumë dëshirë të të zhvesh vetë. Ky është fillimi i kënaqësisë sime, i kënaqësisë që dua të ndiej kur jam me të dashurën time. Mos m’i pengo duart, të lutem. Lëri të shëtisin mbi trupin tënd. Nëse një dëshirë të tillë e ke edhe ti, atëherë mund të veprojmë të dy, të ndihmojmë njëri-tjetrin. Unë jam gati të të lejoj të veprosh si të duash,- dhe i kapi duart duke ia afruar pranë pantallonave të tij…
Ata të dy ishin shtrirë në shtrat. Buzët e të dyve u bashkuan përsëri me njëra- tjetrën në një të vetme. Frymët e të dyve përplaseshin me njëra-tjetrën sapo dilnin nga gojët e tyre dhe duart lëviznin në mënyrë të çrregullt në pjesë të ndryshme të trupave. Ajo ndjeu një ngacmim nga brenda saj, një trishtim, një dënesë.Në ato çaste, i bëhej të çohej e të largohej menjëherë nga ajo shtëpi e huaj.Këto mendime ia prishi Saimiri, kur i preku thithkat e gjokseve të saj të fortë dhe po ia lëmonte.Oh, sa të ngrohta ishin ato gjokse të forta. Saimiri ishte i pari mashkull që po hynte dhe po shijonte kënaqësinë e tyre. Ishin të bukur, të pa prekur ndonjë herë nga ndonjë mashkull tjetër.
Në ato çaste të zjarrta dashurie që po kalonte me Saimirin, as ajo vetë s’e kuptoi pse iu kujtua e ëma. Saimiri tani ishte padyshim njeriu i saj më i dashur dhe më i shtrenjtë. Ai po i jepte dashurinë dhe kënaqësinë e pa provuar ndonjëherë. Përqafimi dhe puthja me të ëmën atë mëngjes, lotët e nënës, që as ajo vetë s’i kuptoi përse rrodhën… iu shfaqën para syve edhe pse sytë i mbante të mbyllur në mes të atij zjarri të madh dashurie ku ishte futur bashkë me Saimirin.
Menjëherë i erdhi një mendim, të çohej nga ai shtrat ku po rrinte shtrirë, të vishej e të shkonte në shtëpi, të mbyllej në dhomën e saj, të qante dhe vetëm të qante…
“Qenka shumë e pa imagjinueshme dhe e vështirë të rrish në një shtrat me një njeri që, dikur nuk e ke njohur dhe tani e do, sidomos herën e parë. Ky çast, qenka edhe provimi më i vështirë që dhënka njeriu në jetë, sidomos ne vajzat. Megjithatë të gjithë e japin këtë provim në kushte dhe në rrethana të ndryshme, por nuk dihet rezultati i mëvonshëm, nëse e kalojmë të gjithë me sukses atë provim, apo ky provim do ketë pasoja të rënda për jetën tonë…?”
– Dorina, ndjehesh mirë, zemër? – i tha Saimiri, duke i lëmuar trupin me duart e tij.
E kuptoi që ajo ishte e përhumbur në një botë tjetër, në një botë që nuk i përkiste botës së tyre dashurore.
– Pse qan, zemër?, – vazhdoi t’i fliste, duke ia puthur sytë e lëngëzuar dhe duke ndjerë kripësirën e lotëve në gjuhën e tij.
Ajo nuk foli, vetëm mendonte…
Dorina e dashuronte shumë Saimirin simpatik, sidomos në ato çaste të zjarrta, kur trupat e tyre lakuriq ishin bashkuar në një të vetëm. Kënaqësisë së madhe që ajo po ndiente në ato çaste i dilte shpesh përpara pendesa e saj, si një pengesë për
vendimin që kishtë marrë. Ishte pikërisht ajo pengesë që hynte dhe kërkonte dyluftim me dashurinë. Edhe pse disa herë pendesa harrinte ta godiste dashurinë, ndihej qartë që e kishte humbur betejën, sepse dashuria me ndjenjat dhe forcën e saj po triumfonte, po e mposhtëte pendesën.
Po Dorina vetë, si do dilte nga ai dyluftim, e fituar apo e humbur?! Këtë nuk mund ta spjegonte dot, edhe pse kishte pranë njeriun e saj të zemrës, njeriun të cilit po i falte dashuri, lumturi, kënaqësi, njeriun që po i premtonte të ardhme të lumtur, të paimagjinueshme, të ardhme mbretërore…
…………………………………………………………………………………………………..
