Unë:- Gjergj, sa herë vjen korriku, data 13, me shumë dashuri dhe respekt, unë i shkruaj disa rreshta për ty.
Është datëlindja jote, që tashmë, prej dy vitesh , ti e ke festuar në Panteonin e Nekropolit…
Gjergji:- I kam lexuar fjalët e tua, janë të ndjera e të sinqerta. Sa për këtu ku jam prej 4 tetorit të 2020- ës, këtu veç gëzim ka. Dhe e di pse?
Sepse këtu nuk ka as çfarë të humbësh, as çfarë të fitosh.
Loja për të fituar dhe për të mos humbur, është loja atje tek ju. Njeriu e rrit shtatin e vetë, duke ushqyer grykësinë e kështu, vjen një moment që ai është i sëmurë nga kjo ngasje, e gënjen mendja se mund të sigurojë edhe pavdekësinë.
Egoist i shfrenuar, grykës dhe i pangopur është tokësori…
Ne, qiellorët, kënaqemi me hapësirat e pafundme, ju shohim nga lart- poshtë dhe ndjekim lëvizjet tuaja që drejtohen nga harta e pangopësisë.
Unë:- Ju keni një emër të çuditshëm, me dy shenjtorë brenda; edhe Shën Gjergjin, edhe Shën Vlashin, mos jeni disi si shumë?
Gjergji:- Edhe janë, edhe nuk janë. Shenjti te njeriu është virtyt moral dhe motivim human. Nëse ushqen këto vlera , të gjithë njerëzit janë shenjtorë, pavarësisht se si i kanë ata emrat: Gjergj,
Gjon, Xhemal, Melek, Tahir, Kol, Gjin apo Mark. Në jetë takova shumë njerëz me formim shenjtësh, njerëz që dhuronin sinqeritet, besë dhe respekt, si dhe fati më dha rastin të takoja edhe njerëz të zbrazur nga vlerat, të ngarkuar me djallin brenda tyre, shërbëtorë të përunjur, me dëshirën dhe ngasjen për të hedhur gurë ndaj së mirës.Ja, ju quheni Përparim, një emër që tregon udhën e ndryshimit, ju keni një emër jofetar, por shenjtëri keni brenda vetes, sa kohë që e doni artin , kulturën, atdheun, shkencën, zhvillimin , humanen…
Unë:- Faleminderit, Gjergj Vlashi! Këto fjalë më japin shumë gëzim, më motivojnë, por dua të vijoj me një tjetër pyetje.
Jam shumë kurioz të më shpjegoni atë buzëqeshjen tuaj. Ajo niste nga buza, e cila lëvizte fare pak, merrte mollëzat, nderte ballin, dhe më tej ndalej, si të kishte marrë komandën:” Mos qesh më shumë se sa lejohet nga pushteti!”Ishte kështu apo ka ndonjë sekret tjetër?
Gjergji:- Të qeshësh është mendim, është reflektim, është përmbysje, është sfidë , është një lloj ribërjeje, sepse bota prishet duke qarë, bota ribëhet duke buzëqeshur!
Në atë sistem, edhe e qeshura ishte e kontrolluar. “ Me kë po qesh ti, me vijën e partisë, me sukseset e socializmit?”
Ne duhet të qeshnim me veset dhe paudhësitë e atyre që dilnin nga rreshti dhe që duhej të edukoheshin. Nuk qe e lehtë, sepse mund të të vinte dikush e të të thoshte: “ Ke zbutur luftën e klasave, ke fshehur armikun në gjirin tonë, ke sfumuar rolin e kolektivit dhe autoritetin e partisë” Në atë sistem, çdo e qeshur jashtë vijës së kuqe, mund të shndërrohej në kob.
Unë si Gjergj Vlashi, buzëqeshjen nuk e kisha maskë, është një lloj porti në detin tim të arsyes, ku prisja të ankoroheshin lloj- lloj anijesh, të mëdha, të vogla, me motora, me rema, me mall legal e me mall kontrabandë.
