Pas asaj dite, kur profesorja e anglishtes, i tregoi ato që i kishte thënë bashkshorti i saj për të dashurin e vet, doktoreha kishte ndryshuar shumë. Kudo që të ishte, në punë, në shtëpi apo në kafe ajo dukej e turbullt, jo fort e vëmendshme, bile edhe ndaj pacientëve. Kur kujtohej se ishte mjeke, asaj i kalonte një drithërimë në trup dhe buzëqeshte, por ajo buzëqeshje dukej si e montuar dhe jo me atë hijeshi dhe ëmbëlsi të komunikimeve normale. Pas dy-tri javësh ajo nuk e duronte dot më as profesoren e anglishtes, pasi ajo, sa fillonin kafen në lokal apo bisedën në rrugë, e sillte fjalën tek Niku. Kështu që ajo vendosi ta takonte më rrallë, sepse kishte filluar edhe të mos bindej në ato që i tregonte, me ngjasme ia thoshte burri i vet me detyrë të lartë në policinë e Shtetit.
I kujtohej shpesh si kishte ndryshuar ngjyra e syve të profesores, nga e kaltër në të errët, kur i kishte thënë: “Lidhja me Nikun dhe besimi tek e ardhmja e përbashkët ishte metafora e përsosur e jetës sime”… Ama, kur ishte vetëm, kujtonte me dhimbje mardhëniet dhe bisedat mes tyre në ditët më të bukura të dashurisë. Mardhënia e tyre ditët e para – një farë kapriçioje e shtirur ndaj njëri-tjetrit, ishte si një reklamë interesante, që përsëritet herë pas here dhe prapë ne e shikojmë me kënaqësi. Ajo që në fillim kishte vërejtur një mani të shtyrë të Nikut, për t’ia sjellë në majë të hundës edhe robit më të duruar, e detyronin që t’i ngrinte duart lart edhe njeriu më ekspert. Siç kishte menduar vetë ajo, për fat të mirë, ata ushqenin një simpati shpotitëse të ndërsjellë mjaft të ngjashme me afektin dhe ajo u dha dorë që ta duronin njëri-tjetrin. Tani asaj filloi t‘i kujtohej çdo gjë dhe të sillte ndërmend edhe bisedat më të rëndomta midis tyre. “Nuk jam i detyruar të të dua,” – i kishte thënë ai, duke u ngërdheshur dhe duke i shitur karshillëk, jo më shumë se dy javë pasi ishin njohur, atëhërë kur e kuptoi se nuk e kishte të lehtë për ta hequr qafe. ‘‘As unë… – iu përgjigj ajo. – Mund të përpiqemi ta duam njër-tjetrin, apo thjesht të bëshkëjetojmë si dy njerëz të edukuar, ç’të pëlqen më shumë?” “Le të përpiqemi të duhemi.”- Tha ai. “Dakord dhe, po të mos mundemi t’ia dalim, na mbetet gjithnjë repekti për shoku-shokun”, – iu përgjigj ajo. Dhe atë mbrëmje misioni i dashurisë në këtë botë ishte t’i bashkonte ata dhe ata u ndjenë nën flatrat e saj qiellore, të kredhur në atë qetësi të dëlirë ku mbase mbretërojnë ëngjëjt. Niku e kishte mbajtur fjalën. Për më shumë se dy vjet ai ia kishte citur nervat me kokëfortësinë e tij, sa i shkonte edhe në kohën e punës në spital dhe bënte ç’është e mundur për ta bindur të dilnin pak jashtë, të uleshin në stola dhe të rrinin ngjitur me njëri-tjetrin. Nuk kishte harruar t’i tregonte dhe përralla nga të gjyshes së tij…
“Ky është Niku dhe ai është njeriu i zemrës sime. Ai do të mbetet imi sido që ka ndodhur apo do të ndodhë”, tha të dielën e dytë pasdite e shtrirë në krevatin që kishin në ballkon. Që të hënën dhe gjatë gjithë javës ajo punonte si një mjeke vërtetë e përkushtuar dhe pas punës nuk linte njeri të njohur, që mendonte se mund të kishin dijeni, për të biseduar se ku mund të ndodhej Niku ose çfarë ishte duke bërë ai. Kishte prej tyre që stepeshin në fillim, por kur kujtonin se ishin me mjeken e njohur, ndryshonin qëndrim dhe përpiqeshin të kujtonin çfarë ata dinin apo kishin dëgjuar. Pohimet e tyre ishin krejt të ndryshme dhe disa të turbullta, por ata aq dinin dhe asaj nuk i ngelej hatri.
Bile i kishte mbetur në mendje edhe një shprehje e profesore Suzanës, kur i kishte thënë: Pikë kyçe e dashurisë është çështja e besnikërisë, sepse përvoja i ka mësuar femrat se e kundërta e gërryen dashurinë dhe e lodh tej mase njeriun… Se ndodh që ti nuk ke as të drejtën ta mobilosh shtëpinë sipas shijes tënde… Bile ajo vetë i kishte thënë një herë burrit të vet kur ishin fejuar: “Dëgjo, Luan, s’kam moshë të pres. Më thuaj tani, menjëherë, në mund të vazhdojë kjo dashuri apo mos është më mirë t’i harrojmë të gjitha.” Arriti një moment që fjalët e profesores, pavarësisht ndjesive kontrakditore që provonin ndaj njëra-tjetrës, t’i konsideronte si mësim dhe përvojë… Ditët e para qenë si një makth. Deri ato ditë ajo e kishte konsideruar jetën një lumë i freskët që ecën vetëm para deri sa arrin detin, metaforikisht për të derisa njeriu të arrijë në parajsë ose në ferr. Mbarimi i studimeve në Gjermani, diploma e shkëlqyer, specialiste në spitalin më të rëndësishëm të Shqipërisë, lidhja me Nikun, një programues i shkëlqyer, kishte krijuar atë iluzionin e parajsës për të nesërmen. Thashethemnaja për Nikun bëri të dukej si ai njeriu që është ngjitur në një lartësi nga i merren mend dhe nuk di si të zbres.
