Kontaktin e parё me pikturat e artistit Krist Dimo, e kam patur ndёrsa endesha virtualisht nёpёr faqet e fb-kut. Kovidi sapo kishte filluar dhe i mbyllur nё shtёpi, si e gjithё bota, vrisja kohёn duke u kotur nёpёr rrjetet socjale. Sapo e vura re, mё tёrhoqi nё radhё tё parё stili abstrakt, minimalist, por herё herё edhe figurativ i kёtij artisti tepёr interesant durrsak. Krejt kurjoz, fillova tё thellohesha tek vepra e tij piktorike. Herё herё, tek i vёreja, më dukej sikur po gjendesha përpara ca vizatimeve naive bërë nga njё fëmijë, ose përpara atyre pikturave rupestre nëpër shpellat parahistorike, por kur i vëzhgoja me kujdes, atëherë ndihej qartë se ato ishin tё medituara thellë, nga një artist tejet i përgatitur dhe tepёr i kujdesshëm. Ato më shtynin të meditoja mbi nevojat mё tё thella shpirtёrore qё ka njeriu. Dukja e tyre naive, pra, nuk ishte veç njё trill. Kur thellohesha, aty ku unë mendoja se gjithçka ishte një zgjidhje e thjeshtë, e pamenduar, linja të hedhura ashtu si nëpër gjumë, sikur të zhgarravisnim për të kaluar kohën, në të vërtetë fshihej gjithmonë një mesazh filozofik, një gjendje emocionale e mirë menduar, një dialog i thellё me vetveten. Gjurmët që Krist Dimo lё mbi telajo, janë sa origjinale aq edhe të shumë interpretueshme. Jane sa në dukje ‘naïve’ po aq edhe të koklavitura dhe të “rrezikshme”, apo të ‘vështira’ për t’u kapur, ndonjëherë. Ndaj, punët e kёtij artisti, kanë nevojë për një përgatitje intelektuale, për një rimodelim shijesh, kanë nevojë siç shprehet ai vetë, për emancipim. Një emancipim, si në formën e shprehjes, të cilën ai e ka arritur, mbas vëzhgimesh të gjata dhe të thella, po ashtu edhe nё pёrthithjen e mesazhit. Tek ai e ‘shëmtuara’ bëhet estetikisht e bukur, ‘naivja’ bëhet meditim i thellë, ‘thjeshtësia’ trasformohet në sintezë. Silueti i tij i shqetёsuar shndërrohet gati në një ankth ekzistencial. Thjeshtësia, ironia dhe origjinaliteti, janë vetëm tre nga tiparet kryesore që unё vё re në veprën e tij.
Zgjidhjet e tij estetike me sfondet e zeza, tё bardha, krejt tё thjeshta, linjat e hedhura nё njё zbrazёti plot enigma, pikёpyetjet, gjёegjёzat me ngjyra; nuk japin pёrgjigje, por e shtyjnё shikuesin tё futet nё reflektime, tё meditojё, tё lodhet pёr tё kapur esencёn, thelbin e domethёnjes. Kristi punon me atё pjesё tё ndёrgjegjes sё tij e cila nuk mund tё konkretizohet, as tё deshifrohet me fjalё. Ajo i drejtohet shtresёs sё pandёrgjegjes. Aty lind, aty zhvillohet, aty ndalet gati me kёmbёngulje. Ёshtё ajo zona e ёndёrrёs, e imagjinatёs, e intuitёs, lёnda bazё e shqetёsimeve tё brendёshme, ku pulsjonet e artistit hidhen direkt mbi telajo dhe transformohen nё njё meditim tё thellё mbi vetminё bashkёkohore, kaosin, deformimin e saj pse jo, edhe shpirtёror.
Ai don të flasë thellë mbi njeriun dhe e arrin atë. Arrin të evidencojë pjesën më të errët të qenies dhe tё gjendjes njerëzore, e cila është vetëm një degëzim në pemën tematike të artistit Dimo. Pemë, ku thelbësorja, trungu pra, është kërkimi i pandërprerë i tij filozofik mbi ekzistencën.
