Tashmë jemi duke u përgatitur për festimin e 400-vjetorit të Dardhës turistike në Korçë (1624-2024), – na tregon kryetari i shoqatës Dardhare “Shpresa”, Niko Balli. Më 16 gusht ditën e festës së Shën Marisë do të jenë të gjithë këtu. Mysafirët do të vijnë nga shumë vende të botës, edhe emigrantët tanë, kudo që ndodhen do t’i kemi të pranishëm. Festa do të jetë e madhe, e bukur dhe e pafund. Historia e Dardhës do të shpaloset tërësisht. Pjesë të historisë së saj do të lënë të mahnitur gjithkënd. Shumëkush do të mësojë gjëra të reja të cilat deri më sot nuk i kanë ditur. Dardha do të mbetet për Korçën një fshat mikpritës me histori të madhe, jeta e saj gjjithnjë do të priret drejt arsimit dhe dijes. Veç sa më sipër, kryetari i shoqatës dardhare “Shpresa”, Niko Balli, i kërkon ndihmë edhe Bashkisë Korçë me qëllim që kësaj feste të madhe të mos i mungojë asgjë. Mendohet që 400-vjetori i themelimit të Dardhës të mbetet i paharrueshëm, nga ku brezat e rinj do të mësojnë mbi vlerat e njerëzve të këtij fshati, mbi dijet dhe përkushtimin e tyre.
Dardha, fshat turistik ndër më të bukurit
Dardha mbetet një nga fshatrat turistike më të bukura të qarkut Korçë. Ajo gjendet 19 kilometra në juglindje të Korçës, në zemër të malit Morava, në lartësinë mbi 1300 metra mbi nivelin e detit. Pikërisht aty ajo shfaqet magjiplotë në çdo kohë: dimri e mbulon me borë, pranvera me blerim, vjeshta me ngjyra të larmishme, puhizat me freski, ylberi me bukuri, dielli me shkëlqim, bukuria e saj i ngjason një margaritari, njihet dhe çmohet nga gjithë banorët e Shqipërisë të cilët vijnë aty nga të gjitha anët. Tashmë fshati mbush 400 vjet, ai u themelua prej të ikurve, prej njerëzve që përndiqeshin nga qeveria osmane sepse nuk donin të ndryshonin fenë. Ata, rebelët, e donin fuqishëm vendlindjen e tyre, truallin ku u rritën. Emrin “Dardhë” fshati nuk e mori rastësisht, rrëfimet e ardhura nga thellësia e shekujve pohojnë: Në këtë vend ekzistonte edhe një stan i cili kishte zënë vend poshtë një dardhe të egër me kurorë të madhe me hije të rëndë dhe freski magjepsëse. Nga emri i kësaj peme fshati mori emrin Dardhë ose Ndardhë, sepse shtrirja e fshatit niste pikërisht aty nga nën-dardha. Për këtë arsye quheshin edhe “ndardharë”.
NIKO BALLI
Dardharët, njerëz të dijes
Dardharët ose nëndardhasit ishin të prirur për dije. Më 1768 në këtë fshat të quajtur “Dardhë” u hap shkolla e parë greke. Thuhej se fshati Dardhë (viti 1888), ishte më i madhi i krahinës së Korçës me 1454 banorë; në fillim të shekullit numri i shtëpive arriti në 400. Drejt fshatit Dardhë mësynë edhe banorë të fshatit Sul, (nga krahina e famshme e Marko Boçarit), nga Voskopoja e djegur, nga Bozdoveci e Linotopi, nga Lerishta, Qinami etj. Më pas erdhën edhe familje të tjera me synimin për të qenë të mbrojtur dhe njerëz të lirë. Rrëfimet mbi jetën e fshatit Dardhë dhe të dardharëve, janë të shumta, flitet për trimëri dhe respekt për njeri-tjetrin. Gjithashtu u duhej të ishin gjithnjë bashkë.
