Presidenti i Republikës Bujar Nishani deklaroi dje se atij dhe familjes së tij u janë përgjuar telefonatat dhe jeta private, ndërkohë që theksoi se urdhëruesit e këtij veprimi kanë bërë një gabim fatal.
I ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, Nishani ka theksuar se disponon fakte dhe dëshmi se është përgjuar nga administrata shtetërore. Ai ka folur për reformën në Drejtësi, për punën e proku-rorit të Përgjithshëm dhe për shkarkimin e ambasadorit shqiptar në OSBE.
A jeni i kënaqur me punën e prokurorit të Përgjithshëm?
Nëse do të thosha jam i kënaqur me punën e një institucioni, unë do dilja jashtë kontekstit të realitetit. Jam i pakënaqur me nivelin dhe standardin e çdo institucioni në Shqipëri. Pritshmëritë e mia janë të larta, si qytetarët. Prokuroria ka shumë punë për të bërë.
Dy-tri herë ka thënë prokurori që priten arrestime të krerëve të lartë shtetërorë, ka dhënë edhe afat, dhe nuk është bërë asgjë. Ju e keni pyetur se çfarë ka ndodhur? Pse thotë në qershor që do arrestoj në shtator kur, nëse ka prova, pse s’e bën?
Prokuroria nuk varet nga Presidenti, ta sqarojmë. Nuk e ka Presidenti si kompetencë shkarkimin e prokurorit, ka vetëm emërimin, shkarkimin e inicion Parlamenti. Nëse Parlamenti ka shqetësim për punën e prokurorit, i ka të gjithë mekanizmat për nisjen e procedurave të shkarkimit të tij. Unë do të thosha se çdo akt, çdo veprim, përfshirë dhe i Prokurorisë, duhet gjykuar në realizimin e detyrave e performancës. Prokuroria s’mund të realizojë një akt procedural në një kohë të shkurtër.
Opozita e ka kushtëzuar dekriminalizimin me reformën në Drejtësi, s’ka reformë pa dekriminalizim. A e pranoni këtë lloj kushtëzimi?
Nuk e di, këto janë çështje të aktorëve politikë. Por mund të them se dekriminalizimi është emergjencë, se kemi prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar, por kemi politikanë të inkriminuar, është ndryshim shumë i madh, ne s’kemi gjyqtarë në trafik droge. Besoj se janë procese të veçuara dhe duhet të ecin me prioritet.Kur shpërtheu skandali i letrës së zotit Braho ju pritet në zyrë kryetarin e Kuvendit, çfarë diskutuat?
Ka qenë një takim i kërkuar nga ana ime disa ditë më përpara. Nuk ka qenë në lidhje me këtë çështje, pra me letrën e Brahos. Nuk ka pasur për qëllim takimi diskutimin e kësaj çështjeje. I kam kërkuar kryetarit të Kuvendit që Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi të respektojë rolin e Presidentit. Dhe i kam shprehur disa rezerva që kanë të bëjnë me disa çështje në reformën në Drejtësi.
Ju vetë, si e shikoni përmbajtjen e letrës, ju duket e besueshme? Vërtet mundet kjo çështje të cenojë sigurinë kombëtare?
Unë nuk shihja ndonjë element për t’u shqetësuar me sigurinë kombëtare.
Le të flasim për raportin e OSBE-së, ai raport që ishte konfidencial, por që përfundoi në faqet e gazetave. Një raport ku elita e politikës sonë paraqitet ekstremisht e korruptuar. Ju duket bindës ai raport, ju duket i vërtetë? Apo është një grumbull i përmbledhjes nga gazetat?
Unë kam refuzuar të komentoj edhe në të shkuarën për atë material. Është një publikim që vetë autori, që është OSBE-ja, e konsideroi jo një qëndrim zyrtar, por një mbledhje rutinë e deklaratave të bëra në mediat shqiptare.A shikoni një lidhje mes raportit të OSBE-së dhe kthimit në Tiranë të ambasadorit shqiptar në Vjenë?
Jo, nuk ka. Kërkesa për kthimin e ambasadorit është bërë para publikimit të raportit. Duhet të ishte gjetur një zgjidhje në respekt të Kushtetutës dhe ligjit. Akti që pasoi atë propozim, është një akt që nuk ka lidhje as me Kushtetutën, as me ligjin, as me institucionet, as me shtetin, është një akt i cili reflekton vetëm një veprim anarkist dhe asgjë më tepër.
Një ultras i Kombëtares shqiptare, i famshmi Ismail Morina, u bë protagonist i të gjithë politikës shqiptare. Drejtuesit e së djathtës kanë kërkuar lirimin e tij, ju si mendoni? Duhet liruar?
Për sa kohë personi është subjekt i drejtësisë, askush nuk duhet të ndërhyjë.
Pak javë më parë keni deklaruar se ju dhe familja juaj ndiheni të survejuar, por nuk dhatë asnjë detaj. Ky survejim vazhdon akoma apo gjërat kanë ndryshuar?
Unë nuk thashë që ndihem, unë kam fakte dhe dëshmitarë të cilët konstatojnë që Presidenti, në aspektin privat, familjar, jo institucional, ka qenë nën kontroll, nën verifikim, nën monitorim, përfshirë dhe përgjimin dhe të familjarëve të tij. Janë momente të caktuara…
Të përgjuara nga SHISH, apo nga struktura të tjera?
Nuk mund të bëj për momentin deklarata, sepse është një çështje që do hetohet. Dhe unë do të kërkoj që të hetohet, është çështje që nuk do të mbyllet. Është një çështje për të cilën ka prova dhe dëshmitarë.
Çfarë provohet dhe çfarë dëshmohet?
Se çfarë është dëshmuar nuk e di, sepse dëshmia bëhet nga ata të cilët kanë monitoruar dhe kontrolluar jetën familjare dhe private të Presidentit dhe të familjarëve të tij. Por, elementët e detajuar të tij unë nuk do t’i bëj publike, deri në momentin që do të ketë një hetim serioz dhe unë besoj që do të ketë një hetim serioz, pavarësisht kohës kur do të nisë ky hetim.
E keni kërkuar një hetim?
Jo ende. Do ta kërkoj në momentin kur do të krijohen kushtet tërësisht të përshtatshme për të.
Kur krijohen këto kushtet?
Kjo mbetet një e drejta e imja për ta gjykuar. Përderisa është vepruar në mënyrë të padrejtë dhe antiligjore…
Kjo është një akuzë shumë e fortë që po bëni, që kryetari i shtetit të jetë në përgjim duhen fakte shumë integrale…
Patjetër që është shumë e rëndë. Ata që e kanë marrë përsipër ta kryejnë këtë, kanë bërë një gabim fatal. Një punonjës i administratës shtetërore nuk mund ta kryejë në mënyrë individuale dhe të pavarur këtë përgjim, patjetër që ai e ka marrë si kërkesë nga dikush tjetër. Detajet do të jenë objekt hetimi.
Komentet