Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Brendëshme të cilat i përkasin vitit 1968, ku bëhet fjalë mbi një korrespodencë me disa raporte me siglën “Teper sekret”, ku Ministri i Punëve të Brendshëm, Kadri Hazbiu, Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu, sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Vlorës, Petro Dode, informojnë sekretarin e Komitetit Qëndror, të PPSH-së, Hysni Kapo, lidhur me ngjarjen e jashtëzakonëshme të ndodhur në Bazën Ushtarako-Detare të Pashalimanit, ku “element armiq” i vunë zjarrin depos së municioneve luftarake të Marinës. Të gjitha detajet e hollësishme të atyre raporteve mbi ngjarjen e rëndë që ishte e përsëritur dhe alarmoj udhëheqjen e lartë komuniste në Tiranë, ku si rezultat, për “mungesë të vigjëlencës” u arrestuan magazinieri Bajram Bajrami, tekniku i ndërtimit, Aleko Pango dhe normisti, Sherif Daupaj. Letra e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së Vlorës, Petro Dode i cili njofton Hysni Kapon për Degën e Punëve të Brendëshme dhe Prokurorinë e atij rrethi, të cilët në kundërshtim me rregullat e Partisë, arrestuan komunistin, Sherif Daupaj dhe filluan hetimet ndaj furnitorit të kantierit, antarit të partisë, Ismet Bajramit, pa marrë më parë miratimin e Byrosë së Partisë së atij rrethi…?!
Lajmi i dhënë ditën e djeshme (dt.30 qershor) në shumë media të shkruara dhe vizive për zjarrin e rënë në afërsi të Bazës Ushtarake të Pashalimanit, ku për shuarjen e flakëve të tij, u angazhuan forca të shumta nga toka dhe disa helikopterë nga ajri, nuk është një ngjarje e panjohur që ndodh për herë të pare! Duke përjashtuar ato të vitit 1997, ku u shpërthyen, u hapën dhe u plaçkitën pjesa më e madhe e reparteve, magazinave dhe e depove ushtarake pothuaj në mbarë vëndin, duke përfshirë këtu edhe Bazën e Pashalimanit, ai repart nga më të rëndësishmit e Ushtrisë Shqiptare, para dhe pas viteve ’90-të, ka pasur ngjarje të tilla edhe në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Madje jo vetëm vjedhje armatimesh e municionesh, por edhe djegje të depove të saj.
Dhe këto ngjarje kanë ndodhur në fundin e viteve ’60-të, apo më saktë në fillimin e vjeshtës së vitit 1968, kur regjimi komunist i Tiranës nëpërmjet kryeministrit Mehmet Shehu, në një senacë të jashtëzakonëshme të Kuvendit Popullor, denoncoi agresionin e armatosur sovjetik ndaj Çekosllavakisë dhe Ushtria Shqiptare thuhej se ishte në kulmin e fuqisë së saj, e ishte gati që: “t’i bënte ballë një sulmi armik apo koalicioni armiqsh, si të Paktit Ushtarak të NATO-s, ashtu dhe Traktatit të Varshavës, dhe të dilte fitimtar mbi ta”. Gjë e cila ishte e sanksionuar edhe në Tezat e Këshillit të Lartë të Mbrojtjes ku flitej mbi Artin Ushtarak Popullor, si dhe duke u shkruar me gërma të mëdha, jo vetëm në stendat e fasadat e repartave ushtarake, por edhe në rregulloret e librat e Ushtrisë Shqiptare, që i mësonin ushtarët dhe oficerët në Shkollat e Lira, Shkollat e Nënoficerëve dhe Oficerëve në Zall-Herr, Laç Vau i Dejës, Bunavi e Vlorës, Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, “Enver Hoxha” në Tiranë, si dhe Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm, “Mehmet Shehu”.
