Mes shumë penave nga shteti amë të përfshira në temën e futbollistëve të Kosovës që luajnë me Kombëtaren Shqiptare, reagimet më të shumta dhe më të kundërta i ka ngjallur shkrimi i Ben Blushit «Pavarësia e Kosovës nga Shqipëria». Fryma e shkrimit është pritur me entusiazëm dhe brohori nga ata që mëtojnë një Kosovë sa më pak nën ndikimin e shtetit amë. Është pritur me pakënaqësi dhe zemërim thënia e tij se «para 25 viteve Kosova ishte kolonia jonë artistike».
Shkrimi i Blushit, me një stil diku mes retorikës së fjalimeve dhe patosit të prozës së tij, i ndërtuar me sofizma të shumta, për hir të simetrisë mes anës së majtë dhe anës së djathtë të mendimit, ka rënë në një mori pasaktësish. Por më i pasakti është përfundimi se «Kosova ishte kolonia jonë artistike». Nëse i përmbahemi logjikës së këtij sofizmi do të dilnim tek përfundimi se këto 25 vite «shteti amë është kolonia artistike e Kosovës».
Edhe përfundimi paraprirës (precedent), edhe ai pasues janë të paqëndrueshëm. Në thelb ato janë fyese për të dyja anët e kufirit. Në fakt cilësimi «koloni artistike» apo koloni tjetërfare çfarëdo, sipas së cilës një pjesë e vendit apo e kombit ka qenë apo është «koloni» e një pjese tjetër, është shprehje e një mendësie që ka qarkulluar shumë më herët në qarqe të ndryshme – edhe kulturore – të shtetit amë. Në çdo vend dhe komb ka pjesë që, në periudha të ndryshme e në rrethana të ndryshme, mbetet prapa pjesës tjetër të vendit apo të kombit, sikurse, për anasjellë, ka pjesë që janë më të përparuara. Dhe ndikimet pozitive, si dhe ato negative, pavarësisht kohëve dhe rrethanave mund të jenë të pengueshme, por janë të pandalshme mes tyre.
Vetëm Mbretëria Jugosllave e kishte mbajtur Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare të atjeshme (Trojet e Robëruara) në errësirë të plotë, absolute, nuk kishte lejuar arsimin, dijen, kulturën, librat, gjuhën shqipe. Në këtë periudhë djem të Kosovës u shkolluan në gjimnazet dhe shkollat pedagogjike të shtetit amë, duke u bërë bërthama e fuqishme e klasës së re intelektuale shqiptare të atjeshme. Megjithatë, e vetmja periudhë ku Shqipëria (e bashkuar) ka luajtur rol të drejtpërdrejtë ndriçues (iluminist) ndaj Kosovës ka qenë ajo e Luftës së Dytë Botërore. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore u hapën shkollat anembanë ‘Trojeve të Çliruara’, u dërguan arsimtarë. Shumë shpejt pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova do të ishte shpërblyese jo vetëm ndaj shtetit amë, por edhe ndaj pjesëve të tjera të vendit e të kombit tonë në Maqedoni, Mal të Zi e jug të Serbisë, madje edhe ndaj diasporës arbëreshe e tjerë.
Diku nga pjesa e dytë e viteve ’80, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë erdhi nga Prishtina botimi i veprës poetike të Pjetër Budit. Ishte një nga shumë botimet e tilla të Rilindjes, tejet i realizuar. E kishim lënë të pinim kafe në Pallatin e Kulturës me Dhimitër Shuteriqin, gjyshin e Ben Blushit, me të cilin kam pasur komunikim shumë të mirë gjithnjë. Ia tregova botimin e Budit. Profesori më tha: “Mirë kanë bërë që e kanë botuar.” Dhe pasi e pa çehren time të ndryshuar, vazhdoi: «Kanë pasur mundësi ta botojnë dhe e kanë botuar më së miri.» Është absurde që vepra e Budit, e Bardhit, e Bogdanit e tjerë nuk mund të botoheshin në shtetin amë, ndërsa botoheshin në Kosovë. Profesor Shuteriqi vetë ishte studiues i zellshëm i shkrimeve të vjetra shqipe dhe ishte partizan i botimit dhe vlerësimit të Letërsisë së Vjetër Shqipe. Por pas Revolucionit Kinez në Shqipëri, i quajtur Revolucionairizim i Mëtejshëm i Jetës së Vendit, triumfoi politika e Koço Bihikut, nëndrejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe kryehartues i Historisë së re të Leterisë Shqipe, ku trashëgimia e Buzukut, Bogdanit, Budit dhe Bardhit konsideroheshin shkrime fetare dhe me vlerë vetëm dokumentare. Kështu, me një të rënë të lapsit, ai ia fshinte shekuj të tërë letërsisë shqipe.
Shembulli i dhënë këtu flet qartë për politikën botuese, kombëtare dhe iluministe, që ndiqte Kosova në atë kohë. Kosova do të botonte shumë më herët dhe në mënyrë shumë luksoze veprën e plotë të shkrimtarëve shqiptarë që nga ajo e Vjetër, tek Rilindja, Pavarësia dhe deri tek ajo pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk e botoi dot veprën e Fishtës dhe klerikëve të tjerë të mëdhenj katolikë, sepse nuk i lejonte regjimi. Kosova manifestoi vizion të mrekullueshëm kombëtar dhe iluminist, duke mos e parë veten të ngujuar në kufijtë shtetërorë apo administrativë, por si pjesë të tërësisë së kombit në çdo aspekt e, në radhë të parë, në aspektin kulturor. Kosova i shfrytëzoi të gjitha liritë e mundshme të Jugosllavisë titiste për ta dëshmuar këtë dhe për të qenë konkurruese në kuadrin e Federatës. Dhe ishte qëllimisht e hapur ndaj ndikimeve nga shteti amë.
