Kishin kaluar dy muaj. Ndonëse e turbulluar, midis punës së saj pasionante dhe mosmarrjes asnjë përgjigje nga i dashuri i saj, asgjë nuk i jepte të kuptonte se egzistonte një jetë paralele e kredhur në hije, një dimension i egër i realitetit. Ndonëse ishte në moshën 27 – vjeçare, ajo nuk e kishte ngulitur mendimin se ligësia e njerëzve nuk kishte fund. Për të qe gjë e papritur të zbulonte se bota është e egër dhe se qeveriset nga ligji i më të fortit. Bile, pak pasi ishte lidhur me Nikun, i kishte shkuar në mendje të mbante një ditar deri sa të martohej dhe disa faqe të veçanta për muajin e mjaltit, pastaj ta mbyllte në një zarf dhe ta hapnin vetëm fëmijët pas vdekjes së saj… Ndonëse nuk harronte të shkruante ditar çdo ditë, mbresat ditore nuk e kishin më atë dëlirësinë e saj pa njolla. Ama lexonte çdo ditë me ëndje nga faqja e parë qëkur ishte njohur. Shpesh ndalej te një paragraf ku i kishte bërë profesores së anglishtes një përmbledhje të temperamentit të Nikut: Ai, i dashuri im, është nga ata njerëz, që pasioni përherë u shfaqet i fuqishëm, i stuhishëm, por lëvrin brenda qënies së tyre dhe nuk shfaqet me simptoma të jashtme. Herë – herë pasioni i tij paraqitet në formë meditimi sentimental e ëndërrimtar, jo me ofshama të përmalluara apo psherëtima të pikëlluara për pengesat e pakapërcyeshme… Vetëm një herë e kam parë pa emocione dhe pa nerv, atë ditë që thoshte se do të ikte në Amerikë. “Po, m’u duk shumë i ftohtë dhe i shpërqëndruar”, ia kishte përshkruar profesoresha…
Atë mbrëmje ishte vonuar në spital, për shkak të një operacioni dhe i vëllai shkoi ta merrte me makinë. Duke dalë nga spitali filloi një shi i butë fundmaji. Ata nuk kishin çadër, por doktoreshës ai s
hi i imtë i ngjante me një mantel kristali të mugët dhe një mjegull jo e zymtë shpërfaqej përmes degëve të pemëve të zeza, ndërsa era i kafshonte gjinjtë, i depërtonte nëpër kocka dhe e lëmonte brenda me shamitë e saj të holla e të freskëta. Kur e futën makinën në garazh, pa dalë nga kabina, Skënderi e befasoi me një ofertë të papritur. Ishte një vizitë pesëditore në Paris.
Ajo shtangu. – Ç’ishte kjo e papritur, vëlla? – tha doktoresha.
– Thonë se gozhda del me gozhdë, – ia ktheu ai.
– E kam dëgjuar, por ç’hynë këtu, si ta kuptoj?
– Kjo do të thotë se atje do të takohemi me Besnikun, – ishte përgjigjja e vëllait.
– Vërtet? – brofi ajo dhe iu hodh në qafë.
– Vëllai nuk bën shakara të papëlqyeshme, – iu përgjigj ai.
Ajo e përqafoi fort dhe nuk e kontrollonte dot entusiazmin. Pastaj i kërkoi të zbrisnin dhe të futeshin sa më shpejt në shtëpi.
Por vëllai i kërkoi të duronte dhe pak.
– Unë them ta ezaurojmë pak këtu bisedën dhe në shtëpi të flasim për gjërat e zakonshme, se për vizitën në Paris ata e dinë, ua shpjegova unë, – sqaroi i vëllai.
– Do të shkojmë familjarisht? – s’iu durua doktoreshës.
– Jo, do të shkojmë me makinën tonë, unë ti dhe Reti, – shpjegoi Skënderi.
– Çdo gjë është gati. Janë rregulluar dokumentet, është zënë dhe hoteli…. Cheval Blanc Paris ose Hoteli i Bardhë Paris.
– Po si, pse?! – nuk iu durua Lindës.
