Dardha turistike e Korçës magjia e bukurisë mahnitëse
Gjashtëmbëdhjetë gushti, dita e themelimit të fshatit turistik të Dardhës po afrohet me shpejtësi, – nis të na tregojë z. Niko Balli, kryetar i shoqatës dardhare “Shpresa”, njëkohësisht pronar i hotelit “Dardha” me 4 yje dhe cilësinë e hotelit grand. Tashmë nuk ka mbetur edhe shumë kohë kur vendas dhe të huaj nga shumë vende të botës do të mbërrijnë në fshatin më të bukur turistik të kësaj zone dhe më gjerë. Këtë vit festohet 400-vjetori i themelimit të saj. Deri më sot është bërë shumë për këtë fshat të bukur me njerëz të mençur dhe punëtorë, të cilët që nga zanafilla e deri më sot kanë mbetur dhe do të vijojnë të mbeten mikëpritës, patriotë dhe njerëz të dashur. Dera e shtëpisë së tyre është e hapur në çdo kohë. Dardha u themelua më 16 gusht të vitit 1624, – tregon kryetari i shoqërisë dardhare “Shpresa” Niko Balli, – aktualisht mbush 400 vjet nga dita e themelimit. Dardha ndodhet 20 km në juglindje të Korçës, në lartësinë 1,344 metra mbi nivelin e detit, mes kodrave të Shën Pjetrit, Shkëmbit të Vjeshtës dhe kodrave të tjera. Klima është ideale, ajëri i pastër, i pasur me oksigjen, me bukuri madhështore që të mahnitin. Gjatë dimrit mund të ushtrohesh në sportin e skive, ndërsa në verë mund të soditësh bukuri përrallore. Mikpritja e dardharëve është dinjitoze, mbetet e paharrueshme përgjithsecilin. Në vitin 1938 Dardha u shpall fshat turistik.
Festë e madhe në Dardhë!
Festa e Dardhës do të jetë e madhe, e bukur dhe e pafund. Historia e saj do të shpaloset tërësisht. Pjesë të historisë së saj do të lënë të mahnitur gjithkënd. Shumëkush do të mësojë gjëra të reja të cilat deri më sot nuk i kanë ditur. Dardha vijon të mbetet për Korçën një fshat piktoresk, i bukur mikpritës dhe me histori të madhe. Jeta e saj gjjithnjë priret drejt arsimit dhe dijes. Veç sa më sipër, kryetari i shoqatës dardhare “Shpresa”, Niko Balli, do të ketë edhe ndihmën e Bashkisë Korçë me qëllim që festës së madhe të mos i mungojë asgjë. 400-vjetori i themelimit të Dardhës do të mbetet i paharrueshëm, brezat e rinj do të mësojnë mbi vlerat e njerëzve të këtij fshati, mbi dijet dhe përkushtimin e tyre. Pikërisht aty ajo shfaqet magjiplotë në çdo kohë: dimri e mbulon me borë, pranvera me blerim, vjeshta me ngjyra të larmishme, puhizat me freski, ylberi me bukuri, dielli me shkëlqim, bukuria e saj i ngjason një margaritari, njihet dhe çmohet nga gjithë banorët e Shqipërisë të cilët vijnë aty nga të gjitha anët. Tashmë fshati mbush 400 vjet, ai u themelua prej të ikurve, prej njerëzve që përndiqeshin nga qeveria osmane sepse nuk donin të ndryshonin fenë. Ata, rebelët dardharë, e donin fuqishëm vendlindjen e tyre, truallin ku u rritën.
Dardha me shkollë që nga viti 1768,
udhëtimi i saj i sukesshëm
Në vitin 1768 në Dardhë u çel shkolla e parë; në vitin 1800 nisi të përmendej për përpunimin e drurit, shajakut dhe kostumeve të bukura; në vitin 1888, Dardha kishte 1454 banorë, spikati përgjatë vitet 1913-1936; në këtë kohë Dardha kishte 500 shtëpi dhe tri kisha: të Shën Thanasit, Shën Gjergjit dhe Shën Pjetrit; Në vitin 1917 dardharët çelën shkollën shqipe; në vitin 1924 ndërtuan një shkollë tjetër, – tashmë mbush një shekull nga krijimi i saj, – është shkolla më e bukur e ndërtuar në zonën e Korçës, por sot ka nevojë për rehabiltim pasi u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019. Në ditëfestat e Shën Marisë dhe të Shën Pjetrit, në Dardhë vijnë mysafirë nga ana e anës; Shën Maria festohet më 16 gusht, kurse e Shën Pjetrit më 29 qershor, kisha e Shën Pjetrit ngrihet mbi një shkëmb, mes një pylli të bukur. Aty ndizet vallja tradicionale, dardharët me kostumet tradicionale kuq e zi dhe brez argjendi i japin hijeshi festës dhe e bëjnë atë të paharrueshme. Ushqimet dhe gatesat janë të shumëllojshme.
