Avokati Spartak Ngjela ka shkruar një koment në profilin e tij në “Facebook”, ku komenton deklaratat e djeshme të kreut të PD-së Lulzim Basha.
Sipas tij, kreu i PD-së po kërcënon nën presionin e Sali Berishës me luftë civile.
“Kë kërkon të trembë me luftë civile “trimi” pa armë i Partisë Demokratike: Shqiptarët e vuajtur nga padrejtësia dhe varfëria; politikën amerikane, apo kryeministrin Rama? Asnjërin prej tyre nuk e tremb dot, sepse…gjithmonë në luftën e pamundur, një fishek, ka mbetur dhe do të mbesë një fishek”, shkruan Ngjela.
Ai vijon më tej duke shkruar se Basha ka ndërmend të bëjë grusht shtetit duke u përkrahur nga Berisha dhe Meta me votat në Kuvend.
Por edhe kjo sipas tij është naivitet fëminor, sepse Perëndimi sipas tij nuk do ta njohë kurrë shtetin e ri.
“Tani shqiptarët e dinë se institucionet e hetimit dhe ndëshkimit, sipas reformës nuk i zgjedh politika shqiptare, por ekipet amerikanë dhe europiano-perëndimorë. Atëherë, pse nuk pranoni arbitrin perëndimor, por na kujtoni dhe luftën civile? Domethënë, shqiptarët, me luftë të armatosur, ose me grusht shteti, do të izolojnë Shqipërinë sërish nga Perëndimi?”, shkruan Ngjela.
POSTIMI
“Kjo reformë properëndimore, e futur në Parlament, sjell luftë cuvile” – na tha dje Lulëzim Basha.
Kë kërkon të trembë me luftë civile “trimi” pa armë i Partisë Demokratike:
Shqiptarët e vuajtur nga padrejtësia dhe varfëria; politikën amerikane, apo kryeministrin Rama?
Asnjërin prej tyre nuk e tremb dot, sepse…gjithmonë në luftën e pamundur, një fishek, ka mbetur dhe do të mbesë një fishek.
Një individ që nuk ka fare kulture historike, sikurse Lulëzim Basha, vetëm ai mund të shpërvjelë fjalë që nuk u di kuptimin. Por ka tepër gjasë që këtë formulën e “luftës civile” t’ia këtë dhënë djalit mendja e lodhur, e trembur dhe e errësuar e Sali Berishës.
Por, për politikanët amerikane, një nonsens i tillë nuk tremb ata, por u jep të kuptuar atyre se Berisha dhe Basha janë trembur deri në ekstremin e të folurit përçart.
Po pse, a ka gjimnazist sot në botën e qytetëruar që nuk e di se lufta civile është perplasje e armatosur midis dy grupeve me interesa të kundërta politike dhe ekonomike në një shoqëri? Ku janë grupet e armatosur në një shtet si ky yni? Nëse Berisha mendon se me një “grup kaçakësh” të rrugaçërisë shqiptare do të godasë një shtet të NATO-s, komedia është edhe më shprehëse.
Shqiptarët sot, si në një skenë teatri, po shohin vjedhësit e tyre që kërkojnë që me çdo mjet të mbajnë gjëne e vjedhur. Por ja që shqiptarët në këtë rast kanë me vete historinë e tyre: bota perëndimore ku shqiptarët aspirojnë të hyjnë, kërkon shpronësimin dhe ndëshkimin e grabitësve të shqiptarëve.
E pra, ekuacioni është shumë i thjeshte: e ardhmja e shqiptarëve është në funksion të ndëshkimit dhe shpronësimit të grabitësve të tyre. Kështu që, pse lodhen kot grabitësit e korruptuar, kur këtë gjë sot e dinë të gjithë shqiptarët?
Por, mos ndoshta ky Lulëzimi ka dashur të na kërcënoje, jo më luftë civile, por me grusht shteti, të përkrahur nga Meta dhe Berisha si Bashkim me vota në Parlament. Por edhe ky është neivitet feminor në politikë: pse, a mund ta njohë Perëndimi dhe politika amerikane qeverinë e grabitësve që presin ndëshkimin? Po shqiptarët bar hanë? Po Zëri i Amerikes do bllokohet valësh nga golpistët? Po paratë ku do t’i gjejnë, do t’ua japë Moska? A mund të mendohet kjo nga një mendje normale?
Keni rënë në marrëzi, o te mjerë, pse s’ecni me qetësi drejt ndëshkimit! Kjo është rruga tuaj.
Tani shqiptarët e dinë se institucionet e hetimit dhe ndëshkimit, sipas reformës nuk i zgjedh politika shqiptare, por ekipet amerikanë dhe europiano-perëndimorë. Atëherë, pse nuk pranoni arbitrin perëndimor, por na kujtoni dhe luftën civile? Domethënë, shqiptarët, me luftë të armatosur, ose me grusht shteti, do të izolojnë Shqipërinë sërish nga Perëndimi?
Ore…janë në gjendje të kuptojnë këta antiperëndimorë se Perandoria Osmane ka rënë dhe Enver Hoxha ka vdekur me gjithesejt?
Ja çdo të ndodhë me votimin në Parlament: deviza do të jetë kjo – me Amerikën dhe Bashkimin Europian, apo kundër tyre?
Ata që janë kundër, le ta djegin mandatin e deputetit, se ai do të mbetet një mandat që nuk e pranojnë si mandat, 97 përqind të shqiptarëve.
Komentet