Në një ceremoni solemne të mbajtur në Presidencë, kreu i shtetit, Bujar Nishani, vlerësoi me rastin e 25-vjetorit të krijimit të saj shoqatën patriotike “Çamëria” me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Në këtë veprimtari nderimi ishin të pranishëm nënkryetari i Parlamentit, Shpëtim Idrizi, presidenti i Nderit i PDIU-së Tahir Muhedini, kryetari i shoqatës “Çamëria” Abaz Hado si dhe anëtarë të bashkësisë çame. “Në shenjë vlerësimi për kontributin e vyer e të pamohueshëm dhënë ndaj çështjes çame, si dhe për veprimtarinë e çmuar atdhetare dhe nxjerrjen më në pah të vlerave kulturore dhe etnografike të kësaj bashkësie të rrallë shqiptare me histori sa të lashtë, aq edhe të lavdishme”, është motivimi i këtij nderimi të ndërmarrë nga presidenti.
Në përshëndetjen e rastit, Presidenti i Republikës vlerësoi veprimtarinë e Shoqatës me një shtrirje më të madhe në hapësirë dhe në kohë dhe me rrënjë të thella historike dhe atdhetare. Në vijim të fjalimit drejtuar komunitetit çam, Presidenti Nishani cilësoi tiparin dallues të tyre, krenarinë “për historinë dhe trashëgiminë e pasur të vlerave tuaja të patjetërsueshme atdhetare, kulturore si dhe përpjekjeve tuaja të pareshtura ndër shekuj për të mbajtur të pastër dhe për të ngritur edhe më lart identitetin tonë karakterizues kombëtar”.
Nishani theksoi rolin që ka pasur në bashkësinë çame “Krijimi i Shoqatës Patriotike ‘Çamëria’ më 10 janar 1991, në saje edhe të përpjekjeve të Abaz Dojakës në fillimet e demokracisë. “Ju, që përfaqësoheni e njësoheni me ‘Shoqatën Patriotike Çamëria’ keni në aradhën tuaj të veprimeve, angazhimeve, kontributeve, vlera të patjetërsueshme dhe dinjitet duke u renditur krenarë krah për krah me shoqatat simotra anembanë në çdo cep të Shqipërisë, të cilat ruajnë, pasurojnë dhe zhvillojnë më tej xhevahiret e vyer të kurorës sonë të hijshme historike, kulturore dhe identifikuese. Shoqata Patriotike ‘Çamëria’ ka 25 vjet që me meritë, me zgjuarsi e me aq maturi ka ditur të hedhë hapa të rëndësishëm në evidentimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes çame. Ky mision i juaji, i Shoqatës suaj të nderuar, i kontributeve të atyre burrave dhe grave që krijuan këtë shoqatë dhe sot atë e kanë lartësuar me dinjitet në mozaikun e nderimeve që i bëhen kombit, janë argumenti më bindës edhe për institucionin e Presidentit të Republikës në këtë ceremoni vlerësimi dhe nderimi”, tha Presidenti Nishani.
Kreu i shtetit e konsideroi vlerësimin me dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të Shoqatës Patriotike ‘Çamëria’, edhe si një rast “për të evokuar dhe për të ndriçuar momente të rëndësishme të jetës historike, publike, kulturore dhe etnografike të një shoqate që meriton vlerësim të lartë nga gjithë institucionet vendimmarrëse të shtetit shqiptar, në mënyrë që çështja çame dhe kauza për zgjidhjen e të drejtave të këtij komuniteti të jenë në agjendën e së ardhmes për diplomacinë, këdo faktor dhe gjithë potencialin intelektual të shoqërisë shqiptare. Suksese të mëtejshme në misionin tuaj fisnik dhe atdhetar!” – me këtë urim Presidenti Nishani mbylli fjalën e Tij të mbajtur me këtë rast.
Komentet