Atë natë Saimiri nuk ndjehej i qetë, tek rrinte në dhomën e tij, në shtëpi. I kishte ndodhur të ndjehej i mërzitur edhe herë të tjera, ndërsa ajo mërzitje ishte ndryshe. Rrugën vajtje ardhje nga shtëpia në shtetin e huaj e kishte bërë disa herë dhe për të njëjtin qëllim, por të tillë gjendje shpirtërore të vrarë nuk kishte ndjerë ndonjëherë. Më tepër se një mërzitje, ajo ishte çmenduri. “Po! Kjo është një çmenduri për mua. Oh, Dorina, Dorina…!”
Si çdo i dashuruar me ndjenjat dhe ëndrrat e moshës së vet, pas gjithë atij mundi dhe konsumimit të të gjitha mënyrave që të rinjtë përdorin për t’iu mbushur mendjen vajzave lajkatare, vajzave që u pëlqen ngacmimi i djemve, sidomos djemve simpatikë, megjithqë përdorin ca lojëra dinake, duke refuzuar propozimet e djemve, ndërsa nga ana tjetër, shpresojnë për ndalime të tjera nga po ata djem, edhe Saimiri arriti ta kapë suksesin më të lartë të dashurisë së tij atë ditë me Dorinën dhe, për atë sukses, ai duhet të ndjehej i lumtur.
Lumturia e tij kishte lulëzuar vetëm pak çaste, atëhere kur Dorina ishte e tëra në krahët e tij, kur Dorina i kishte falur trupin e saj, bashkë me dashurinë e saj të parë. Ajo lumturi tani ishte kthyer në një gur që i rëndonte ndjenjat e tij. Por, “lumturia” e tij ishte kthyer në një çekiç që po e godiste pa mëshirë në ndërgjegjen e përbaltur, jo vetëm tani, por gjithë kohën, ngado që shkonte. Nuk po rrinte i qetë. Dorina, me aromën magjike të trupit, përzier me atë të parfumit të saj, iu shfaq në atë çast sërish para syve.
Buzëqeshja e Dorinës në krahët e tij, puthjet e zjarrta që ajo i kishte dhënë në shtëpi, në shtratin e tij, vazhdonin t’ia gërryenin pa mëshirë ndërgjegjen, duke e pyetur me ankim: “Përse e bëre këtë, Saimir”?
Lotët e Dorinës iu shfaqën para syve dhe u bashkuan me lotët e tij, që në atë çast po rridhnin pa pushim.
“Dorina, më fal! Nuk e mendoja që do ishe e tillë… Jo, jo Dorina! Ti je shumë e mirë, ndërsa unë… “Saimir, të dua shumë. Jam gati të vij me ty, të jetojmë bashkë. Të lutem Saimir! Më krijo të gjitha mundësitë që të mos ndahem kurrë prej teje …”
“Mjaft!” – tha, dhe u çua në këmbë. “Jo, jo, jo, – filloi të bërtasë, duke bërë lëvizje të çrregullta në dhomën e tij. “Jo Dorina, jooooo! Doriiinaaaa!” – vazhdoi të bërtasë dhe u ul mbi gjunjë, duke vënë pëllëmbët e duarve mbi fytyrë.
Saimiri s’e kishte menduar kurrë se do t’i dhimbsej kaq shumë Dorina, nuk e kishte menduar hiç vrasjen e ndërgjegjes së tij, në asnjë çast të zhvillimit të kësaj aventure. Aq më tepër që Dorina duhej të ishte thjesht gjuetia e radhës, ashtu siç kishte ndodhur edhe me shumë femra të tjera.
Por, në mënyrë krejt të paspjegueshme ndodhi ndryshe. Dorina e bukur, Dorina e mirë, Dorina e pafajshme, kishte plagosur çuditërisht zemrën e tij. Dorina që i kishte dhuruar atij dashurinë e saj të parë e të pastër, po e lëndonte shumë shpirtin e tij katran. “Sa shumë vajza kemi çuar jashtë shtetit. Sa shumë tregti kemi bërë me to, sa shuma marramendëse lekësh kemi fituar prej tyre! Asnjera nga ato nuk më ka vrarë kaq shumë në shpirt dhe në ndërgjegje sa po më vret Dorina. Ç’po ndodh me mua?”
