Një zjarr i dyshimtë me përmasa të mëdha ka rënë paraditen e djeshme në Bibliotekën Kombëtare në qendër të kryeqytetit, duke shkaktuar një dëm kolosal në librat me vlerë historike dhe të rrallë. Bëhet e ditur se, zjarri ka rënë rreth orës 10:40 në katin e nëndheshëm të godinës dhe si pasojë janë shkaktuar dëme të mëdha në Bibliotekën Kombëtare ku ruheshin letra me vlerë të historisë së kulturës sonë. Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur 3 zjarrfikëse dhe është dashur një orë për shuarjen e flakëve, ndërsa ende nuk ka një konfirmim zyrtar mbi dëmet e sakta të zjarrit.
Të gjithë punonjësit e Bibliotekës u evakuuan nga zjarrfikësit dhe policia, ndërsa një prej rojeve, Arjan Çeçit i ra të fikët, i asfiksuar nga tymi. Sipas repartit të zjarrfikëses, zjarri është favorizuar pasi ky kat i nëndheshëm lidhet me disa tunele, të cilat e përhapin flakën. Shkaku i rënies së zjarrit ende nuk është përcaktuar dhe punonjësit e zjarrfikëseve ende nuk kanë arritur në vatrën e zjarrit.
Pamjet pas fikjes së zjarrit në katet e poshtme të Bibliotekës Kombëtare tregojnë një barbari të vërtetë me librat e hedhur ngado nëpër bodrume. Nëse shihen me kujdes pamjet filmike, dallohet se katrahura nuk është vetëm pasojë e flakëve, por hapësira e pamjaftueshme bën që librat të mbahen stivë dhe në rrëmujë në çdo vrimë të mundshme. Pamjet janë vërtetë skandaloze dhe tregojnë degradimin e Bibliotekës Kombëtare, ku rënia e zjarrit, ka qenë e dyshimtë.
Burimet nga Biblioteka bënë të ditur se, flakëve nuk iu shpëtuan as librat më të vjetër dhe të rrallë të saj. Nuk ka një konfirmim zyrtar mbi sasinë e librave të djegur, apo rëndësinë e tyre, pavarësisht se burimet thonë se janë djegur libra të rëndësishëm.
Zëvendësministri i Kulturës Zef Çuni, tha se janë fare pak libra të djegur dhe pjesë e një fondi të parëndësishëm. Ndërsa drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani në një dalje për mediat, duke qeshur la të kuptohet se janë djegur libra, të cilët janë të rekuperueshëm, ndërsa thotë se nuk është prekur mjedisi ku ruhen vlerat e rralla dhe arkivi shqip i BKSH-së dhe as Baza Elektronike e të Dhënave Kombëtare të BKSH-së.
Studiuesit bëjnë të ditur se, zjarri ka shkrumbuar edhe disa dokumenta të rralla që ishin depozituar në Bibliotekën Kombëtare nga Biblioteka e Korçës për shkak se kjo e fundit po restaurohet. “Janë djegur tre kodikë të shekullit XVI-XVII të Manastirit të Shën Pjetrit dhe Pavlit Vithkuq të Kishës së Postenanit Leskovik dhe Kishës së Shën Thanasit Voskopjë. Dorëshkrimet e Profesor Spiro Konda, studime pellazgjike, pesë ungjilla me kapakë ari e argjendi të shekullit XVIII. Fondet e Liceut Francez Korçë, etj. Këto dokumenta të rralla ishin depozituar në Biblikotekën Kombëtare nga Biblioteka e Korçës, pasi është në restaurim”, u shpreh një studiues arti për gazetën.
Rënia e zjarrit në Bibliotekën Kombëtare ishte paralajmëruar, ndërsa nuk është marrë asnjë masë për parandalimin e tij. Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit, ndërsa drejtuesja e Bibliotekës u shfaq e entuziazmuar para mediave, duke deklaruar se dëmet janë të vogla dhe të riparueshme. Drejtoresha tha duke qeshur se, nuk janë djegur botimet e rralla, por dëme jo të konsiderueshme ka në botimet e pas viteve ’90. Ndërkohë, fshehja e realitetit të djegies së librave të rrallë është një tjetër krim që bëhet nga drejtuesit./RD
Me siguri do jene vjedhur disa libra e i kane vene flaken te mos kuptohet. Ma e pakta drejtoresha te japi doreheqjen. Kumbaro duhet te flasi per gjendjen. Apo memzi pret te thuhet se do te rikonstruktohet qe te behet ndonje tender