BETIMI I QENIT DHE MACES
-fabul-
Një qen shtëpie dhe një mace
Lidhën besën, bënë paqe;
Njëri-tjetrin s’do trazonin
Të vjetrat zënka do harronin;
Rrokën putrat, u betuan
Këngën, vallen e filluan;
Lihte qeni ham-ham-ham!
Një mikesh të re unë kam;
Macja hidhej, mjaullinte
Gjithë bota le ta dinte:
Qenin kish mbrojtës besnik
Në çdo kohë, në çdo rrezik;
Gjyshja e urtë dalëngadalë
U çoi dy tasa me dhallë;
Miqtë u sulën si shigjetë
Jo sikush në tas të vet;
Qeni i donte të dy tasat
Macja le të lëpinte rrasat;
Nisën prapë sherret e vjetra
Her’ me fjalë e her’ me kthetra;
Askush s’e lëshonte radhën
Gjersa në shesh e derdhën dhallën;
Pataj nisën ta lëpinin
Si kushdo që shkel betimin;
KRISJA DHE JONXHA
-fabul-
I tha krisja jonxhës:
Ububu! Sa ftohtë!
Më lerë të flë një natë
Në shtratin tënd të ngrohtë;
Shëndet më paç dhe fat!
Ia ktheu jonxha krisjes:
Si mund të mos pranoj?
Do flemë bashkë si motra
Në gji do të shtrëngoj
Hare do t’bëj dhe toka!
Në mëngjes krisjes
S’i dilte gjumi fare
Si t’ia thoshte mikes
Jonxha jonë bujare?
Mendoi gjatë e gjora
(E dinte ç’ vinte pas)
Dhe në fund vendosi
Urtë e butë t’i flasë:
Zgjohu, mike e dashur,
Ditë e bukur shumë,
Rregullojmë dhe shtratin
Kemi dhe shumë punë…
Shtrirë gjërë e gjatë
Krisja i thotë: më fal,
Dua të dal, moj motër,
Po s’mundem më të dal …
Ashtu edhe e keqja
Të mirës qet’ i thotë:
Vërtetë hyra me lutje,
Por s’mundem të dal dot…
LUANI DHE DHELPRA
Luani plak po ndihet keq
Në një shpellë vuan dhe heq;
S’mjaftonte sëmundja, pleqëria
Ia gërryen zorrët dhe uria;
Dhelprës i dërgon haber
T’i gjëj ca ushqim menjëherë;
U mendua dhelpra, u mendua
Gomarin thirri dhe u gëzua;
Gomari e priti si nder i lartë
Prej saj drejtoi veshët e gjatë;
Shko ti vrap, i tha, te luani
Të parit tonë po i dhëmb xhani;
Shko e pyet çfarë do nga unë
Se jam e zënë me shumë punë!
Eja shpejt, më kthe përgjigje
Mos ndiq rrugën nëpër shtigje!
E zbatoi urdhërin vrap gomari
Me galop shkoi te luani;
Iu përunj mbretit me nderime
Porosinë ia tha me ligjërime;
Shko, zhduku, mos të marr drunë,
Ç’më thotë ajo e ç’kërkoj unë!
U kthye gomari veshpërkulur,
I tha dhelprës në gjunjë i ulur:
Ai nuk më dha asnjë përgjigje.
M’u sul me sharje dhe mallkime.
Zonja dhelpër u ngrit në këmbë,
Ca fjalë i tha nëpër dhëmbë:
Le të ngordh, i shkoftë mbarë
Se nuk ka mënd sa një gomar…
Luani prapë i dërgoi dhelprës:
Pres ushqim nga ti patjetër.
Dhelpra iu përgjigj me ironi:
S’të kam faj unë se s’ke mend ti.
Gomarin atje unë ta dërgova
Në pjatë argjëndi ta dhurova…
Pse s’e hëngre, o budalla,
Po ke veç fjalë: bla – bla – bla!…
KERMILLI
Nëpër gurë e nëpër drurë,
Nëpër shtylla e nëpër murë
Ngjitet zvaranik kërmilli
Do ta varë krrabën te ylli;
Në majë të pemës kur arrin,
Hedh vështrimin mbi lëndinë
O, sa lart, thotë, qënkam ngjitur
Pa një ndihmë, pa një të shtytur;
I thonë pema, shtylla, muri:
Si s’të skuqet pakëz nuri?
Mbi trupin tonë si në pasqyrë
Ke lënë gjurmën e pështirë.