Duke u marrë vetëm me figurën njerëzore ai don të ndalet tek dialogu- monolog që artisti bën mbi fenomenin jetë dhe e bën këtë në një mënyrë disi të pandërgjegjshme, ku ai arrin të denoncojë atë shkatërrim ‘moral’ jo vetëm të vlerave tradicionale, por edhe të vlerave të vetë qytetërimit të sotëm. Parregullsia e formave, antikonformizmi i linjës në serinë e portreteve të Dimos, tregon qartë shpirtin e sotëm, frymën bashkëkohore. Kjo shumllojshmëri profilesh psikologjike, shpall gjithashtu edhe dështimin e vetё njeriut. Duket sikur, njeriu i Dimos, sillet në një qark të mbyllur, të errët, ku shumë pyetje mbeten pa përgjigje, shumë përgjigje nuk janë të nxjerra nga pyetjet racjonale, por nga intuita e tij artistike; ku shumë kërkime nuk të shpien asgjëkundi dhe shumë hulumtime dështojnë. Por dështimi i njeriut të Dimos, është dështimi i vetë njeriut, ndërsa orvatet të gjejë të vërtetën e tij. Dështimet e Dimos në planin egzistencjal, duke u ndalur dhe duke reflektuar mbi fatin e njeriut të sotëm, janë dёshtimet hulumtuese të njё artisti, i cili nuk pret konkluzjone, zgjidhje. Ai veç konstaton, vëzhgon, vë në dukje, atё çrregullsi, kaos, shqetёsim qё ёshtё edhe magma e brendёshme e krijuesit. Linjat e tij plot zhdërvjelltësi, janё rebele. Ato nuk respektojnë as anatominë e natyrës, as ligjet e fizikës. Janë linja të cilat kanë një domethënje shpirtërore. Deformimet e Dimos, janë akti i parë i rebelimit të artistit, i cili ndjek humorin e brendëshëm, ndjek pulsin e emocioneve të tij. Interpreton pra njeriun, pasi e ka hulumtuar atë thellë dhe me kujdes. Ai, siç e thashё, nuk jep zgjidhje. Ai nuk është filozof me paketa të gatshme filozofike i cili pretendon të zbulojё të vërtetën. Ai me siluetat e tij provokuese, veç ngacmon dhe nxit reflektimim. Tek linjat agresive të figurave, tek sfondet e thjeshta dhe të errëta, tek ekspresiviteti i tyre shpesh i pakapshëm, qëndron edhe limfa jetësore e vërtetësisë së artit të tij. Ёshtё njё art, ky i Dimos qё komunikon direkt me pandërgjegjen, njё gjuhё qё i drejtohet emocjoneve, ndjenjave, iracjonales. Ai është një hulumtues i mprehtë i vetmisë, i braktisjes, i boshit tё madh të njeriut. Tek vepra e tij mungon njeriu i Madh, i cili mbizotëronte me rregullat tradicionale trashёguar nga paraardhёsit e tij. Këtu na vjen njeriu i shekullit tonë. Njeriu me misteret e tij, njeriu kompleks, njeriu i cili e ka humbur fillin dhe nuk orientohet dot, pra, ku ai e ka humbur edhe strukturën e tij. Do tё bёja njё anologji me tregimin e Franc Kafkёs “Metamorfoza”. I pari shkrimtar i cili me antenat e tij tё mprehta vёzhguese, ka kapur kllapinё, ankthin, tmerrin dhe frikёn e njeriut moderrn i cili do tё shfaqej mё pas. Jo rastёsisht, tek vizitoja muzeun e Franc Kafkёs nё Pragё, gjeta disa vizatime tё gjeniut nga Boemja, tё cilat, pёrnjёherёsh mё kujtuan tablotё e artistit durrsak nё fjalё. Tek tabllotё e tij, unё gjej njeriun skllav tё teknologjisë, tё njё moderniteti dhe konsumizmi, i cili ja ka marrё frymёn krejt. Gati gati, skllav i një lirie aq të madhe qё ai nuk ёshtё ndoshta nё gjendje as ta zotёrojё, as ta kuptojё dhe as ta pёrdorё atё siç duhet. Por gjithashtu, skllav edhe i një boshi të madh. Një bosh intelektual, që Dimo e ka perceptuar me shqisat e tij prej artisti.
Ai me artin e tij na vjen fuqishëm, drejtpërdrejtë. Dimo ka arritur të ketë një stil krejt origjinal, të tijin. Një stil që aludon, provokon, thellohet, mediton, ëndërron. Një stil plot pulsione jete, ku Dimo filozof me ngjyra dhe linja, na flet me poezinë e tij. Një poezi minimaliste, gati e padeshifrueshme, por gjithmonë e pranishme dhe e aftё tё na nxisё nё reflektime.
Ekspozita do tё hapet me 11 janar nё COD, salla qendrore e kryeministrisё, me hyrjen nga bulevardi i madh, mbasdite ora 19. Pritet gjithashtu edhe pjesёmarrja e kryeministrit Edi Rama.
A. Spanjolli
