VOAL – BERNË, 17 GUSHT – Tregu i ofertave mediatike dhe i platformave publicitare të grupeve SSR – ku bën pjesë swissinfo.ch –, Ringier e Swisscom do të grupohet në gjirin e një joint-venture, shkruan voal.ch. Kështu bënë të ditur tre partnerët në një komunikatë të përbashkët. Nëse do të marrë dritën jeshile nga Komisioni Federal i Konurrencës (ComCo) e nga Zyra Federale e Komunikacioneve, do t’i jepet kështu jetë agjencisë më të madhe publicitare të Zvicrës. Fillimi i aktivitetit është projektuar për tremujorin e parë të vitit 2016.

«Revolucioni digital e tashmë konkurrenca e fortë nga ana e shumëkombësheve si Google e Facebook, kanë pasoja të ndjeshme mbi panoramën mediatike publicitare zvicerane. Për të mundur t’i kapërcejmë me sukses sfidat që na presin dhe ta mbajmë sa më shumë të jetë e mundur brenda Zvicrës qarkullimin e tegut publicitar, është i nevojshëm një bashkëpunim i ngushtë mes faktorëve helvetë, të cilët zotërojnë qoftë kompetencat teknologjike, qoftë aksesin ekskluziv në përmbajtjet mediatike të nivelit të lartë,” thotë në një intervistë Martin Schneider, drejtor i publisuisse, koncesionares publicitare të Shoqërisë Zvicerane të Radiotelevisionit (SSR).

Pak pas daljes së komunikatës, Sindikata Zvicerane e Masmediave (SSM) publikoi një komunikatë të saj ku lavdëron projektin e aleancës, të cilin e quan një hap të rëndësishëm nga pikëpamja ekonomike dhe e politikës mediatike. Kështu, në fakt, mund të bllokohet hemoragjia e parasë zvicerane të investuar në publicitet jashtë vendit, shkruan sindikata e personelit të SSR në një komunikatë. Nga pikëpamja ‘politike’ bëhet fjalë për një aleancë mes partnerëve deri tani praktikisht e papërfytyrueshme, që mund të hapë skenarë të rinj. swissinfo.ch