“Kjo pasditja e së dielës, ndryshe nga të tjerat, më ka kaluar jashtzakonisht ngadalë. Nuk di në se ishin zmadhuar orët apo ishte pasiviteti im. Vërtetë kam nevojë për kohë. Kohë për t’u kthjelluar, ndoshta për ta mbyllur plagën, në se ikja e Nikut është e tillë dhe për t’u përtërirë shpirtërisht. Nuk dua të mbetem e ndryrë brenda trupit tim. Po të lirohem prej tij, mundem t’u rri më pranë atyre që dua, edhe sikur të jenë të shpërndarë në të katër anët e botës. E kam të vështirë të shpjegoj afektet nga të cilat ndahem, thellësinë e ndjenjave që më lidhin me Besnikun. Nuk e di pse më paralizon një frikë se Niku nuk më dashuron dhe nuk do të kthehet më. Ndryshe nuk kishte pse ta drynte brenda vetes arsyen e ikjes së befasishme… “Që sot e tutje do të përkujdesem për ty dhe për fëmijët tanë sa të jetë jeta”…Sa të jetë jeta…Ç’donin të thonin këto fjalë, Besnik?…Me sa duket jeta është një labirint pasqyrash shformuese dhe shëmbëlltyrash të shtrembëruara… I ati i Nikut ishte rritur në një familje, ku babai i tij e konsideronte varfërinë si bekim dhe kurnacërinë si virtyt…Një muaj më parë, kësi ore, unë isha një vajzë tjetër. Kam disa fotografi të asaj dite në Butrint. Ishte festa e 1 Majit, e veshur me një fustan pranveror, me varëse në qafë dhe me thonjë pak të gjatë; jam duke buzëqeshur plot besim, dukem 10 vjet më e re se sot; Niku më ka kaluar krahun për mesi… “Pse po qan?’- më pyeti me një zë që s’ishte i tij. “ Sepse kam frikë. Të dua shumë, Niku.” “Edhe unë të dua shumë…”- tha ai, por tani më kujtohet sikur e përtypi pak atë shprehje. Kështu e gjykoj tani…S’e dija që do të ishin fjalët e fundit ato. Gjatë kohës kur isha me studime në Gjermani kam kërkuar shpesh emocionin që më ngjallte pylli, i cili është ku e ku më i plotë se orgazmi më i përsosur apo nga duartrokitja më e gjatë… këtë e gjeta te pylli i jashtzakonshëm i Butrintit, ku ecja mes heshtjes solemne krah për krah me Besnikun. Por që atë ditë… Nuk e dija se ajo ngjarje do të ishte një nga zhgënjimet më të mëdha të rinisë sime. Duket sikur Niku atë ditë zbriti nga Olimpi barbar, ku kishte ndenjur gati dy vjet mbi të vetmin fron të dashurisë dhe ardhi e t’u bë një njeri i zakonshëm. Kujtoj tani sikur rebelimi im zuri fill që atë çast… Po, nejse, nesër është ditë pune… nesër, pasnesër, paspasnesër… Unë e dua punën dhe ajo më rrëmben sikur asgjë tjetër nuk ekziston jashtë saj…Të shërosh njerëzit e sëmurë është më shumë se të të falin dashuri… Eja gjumë, ejani ju ëndërra, eja ditë e re me një diell të ri…”
Kështu kishte shkruar doktoresha në ditarin e saj pasditen e asaj të diele që u nda papritur me të dashurin e saj… Tek e mbylli ditarin dhe po mendohej, i erdhën papritur në mendje vargjet e një poeti dhe po tundohej t’i kujtonte emrin. Iu qartësuan vargjet, por kurrësesi nuk po i kujtohej emri i poetit…
Forca e vërtetë qëndron brenda teje, e zbuluar në vetmi. Karakteri është dëshmitari i heshtur i integritetit tuaj. Kur je vetëm, lerini parimet tuaja që t’ju udhëheqin. Ji i patundur, ji i vërtetë—ky është thelbi i një njeriu. Veprat e tua të pashoqe të përcaktojnë ty.
