The Nurse’s Song nga libri i Roald Dahl “Carli dhe Ashensori i Madh prej Xhami”, Botime Cabej, shqiperuar nga Naum Prifti
NINULLA E DADOS SHQIPERUAR NGA NAUM PRIFTI
Trimit të pashoq këngën ia thur sot,
Ky burr’ i dheut, m’i forti në botë,
Njëherë e një kohë ishte çilimi,
Pothuaj dyzet centimetra gjatësi.
E kam njohur që kur ish kërthi,
E ushqeja dhe e mbaja në pëqi,
E vija pastaj të ulej n’oturak,
Pa bërë çiçin aty nuk hidhte asnjë hap.
…
Ç’kam hequr me të, unë e di.
Ma plasi shpirtin e shkretë në rini.
Kur vajti e u bë njëzet e tre vjet djalë,
S’dinte të lexonte e të shkruante një fjalë.
“Si do t’i vejë halli këtij?”pyesnin prindët e tij.
“Shtatin pyll e mendjen fyell,
Ku ka punë për këtë zymbyl?
Për gazep, veç gazetat do shpërndajë nëpër qytet.”
“Aha,” thashë unë, “ky djalë xhudan,
Ka ndërmend të bëhet politikan.”
“Dado, dado,” hovi djali me ngazëllim,
“Ke dhënë një super propozim!”
“Mirë,” thashë unë, “pa humbur kohë,
Artin e politikës do përvetësojë.
Të mësojë të flasë broçkulla pa doganë
Si të fus shkopinj ta hedhë qerren matanë.
Si t’i fitojë votat e popullit me hilera,
Dhe plot e përplot marifete të tjera.
Si të sajojë nga një fjalim përditë,
Aq sa surrati në ekrane do t’i ngjit’.
Por gojarisht kurrë mos të pohojë,
Ato që në mendje do t’i mendojë.
Dhe kryesorja, them pa pikë dyshimi
Mos i lër dhëmbët t’ia hajë krimbi
Dhe hundë e duar t’i fshij me shami.
Tani që jam tetëdhjet’e nëntë vjet,
Për pendesa nuk kam fare nge.
Është faji im, ndaj ndihem pikë e vrer,
Që vajta e bëra President një derr.
Komentet