Personalisht ndjej kënaqësi kur marr pjesë Festivali Shqiptar i Worcesterit. Më pushton një gëzim kur ndodhem midis haresë festive të këngëve dhe valleve shqiptare, si edhe midis gatimeve aq të shijshme. Po ngazëllimi i festivalit të këtij viti kishte një motiv të tepër të rëndësishëm, çelja e tij do të fillonte me një lajm sensacional, se një segment i rrugës Salisbury Street të Worcesterit do të merrte emrin ”Skanderbeg Way” dhe oborri i festivalit tashme do të rrethohej nga rrugica me këtë emër. Ky emërim i ri i kësaj rrugicë me emrin e heroit tonë kombëtar “Skënderbeu” u arrit në saj të Peticionit, që hartuan veprimtarët e komunitetit “Bijtë e Shën-Mërisë si edhe treshja e Këshilltarëve Bashkiak shqiptar drejtuar institucioneve përkatëse shtetërore në kuadrin e 555 vetorit të shkuarjes në amshim të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Rifillimi i festivalit kombinoi bukur me këtë ceremoni.
Shënojmë se rruga Salisbury Street është pjesë nevralgjike e jetës qytetare në Worcester. Kjo rrugë, sipas mendimit të këshillit bashkiak, ka qenë e populluar prej shqiptarëve prej 130 e ca vjetëve më parë, dhe vazhdoi të popullohej më shumë, nga një dekadë në tjetrën. Prandaj dhe kisha e shqiptarëve u themelua ndanë saj në vitin 1982. Kurse Festivali Shqiptar, që zhvillohet në oborrin e saj , është 40 vjeç. Kështu që gjetja e një rruge si kjo për të përkujtuar emrin e heroit të kombit është gjetur me kujdes. Po komuniteti shqiptar i Worcesterit për gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2023 ka ngritur nivelin e jetës sociale kulturore edhe përmes aktiviteteve të tjera, duket se ka filluar një etapë e re, janë hapur tre katër shkolla shqipe, janë organizuar Lidhje dhe Shoqata atdhetare, janë mbajtur festivale, çdo 28 Nëntor shumë patriotë shqiptarë janë tubuar para bashkisë për ngritjen me ceremoni të Flamurit Kombëtar.
Një ngjarje tjetër, e cila u arrit po gjatë këtyre muajve, që ka edhe vlerë historike është lidhja me Horën e Arbëreshëvet të Italisë. Kjo lidhje midis arbëreshëve të Horës dhe shqiptarëve të Worcesterit ishte një lloj shprehje e nderimit për të parët stërgjyshëror të arbëreshëve, që u larguan nga Arbëria, po nuk harruan gjuhën, duke e mbajtur gjallë të folmen e tyre edhe sot. Ardhja e ekipit arbëresh nga Hora, a po (Piana degli Albanesi) këtu në festivalin e Worcesterit e shtoi edhe më tepër kuriozitetin. Ata ishin të ftuar nga organizatorët e festivalit, të cilët i mirëpritën me nderim, duke krijuar ura mendimi dhe komunikimi për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe si atje te “Hora” e vogël në Siçili dhe këtu në Amerikën e Madhe.
Njëri nga organizatorët e këtij aktiviteti festiv, më prezantoi me ta, pra me ata miq, që kishin ardhur nga Hora e arbëreshëve të Sicilisë, që quhet edhe Piana degli Albanesi . Më vjen mirë të shtoj se vëllezërit arbëreshë ishin personalitete të nderuar. I pari, me të cilin u takova ishte Rosario Petta, Sindaco i Horës, pra kryetari i Bashkisë së Piana degli Albanese. Për mua ishte prekëse, të prezantoheshim, dhe të bisedonim me arbërishten e Horës, që është afër gjuhës poetike të Serembes nga Strihgari, poezitë e të cilit i kam komentuar në orët e mësimeve të letërsisë arbëreshe.