Pra në këtë atmosferë kohe, Baza Ushtarako-Detare e Pashalimanit që ishte dhe mbeti krenaria e Ushtrisë Shqiptare, do të bëhej objekt grabitje dhe do t’i vihej zjarri, ngjarje e cila do të alarmonte ushëheqjen e lartë komuniste të asaj kohe. Kjo gjë veç të tjerash, bëhet e ditur edhe nga disa dokumente arkivore që mbajnë siglën “Tepër sekret”, ku ndodhet një korrespodencë ndërmjet sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së Vlorës, Petro Dode dhe ministrit të Punëve të Brendëshme, Kadri Hazbiu, e zëvëndësit të tij, Feçor Shehu, që mbante postin e drejtorit të Sigurimit të Shtetit, të cilët informojnë sekretarin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, Hysni Kapon, mbi ngjarjen tejet të rëndë që kishte ndodhur në Pashaliman. Për më shumë se ç’përmban korrespodenca ndërmjet tyre, na njohin dokumentat në fjalë të cilat Memorie.al po i publikon të plota dhe me faksimilet përkatëse.
Rapori i zv/ministrit të Punëve të Brendëshme, Feçor Shehu, për Komitetin Qëndror, për zjarrin në depon e Bazës së Pashalimanit
MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDESHME TEPER SEKRET
DREJTORIA E PARE Ekzemplar Nr. 1
Nr. 1915 Prot.
Tiranë, më 4.X.1968
KOMITETIT QENDROR TE PPSH-së
INFORMACION
Mbi zjarrin e shkaktuar në depon e materialeve të ndërtim-montimit dhe materialeve të uzinës së Flotës në Pashaliman
Duke pasur shumë shrregullime në depot e sektorit të ndërmarjes së ndërtimit “Perlat Rexhepi”, si mungesë kontrolli nga përgjegjësat, gabime në vendosjen e kuadrit, mbasi brenda në depo punonte si magazinieri ashtu dhe furnitori me pretekstin se nuk kishte zyrë (të dy këta ishin kushërinj të parë), ka mundësi që zjarri të jetë vënë nga këta, për të mbuluar ndonjë defiçit eventual.
Në fund zjarri mund të jetë shkaktuar edhe nga pakujdesia, mbasi persona që nuk kishin të bënin me depon, punonin në një zyrë të ngritur në korridorin e depos dhe deri në ora 18.00 të datës 26.9.1968, kanë luajtur shah, pinin duhan dhe cigare pa i shuar dhe i hidhnin për tokë, gjithashtu është vërtetuar se gjatë lojës, me pretekstin e shikimit, janë futur edhe persona të tjerë, të cilët edhe këta kanë pirë duhan.
Nga analiza doli se në atë depo nuk kishte rregull në vëndosjen e materialeve, mbasi nga ana e ndërrmarjes ishte lejuar që të vendoseshin në një vend, karbit, bojë vaji, vaji lini, dyshekë e jorganë, lecka, materiale elektrike, hidraulike etj. Përveç këtyre në depo hynte dhe dilte kushdi me punë dhe papunë, depo nuk sigurohej me roje, të paktën gjatë natës dhe dera kryesore e saj nuk mbyllej me kyç.
Me urdhër të drejtuesëve të ndërrmarjes, është prishur një barakë që kanë qënë zyrë për punonjësit e administratës dhe këta nëpunësa janë futur në korridorin e depos.
Në marrëveshje me komandën e garnizonit në Pashaliman u organizua kontrolli i depove të tjera të kësaj baze, nga ku doli se:
Nuk ka rregull të brendshëm mbi magazinimin e materialeve, p.sh. fuçiat me karbit, mbahen bashkë me pjesë motorri, domixhana me alkol dhe acid sulfurik, mbahen me materiale që mund të shkaktojnë zjarr.
Bëhen shtesa linjash nëpër raftet e materialeve në kundërshtim me rregullin teknik.
Ka mungesë atë masave kundër zjarrit dukë përfshirë edhe makinën zjarrëfikse të vetë bazës, e cila ishte shpërdoruar dhe sishte zhveshur nga paisjet zjarrëfikse, etj.
Nga mungesat e konstatura vërehet se orientimet e dhëna për forcimin e gatishmërisë luftarake, duke përshirë edhe masat për ruajtjen e depove kanë ngelur vetëm detyra të ngritura nga ana teorike në plane, kurse në praktikë nuk është marrë asnjë masë.
