Votimi i një jurie të madhe në Manhatan ka hapur dritën jeshile për ngritjen e një padie ndaj ish-Presidentit Donald Trump, nën akuza që kanë të bëjnë me pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 për të blerë heshjen e një aktoreje të filmave pornografikë lidhur me pretendimet për mardhënie jashtëmartesore.
Republikani Donald Trump, i cili po kandidon për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024, tha përmes një deklerate në rrjetin e tij “Truth Social” se: “Ky është një persekutim politik dhe ndërhyrje në zgjedhje në nivelin më të lartë në histori”.
Ish-Presidenti Trump tha në dekleratë se, demokratët e majtë radikalë u përpoqën me çdo mënyrë të minonin presidencën e tij që nga momenti që ai u deklarua fitues i zgjedhjeve presidenciale.
Ky është rasti i parë ndonjëherë i ngritjes së akuzave penale ndaj një ish-presidenti amerikan dhe një goditje ndaj përpjekjeve të zotit Trump për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024.
“Demokratët kanë gënjyer, mashtruar dhe vjedhur në përpjekjet e tyre për të shtënë në dorë Trump-in. Por tani kanë bërë të paimagjinueshmen, duke ngritur padi ndaj një personi plotësisht të pafajshëm, në një akt flagrant të ndërhyrjes në zgjedhje”, thuhet në deklaratën e zotit Trump.
Aktakuza u konfirmuar të enjten nga Joe Tacopina, një avokat i zotit Trump, dhe të tjerë që kanë njohuri mbi këtë çështje por nuk janë të autorizuar për të diskutuar akuzat që ende nuk janë bërë publike.
Hapja e dritës jeshile nga juria e madhe për ngritjen e akuzave ndaj 76-vjeçarit Trump, është një ngjarje e jashtëzakonshme pas vitesh hetimesh mbi marrëdhëniet e tij në fushën e biznesit dhe politikës.
Ngritja e padisë ka të ngjarë të nxisë kritikët që thonë se zoti Trump bëri manipulime deri në marrjen e Shtëpisë e Bardhë, por nga ana tjetër, kjo do të angazhojë mbështetësit e tij, të cilët thonë se republikani Trump po vihet padrejtësisht në shënjestër nga një prokuror demokrat.
“Prokurori i Mahatanit Alvin Bragg, i cili u zgjodh dhe u financua nga George Soros, është një turp. Në vend që të ndalojë valën e paprecedentë të krimit që ka pushtuar qytetin e Nju Jorkut, ai po bën punën e pistë të Joe Biden-it”, shprehet zoti Trump në deklaratën e tij të postuar në rrjetin ‘Truth Social”.
Avokati Tacopina tha në një deklaratë se: “Ai nuk ka kryer asnjë krim. Ne do ta luftojmë fuqishëm në gjykatë këtë ndjekje politike”.
Hetimi i prokurorit u përqendrua tek paratë e paguara aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels dhe ish-modeles së revistës “Playboy” Karen McDougal, për të cilat ai druhej se do t’i shprehnin publikisht pretendimet se kishin patur mardhënënie intime me të.
Zoti Trump, i cili ka hedhur poshtë akuzat dhe ka sulmuar në mënyrë të përsëritur hetimin si të motivuar politikisht, pritet t’u dorëzohet autoriteteve javën e ardhshme, megjithëse detajet janë ende duke u përpunuar, sipas një personi anonim që ka njohuri për çështjen.
Prokurori i qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, po ndërmerr një hap të pazakontë. Rasti në fjalë u hetua nga dy prokurorë të mëparshëm, të cilët refuzuan të ndërmarrin hapin me peshë të madhe politike për të kërkuar ngritjen e padisë ndaj zotit Trump.