Mikpritja e dardharëve
Gjithashtu në Dardhë gjen shtëpi karakteristike të bukura, të mbuluar me plloça guri të hirta, portat me motive artistike, oborret me lule, rrugët me kalldrëme, hotelet bashkëkohore, shtëpitë të reja etj. Muzeu shpalos historinë e këtij fshati të dëgjuar në mbarë vendin. Shtëpitë e bukura dardhare me kushte mjaft të mira tërheqin vizitorë të shumtë, nuk mungojnë as restorantet, ekziston edhe shtëpia e dikurshme e pushimit, tashmë si hotel dhe restorant. Gjen aty edhe dy komplekse të mëdha turistike moderne me kapacitete të mjaftueshme akomoduese; njeri prej tyre ndodhet në hyrje të luginës ose në hyrje të fshatit, ndërsa tjetri në qendër të Dardhës. Por hoteli që tërheq më shumë vëmendje është hotel alpin “Dardha”, ndërtuar sipas strukturës alpine. Dikur fshati numëronte 100 burime, banorët i kishin shndërruar në çezma që udhëtarët e lodhur nga rruga të gjenin freski, të shuanin etjen dhe të çlodheshin pranë tyre. Banorët e Dardhës merrnin bekime prej tyre, pasi edhe mikpritja e banorëve vijon të jetë e veçantë, e rrallë, dhe e paharrueshme. Në vitin 1888, Dardha kishte 1454 banorë. Në dardhë të gjitha shtëpitë e banorëve janë të përshtatshme për akomodim me kushte komode mjaft të rehatshme.
Kuzhina dardhare mbresëlënëse
Nëse mbërrin në Dardhë mund të akomodohesh në shtëpinë që të pëlqen më shumë, sepse të gjitha janë të bukura, me kushte komode dhe mundësi përzgjedhjeje. Në qendër të fshatit ndodhen 1 bar dhe një restorant, 3 të tjerë brenda fshatit, 2 në kodrat përreth dhe 1 tek burimi i ujit kurativ ndaj anemisë, stomakut, mëlçisë së zezë, veshkave e shumë të tjera. Një prej hoteleve është me 4 yje, me sallë konferencash me sauna, hidromasazh, ngrohje qendrore me kaldajë që përmbush të gjitha standardet e një hoteli luksoz. Edhe 4 hotele të tjerë ofrojnë kushte të mira, dhomat janë me banjo më vete, (vetëm një hotel i ka dhomat me banjo të përbashkët), ngrohja bëhet me dru zjarri. Në Dardhë nuk mungojnë as “Shtëpitë e miqve”, 6 prej tyre kanë 12 dhoma dhe 24 shtretër; vetëm një banjo dhe një kuzhinë të përbashkët; ngrohja bëhet me dru zjarri. Gatimet janë të shumëllojshme si: kërnackat, oshmaret, mishi i pjekur, produktet e zgarës, ushqimet e konservuara si turshitë etj. Nuk mungon lakrori i pjekur në saç, rakia e kumbullës së egër me shijë të veçantë, pastërmaja, gështenjat etj; kurse gjatë stinës së dimrit të apasionuarit pas skive përmbushin kënaqësitë e tyre sportive. Skipista e Dardhës është 1.5 km e gjatë, 70 m e gjerë me funksionim të plotë. Vijon të mbetet një ndër aspektet më tërheqëse të Dardhës.
Vizitorët vijnë në Dardhë 2-3 herë në vit
Për të gjitha këto, ka vizitorë që vijnë në Dardhë dhe dy herë në vit, sepse Dardha është e bukur në çdo stinë. Vetëm gjatë ngjitjes për në Dardhë mund të shijosh pamje të mrekullueshme të natyrës, shushurimën e pyllit, këngën e zogjve, freskinë e pranverës, ansamblin e luleve, ngjyrat ekzaltuese të Gurit të Vjeshtës etj. Prej disa vitesh në Dardhë funksionojnë dy hotele me restorante, ku gatuhen gjellë karakteristike, ndërsa pritet edhe ndërtimi i një hoteli të tretë modern. Unikal mbetet kostumi i grave të Dardhës, kuq e zi dhe brez argjendi. Disa prej valleve të njohura të grave u krijuan në Dardhë. Diskriminimi i gruas për dardharët ishte i paparanueshëm. Gjithashtu nëse vjen në Dardhë mund të shëtisësh edhe me kalë. Gjatë stinësë dimrit rreshjet e dëborës dhe pistat natyrore janë mjaft të përshtatshme për zhvvillimin e sporteve dimërore, sidomos i skive. Gjithashtu në Dardhë gjen edhe një sërë monumentesh të rralla të natyrës dardhare, si: Bredhi i vjeshtës 120 vjeçar, guri i vjeshtës në verlilindje të Dardhës, Kisha e Shën Pjetrit në Rrah, Kroi i Zengos, Rrëpira e Shën Pjetrit në rrah, Kroi i fshatit, Kroi i Stefanit, Muzeu i Dardhës ose Shtëpia e Sotir Panit.