Ndërkaq, Zoti Rosario më dorëzoi kartë-vizitën e tij, ku në syprinën e saj dallohej dukshëm stema e bashkisë së Horës me emblemën e flamurit tonë kombëtar, pra me fushën e kuqe me Shqiponjën dykrenore në mes. Dhe atëherë, vetiu, një ndjesi e ngrohtë kombëtare m’u duk se doli si një duf së brendshmi dhe i hodha dorën te supi Rosarios. Dhe, kur pashë se me dhjetra flamuj kombëtarë me shqiponjë, të valëviteshin në ajri, po si ajo shqiponjë, që dukej në kartë-vizitën e sindakos se Horës, u thashë miqve arbëreshë: Ky flamur me këtë emblemë na bashkon e na vëllazëron si shqiptarë kudo të jemi.
Arbëreshi tjetër, që shoqëronte kryetarin e Horës quhej Loris Castriota Skanderbegh (giornalista) , pra me origjinë prejardhjeje Skanderbejane po që aktualisht banon në Foggia. Që të dy këta arbëreshë kishin ardhur si vizitorë në Worcester, tok me zonjat e tyre, në rradhë të parë për të marrë pjesë në ceremoninë e emërimit të një rruge me emrin e Skënderbeg Way, po edhe për të njohur realitetin e një komuniteti shqiptar në Amerikë.
Duke folur për lidhjen simbolike midis emblemave të flamurit kombëtar dhe të kartë-vizitave po edhe të emblemës simbolike të Horës së Arbëreshëve (pra të Piana degli Albanesi). Ne u përpoqëm që bashkërisht të shpjegonim edhe ekzistencën reale të kësaj dukurie përbashkuese të Flamurit tonë, sepse” flamuri ynë është nga më të vjetrit në botë. Historia e tij tretet në mugëtirën e kohës historike” 1 shkruan në veprën e tij Eqrem Bej Vlora. Gjurmët e flamurit tonë i gjejmë qysh nga fjalët lavdëruese të Pirros, gjer te veprat e Plutarkut dhe Strabonit në antikitet, nga vepra e Marin Barletit dhe Biemmit në Mesjetë e deri te Baironi, Longfellow, Edith Durham, Maximilian Lambertzi, Robert d’Angeli, Julian Amery. Po ashtu edhe te veprat e autorëve shqiptarë të Rilindjes si Pashko Vasa, Naim Frashëri, Fan Noli , Gjergj Fishta, Asdreni, Abas Ermeni. Rast specifik për përtëritjen e flamurit tonë kombëtar, që duhet theksuar është ai i Prof. Zef Skiroit, i cili më 1885 botoi revistën “Arbëri i ri”, duke vendosur në kopertinën emblemën e flamurit. Ruajtje e pamjes figurative të flamurit është një punë e lavdishme, që nderon jo vetëm Prof. Zef Skiroi, po gjithë komunitetin arbëresh. Për këtë vlerësim nga ana jonë dy miqtë tanë arbëreshë u ndjen shumë të gëzuar.
Këtë shembull do ta ndiqte më vonë, në vitin 1900, edhe Faik Konica, kur do të botonte të përmuajshmen e tij të famshme “Albania” me shqiponjën dykrenore në ballinë.
Po gjurmë të forta të emblemës tonë i gjejmë edhe në vepra dokumentare, materiale, dhe figurative. Duke filluar me Statutet e Shkodrës, të cilat u zbuluan në muzeumin “Correr” të Venecias, ku shikojmë shqiponjën tradicionale me dy krerë. Sipas Prof. Lucia Nadin Statutet e Shkodrës janë hartuar para vitit 1446. Kjo studiuese e nxitur nga zbulimi i këtyre dokumenteve vitet e fundit, shkruan: “Gjetja e Statuteve të Shkodrës rihap një faqe shumë të ndritshme, të harruar të këtij vendi, i njohur vetëm si vendi i Shqiponjave”.