Pra, buzëqeshja ime ishte një lloj skaneri, që nën zë thoshte: “ Pa ta dëgjojmë edhe këtë një herë çfarë do na thotë, çfarë do na shkarkojë nga hambarët e mendjes?”
Unë:- Gjergj , shpesh më kujtohet lolua, te “ Mbreti Lir”, fundi i mbretit fatkeq dhe fjalët e lolos :” U plake dhe nuk zure mend!” Mund të më thuash, sa e vështirë ishte dhe është, që pranë mbretit të ketë dhe lolo?
Gjergji:-Në kohën e diktaturës nuk kishte lolo me liçencë, por kishte një aradhë me lolo, sipas niveleve. Të gjithë vetëm i lëpiheshin mbretit, madje ishin në garë kush e kush të merrte një certifikatë vletësimi si kryelolo. Ndërsa në këtë periudhë që e quajtëm tranzicion, ka lloj- lloj lolosh, që nuk e bëjnë mirë rolin e lolos, sepse as dinjitetin e tij nuk kanë…
Unë:- Gjergj, pas 1990-s, ju, si ajo nëndetësja, dolët mbi ujë pas një periudhe të gjatë thellësive. Pra, çfarë kishit lexuar në gjuhë të huaja, sepse ju dinit disa, nja 5-6, nisët t’ i përkthenit në shqip.
Dhe ia nisët nga të vështirët; përkthyet Franz Kafkën, pse atë dhe si u gjendët në ujërat e tij të akullta?
Gjergji:- Ishte një lloj shpërthimi, si ai gazi , që, kur shpon për naftë, del i pari mbi sipërfaqe. Unë i kisha lexuar në kohën që ta prisnin gjuhën , po të flisje. Ata ishin brenda meje, ngrinin dallgë shprese dhe proteste, më kishin marrë gjumin dhe qetësinë, shpesh u lutesha:” Mos flisni gjëkundi, se ma prenë kokën!”
Pse Kafka? Ndoshta se gjuha e tij e thukët, metaforat e thella, analizat psikologjike, portretizimet, akuzat ndaj totalitaritetit, më bënin luftëtar. Më kishte mbetur në mendje “ Procesi”, kur, në mjë moment , Josef K , thotë:” Të jesh në proces, është normale, jo normale është të mos jesh në proces!”Në diktaturë, të gjithë ishim në proces. Ose Gregori te “ Metamorfoza”…”një vetësygjestion që jam insekt, dhe, pas netëve me gjumë të shprishur, zgjodha fjalën kandër- kandra…”
Unë:- Kam lexuar disa përkthime, por tuajat ngjisin, janë tejet karakteriale. Ia kam thënë dhe Kafkës, kur shkova në Muzeun e tij , në Pragë. I fola për ju dhe punën tuaj. Ai, i heshtur, më tha disa fjalë, që ,më shumë se tinguj apo frymë, ishin një lloj rënkimi.
Gjergji:- E kam takuar këtu, në Nekropol, dhe ma përmendi. M’u duk pak si habi që ai e kishte mbajtur mend, por shkak ishte bërë fakti që Aleksandër Moisiu, aktori i tij i preferuar, sidomos në rolin e Fedias, te “ Kufoma e gjallë “ , e Tolstoit, kishte miqësi me të.
Kafka adhuronte zërin e tij. Kur mbërrita atje, kërkova miq. Mihal Luarasi më shpuri te Moisiu dhe atë e gjetëm duke biseduar me Kafkën. Kështu u njohëm dhe kemi një miqësi shumë të bukur.
Unë:- Gjergj, si e festuat datëlindjen këtë 13 korrik, 2022?
Gjergji:- Duke qeshur, po vinim në lojë diktatorët e shekullit XX… Ata, të lënduar, thanë:” Mos mendoni se shekulli XXI nuk do të ketë të tillë!” Në atë çast, e qeshura jonë ngriu…
Unë:- Faleminderit, Gjergj! Po e shpërndaj lajmin. Diktatorët e shekullit XXI do ngrijnë buzëqeshjen e njerëzimit!
Komentet