Hapi derën e apartamentit. Hyri brenda duke shtyrë derën me këmbë. I pavëmendshëm hyri në dhomën e ndenjies dhe shkoi drejt tavolinës ku ishin shishet me pije. Mori njërën nga ato, e hapi dhe filloi të pijë, si të ishte i etur për ujë. Me shishen në dorë doli jashtë dhomës dhe u drejtua për nga dhoma e tij. Hyri në dhomë dhe e shtyu derën me këmbë për ta mbyllur. U dëgjua përplasja e fortë e saj. Nuk i shkoi ndërmend se duhet të zhvishte pantallonat dhe të hiqte këpucët. Piu përsëri si i etur nga shishja që mbante në dorë. U shtri mbi krevat. Shikonte tavanin e dhomës pa dalluar asnjë gjë. Zëri i ëmbël i Dorinës trokiti papritur në veshët e tij, aq i qartë sa për një çast iu duk sikur e kishte aty pranë.
“Të dua shumë Saimir. Dua të vij me ty, edhe shkollën e lë për ty, Saimir!”
“Ç’farë shkolle do vazhdosh jashtë shtetit, Dorina, shkollën e bordellit, shkollën e kurvave, të putanave? Ooohh! Dorina, shpirti im i pafajshëm, sa keq jam ngatërruar. Dikur, unë kam qenë Saimiri që jam njohur me ty në një mbrëmje, në festën e një ditëlindjeje… Unë dikur kam qenë një djalë i mirë, i druajtur, ashtu si më ke njohur dhe vazhdon të më ruash në kujtesën tënde… Oh, Dorina! Ti nuk e di, e dashur, që nga ai djali i dikurshëm mua më ka mbetur vetëm emri, emri Saimir. Fatkeqësisht, vazhdoj akoma ta mbaj këtë emër që nuk më takon, sepse unë duhet të quhem Saikeq, Samaskara, Sakriminel… Po, Dorina! Unë jam kriminel. Unë jam një kriminel që nuk kam vrarë njerëz, por kam vrarë dashuri, kam vrarë ndjenja, kam vrarë besë. Po, po, besën kam vrarë. Jo një e dy, por me dhjetëra, unë bashkë me shokët e mi, me grupin tim, me ata njerëz me të cilët krijuam këtë ndërmarje të turpshme dhe të poshtër, trafikimin e vajzave për të ushtruar profesionin e ndyrë të prostitucionit, jashtë atdheut tonë. Jo, Dorina! Ti nuk e meriton këtë; prandaj dhe doja të largohesha sa më parë nga ty, prandaj dhe më vjen shumë keq për ty. Ti nuk i di të gjitha këto, Dorinë, prandaj dhe nuk më kupton. Dorina, do mundesh ndonjëherë vallë, e dashur, të më kuptosh? Çfarë kërkoj unë të kuptosh, pendimin tim ndaj teje apo dëshirën tënde për të hyrë edhe ti në grupin tonë?
Perëndi! Më ndihmo të lutem, çfarë llogjike po më detyron të flas tani në këto çaste? Çfarë dashurie kërkoj unë tani? Nga kush dhe kujt po ia kërkoj?
Perëndi! Më zgjo të lutem, nëse jam në një gjumë të thellë dhe po shoh këtë ëndërr mizore. Është kjo një ëndërr e poshtër, është ëndërr kjo që po vazhdoj akoma të shoh?
Më ndihmo, o Zot, si mund të dal nga ky ferr ku jam futur? Si mund të shkëputem që të shpëtoj nga kjo e mallkuar rrjetë helmuese, nga kjo rrjetë merimange që ne vetë e kemi thurur, unë bashkë me shokët e mi! Jo, Dorina! Ti nuk e meriton t’i hysh një rruge të tillë. Me ty vetëm një rrugë ka: unë bashkëshorti yt dhe ti bashkëshortja ime. Bashkëshortja ime! Do mundesh vallë ndonjëherë të jesh bashkëshortja ime? A do të më lejojnë vallë shokët e mi, grupi ynë? Ooohhh!”
…………………………………………………………………….
– Mbërritëm? – dëgjoi zërin pëshpëritës të asaj vajzës shqiptare, e cila po fliste me shokun e saj.
– Shshshsht, – i foli ai me zë të ulët. – Mos fol shqip tani. Nuk dua të ta përsëris prapë.
Saimiri, as vetë s’e kuptoi se përse fjalët ”Mos fol shqip” i tingëlluan aq ashpër në vesh.