Një dëshmi tjetër materiale që flet për lashtësinë dhe adhurimin e të parëve tanë për flamurin është edhe epitafi në varrin e princit Gjon Muzaka, që gjendet ne Francavilla të Otrantos. “I plotfuqishmi Jezu , ty të falet këtu Gjon Muzaku, i biri i Gjin Despotit, Zoti i Myzeqesë dhe i Epirit, që nga qyteti i Bizantit trashëgoi shqiponjën dykrenore që e mbante në flamur, i dedikohet kurorë detyrimi në vitin e Krishtit 1510”. I ngjajshëm me këtë fakt duhet menduar si dëshmi me interes për simbolin kombëtar të shqiponjës edhe varri i nipit të Skënderbeut, Kostandin Kastriotit, që ndodhet në Kishën e Shën-Mërisë së Napolit, ashtu si e përshkruan edhe Eqerem Bej Vlora: ”Mbi varrin e nipit të Skënderbeut në kishën e Shën-Mërisë së Engjëjve në Napoli është vënë stema e tij: një shqiponjë heraldike me një yll të bardhë e vezullues pesëcepësh mbi të dy krerët”.
Këto dy episode të fundit tregojnë për lidhjen shpirtërore që kishin të parët tanë me simbolin e shqiponjës. Ata e adhurojnë atë në këtë jetë , po edhe, deri në amshim. Ashtu ata duket sikur thonë se edhe të vdekur ata janë mbajtës të flamurit, janë mbajtës të shqipes, janë shqiptarë për jetë të jetëve.
Shumë domethënës lidhur me emblemën e flamurit tonë është edhe një afresk i piktorit të famshëm Paolo Veronezi, i cili e ka realizuar ne murin e brendshëm të kishës së shqiptarëve San Sebastian në Venecia. Në qendër të këtij afresku duket një person , i cili ka veshur një këmishë të kuqe, ku i duket në gjoks e pikturuar shqiponja dy krenare. Ky përkushtim patriotik i stërgjyshërve tanë ndaj emblemës së flamurit kombëtar tregon një simbolik të fuqishme, sa i ka tërhequr frymëzimin edhe Paolo Veronezit, për të krijuar veprën e tij me vlerë historike dhe artistike.
Ndërkohë, ndërsa bisedonim me miqtë arbëreshe, po dëgjonim këngën melodioze “O e Bukura More”. Për mua qe shumë prekëse tek dëgjoja melodinë e kësaj kënge në prani të dy arbëreshëve, që kishin ardhur për vizitë nga vendlindja e asaj kënge, nga Hora e Arbëreshëve. Po duke dëgjuar këngën 500-vjeçare, që po ushtonte aq e gjallë në festival, nuk kish si të rrinim pa folur bashkërisht për vlerat e motivet e saj.
Kënga e ka zanafillën e vetë më 1534, me ardhjen e arvanitësve të Moresë në Piana degli Albanesi, një komune në Sicili. Këtë e gjejmë edhe në një kronikë, që ka të bëjë më një aksion detar të admiralit Andrea Doria, i cili, me urdhër të mbretit të Napolit, më 1534, komandoi në atë vit dyqind anije për të sjellë arvanitasit dhe helenët e Moresë në Napoli, për t’i shpëtuar nga barbaria turke. Shumë prej tyre do të vendoseshin në katundin “Piana degli Albanesi, nga goja e të cilëve do të dilte kënga “O e Bukura More”, që i drejtohet vendlindjes me mall, brengë dhe dëshpërim, sepse kishin lënë pas njerëzit më të dashur, që nuk do t’i shihnin më kurrë, për shkak të dhunës dhe të mizorisë së turqve, që kishin pushtuar Morenë, Helladën si edhe Arbërinë:
O e bukura More,
Çë kur të lje,
Më nigjë të pe;
Atje kam unë Zotin- Tatë,
Atje kam u mëmën time,
Atje kam u tim vëlla.