E kundërta, krejt e kundërta, ndodhte në shtetin amë. Vetëm në fillim të viteve ’70 do të realizoheshin botimet e para nga letërsia shqipe bashkëkohore që krijohej në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare në ish Jugosllavi. Ato do të ndërpriteshin pas Plenumit IV duke u akuzuar si përhapëse të rrymave monderniste perëndimore në krijimtarinë letrare sidomos të të rinjve. Dhe do të rifillonin pas disa vitesh, me shumë ngadalësi, me shumë paragjykime, me shumë redaktime, me shumë prerje e qepje, nga të cilat nuk shpëtonte askush. Poezia shqipe, kritika letrare në Kosovë ishin më cilësore se ato në shtetin amë. Kjo pranohej privatisht me shumë ngurim dhe me shumë zor, por nuk pranohej zyrtarisht. Pikërisht në këto rrethana do të fillonte botimi i kolanës së poetëve shqiptarë të atjeshëm, si Mekuli, Podrimja, Shkreli, Dedaj e tjerë. Ato si rregull shoqëroheshin me një hyrje nga poetët më të shquar të shtetit amë, si gjest vëllazëror e krijues. Por vonoheshin tej çdo mase duke pritur të shkruheshin këto hyrje. Një fat të veçantë pati Din Mehmeti. Meqë hyrjen për muaj të tërë nuk po e shkruante askush, u detyrua vetë shefi i redaksisë ta shkruante si mundi atë. Në biseda private, të detyruar ta pranonin cilësinë e lartë të poezisë në Kosovë, e akuzonin atë se është refleks i poezisë së autorëve jugosllavë. Politika e Tiranës ndaj botimeve të krijimtarisë shqipe jashtë kufijve shtërore kishte qëllim të tregonte thjesht se atje ka edhe shqiptarë, ka edhe shqipe, ka edhe shkrime shqip. Dhe se vetëm për këtë ato botoheshin në Tiranë.
Në reagimet e bëra në Kosovë ndaj shkrimit të Blushit, atij ia numërojnë sukseset e shumta letrare, artistike, sportive e tjerë të shqiptarëve atje. Në kuadrin e miniperandorisë jugosllave, si në kuadrin e perandorive të dikurshme, shqiptarët kanë përjetuar shtypjen dhe persekutimet, por kanë pasur edhe sukseset e tyre në fusha të ndryshme. Për këtë do të shkruajë e do të flasë edhe historia. Dhe ajo patjetër do të pohojë se shqiptarët në Kosovë e trojet e tjera shqiptare atje kanë qenë orientuar kombëtarisht në mënyrë të shkëlqyer, kanë pasur rol atje ku kanë jetuar, kanë pasur ndikim dhe janë ndikuar edhe nga shteti amë, edhe nga pjesët e tjera të federatës, edhe nga bota. Dhe si shumë e përgjithshme do të dilte se këto ndodhnin në kushtet e hapjes së tyre ndaj shqiptarëve të tjerë e ndaj botës dhe në kushtet e mbylljes së shtetit amë ndaj qyetarëve të saj, ndaj shqiptarëve të tjerë dhe ndaj vetes.
Blushi, në këtë mënyrë, është një ngelës në lëndën e Kosovës. Por edhe shumë të tjerë nga ata që reaguan apo nuk reaguan ndaj shkrimit të tij, por që merren gjithnjë me dallimet mes Kosovës dhe shtetit amë e nuk merren pothuajse fare me përbashkësitë mes tyre, janë ngelës në lëndën e Kosovës. Ata shquhen për mungesë njohjeje ndaj Kosovës. Të tillë ka edhe në Prishtinën zyrtare, edhe në atë mediatike, kulturore apo intelektuale. Sikurse ka edhe në Tiranë ngelës jo vetëm në lëndën e Kosovës, por edhe në atë të shtetit amë. Sepse mësimet në këto lëndë nuk merren vetëm me të dëgjuar, nuk merren nëpër kanfenetë. Ato janë mësime që merren gjithë jetën. Ata shquhen për mungesë dëshire për ta njohur Kosovën apo edhe shtetin amë. Ata shquhen deri për mungesë shfletimesh në biblioteka apo kërkimesh internet. Nëse të paktën për Kosovën do të lexohej zëri përkatës në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, atëherë nuk do të dilej në përfundimin se ajo ishte ‘koloni artistike e Shqipërisë’ – çka, si e shënova më lart, çon drejt e në përfundimin se tashi ‘Shqipëria është koloni artistike e Kosovës’.
Zhvillimet pas Luftës së Ftohtë, kryesisht ato pas çlirimit të Kosovës, kanë përmbysur shumë nga skemat e paragjykimeve dhe gjykimeve të periudhave të deriatëhershme në raportet ndërshqiptare të të gjitha niveleve. Me intuitën e qytetarëve të thjeshtë, shqiptarët kudo i kanë ndier dhe kuptuar drejt këto zhvillime. Por krerët zyrtarë apo mendorë të tyre duket se janë të prapambeturit, pakaluesit, ngelësit në këto dy lëndë të rëndësishme të shqiptarisë..
Komentet