Doktoresha largësinë dhe kohën i konsideronte si rregulla të brishta… Ashtu si shkoi edhe do të vijë thoshte ajo për t’i dhënë kurajo vetes, që të mos e shqetësonte veten nga ikja dhe pritja e të dashurit të saj. Shpesh mbrëmjeve të nxehta ajo rrinte në oborr në një divan të vjetër, që e kishin nxjerrë nga kuzhina. Shtrihej atje me gishtat e dy duarve lidhur gërshet pas qafës. Perëndimet e kryeqytetit i ngjanin si zjarre yjesh dhe ndër netët pa hënë ajo mund të shihte gjithë yjet, edhe ata që kishin vdekur miliona vjet më parë dhe ato që kishin për të lindur nesër. Ndonjë herë përqëndronte vështrimin lart në qiell për të parë qiej të hatashëm dhe ndiente një marramëndjeje vdekjeje, binte e binte poshtë drejt fundit të një honi pambarim nga imazhet e krijuara në përshkrimet e udhëtarëve të hershëm në tregimet e tyre fantastike…
Por në të vërtetë java pasardhëse nuk ngjante shumë me ato të kaluarat… Ajo shpesh humbiste mendjen… hutohej dhe pacientët e saj ndiheshin më pak të përkujdesur prej saj. Po aq edhe kolegëve të punës u dukej pak e distancuar prej tyre, si jo më parë. Por, duke qënë tip simpatik dhe fort e komunikueshme, shpesh kolegë dhe kolege i fusnin krahun për të biseduar me të korridoreve të spitalit. Edhe jashtë kur kishin kohë. Por sa më shumë afrohej fundi i javës aq më të zymta i shfaqeshin e shtuna dhe diela, që mund të ishin pushim… Sa here, kur i ngelej ndonjë orë e lirë në spital apo mbrëmjeve në shtëpi, bënte përpjekje me të gjitha mënyrat të komunikonte me Besnikun, por ai asnjë herë s’i ishte përgjgjur. Kjo e zymtonte dhe e trishtonte. Të dielën u zgjua herët dhe iu përvesh punëve, sa nuk e lejonte mamanë dhe motrën e vogël të preknin gjë me dorë. Vëllai i martuar ngulli këmbë të shkonin në Pogradec, ku do të freskoheshin dhe do të çlodheshin.
– Sot shkoni ju çifti i lumtur(ashtu u thoshte ajo gjithmonë), mos e prishni rehatinë tuaj.
– Ç’thua, motra ime! …Do të na prishësh ti rehatinë, – i tha e kunata dhe u përpoq ta bindëte.
– Lere, se mbase do të flaës më gjatë me Besnikun sot, – e mbylli diskutimin i vëllai.
– Po pse nuk flet dot nga Pogradeci? – u habit kunata, por asnjë nuk i ktheu përgjigje. E ëma nuk iu nda atë paradite të dielës me fjalë të ëmbëla dhe duke ndihmuar t’i mbaronin sa më shpejt punët. Pak pas orës dhjetë ajo bëri një dush, u vesh bukur, siç dinte ajo dhe bëri me dije nënën dhe të motrën se iu shkrep të dilte për një kafe. Nëna dhe e motra pranuan me kënaqësi, por Linda u bëri me dije se donte të ishte vetëm. Gjatë punëve asaj i ra në mëndje mësuesja e anglishtes. Iu duk grua inteligjente me një karakter imponues. Ndërsa lokali i papëlqyer, ku piu kafen me Nikun, i kishte lënë një ndjesi misterioze. U vesh dhe u nis vetëm pa makinë drejt lokalit, rreth 20 minuta larg. Asaj nuk i ishte shqitur nga mendja se mësuesja e anglishtes e kishte turbulluar me disa pyetje që i bëri dhe mënyra si i drejtohej. Ajo dukej se kishte një aftësi zhbiruese në karakteret e njerëzve dhe të situatave të errëta. Sa hyri në lokal doktoresha, iu duk sikur kamarierja dhe pronari që ndodhej afër banakut, u hutuan. Por ajo e përqëndroi vështrimin te kthina ku ishte të dielën e kaluar profesorja e anglishtes. Suzana ishte te kthina e saj dhe ngriti kokën. Kur pa doktoreshën u duk pak e dyshuar, por ajo zgjati dorën dhe i tregoi karigen bosh pranë saj, e cila gjithmonë rrinte bosh, sa herë profesoresha shkonte për kafe në atë lokal… Edhe një kafe, – i bëri me shenjë profesorja pronarit , jo kamarieres. – Doktoresha e falenderoi. Pas një bisede femrash intelektuale, kur s’kishin ç’tema të trajtonin më, profesorja hyri në temën që e prisnin të dya: – Hë, si vajti me të fejuarin, – filloi e para profesoresha.