Respekti për të vdekurit, siguri për të gjallët
Një histori tjetër e veçantë për fshatin Dardhë vjen prej vitit 1913 nga koloneli Lodeëijk Thomson (1869-1914), i cili bashkë me një oficer tjetër të lartë, të përzgjedhur nga Mbretëria e Hollandës për një mision 3-vjeçar në Shqipëri, zbritën në Vlorë më 10 nëntor 1913, dhe ditë më pas, ndërsa ishin duke kaluar përmes fshatit Dardhë bashkë me 17 ushtarë për të përcaktuar kufijtë e shtetit të atëhershëm shqiptar, ndaluan tek “Çezma e Vishnjës”. Në këtë çast i pari i tyre nisi t’i vështronte i habitur varrezat e fshatit; ato kishin një rregullsi dhe bukuri mbresëlënëse në sistemin e tyre; një prej vartësve të tij iu afrua dhe i tha: “Zotëri, po afron mbrëmja dhe rrugët janë jo të sigurta, duhet të arrijmë Korçën, dhe na duhen 3 orë”. Koloneli Thomson e pa vartësin e tij dhe i bëri shenjë drejt varrezave: “Këta njerëz që respektojnë kaq shumë të vdekurit e tyre, do të dinë të na respektojnë dhe ne të gjallëve. Sonte do të kalojmë natën këtu”. Varrezat e hershme të fshatit ndodheshin pranë kishës së Shën Gjergjit që nga viti 1624. Transferimi i tyre në një vend tjetër ndodhi në vitin 1938, por te vorreza e parë mbetën shumë prej eshtrave të të parëve të dardharëve.
Do të ngremë një përmendore
Tashmë vorreza lë shumë për të dëshiruar: një portë hekuri mezi mbahet në këmbë; muret rrethuese mungojnë, kafshët hyjnë në vorrezë, shenjat e varreve nuk dallohen më, nuk ka asgjë të shkruar ku të thuhet: “Këtu prehen të parët tanë që prej 400-vjetësh”. Sigurisht, kjo është pjesë e Kishës sonë, – shpjegon Niko Balli, – dhe në bashkëpunim edhe me ta do të përpiqemi të bëjmë të mundur sistemimin e këtij vendi ashtu siç u ka hije dardharëve”, sepse tashmë pas 111 vitesh në atë varrezë nuk ka mbetur asnjë shenjë që të tregojë se aty prehen përjetësisht dardharët që krijuan fshatin më 1624, ndaj ne, si shoqëri dardhare, kemi menduar të bëjmë sistemimin e vendit, pastrimin nga shkuret, rrethimin me mure dhe ngritjen e një përmendoreje ku të shkruhet: “Këtu prehen banorët e Dardhës që prej krijimit të saj më 1624”. Në krye të përmendores do të vendosim flamurin kuq e zi”.
Shkolla muze e Dardhës
Do të meremetojmë edhe shkollën muze të Dardhës, – vijon më tej Niko Balli, – e cila sot lë shumë për të dëshiruar, sepse mori goditje edhe nga tërmeti i vitit 2019. Për këtë arsye do të kërkojmë edhe bashkëpunimin me Monumentet e Kulturës Korçë e cila e ka nën kujdesje, të aprovuar që prej vitit 2017. Shkolla e Dardhës ishte më e bukura e ndërtuar në zonën e Korçës. ndaj ardhja e shumë emigrantëve dardharë me origjinë nga Dardha (shumë prej tyre vizitorë për herë të parë), do të na bëjnë të ndihemi keq kur të shohin në ç’gjendje është katandisur shkolla sot. Këtë shkollë dardharët e ndërtuan në vitin 1924 për shkollimin e fëmijëve, së shpejti do të festohet 100-vjetori i saj. Ndaj është e nevojshme që Bashkia e Korçës të tregojë vëmendjen e duhur; ne si shoqatë dardhare do të jemi përkrah saj. 400-vjetori i themelimit të Dardhës është shumë afër dhe ne e kemi detyrimin moral dhe shpirtëror ndaj të parëve tanë. Ndaj kemi shpresën dhe bindjen se Bashkia e Korçës do të dijë të vlerësojë këtë festë për fshatin tonë, i cili mbetet jo vetëm krenari për qytetin e Korçës, por edhe si fshati më i bukur turistik i Shqipërisë i shpallur më 1938-ën. Shqetësimi i mësipërm i adresohet Bashkisë Korçë, nga Kryetari i Shoqërisë dardhare “Shpresa”, Niko Balli dhe Sekretari Pandora Ballauri.