Nga sa u tha më sipër arrijmë në këto konkluzione:
Seksioni i Sigurimit në Pashaliman dhe Dega e Punëve të Brendëshme në Vlorë, në këtë rast, nuk kanë kryer mirë detyrën. Në zbulimin në kohë të tentativave të armikut, ashtu dhe për pastrimin e bazës nga element të padëshirueshëm, që në fakt kishte si në ndërtim, ashtu dhe në repartin ushtarak. P.sh. në një rast që Sigurimi zbuloi se tre persona kishin biografi të keqe, problemin e çoi tek Komisari i Brigadës së Nëndetësve, i cili nuk i hoqi me pretesktin se nuk janë të rrezikshëm, kurse shokët e Sigurimit, megjithëse nuk ishin të bindur, s’e bënë problem më lart.
Shokët e shërbimit zjarrëfikës të Degës së Punëve të Brendëshme në Vlorë nuk kishin bërë përçapje pranë komandës për t’u futur në reparte, në mënyrë që të kontrollonin dhe ndihmonin për të marrë masa për mbrojtjen nga zjarri.
Komanda e këtij reparti si dhe ndërrmarja e ndërtimit nuk i kanë kushtuar kujdesin e duhur zbatimit të urdhërave të qeverisë (Nr.2 datë 15 prill 1967) për masat kundrra zjarreve, kërkesave për vendosjen e materialeve në depo, sigurimin e jashtëm të depos dhe kishin lejuar vendosjen në një ndërtesë të materialeve civile dhe atyre ushtarake.
Kontrollet nga ekipet e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore nuk janë shtrirë në sistemimin dhe kontrollin e materialeve ne depo, sigurimin e tyre dhe zbatimin e rregullave kundra zjarrit. Po kështu shokët e Ministrisë së Ndërtimit dhe të Komitetit Ekzekutiv në Vlorë, nuk i janë futur këtyre problemeve.
Duke u nisur nga mungesat e konstatura që çuan në ngjarjen e mësipërme:
Propozojmë
Të bëhet edhe njëherë problem, sidomos për objektet ushtarake zbatimi me rigorozitet i urdhëresës së qeverisë Nr.2. datë 15 prill 1967.
Të shikohet mundësia e futjes së shërbimit zjarrëfikës të degëve të P. të Brëndëshme edhe në objektet ushtarake, ose në pamundësi të organizohet ky shërbim nga Ministria e Mbrojtjës Popullore, duke vënë në gatishmëri si mjetet zjarr-fikëse, ashtu dhe personelin përkatës.
Për objektet ushtarake në ndërtim e sipër, përveçse kontrollit nga Ministria e Mbrojtjes Popullore, të ushtrohet kontroll edhe nga Ministria e Ndërtimit.
Duke u nisur nga të metat që u konstatuan gjatë kontrollit në depot e Pashalimanit, mendojmë që nga Ministria e Mbrojtjes Popullore, të kontrollohen edhe depo të tjera të çdo reparti.
Të metat që u vunë re në punën e Organeve të Sigurimit të Shtetit, të bëhen problem me tërë punëtorët operativë të Sigurimit, me qëllim që të prevenohet në kohë çdo tentativë e armikut në sektorin ekonomik.
DREJTORI I DREJTORISE SE I-rë
FEÇOR SHEHU
……………………………………………………………………………………………………………………………
Letra e ministrit Kadri Hazbiu për Hysni Kapon
Shoku Hysni
Lidhur me materialin që paraqitet nga Drejtoria e Sigurimit theksoj:
Gjendja është e e patolerueshme dhe komandat e organet përkatëse duhet të marrin seriozisht çështjen në dorë në mënyrë që të vendoset rregull. Ndryshe po të vazhdohet kështu, do të jemi përpara të papriturash në depot e ushtrisë.
Problemi sa vjen dhe vështirësohet, sepse materjalet shtohen, ato shpërnfdahen tani më shumë dhe ajo po i lë shteg shkeljes së rregullave të ruajtjes dhe humbjes së kontrollit.