”Mos fol shqip”! Sa herë këto fjalë ua kishte thënë vajzave shqiptare kur kishin ardhur në këtë shtet të huaj. ”Mos fol shqip” i kishte thënë ai edhe Stelës herën e fundit, pikërisht në autobus, si ky djali që kishte pranë. ”Mos fol shqip”, kjo shprehje ishte bërë një refren kryesor i sjelljes së shqiptarëve në shtetin e huaj. Të mos flasësh gjuhën tënde të bukur dhe të moçme, që i ka rrënjët e saj thellë në parahistorinë e tokës, qysh në zanafillën e jetës. Ajo gjuhë që është mbajtur gjallë brez pas brezi, që kanë mbajtur gjallë ndër vite të parët tanë, edhe atëherë kur s’kishin dritë. Edhe kur s’kemi patur zjarr ndër vatrat tona, gjuha jonë e bukur dhe e shtrenjtë na ka ngrohur zemrat. Ajo gjuhë, që s’është ndarë kurrë nga gjaku, edhe kur na zunë pritë pabesisht për të na vrarë për gërmat tona të arta, për shkronjat tona shqipe. Të mos flasësh gjuhën tënde, në atë shtet ku ti derdh djersën tënde, mundin, gjakun, vetëm për t’iu ruajtur racizmit të theksuar me të cilin janë ushqyer qytetarët vendas dhe të cilin vazhdojnë ta ruajnë me fanatizëm ndaj të huajve, veçanërisht ndaj shqiptarëve.
……………………………………………………………………………………………………………
Ora tregonte14:47. E ëma e Saimirit po kalonte një tronditje të thellë mendore. Ishte bërë gati të dilte jashtë shtëpisë. As vetë nuk e dinte se ku do të shkonte. Vetëm të dilte jashtë. Sikur po e hanin muret e shtëpisë, kështu po i dukej. Më tepër se e tronditur, ajo ndjehej e frikësuar, e kërcënuar.
Ndryshe nga herët e tjera kur dilte jashtë shtëpisë, atë ditë nuk kishte bërë tualet në fytyrë. Telefonata e një dite më parë e kishte frikësuar shumë. Kërcënimi që kishte marrë në telefon për veten dhe jetën e djalit i rrinte përpara si një thikë e mprehtë, gati për të hyrë në zemrën e saj. Po e ndiente dhimbjen, po e ndiente sikur ajo ishte ngulur tashmë, dhe çfarëdo që bënte nuk e largonte dot prej saj. Oh! Nuk po e duronte dot më…
Prandaj donte të dilte jashtë shtëpisë, të bisedonte, ta shfrente atë dhimbje të padurueshme, po ku të shkonte?! Nuk po e gjente dot spjegimin e asaj që i kishte ndodhur. Mospërgjigja e Saimirit në telefon e kishte frikësuar edhe më tepër.
Me sy të përlotur qëndronte përpara pasqyrës së madhe në korridorin e shtëpisë dhe vështronte veten e saj në anën tjetër të pasqyrës. Iu duk vetja e zbehtë, e ligësht. Një pamje të tillë nuk e kishte parë te vetja e saj edhe atëherë kur kishte pasur problemet me të shoqin. Herë-herë, pamja e saj në anën tjetër të pasqyrës, papritur shndërohej në një fantazmë të bukur. Papritur i zhdukej portreti i saj dhe ja, i dilte përpara portreti i vajzës që i kishte ardhur para pak kohësh në derën e apartamentit të saj, Dorina. As vetë s’e kishte kuptuar se përse portreti i asaj vajze i kishte mbetur në mendje dhe shpesh herë i dilte përpara syve ashtu siç ishte, e bukur, ja, tamam si kjo që po shoh tani. ”Përse m’u dhimbs kaq shumë ajo vajzë e mirë?” Vetëtimthi i doli përpara syve një vajzë tjetër. ”Stela më duket se e quanin”.