Vitet ’30, shkëlqimi i Dardhës
Shkëlqimi i Dardhës u vërejt gjatë viteve ’30. Jeta e gruas dardhare ishte e gjallë, ajo ishte zonjë në kuptimin e vërtetë të fjalës, diskriminimi i saj ishte i papranueshëm. Për 150 vjet dardharët mësonin në shkollë greqisht, por e mbanin atë thjesht si një gjuhë të huaj. Shkolla shqipe u hap në vitin 1917. Aktualisht funksionon një degë e turizmit korçar dhe një shtëpi pushimi, megjithatë sot Dardha njihet si një fshat i vogël, nuk ka fëmijë që të shkojnë në shkollë. Për Dardhën shkruajtën me përkushtim Lasgush Poradeci dhe Asdreni; u shkruajt edhe për klimën, natyrën, bukurinë, vlerat turistike dhe kurative; vetëm gjatë viteve të fundit u restauruan rreth 60 shtëpi, u ndërtuan shtëpi të reja dhe aktualisht po ndërtohen vila. Tashmë në Dardhë funksionojnë dy hotele me restorante ku gatuhen gjellë karakteristike, ndërsa pritet edhe ndërtimi i një hoteli të tretë modern, por mjaft i pëlqyer mbetet edhe hoteli i Pandi Batellit, shumëkush e cilëson si hotel të parë.
Dardhari, njeri i mençur
Arritjet e dardharëve ishin të mëdha dhe të shpejta, veçanërisht kur mendon që zanati i parë i tij ishte sopata dhe sharra, punën e siguronin larg fshatit të tyre, karvani i mushkave ishte i gjatë, numri i punëtorëve shkonte deri në 30 veta të armatosur. Në Olimp, nga viti 1800 deri në vitin 1935 sharrat e dardharëve punuan pa pushim; ata i gjeje në malet e Selitit, të Athosit të Mesollongjisë, në Demir – Kapi në Anadoll, në Rusi, në Isekum, në malet e Rodopit në Bullgari e deri në skelën e Varnës ku bënin tregtinë e qerestesë. Madje dardharët u shquan si druvarë të zotë; prej këtej rrjedh edhe shprehja “Ia pret me sëpatën e dardharit”. Por me kthimin e tyre në vendlindje, gjithçka ndryshoi për mirë, Dardhën e shndërruan në një vend të bukur turistik mjaft të vizituar nga vendasit dhe të huajt. Tashmë rruga është asfaltuar, gjatë dimrit nuk mungojnë as sportet dimërore. Në vitin 1927, sipas prifti Spiro Zenjo, në Dardhë banonin 50 djem dardharë të shkolluar.