Përpos Organeve të Sigurimit të Ushtrisë dhe terrenit, gjithashtu qëndrojnë detyra të rëndësishme dhe të vështira. Këto organe nuk po e kuptojnë dhe nuk po aplikojnë shpejt në kryerjen e detyrave, për të zbuluar shkeljet, e për më keq, për të luftuar pa papushim për ndreqjen e të metave.
Akoma vazhdojnë ta konsiderojnë detyrën e kryer vetëm me bërjen prezent të konstatimeve përpara komandave.
Prandaj, përveç dënimit, të propozohet për kuadrot përgjegjëse, në ç’rregullimet e reparteve, po provokojmë për këtë çështje një mbledhje me kuadrot e Sigurimit të Ushtrisë e të organeve të Punëve të Brendëshme.
Me respekt
KADRI HAZBIU
………………………………………………………………………………………………………………………………………………………
Letra e sekretarit të Parë të Komitetit Partisë së Vlorës, Petro Dode, për Komitetin Qëndror të PPSH-së
PARTIA E PUNES SHQIPERISE Sekret
KOMITETI I PARTISE RRETHIT Ekzemplar Nr.1
VLORE
Nr. 395
Lenda: Mbi djegien e depos në Pashaliman
KOMITETIT QENDROR TE P.P.SHQIPERISE
TIRANE
Siç kemi njoftuar më 26.IX.1968 rreth orës 21 e 30 në Pashaliman u dogj një depo ku kishte materiale të ndryshme të NSHN “Perlat Rexhepi” dhe repartit të Marinës Luftarake. Kjo është një ngjarje e rëndë politike mbi të gjitha dhe për arsye të vëndit dhe kohës kur ndodhi, veç kësaj dhe dëmi material është i madh.
Me gjithëse nuk dihet akoma me saktësi, u dogjën ose dolën jashtë përdorimit materiale me një vleftë prej rreth 500.000 Lekë. Bindja e deritanishme është se kemi të bëjmë më një diversion të shkaktuar nga elementë armiq.
Ka dhe një variant tjetër të mundshëm, por jo bindës, ai i djegies me qëllim nga ana e magazinierit dhe furnitorit, të cilët mund të kenë vjedhur dhe kanë shkatuar djegien për të humbur gjurmët dhe që përsëri është veprim armiqësor.
Hetimet për të zbuluar shkaqet dhe njerzit që dogjën depon vazhdojnë. Megjithkëtë ne kemi arritur në disa konkluzione ku më kryesoret janë këto:
Ka pasur mungesë të theksuar vigjëlence si nga drejtuesit dhe si nga organizata bazë e Partisë së NSHN-së ashtu dhe nga organizatat e Partisë dhe komanda e repartit ushtarak.
Janë shkelur udhëzimet që kanë të bëjnë me organizimin, funksionimin dhe sistemimin e materilaleve në magazina.
Në një kapanon të ndarë me tre depo me kompesatë ose pupulit ishin tre magazina, një e NSHN së dhe dy të repartit ushtarak.
Brenda në depo ishte vendosur një zyrë ku rrinin magazinieret, normistët, furnitorët etj. Në zyrë hynin e dilnin punonjës të ndryshëm dhe dyert e magazinave ishin të pasiguruara. Në këtë zyrë luhej shah, pihej duhan etj.
Nuk ishin marrë masat e duhura nga reparti ushtarak për të pasur në gatishmëri mjetet e ndryshme kundër zjarrit, mbi të gjitha nuk ishte në gatishmëri makina zjarrëfikëse.
Të gjitha këto i kanë lënë mundësi veprimi për elementët armiq. Theksojmë se në bazë gjatë këtyre dy vjetëve të fundit ka pasur edhe tre raste të tjera zjarri, si ai i nëndetëses, në depon e pambukut dhe një zjarr në mol.
Nuk ka pasur kontroll rigoroz mbi njerzit që hyjnë në këto objekte. Në organizatën e Partisë doli, p.sh. se: aty vazhdonin të hynin njerëz që kishin punuar më parë në bazë, por që ishin larguar apo përjashtuar më pas dhe figuronin ende në listën që mbahej në post-bllok.
Drejtuesit e NSHN-së megjithese kanë shkuar disa herë në objektin që ishte duke u ndërtuar, nuk kanë ndihmuar dhe të marrin masa për pjesën e tyre për rregullimin e anomalive që ka pasur në objekt.