”Aahh!” një psherëtimë e thellë i doli pa e kuptuar as ajo vetë. Vuri dorën e djathtë mbi kraharor; sikur donte të mbante zemrën e saj që të mos dilte nga kafazi, aq shumë po i rrihte në ato çaste. Mendimet i fluturuan në vitet e shkuar. Iu kujtua ish bashkëshorti i saj, i ati i Saimirit. ”Marrtë hak Zoti tek ty”, – tha me vete mes lotëve që i kishin lagur faqet. ”Vetë Zoti nuk ka për të ta falur atë që na bëre, na shkatërrove shtëpinë. Më tradhtove! Ike, më le mua, bashkëshorten tënde, nënën e fëmijës tënd, për një grua tjetër. Oohh! Nuk mendove as për fëmijën tënd. E braktise në moshën kur më shumë se kurrë kishte nevojë për baba, në moshën kur formohet shpirti dhe karakteri i njeriut. Kam dhjetë vjet që po e duroj dhimbjen e kësaj plage, të plagës që ti m’a hape pa asnjë të drejtë. Na braktise për një dashuri tjetër, atëhere kur fëmija yt kishte më tepër nevojë për dashurinë dhe ngrohtësinë e babait, kujdesin tënd ndaj tij. Ndoshta edhe mungesa jote në shtëpi ka ndikuar që djali… Oohh! Djali im, shpresa ime e vetme e jetës sime. Kërkojnë të na zhdukin, të na vrasin, të na shfarosin si familje…”
Iu bë sikur dëgjoi një zhurmë të lehtë në drejtim të derës së apartamentit. E frikësuar ktheu kokën andej nga kishte dëgjuar zhurmën. Kuptoi se nuk ishte zhurmë koti. Ishte lëvizja e çelësit në derën e apartamentit, nga jashtë. Me hapa të ngadaltë iu afrua derës, e tmerruar. Pa çelësin e derës së apartamentit futur në pjesën e brendëshme të derës, ashtu siç e linte gjithmonë kur hynte dhe e kyçte derën nga brenda. U dëgjua një trokitje në derë. U frikësua shumë! Çdo gjë përreth iu mjegullua. ”Erdhën të më vrasin”! Mendoi njëherë të mos përgjigjej. U dëgjua trokitja e dytë.
– Kush është? – foli me zërin që po i dridhej.
– Mama, hape derën, Saimiri jam.
E dalloi menjëherë zërin e të birit, por edhe një hije dyshimi seç ia fshiku mendimin. Nuk i kishte ndodhur kurrë më parë, që i biri të nisej për udhë e të kthehej aq shpejtë. Ishte pikërisht kjo hije dyshimi që e bëri të mendojë se duhet t’ia dëgjonte edhe disa herë të tjera zërin që të bindej, prandaj, pa u menduar shumë tha:
– Nuk po i gjej çelësat…
– Mama, çelësat e tu janë në derë. Janë çelësat në derë nga brenda, prandaj nuk hyn çelsi im.
-Djali im, shpresa ime e vetme! – klithi më në fund me gëzim dhe menjëherë rrotulloi çelësin e derës. Para saj u shfaq ai, djali, shpirti i saj, Saimiri. I lodhur, i parruar, i përgjumur. Nuk u përmbajt dot. Hapi krahët, e përqafoi, e puthi në kokë, në faqe.
– Djali im, shpresa ime e vetme. Më erdhe gjallë, bir, të kam pranë tani, djali im. Po të shoh, po të prek, po të ndjej.
Lotët e nxehtë i rrëshkisnin si burim nëpër faqe.
– Ç’ka ndodhur, mama? – i tha, duke e parë dhimbshëm në sy me ata sytë e tij të lodhur e të fryrë.
– Të kam gjallë, të kam gjallë, biri im!
– Mama…
– Shshsht, hyjmë brenda. Nuk dua të na dëgjojnë komshinjtë.
– Ç’ka ndodhur, mama? – e pyeti i shqetësuar, teksa po mbyllte derën e apartamentit.
E ëma nuk iu përgjigj. Qëndroi në mes të korridorit. E pa sërish në sy dhe e përqafoi.
– Mama, të lutem, nuk po të kuptoj, ç’ka ndodhur?! Ndjehem tepër i lodhur. Dua të pushoj, të fle.
– Zemra ime, – foli ajo me ngadalë. – Më erdhe gjallë, bir! Të kam pranë!
– Mama…!
– Duan të na vrasin, Saimir. Ku na ke futur, biri im?
– Mama, ç’janë këto gjepura, – hungëriu ai, duke u munduar të ruante qetësinë.
– Erdha në shtëpinë time dhe kam nevojë për fjalë të ngrohta nga ty e jo për marrëzira.
– Uroj të jenë marrëzira këto që po them unë, Saimir, por… Aaahh! Ç’farë ka ndodhur me ty, mor djalë? Përse nuk tregohesh i sinqertë? Ku shkon andej jashtë shtetit? Ç’farë pune bën atje? Si i nxjerr të ardhurat? Gjithmonë kam besuar në sinqeritetin tënd, djali im, se e di që të kam të mirë…
– Mama…
– Ç’mama zeza bir. Na kanë kërcënuar me jetë, Saimir…
– Po shkrepe të shkretën, se plasa! Kush të ka kërcënuar?
– Aahh! Shokët e tu, Saimir.
– Kush shokë? Unë s’kam shokë këtu. Shokët e mi të gjithë janë andej.