– Do të flasim atje gjerë e gjatë, – iu përgjigj vëllai. Edhe ajo nuk e zgjati më. Në shtëpi doktoresha, ndonëse ishte shumë e gëzuar, nuk vërejti as gëzim, as entusiazëm dhe as se e dinin apo nuk e dinin për vizitën në Paris. Por kunata thjeu heshtjen dhe filloi ta pyeste si e kishte kaluar ditën dhe në se kishte pacientë të rënduar gjatë ditës…Kështu darka vazhdoi normalisht si çdo natë dhe në një atmosferë të dyzuar. Kjo bëri që doktoresha ta tërhiqte vëllain në dhomën e saj, ku flinte me motrën e vogël. – Vëllai im, folëm për vizitë në Paris, unë ti dhe kunata, por dukej sikur familja nuk dinte gjë dhe unë nuk mund të hapja bisedën për vizitën e papritur, kur ti nuk e zure në gojë fare. – Shiko, motër, biseda jonë është në Paris dhe jo këtu. Ajo heshti, ndonëse e paqartë.
Rruga automobilistike Tiranë – Paris ishte pak më shumë se 1600 kilometra. Kështu që nuk u nisën herët, duke llogaritur të arrinin të nesërmen para mesditës. Kureshtja e Lindës dhe kunatës, ndonëse ajo kishte qënë dhe një herë tjetër, bëri që të mos e ndjenin shumë lodhjen. Skënderi i pyeste herë pas here në se dëshironin të ndalonin diku, të pinin kafe apo të hanin diçka. Kunata kërkonte më shumë ndalesa se ndihej e lodhur, ndërsa doktoresha të arrinin sa më shpejt… Të nesërmen rreth orës dymbëdhjetë arritën në Paris. Niku u kishte dhënë rezolucionin për të mbritur te Hoteli i Bardhë Paris. Vetë i priste para hotelit për t’i takuar dhe për t’i treguar hyrjen e parkimit të nëndheshëm poshtë hotelit madhështor. Sa vuri këmbët në tokë, doktoresha u sul drejt Nikut.
U përqafuan me aq mallë, sikur të kishin vite pa u takuar. Pasi u përshëndetën të gjithë, Niku, paksa i menduar, krehu me gishtat e dorës flokët e dendur dhe u nis me Skënderin, për të parkuar makinën.
– Ti ke qënë edhe një herë, motër, – i tha Linda Teutës, – unë vij për herë të parë. Me sa pamë deri tani nga makina, jam mbytur me mbresa.
– Kot nuk i thonë kryeqyteti i Botës, e dashur, – ia ktheu kunata e lumtur që Lindës i pëlqeu Parisi. Pas parkimit, Niku u propozoi të pinin një kafe, të hanin drekën dhe pastaj të bisedonin, se edhe miku i tij do të vinte rreth orës katër. Ashtu bënë. Doktoresha provonte një lumturi të dyfishtë, takimin me Nikun dhe bukurinë e Parisit. A i shkoi mendja të jetonte në Paris?… Pasi hëngrën drekën, Niku i çoi në hotel, kati i katërt. Së pari çoi në dhomën e tyre Skënderin dhe Teutën. Pastaj tregoi dy dhoma, njëra prej të cilave ishte dyshe tjetra me një krevat. Sa u hodhën një sy dhomave dhe dolën jashtë, për t’u takuar me njeriun e rëndësishëm, me të cilin do të bisedonin. Vendtakimi ishte një vilë, ku pushonte ambasadori. Brenda u futën ambasadori i Shqipërisë, Niku, doktoresha dhe Skënderi. Teutën e lanë jashtë me zonjën e ambasadorit, të cilat shetitën lulishtet dhe pemët dekorative rreth shtëpisë. Ambasadori e siguroi doktoreshën dhe vëllain e saj se Niku nuk kishte asnjë lidhje me bandën kriminale të drogës në Belgjikë, apo Hollandë apo Spanjë. Programi i Nikut ishte pranuar si një program që ishte bërë në SHBA dhe askush nuk kishte ndërmend që Niku të vepronte si infiltrues në radhët e bandave kriminale, që merreshin me droga…Për këtë ambasadori vinte duart në zjarr… Me këto konkluzione u ndanë rreth orës 22 me orën e Parisit. Pasi hëngrën një darkë të lehtë dhe një shëtitje të shkurtër për të tretur ushqimin, shkuan në hotel. Kishin kohë edhe dy ditë akoma për ta parë më mirë Parisin. Pasi hyri çifti në dhomën e tyre, Niku dhe Doktoresha u ndalën para dy dhomave në dispozicion të tyre. Të dy rrinin të hutuar dhe të emocionuar. Më në fund Niku mori kurajon dhe i tha doktoreshës: do të flemë në dhomën dyshe apo në dhoma të ndryshme. Doktoreshës ia zbukuroi fytyrën një purpur i ëmbël dhe pas 2-3 minutash iu përgjigj: këtu të dy dhe tregoi dhomën dyshe…. Të nesërmen u takuan prapë me ambasadorin. Pas pinë kafet, ai iu drejtua Lindës: – Tani doktoreshë do të bësh jetë pariziane. Ajo mbeti e hutuar dhe vështroi nga Niku. Edhe ai vuri buzën në gas dhe bëri një ulje të kokës gjysëm majtash, që do të thoshte: kjo është ajo që dëshirojmë. Linda as e kishte menduar një pyetje të tillë. Ambasadori i përshëndeti me kokë, duke pohuar se ajo kishte marrë fund: çifti do të jetonte në Paris. Para se të shpërndaheshin në dhomat si natën e kaluar, e lane që të nesërmen do të niseshin për në Shqipëri rreth orës 10:00. Të nesërmen, pak para orës dhjetë, edhe doktoresha ishte përgatitur për të udhëtuar drejt Tiranës. Në ato çaste mbritën edhe ambasdori me bashkëshorten për të përcjellë Skënderin me Teutën, ndërsa ambasadori, Niku dhe doktoreshën do të hanin një drekë bashkarisht.