Drejtuesit e bazës nuk kanë marrë masat e nevojshme të sigurimit për objektet e ndryshme të bazës.
Mbas ngjarjes që ndodhi, u morrën një seri masash të shpejta. U bë mbledhja e Byrosë së Komitetit të Partisë, u morrëm masa për sistemimin dhe rregullimin e depove të tjera të bazës.
U bë mbledhje me drejtorët dhe sekretarët e organizatave bazë të Partisë së ndërrmarjeve ekonomike për të nxjerrë mësime nga kjo, për të forcuar vigjëlencën revolucionare dhe për të kontrolluar dhe për të marrë masa serioze dhe të shpejta për anomalitë që mund të kish në ndërrmarjet e tyre.
Në NSHN “Perlat Rexhepi” u bë mbledhja e organizatës bazë të Partisë së kantierit të Pashalimanit. Janë marrë masa që depo e djegur të jetë gati jo më vonë se data 10 Tetor. Masa të tilla Partie dhe në rrugë shtetërore janë marrë edhe në repartin ushtarak të bazës.
Mbasi të nxirren edhe disa të dhëna të tjera, nga hetimet e të cilave po vazhdojnë, Byroja e Komitetit të Partisë do ta analizojë në mënyrë të veçantë këtë çështje për të nxjërrë mësimet dhe detyrat e tjera të nevojshme, lidhur kjo dhe me disa raste të tjera të zjarrit që kemi pasur gjatë kohëve të fundit.
Nga ana e Organeve të Drejtësisë deri tani janë arrestuar 3 veta Barjam Barjami, magazinier, Aleko Pango, teknik ndërtimi, si dhe komunisti Sherif Daupaj, normist, i cili u largua i fundit bashkë me Aleks Pangon nga zyra ku kishin pirë cingare dhe ku kishin luajtur shah dhe lanë hapur dritaren e magazinës.
Theksojmë se arrestimi i komunistit Sherif Daupaj, u bë pa autorizimin e Byrosë së Komitetit të Partisë. Për këtë ju tërhoq vërejtje shokëve të Degës dhe të Prokurorisë, që të respektojnë rigorozisht porositë e Komitetit Qëndror të PPSH-së mbi proçedurat e arrestimit të komunistëve.
Përveç këtyre është lejuar të bëhen hetime edhe ndaj anëtarit të Partisë, Ismet Bajrami, me detyrë furnitor në kantierin e ndërtimit, që është kushëri i parë i magaznierit që u arrestua dhe që furnizonte magazinën që u dogj.
SEKRETARI I I-rë K.P. RRETHIT
PETRO DODE
………………………………………………………………………………………………………………………………………………
Informacioni i Feçor Shehut për Komitetin Qëndror të PPSH-së
MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDESHME “TEPER SEKRET”
DREJTORIA E PARE Ekzemplar Nr. 1
Nr. 1915 Prot.
Tiranë, më 4.X.1968
INFORMACION
Mbi zjarrin e shkaktuar në depon e materialeve të ndërtim-montimit dhe materialeve të uzinës së Flotës në Pashaliman
Më datën 26 Shtator 1968 në orën 21 e 53’ ra zjarri në depon e lartë-përmëndur ku u dogjën materiale të ndryshme që ndodheshin në të, të cilat kapin një vleftë mbi 1 milion lekë.
Nga analiza që ju bë në vënd kësaj ngjarje, arrijmë në konkluzion se e ky akt është kryer:
Nga persona armiq me qëllim kundër-revolucionar, duke shfrytëzuar shrregullimet e mëdha që kanë ekzistuar në bazën e Pashalimanit.
Vlen të theksohet se objekti ushtarak, qysh nga Prilli i vitit 1967 kur u shfaq një zjarr në një nëndetëse, ka pasur edhe tre raste të tjera zjarri.
Një person që ndiqet nga Sigurimi në katundin Dukat, para se të digjej kjo depo, ka shprehur dëshirën për një akt të tillë.
DREJTORI I DREJTORISE SE I-rë
FEÇOR SHEHU /Memorie.al/
Komentet