– Pikërisht, Saimir. Ata shokët e tu andej, ata na kanë kërcënuar. Më telefonuan dje.
– Kush të telefonoi?
– Nuk i njoh…
– Po emrin…?
– Nuk më kujtohet mirë, por Vini, Gimi, Bimi, përafërsisht më duket se një nga këta emra ishte. Të lutem bir. Po të lutem unë, nëna jote e vuajtur, rri këtu në Shqipëri. Mos shko më andej. Jemi mjaft mirë këtu.
– Mama, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Nuk ka për të ndodhur asgjë e keqe. Për këtë të siguroj.
– Për çfarë sigurie po më flet, mor bir. Patjetër që je ngatërruar me ndonjë femër. Sa djem të rinj janë vrarë për punë femrash?
– Mama…
– Ç’mama më thua, Saimir. Na erdhi vajza e huaj në shtëpi para pak ditësh, Dorina… Po Stela, Saimir? Të gjitha këto nuk janë shoqet e tua?
– Mama, mos u shqetëso. Nuk ka për të ndodhur asgjë e keqe. Unë kështu e kam punën, moj mama, shkoj, vij. Ja, dhe tani që erdha nuk më duhet shumë të rri këtu. Do iki përsëri këto ditë.
– Saimir, të lutem shumë. Rri këtu, mos ik, të festojmë edhe pashkët bashkë…
…………………………………………………………………………………….
– Dëgjo, – i tha me fytyrë të egërsuar, – forca është mjeti i fundit që ushtrohet, nëse tjetri nuk të bindet. Nuk dua të përsëris po ato fjalë që fola më parë. Fikja e cigareve të ndezura mbi trupin e një vajze të pabindur është njëra nga metodat që ushtrohet për ta bindur atë. Jam një tip që nuk më pëlqen të flas shumë, do më njohësh. Veç edhe një ngjë dua të ta them. Mos harro, ke lënë në shtëpi, në Shqipëri domethënë, edhe një motër më të vogël. Nuk është i vështirë edhe rrëmbimi i saj.
Dorinës, pas këtyre fjalëve iu mjegullua çdo gjë përreth. Bota e tërë iu shfytyrua.
”Aurora, shpirti im, i motrës tënde”! – mendoi. Nuk u përmbajt dot. Lotët e nxehtë që i rrëshkisnin mbi faqet e njoma shoqëroheshin edhe me një dënesë me zë vajtues që i dilte nga shpirti i vrarë
……………………………………………………………………………………………………..
Burri vazhdonte të ishte fytyrëqeshur. Nuk i kishte ndodhur herë tjetër kur kishte hyrë në atë ndërtesë, që ndonjëra nga vajzat të ishte aq joshëse dhe ai të ndjehej aq i rëndësishëm si tani. ”Pak të habitshme veprimet e saj, por, kjo të kënaq”, – mendoi. Ngjyra e fytyrës iu bë edhe më e kuqe. Po ndiente një kënaqësi të vërtetë teksa duart e partneres që ai vetë e kishte zgjedhur po vepronin me shkathtësi mbi trupin e tij. Ajo ishte ulur në gjunjë, dhe po e ndihmonte klientin e saj të hiqte këmbët nga pantallonat. Burri po rrinte në këmbë; i përkëdheli flokët, pastaj ledhatimin me duar ia kaloi mbi shpinë. E përgjunjur, fytyra e Dorinës ishte shumë pranë pjesës së përparme të mbathjeve të tij të zeza. Një erë të rëndë dilte që andej. Gati duke vjellë nga neveria, arriti më në fund të nxirrte edhe këmbën tjetër të pantallonave të tij, ndërsa klienti i shpifur vazhdonte ledhatimin e flokëve në kokën e saj.
Seç ndjeu një gëzim naiv në veten e saj, teksa mbante në duar pantallonat e tij. Burri vuri duart në brezin e mbathjeve për t’i hequr.
– Prit, – ia bëri me shenjë Dorina dhe i preku lehtë fytyrën. Burri ia kapi dorën e djathtë, e mbajti pak para vetes, duke ia lëmuar me gishtat e tij, pastaj ia puthi.
– Prit, – ia bëri përsëri me shenjë Dorina dhe u largua pak. Burri s’po e kuptonte se ç’donte të bënte, megjithatë, duke menduar se e gjithë kjo ishte ndonjë truk argëtues, po qeshte si fëmi.Me një lëvizje të shpejtë, Dorina veshi pantallonat e tij, duke përsëritur me dinakëri shenjën ‘prit’. Burri, natyrisht që s’kuptonte asgjë. Kërshëria po i shtohej çdo çast e më shumë dhe me siguri priste që të përjetonte ndonjë aventurë të paparë.