Kishte kaluar gati një muaj, kur një mbrëmje vëllai i hodhi krahun dhe e ftoi për një kafe në një lokal jashtë Tiranës. Kur mbritën te makina, Linda, duke hapur derën e krahut të saj, u kujtua dhe iu drejtua të vëllait: – Po nusja?!
– Futu brenda dhe mbylle derën. E kam planifikuar ta kaloj vetëm me motrën time të madhe këtë mbrëmje. Vëllai zuri një tavolinë në periferi të sheshit mbuluar me barë të korrur dy-tri ditë më parë.
Pasi porositën çfarë dëshironin secili, Skënderi e shikoi ëmbëlsisht të motrën dhe filloi bisedën: – Kurrë nuk të kam parë kaq të menduar, quaje, të mërzitur po të duash, kaq mendjehumbur dhe pa humor…
Linda buzëqeshi pak. – E di arsyen dhe e ndjej sikur të isha vet në vendin tënd. Je e merakosur dhe e mërzitur për Nikun, njeriun tënd të zemrës, pavarësisht se ju nuk keni bërë as fejesën, asnjë formalitet zakonor të paktën… Kjo thënie e vëllait Lindë i shkaktoi një ndjesi si një kafshatë që e gëlltit me vështirësi. Pra, mund të ishte e lehtë ndarja se ata nuk kishin bërë formalitet e fejesës. – Dëgjo, vëllai im, – filloi ajo me një zë që dukej sikur e nxirrte me zor nga fundi i barkut. Unë nuk kam bërë anjë formalitet lidhjeje me Nikun, por dashuria mendoj se është mbi çdo lidhje dhe formalitet zakonor apo ligjor… Kur thua nuk ka asnjë forcë ta shuaj dashurinë, se ajo është zjarr që të ngroh ose edhe mund të të përvlojë… Dhe jam e sigrtë se edhe ti me Linën keni thënë sa u lidhët, kur duheshit aq shumë se nuk do ta shuaj atë zjarr asnjë lumë apo det.
Vëllai pohonte me kokë dhe me një buzëqeshje buzëtendosur. – Unë i kam vetëm një peng Nikut, sa, herë-herë, isha edhe e pezmatuar me të. Pse nuk më tregonte asgjë kohët e fundit, çfarë i ka ndodhur, pse ishte aq i pezmatuar… Më kishte thënë disa herë se do të bënim një bisedë serioze. Dhe zgjidhte kafenetë për të ma treguar, atje pastaj ndihej keq nga ambjenti. Kishte vende plot për të më treguar jashtë Tiranës: nga liqeni në Dajt po të dëshironte…
Skënderi vuri buzën në gas: – Në sistemin e mëparshëm kishim atë fjalën: dëgjojnë edhe gurët e drurët dhe ata tregojnë. Mos harro se babai i tij ka vuajtur ca nga ai sistem.
– Mos do të thuash se Niku dyshonte edhe tek unë… – Jo, as më shkon në mend, por ai nuk donte të të shqetësonte dhe të të mërziste ty deri sa të shikohej se ç’rrugë do të merrte ai dreq program që doli në skenë.
– Do të thuash se Niku e ka bërë me vetdije atë program për një grup kriminal.
– Jo, jo, e pamundur, por ata maskohen aq mirë dhe tregohen aq entuziastë, sa askush nuk dyshon…. – Vetë Niku nuk mund ta kuptonte se ky program bëhej për shpërndarje droge?! Ai ka bërë programe edhe për qeverinë.
– Pikërisht këtu është çelësi, se Nikut ia ka kërkuar një qeveritar, gjoja për një sipërmarrës të furnizimit të vendit me sheqer.
– Një qeveritar merret me këto manipulime?
– Nuk ka pyllë pa derra, por kjo nuk ka shumë rëndësi për ne, të paktën tani për tani, sa të çlirohet Niku nga ky problem.
– Ti më ngjan se flet me bindje, vëllai im. Pra di diçka ku gjëndet Niku? Vëllai ngriti supet, motra uli kokën e pikëlluar.
– Ajo profesoresha, mikja ime e re, më tha se ai mund të përdoret si i infiltruar.
– Jo, motër, e pamundur. Kjo është shumë e rrezikshme. Bota e krimit nuk njeh limite dhe kohë. Do të bëjmë gjithçka që të mos përdoret si i tillë. Ashtu ai futet në botën e zezë të krimit dhe mbetet gjithmonë i kërcënuar… Lindës i plasën lotët dhe riguan faqeve. I vëllai la karrigen dhe e përqafoi, duke u përpjekur ta bind se nuk do të bëhet infiltrues, pasi me drogaxhinjtë është lidhur vetëm njeriu i afërt me qeverinë… Ai sigurisht u ka thënë se ai program është bërë jashtë vendit, ku kanë bazat ata… Doktoresha sikur u qetësua pak dhe të dy u kthyen të kënaqur më shumë nga që kaluan sëbashku një mbëmje jashtë dhe bënë një bisedë secrete, sa i vëllai nuk mori as nusen e tij, që Linda e kishte si motër… FUND PJESA E KATERT