Josip Joska Broz, nipi i ish-Presidentit jugosllav Josip Broz Tito, i është bashkuar Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në prill, duke premtuar të risjellë politikat e krahut të majtë.
Broz, nipi 69-vjeçar i liderit komunist Tito, ka thënë se ai pret të bëhet deputet pas votimeve në muajin prill tani që është futur në listën zgjedhore të Partisë Socialiste të Serbisë, SPS.
“Duhet të hyj në parlament. SPS-ja më premtoi se do të më vendosë më lart në listë. Jam gjithashtu i kënaqur që SPS-ja po kthehet në pozicionin e saj fillestar të majtë, pasi lindi nga Partia Komuniste e Titos”, ka thënë ai.
Brozi, i cili ka drejtuar Partinë Komuniste të Serbisë që kur ajo u rikrijua në vitin 2010, tha se me të në parlament, zëri i komunizmit të vërtetë do të dëgjohet përsëri.
“Nëse hyj në parlament, do të luftoj për shëndetësi falas, arsimin falas, për rininë tonë dhe për mundësi më të mira për punësim”, ka shtuar ai.
Ai tha gjithashtu se do të sjellë më shumë mbështetje për SPS’në, e cila ishte partnere e vogël në koalicionin qeverisës që po largohet.
“Mendoj se do të jap kontributin tim në SPS me votat, duke qenë se partia ime ka shumë përkrahës të cilët do të votojnë për SPS’në”, ka thënë Broz.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të njoftuara në fillim të këtij viti nga kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç, janë caktuar për më 24 prill.
Ivica Daçiç, Ministri aktual i Jashtëm i Serbisë dhe lideri i SPS-së, të dielën njoftoi se Broz do të jetë në listën e tyre zgjedhore. Kjo u konfirmua të nesërmen, kur listat zgjedhore iu dorëzuan komisionit zgjedhor.
Komentet