O e bukura More
Që kur të lje
Më nigjë të pe 9
Nga kjo këngë kuptohet se arvanitasit e Moresë, janë arbëresh të cilët kanë emigruar dhe janë ngujuar atje, në More, shumë e shumë kohë para pushtimit turk. Ata ishin bërë vendas, po duke ruajtur identitetin e tyre gjuhësor.. ., Për këtë arsye ata i këndojnë me ngashërim Moresë si vendlindjes së tyre të lashtë- “O e Bukura More”. Kurse arbëreshët e ikur nga Arbëria në Itali, në kohën e pushtimit turk , ndryshe nga ata, të moresë , i drejtohen mëmëdheut me apelativin Arbëri:
Arbëri, matan detit na kujton,
Se ne të huaj po jemi te ky dhe!
Sa vjet shkuan! E zemra nuk harron
Që turku na la pa mëmëdhe.
Kështu edhe nga nëndialekti, a po e folmja e tyre, kuptohet se kemi dy lloj eksodesh me gen iliro- arbëror, që u vendosën në Itali, duke formuar koloni, katunde a po qyteza shqipfolëse; pra, figurativisht kemi dy rrjedha të një gjaku dhe një gjuhe, që historia për shekuj i pat ndarë në trojet e tyre dhe koha i bashkoi në shtigjet e eksodit gati biblik.
Për arbëreshët e Moresë (arvanitasit), që këndojnë këngën “O e bukura More”, nuk ka diskutim që janë vendës në More (Peloponez) dhe vazhdues të stërgjyshërve të tyre, para pushtimit turk, që nga koha e Bizantit, po, pse jo, edhe ajo e periudhës të fiseve pellazgo-ilire, në ato troje, ku i kishte parë dhe dëgjuar Herodoti si në More, në Lemnos, në Thesproti a po në Atikë. Po, ndërkohë, edhe pse të veçuar gjeografikisht nga trungu arbëror, për arsye të ndryshme historike, arbëreshët e Greqisë, arvanitasit, i kanë rezistuar kohës, duke ruajtur gjuhën, këngët, dhe zakonet e të parëve. Gjuha e tyre amtare është e arbërishtes së hershme, që në gjuhësi, për veçantinë e saj, është quajtur nga Prof.Sh.Demiraj, edhe arbërishte arkaike.
Pikërisht me këtë të folmen e tyre karakteristike, arvanitasit e ardhur nga Moreja në Piana dei Albanezi të Siçilisë, ( që sot njihet edhe me emrin Hora Arbëreshe), na kanë sjellë këngën mbresëlënëse, “O e Bukura More” që na emocionon sa herë e dëgjojmë.
Dhe ashtu, nën tingujt e melodive të festivalit mbarëshqiptar të Worcesterit biseda jonë me miqtë e nderuar arbëreshë nga Hora(Piana degli Albanesi) po mbaronte dhe unë atë çast pata dëshirën, që t’ju dhuroja dy libra të mi të kohëve të fundit, “Himni i Flamurit- Simbol Mbarë-kombëtar” dhe “Etnonimi Shqiptar”, që trajtojnë tematika nga tradita jonë patriotike , me subjekte etnokulturore, simbole kombëtarë dhe motive arbërore. Në mbyllje të bashkëbisedimit, Z. Petta, duke na falenderuar, tha “se për ne arbëreshët këto komente dhe libra janë shumë të rëndësishme, sepse ne përmes tyre mund të ndjekim më me saktësi problemet jetës sonë arbërore”. Kështu u ndamë vëllazërisht me shpresë që mund të takohemi një ditë përsëri.
Aritstotel Mici
Masaçusets-Boston
10-VI-2023
_________________________________
9 Fjalët e këngës janë sipas variantit që jep Dh.Kamarda (1821-1882) në librin e tij “Apendice al Saggio di grammatologia Comprata Sulla Lingua Albanese, botuar më 1866, duke pasur për bazë dorëshkrimin e Kieutit, 1708.
10 Vargje nga poezia “Vrull” e librit Vjersha të Zef Serembes, Tiranë, 196