Dardharë me emër të madh dhe të dekoruar
Vend të nderuar në fushën e arsimit dhe gazetarisë zënë Sotir Peci dhe Thoma Nasi (Nashi) një nga kompozitorët e parë shqiptarë, Nashi u mbajt nga Konservatori i Bostonit me shpenzimet e vetë konservatorit; regjisori i parë i filmit dokumentar Endri Keko (artist i merituar), ishte gjithashtu nga Dardha, po kështu edhe Karmeni i parë i operas shqiptare ishte mexosopranoja e rrallë Jorgjia Velo që u vra tragjikisht në Bukuresht. Aktualisht në bibliotekë gjenden rreth 50 tituj veprash të autorëve me origjinë nga Dardha. Më pas ata iu drejtuan Amerikës, ku krijuan edhe shoqëritë e tyre patriotike, 15 prej tyre në vitin 1982 u dekoruan me urdhër dhe medalje për veprimtari patriotike. Sot Dardha krenohet me origjinën nga e folura, me veshjen, me këngët, me vallet, me arkitetkturën e fshatit, me krojet, me zejtarinë, dhe me njësitë tregtare, të cilat i japin fshatit pamjen e një qyteti të lulëzuar, me ndërtesat e bukura prej guri të gdhendur, të mbuluara me plloça të hirta, të bukura dhe solide, kurse rrugët me kalldrëme. Në vitet ’40 Dardha kishte pamjen e një qyteti të lulëzuar, numri i banorëve shkonte deri në 1000 veta.
Veshja e grave dardhare, unikale
Gratë dardhare çdo të kremte mbanin xibunin, veshjen tradicionale të fshatit (edhe në pajë merrnin një të tillë), kurse ditën e martesës visheshin me fustan të bardhë, gjithashtu kishin edhe rrobat që ua sillnin nga mërgimi, por xibuni ishte veshja e preferuar e tyre. Xibuni qepej në Dardhë, përdorej nga pak edhe në fshatrat Sinicë dhe Qytezë. Sipas Sotir Laços dhe Sotir Panit koleksionistë të vjetër, xibuni kishte nisur të preferohej që prej shekullit XIX. Ishte veshja e mirënjohur e vendit. Vallja dardhare nuk mund të kërcehej prej grave pa u veshur me xibun, kurse burrat parapëlqenin veshjen europiane. Gratë dardhare me xibun u fotografuan nga Thimi Raci me një kujdes tepër të veçantë artistik. Për herë të parë në vitin 1931 u fotografuan 10 çifte. Ata që u fotografuan erdhën enkas nga Amerika, të cilët ishin fotografuar edhe në studio prestigjioze. Për realizimin e fotografimit ishte bërë prerja (caktimi) i ditës, përzgjedhja e vendit caktimi i orës, por caktimi i veshjes ishte më i vështiri sepse “ata të Amerikës”, parapëlqenin kostumet europiane, kurse fshati i tyre kishte një veshje të tijën karakteristike për meshkujt, që quhej “mandio”. edhe vallet kërceheshin nga valltaret e veshura me xibun, veshjen tradicionale të fshatit (dhe në pajë e mernin nga një të tillë), ndonëse ditën e martesës e ndërronin me fustanin e bardhë.
Eja në Dardhë!
Uji i dardhës me vlera kurative
Ndaj ejani në Dardhë, gjendet fare lehtë, ndodhet 20 km në juglindje të Korçës, 1344 metra mbi nivelin e detit, mes kodrës së Shën Pjetrit dhe Shkëmbit të Vjeshtës, rrethuar edhe me kodra të tjera. Klima është ideale, ajri i pastër dhe i pasur me oksigjen, preferohet prej gjithkujt dhe në çdo stinë të vitit. Gjatë dimrit gjen aty dëborën e shtruar, pistat natyrore për sportin e skive Nuk mund të lëmë pa përmendur ujin me aromë karakteristike të Dardhës, burimin me vlera kurative për stomakun dhe veshkat. Uji i Dardhës është përdorur që herët për vlerat e tij kurative, aroma dhe shija e tij janë të rënda si pasojë e përmbajtjes së lartë të squfurit, pork a veti kuruese ndaj anemisë, stomakut, mëlçisë së zezë, veshkave e shumë të tjera. Ejani në Dardhë më 16 gusht, ju presim të festojmë së bashku. Këtë vit, këtë festë të bukur e paralajmëruam me herët në krahasim me vitet e tjera, sepse do te jetë një festim I paharrueshëm për çdo pjesëmarrës.