Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar të mërkurën për ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë se është punuar intensivisht.
“Prokuroria Speciale ka kryer punë intensive disamujore në këtë rast të madh dhe kompleks. Pas përfundimit të hetimeve, pas grumbullimit të provave dhe duke u mbështetur në to ka ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast”, ka thënë ai në një konferencë për media.
Ata ngarkohen për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, konkretisht veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, financimi i terrorizmit dhe shpëlarjes së parave.
Për vonim të aktakuzës, Isufaj ka thënë se shkaku kryesor ishte pranimi i rezultateve të ekzaminimeve të kryera jashtë vendi.
Naim Abazi, prokuror i rastit, ka thënë se janë realizuar 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur. Sipas tij, si dëshmi janë marrë 120 pajisje elektrike, 1266 armë e pajisje të tjera.
Sfidë në kryerjen e punëve ai e ka cilësuar mungesën e bashkëpunimit ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve për shpëlarje parash dhe përdorimin e teknologjive në aktivitetet kriminale nga të akuzuarit.
“Megjithatë, përkushtimi ynë për ta ndriçuar këtë rast na ka shtyrë t’i kalojmë këto sfida. Aktakuza përfshin 45 persona që kanë pasur role të ndryshme, duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi e shpëlarja e parave. Ndër ta akuzuarit me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit është Milan Radoiçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, ka deklaruar ai.
Abazi ka deklaruar se Prokuroria ka bërë dhjetëra kërkesa për bashkëpunim juridik ndërkombëtar dhe falë bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera, është arritur të sigurohen dëshmi të rëndësishme. “Këto kërkesa kanë qenë thelbësore për të zbuluar rrugët e financimit dhe për të siguruar provat për të ngritur këtë aktakuzë të fuqishme”, ka thënë ai.
Abazi po ashtu ka thënë se gjatë procesit janë sekuestruar pasuri të luajtshme e të paluajtshme, prona, vetura të blinduara e mbi 1200 armë. “Ky veprim ka për qëllim të parandalojë përdorimin e këtyre aseteve për aktivitete e mëtejshme kriminale për të goditur grupet financiare… Fondet janë transferuar përmes rrjeteve të ndërlikuara financiare duke përfshirë biznese të regjistruara në emër të personave të tretë dhe investime në pasuri të paluajtshme. Gjurmimi i këtyre parave ka kërkuar analizë të hollësishme financiare dhe përfshirjen e ekspertëve të fushë”, ka thënë Abazi.
As Isufaj e as Abazi s’kanë pranuar të komentojnë nëse Serbia është e përfshirë në sulm.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serb e pati sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Nga shkëmbimi i zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë, ndërkaq pjesa tjetër e grupit kishte ikur në drejtim të Serbisë.
Përgjegjësinë për sulmin e pati marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili tani ndodhet në Serbi. Milan Radoiçiq disa javë pas sulmit qe arrestuar në Serbi. Ai po mbrohet në liri, ani pse Prokuroria serbe e ka ngarkuar atë me dyshimet për konspiracion, armëmbajtje pa leje dhe krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme. sn