Por ambasadori vuri re se Niku ishte krejt i hutuar. Ai e thirri Nikun për ta pyetur pse dukej aq i mërzitur. – Zoti amabsador, – filloi Niku. –
Doktoresha më tha se nuk qëndron këtu, ajo do të kthehet në Shqipëri.
– Si do të kthehet atje? Po ju keni dy vjet të fejuar, fjetët dy netë në një htrat, ç’kuptim ka kjo?!
– Nuk bindet… është e pamundur, – iu përgjigj Niku.
Atëherë ambasadori hyri mes tyre dhe filloi ligjëratën e tij: Dje u mblodhëm bashkë, hëngrëm, pimë dhe folëm gjatë. Ramë dakord se Niku dhe doktoresha do të jetojnë në Paris. Të gjithë vështruan nga doktoresha. Ajo uli kokë e përskuqur dhe, pasi u mendua pak, i vështroi të gjithë me radhë: – Unë nuk erdha në Paris për t’u martuar dhe qëndruar këtu. Erdha për t’u takuar dhe sqaruar me Nikun disa probleme dhe vendimi për të ardhmen do të merret më vonë. Unë jam mjeke dhe i jam përkushtuar atij profesioni, por vetëm në vendin tim, në Shqipëri. Ky është vendimi im i kahershëm… – Zonja doktoreshë, ju nuk do të jeni pa punë. Franca, Parisi kanë shumë nevojë për mjekë… Këtu vijnë mjekë edhe nga Afrika. Të gjithë vështruan mjeken dhe prisnin reagimin e saj, e cila dukej e ftohtë si akulli. Pastaj tundi paksa kokën në shenjë mohimi. – Por mos harro se ju realisht jeni martuar tani doktoreshë e nderuar, – tha në formë urdhëri dhe përçmimi ambasadori. – Zoti ambassador, martesat sot nuk janë thjesht një fjetje bashkë… Po, ne fjetëm bashkë dy netë, por kjo nuk do të thotë se jemi martuar… Të gjithë dukeshin të hutuar dhe të dyzuar. I vëllai nisi diçka të thoshte, por ndërhyri menjëherë doktoresha: – Mos thuaj asgjë vëlla. Për këtë çështje vendimet i marrim vetëm unë dhe Besniku. Unë e kam dashur dhe e dua, po aq edhe e respektoj. Por, për qëdrimin tim në Paris, përgjigjja është kjo: Në se më do dhe më respekton po aq edhe Niku, jeta jonë do të jetë në Shqipëri. Në se nuk vjen dot me ne sot, le të mendohet, unë e pres sa të marrë vendimin e tij… Nuk u ha asnjë fjalë më. Pas fjalës së doktoreshës, ajo me kunatën iu drejtuan makinës. Ambasadori dukej i nervozuar, kurse Niku i ligështuar. Doktoresha hapi portën e makinës dhe ktheu kokën nga Niku. Pa rigat e lotëve të tij në faqe dhe u kthye tek Niku. E përqafoi fort dhe me riga lotësh në faqe, i tha: – Pres përgjigje, Niku im i dashur, – dhe hypi në makinë, për të udhëtuar drejt Tiranës. Ambasadori i nervozuar dhe Niku, sa i trishtuar aq edhe i zymtë, shtangën nga ajo e papritur. As i vëlla dhe as kunata nuk guxuan t’i flisnin doktoreshës për atë temë gjatë rrugës Paris – Tiranë…