Donte t’i thoshte: ”Ç’po bën”?, por nuk mundte. Nuk dinte si të komunikonte. Bëri të ecë disa hapa para saj. Ajo, me të njëjtën shpejtësi mori edhe xhaketën e tij që ishte përdhe dhe e veshi. Donte ta kopsiste, por nuk mundi, sepse klienti më në fund vendosi që edhe ai të merrte pjesë në “lojën” e saj, gjë që e frikësoi Dorinën se mos humbiste mundësinë për të vepruar sipas planit të saj. E trembur, u vërsul tek dritarja gjysëm e hapur dhe, me një kërcim të befasishëm, duke shtyrë kanatën me zhurmë, ndërkohë që klienti i tmerruar tentoi ta kapte nga këmba, e flaku veten në hapësirën e zezë…Nuk bërtiti. E përqëndruar në veprimin e saj ekstrem drejt lirisë ose drejt vdekjes, të barazvlershme në vendimin për të shpëtuar nga turpi, Dorina nuk donte të tërhiqte vëmendjen e askujt nga fqinjët e zhytur në gjumin e thellë, apo të ndonjë kalimtari të vonuar. Nuk donte në ato çaste njerëz të ndryshëm të mbledhur rreth trupit të saj, ndoshta për t’i dhënë ndihmën e parë dhe ndoshta edhe për ta parë. Rrobat e burrit do t’i shërbenin për t’u larguar më lehtë, pa u vënë re, nëse mbetej gjallë pas hedhjes nga dritarja, ndërsa, në rast se vdiste, askush nuk do ta shihte të zhveshur dhe nuk do qeshte me të. Ashtu e kishte menduar. Askush nuk do ta dijë kurrë në mendoi ndonjë gjë, në mendoi për dikë gjatë fluturimit, apo thjesht në mallkoi mashkullin e shpifur që i prishi ekuilibrin në çastin e fundit dhe, në vend që të hidhej me këmbë, pësoi një rrotullim fatal që e detyroi të binte me kokë.
Pa klithmë, pa pendim, pa frikë, pa dhimbje…. me dhëmbë të shtrënguar në zemërimin e pafundmë përballë fatit të saj të mbrapshtë, koka e bukur, mrekullisht e bukur e Dorinës u përplas në asfalt…dhe mbeti atje, pa lëvizur më, me një curril të hollë gjaku të kuq që rrodhi ngadalë e u përzie me një pikë loti që shkau vetvetiu nga syri i djathtë…Krahët i mbetën hapur, si në një përqafim lamtumire me tokën. Dhe ashtu e gjeti policia, e cila erdhi vetëm pak çaste më vonë, e tërhequr nga ulërimat e tmerrshme të mashkullit të shpifur, klithma që tronditën natën e huaj duke u shpërndarë pa pushim që nga dritarja e katit të tretë. Kur erdhi policia, klienti i fundit i Dorinës qëndronte ende në dritare pothuajse lakuriq dhe tërësisht i hutuar.
Vetëm pak çaste më vonë u dëgjua sirena rrënqethëse e një ambulance, e cila shqeu me ulërimat e saj atë agim të përgjakur…
…………………………………………………………………………………………
Epilog
Ditën tjetër, faqet e shtypit njoftonin mbi vdekjen e prostitutës Dorina K. Njoftimi jepej me versione të ndryshme në gazeta të ndryshme.
Ja ç’shkruante një gazetë: ”Në rrugën ”B”, në orën 3:45, një prostitutë shqiptare u gjend e vdekur jashtë ndërtesës ku ushtronte aktivitetin e saj të prostitucionit prej dy vjetësh…
Një gazetë tjetër shkruante: Prostituta shqiptare Dorina K. u gjet e masakruar në rrugën ”B”, në orën 4:30. Kriminelët, pasi e kishin goditur me mjete të forta e kishin lënë trupin e saj të pajetë poshtë ndërtesës ku prostituonte…
Gazeta e tretë shkruante: Klienti i prostitutës Dorina K., pasi kishte shuar ndjenjat mbi trupin e saj, e kishte goditur dhe pastaj e kishte hedhur nga dritarja… Ajo gazetë e bënte më bindës këtë fakt, sepse jepte edhe fotografinë e burrit-klient 65 vjeçar të arrestuar.
