Mirela është studente e vitit të dytë dega gazetarisë, në Universitetin “Luigj Gurakuqi të Shkodrës”. Mirela përshkruan me një gjuhë të thjeshtë dhe të qartë, plot emocione vendlindjen e saj Nikcin. Eseja është një përshkrim plot pasion për këtë vend në alpet shqiptare që ka historinë, kulturën dhe traditat e tija të mrekullueshme. Mirela në përshkrimin e saj jep disa detaje të vogla, por shumë të rëndësishme për këtë zonë magjike. Eseja është një “pikturim” me fjalë i peisazhit dhe historisë së Nikcit. E lindur dhe e rritur në këtë zonë deri në klasën e 9-të, sic duket Nikci ka “skalitur” në memorien e Mirelës, imazhin mitik të këtyre zonave me peisazhe të mrekullushme, me vlera arketipiale. Alpet shqiptare janë të mbushura me histori, tradita mikpritje dhe bukuri të radha, të cilat duhet të promovohen dhe zhvillohen. Alpet janë krenaria e jonë si komb dhe kulturë.
Qamil Gjyrezi!
![nikcin1](https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2015/12/nikcin1.jpg)
Nikçi është një fshat i vogël, që ndodhet në lindje të fshatit Tamare në Kelmend. Është pranë bllokut të Shnëikut, që ndodhet rresh 600 deri në 950 metra mbi nivelin e detit. Pavarësisht se është një fshat i vogël, Nikçi zotëron bukuri natyrore të mëdha. Në këtë fshat ndodhen shpella te bukura, burime që shpërthejnë në mes të shkëmbinjëve, ujvarave, peizazheve te bukura alpine ..etj.
Ky fshat quhet ndryshe edhe“ ballkon“ sepse nga majat e këtij fshati shihet “zemra e alpeve Shqiptare“. Syri te kap maje të bukura të majeve të larta, blloqe vigane, shkëmbore, liqene, bjeshkë e kullota të bukura alpine. Me ndihmën e guidave nga Nikçi mund të shkohet në fshatrat turistik të Valbonës ,Thethit, Bogës etj. Sipas gojëdhënave, thuhet se emri i fshatit Nikç por edhe i fshatrave të tjerë të Kelmendit ka ardhur nga banori i parë .
Të “moçmit“ siç thuhet në Kelmend apo të vjetrit , thonë se banorët e parë në këto fshatra kanë qenë katër vëllezër. Nili nga ku mori emrin Nikçi,Vuli-Vukli, Seli-Selca dhe Boli –Boga. Në qendër të Nikçit pranë kishës dhe varrezave katolike dhe myslimane ndodhet një pemë Bliri shekullore, kur lulet e këtij Bliri çelin aroma e tyre ndihet ne të gjithë fshatin. Në majat dhe bjeshkët përreth gjenden bimë mjekësore si lulet aguliçe, çaji i verdhë, rigoni i kuq e kshanza e cila kur përdoret me raki ndihmon në eleminimin e sëmundjeve të zemrës, në heqjen e reomatizmës etj.
Nikçi ka shumë burime me ujë të ftohtë, më e njohura është Gurra e Musavatit ku thuhet se edhe i madhi Vezir Pasha ka pirë nga ky ujë për një kohë të gjatë derisa një ditë shërbëtori i tij ishte lodhur nga rruga e gjatë dhe vendosi ta mbushte ujin e zotëris së tij tek një krua tjetër. Kur shërbëtori i kishte dhënë ujin zotërisë së tij ai e kishte njohur menjëherë ujin që shërbëtori i kishte sjellë dhe e kishte larguar nga detyra. Burime të tjera të njohura janë gurra e Komanit, e Ledit dhe e Jezercës. Ujrat kanë formuar shpella të bukura karakteristike si Skurra e Gjaçkes e cila thuhet se nuk është shumë e thellë por nëpërmjet saj mendohet se mund të shkohet në Bogë, por që deri tani askush nuk e ka provuar një gjë të tillë. Shpella e Madhe, Shpella e Mrikles etj. Objekte të tjera që ndodhen në Nikç janë Puset Karstike, Ujvara e Vizhnës, si dhe Forca e Kelmendit, ku në këtë shpellë është zhvilluar filmi“ Flaka e maleve“. Është monument natyror dhe vend me rëndësi historike. Pas Forcës së Kelmendit shpalose majat e Bjeshkëve të Nemuna si Dobroça në Livadh të Bogës, në Surtë, në Koprrisht dhe Ujk Carës, në Gropë të Bukur, në She të Bardhë, në Runicë, Jezercë .
Kudo shikon kulme majash si të gdhendura me dorë, vatra bore pranë kreshtave të dhëmbëzuara, blloqe vigane shkëmbore, liqene akullnajore. Përveç bukurive natyrore tepër interesante janë edhe objektet e ndërtuara nga vetë dora e njeriut. Përshembull marrim shtëpi dykatëshe prej guri me ballkon e çati të pjerrët alpine. Në afërsi të lumit Cem janë ndërtuar mullinjt e blojës, të cilat bluajnë grurin, elbin dhe misrin njësoj si në kohë t e vjetra sikur koha për to të kishte ndaluar. Festa karakteristike është ajo e Zojës Ndihmtare më 24 Maj. Pavarësisht se ka pak njerëz festa merr përmasat e duhura si në çdo fshat tjetë, ku nuk mungojnë miqtë dhe pritja e pakrahasueshme. Nuk kam çfarë të shtoj me tepër vetem se vizitojeni dhe gjykoni sipas përshtypjeve tuaja. Jeni të mirëpritur!
![nkc1](https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2015/12/nkc1.png)
Komentet