– As kemi komunikuar fare, – ia ktheu doktoresha. – Si, nuk ju ka telefonuar fare?
– Jo, i kam telefonuar pothuajse dy herë në ditë, po ashtu edhe natën, por nuk më është përgjigjur. Nuk i dihet, mbase s’është stabilizuar Akoma.
– Jo, nuk ka mundësi. Amerika është Amerikë. Çdo gjë për ata bëhet e thjeshtë. Disa gjëra porositen që këndej: hoteli, përshembull, biletat… bile edhe vendet që do të vizitosh.
– Nuk kam përgjigje. Por mbase ka vajtur thjesht për ndonjë punë apo qëllim të caktuar. Ai thotë gjithmonë se Amerika të bën të pasur me profesionin që ka.
Profesoria priti pak, pastaj tha: – Kjo është e vërtetë. Programuesit e mirë bëjnë para kudo që janë.
Doktoresha miratoi me kokë. – Je e sigurtë që ka fluturuar për në Amerikë? – pyeti befas profesorja pas një pauze.
– Jam e sigurtë. Ma ka thënë dy herë.
– Si është e mundur. Ai duhej t’ju kishte sqaruar për gjithçka. Pse shkon, sa do të rrijë dhe kur do të kthehet… Doktoresha u duk se pësoi një tronditje…
– Mos ka shkuar në ndonjë vend tjetër? … Mos nuk ka ikur fare, mos në donjë qytet tjetër, -këmbënguli Suzana.
– Nuk ju kuptoj fare se çfarë do të thuash, profesore… – iu përgjigj doktoresha.
– Mos harro se është edhe koha e mashtrimeve, e punëve të pista, e kurtheve… Doktoreshë Linda ktheu kokën vrullshëm prej saj dhe shikoi e habitur.
– Si t’i kuptoj këto që thoni?
– Jo, thashë ashtu kot, duke menduar se mund të ndodhë për arsye të ndryshme. Nisen për të ikur, por nuk ikin dot.
– Nuk jam shumë e informuar, shikoj punën time dhe jetën time…As nuk kam ndonjë nga familja apo në fis të jetë marrë apo të merret punë të pista.
– Nuk them për Nikun tuaj. Them se di raste të tilla në vendin tonë.
– Nuk është Niku për punë të tilla…
– Nuk i dihet, doktoreshë. Unë kurrë se vë dorën në zjarr për atë timin, pa lere për vëllain që është në apogjen e dëshirës për Aventura. Ka drogë, mashtrime vajzash, ka grupe kriminale… Doktoresha lëvizi fort në karrige…. Zotëroi një heshtje dhe më pas ajo i foli kamarieres për të paguar.
– Ka rregulla dhe mirëkuptime edhe në lokale. Sot më takon mua, më gjete këtu – tha mësuesja e anglishtes dhe u dha shenjë pronarit dhe kamarieres.