Por, lajmet e nxituara, lajmet shabllon të ditës së parë u përmbysën tërësisht në ditën e dytë, kur gazeta më e madhe e kryeqytetit publikoi lajmin rrënqethës për gjetjen e një letre denoncimi në trupin e viktimës, pikërisht në anën e majtë të mbajtëses së gjoksit. Letra nuk ishte bërë e njohur nga policia një ditë më parë, thjesht për të mos dekonspiruar aksionin e saj për arrestimin e një bande shfrytëzuesish të prostitucionit.
Në gazetë teksti i letrës botohej i plotë. Ja se çfarë shkruhej në të:
Të nderuar zotërinj të Policisë dhe Ju të Drejtësisë… të këtij vendi të huaj dhe të vendit tim, Shqipërisë.
Të dashur prindërit e mij të shtrenjtë!
E dashur motra ime e mirë dhe e pafajshme!
Të dashur të gjithë Ju, shokët e mij të klasës, komshijtë e mi të mirë.
E dashur vendlindja ime, qyteti im ku u linda dhe u rrita.
E dashur Shqipëria ime e shtrenjtë dhe e bukur, Shqipëria ime e mirë…!
Ju dua shumë të gjithëve, atje ku ndodheni tani. Unë u largova nga Ju si e marrë,
për një dashuri të rremë, që s’e kisha menduar kurrë të ishte e tillë
…………………………………………………………………
Unë jam rritur në një familje të thjeshtë, jo të pasur por të ndershme. Më vjen keq që nuk i dëgjova deri në fund prindërit e mi. Dhe mësuesit e mi. Nuk mundem të duroj dot më. Nuk mund të mbaj mbi supe këtë turp të madh. Në rastin e parë, me çfarëdo mënyre të mundshme do mundohem të shpëtoj nga kthetrat e tyre. Më kanë kërcënuar se po tentova të iki do më vrasin, do më vrasin mua dhe njerëzit e familjes time, por unë nuk kam frikë, as për vete as për njerëzit e mi, sepse unë dhe ata, kështu, të mbuluar me turp, të vdekur se të vdekur jemi. Me këtë që po bëj, unë dua të laj një pjesë të fajit tim dhe dua që e tërë bota ta dijë se jo të gjitha vajzat shqiptare që shiten rrugëve të Evropës e bëjnë këtë me dëshirën e tyre. Turpi më i madh është i Pushtetit, i ligjit dhe i individëve pa skrupuj, si në Shqipëri ashtu edhe në shtete të ndryshëm të Evropës hipokrite.
Duke treguar emrat dhe adresën e saktë të kriminelëve të mi, i jap mundësinë drejtësisë së këtij shteti evropian, që, duke i arrestuar e dënuar për poshtërsitë e tyre, të lajë një pjesë të turpit të vet.
(Vazhdojnë emrat e plotë dhe adresa e saktë e tyre.)
……………………………………………………………………………………………
Këtë letër do ta mbaj gjithmonë të ngjitur në trup, që ta gjeni në rast se vdes…Nëse mbetem gjallë në përpjekjen time për të fituar lirinë, jua jap vet…dhe, ato që shkruaj do t’jua them edhe me fjalë. Nëse vdes, ju lutem që kufomën time ta çoni në Atdheun tim. Dua të varrosem atje. Dua që të gjithë ta shohin varrin tim dhe të shërbejë kjo si mësim për vajzat e reja si unë, që me naivitet u besojnë grabitqarëve të poshtër si i fejuari im.
Me keqardhje dua të shtoj edhe diçka. Në atë grup të turpshëm janë edhe ato, vajzat e ulëta dhe imorale Renata, Stela, Suzana… që i shërbejnë atij grupi me dëshirën e tyre.
Vajza shqiptare nëpër shekuj është njohur për trimërinë, zgjuarësinë… dinjitetin e saj, por kurrë për shitjen e trupit bulevardeve të Evropës. Ju lutem, mos u nisni nga ca fytyra bastardesh për të gjykuar të gjitha femrat shqiptare…
***
Në të njëjtën gazetë ku ishte botuar lajmi për gjetjen e letrës së Dorinës, në faqen përbri ishte botuar edhe lajmi për arrestimin e suksesshëm të të gjithë bandës së Vinit të tmerrshëm. Askush nuk kishte shpëtuar, falë të dhënave të sakta që u gjetën në letrën e viktimës.
Do ta bëjë deri në fund punën e saj drejtësia?
Dorina është ulur në cepin e një ylli dhe pret me padurim.
Pret DREJTËSI!…
Komentet