Doktorresha bëri të dilte, por përsëri profesorja e ndali: – Prit, – i tha ajo. – Do të ikim bashkë me makinën time. – Gjatë rrugës profesorja i tha se do të ishte e nevojshme ta shtynin pak lëvizjen dhe i propozoi të shkonin nga liqeni. Doktoresha u ndie mirë që lëvizën nga liqeni dhe pasuruan pak mushkëritë me ajër të pastër…
Sa u sistemuan në një kodër te liqeni biseda shkoi prapë te Niku. – A ke folur me familjen e Nikut? – e rifilloi bisedën profesorja e anglishte.
– Po kam folur, por dhe ata nuk kanë komunikuar me të. – Nuk ishin të shqetësuar ata.
– Ishin disi, por nuk jepnin ndonjë mendim. Si unë edhe ata, të befasuar dhe të shqetësuar.
– Këtu ka një sekret, doktoreshë. Nuk ka mundësi të mos dijë asgjë familja… të pktën do të ishte shumë e shqetësuar, jo pak. Doktoresha sikur e humbi fillin ose iu këput. Ajo ra në mendime të thella. Dukej se profesorja e hipnotizonte. Pasi pinë nga një rum edhe doktoresha u çel pak.
– Shiko, doktoreshë. Kam dëgjuar diçka, por mund të jetë një thashethem, filloi profesorja. Doktoresha u kthye prej saj dhe mori një qëndrim të frikshëm, sikur po priste një mandat…
– Qetësohu më parë, e këshilloi ajo dhe filloi shtruar: Nuk e mbaj mend se dy apo tri ditë më parë, kam dëgjuar se në Europën Përëndimore funksionon një grup i fortë kriminal drogaxhinjsh… Thuhet se ata veprojnë me një organizim të përsosur sa u kanë futur frikën edhe disa shteteve si Spanja, Hollanda, Belgjika… Por dëgjova, nuk kam asnjë paragjykim, se kanë bashkëpunëtorë të fortë edhe këtu në Tiranë. Midis tyre është edhe një programues i ri, bile shumë i zoti, që u ka bërë një program për shpërndarjen e lëndës së përpunuar.
– Mjaft, të lutem, mjaft! E kuptova fare mirë. Por nuk kuptoj si i dini ju këto punë drogaxhinjsh. Atyre s’ua gjen dot fillin shteti, si jeni informuar ju?
– Fillove të dyshosh për mua tani, doktoreshë? Unë përpiqem t’ju ndihmoj, – ia ktheu Suzana. Linda u çua në këmbë dhe shumë e shqetësuar, filloi të bënte ecejake kodrës së liqenit.
– Faleminderit shumë për bisedën dhe informacionet tuaja, në se janë të vërteta. Tani nuk më mbetet gjë tjetër veçse të kthehemi në shtëpi…
– Mirë do të bësh, por për dashurinë tënde nuk do të interesohesh,- ia ktheu Suzana.
– Por mund të vijë puna të më shtrëngojnë dhe mund të detyrohem të përmend emrin tuaj, – tha seriozisht doktoresha, jo pa një far provokimi. Zana vuri buzën në gas, gjë që e nervozoi disi Lindën.
– Mund të gjesh atje bashkëshortin tim. Punon atje dhe merret me këtë linjë, për të cilën flasim. Doktoresha u hutua. Profesorja e la karrigen dhe iu afrua. Pastaj i futi lehtë krahun. Atë bëri dhe doktoresha.
– Doktoreshë, je ndër femrat e para që më pëlqeve “me një të parë”, kur i thonë. Programuesi është i fejuari yt. Mbrëmë ia zgjidha gojën burrit dhe ai më tha se programuesi quhet Besnik. Thonë se është nga familje e mire, por edhe vet është shumë i aftë dhe i sjellur. Eshtë dhe programues i mirë, por dikush mund ta ketë futur në kurth. Mos e braktis të dashurin tënd. Ai në asnjë mënyrë nuk mund të të tregonte ty. Do të ndikoj dhe te burri im që Niku mos të bjerë viktimë e kriminelëve. Ai mbase nuk e di fare për kë ka punuar. Tani me kriminelët janë bashkpunëtorë edhe zyrtarë të lartë ose të afërm të tyre… Para shtëpisë së doktoreshës u ndanë me përqafime të forta…