Fabian Kati dhe Arian Kalari janë dy nga mbi 5 mijë shqiptarët që tentuan të thyejnë kufirin që ndante Shqipërinë nga ambasadat e vendeve perëndimore në korrik 1990.
Hyrja në ambasada në atë kohë dhe kërkimi i azilit politik, ishte goditja e parë e madhe dhe masive që regjimi i Ramiz Alisë po merrte në verën e 1990 kur të gjitha vendet komuniste të Europës Lindore kishin rënë. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Fabian Kati rrëfen peripecitë dhe panikun e përjetuar deri në momentin që ka hipur në tragetin që do ta çonte drejt Italisë. Kati pas Italisë, ku përfundoi studimet për Shkencat Politike, u shpërngul në Angli, ku përfundoi edhe studimet Master. Prej 20 vitesh merret me filmat dokumentarë si producent.
Arian Kalari, shoku i Fabian Katit, tregon se si dështoi përpjekja e diasporës shqiptare në Botë, por dhe e SHBA-së për të ngritur nga një grup i përzgjedhur prej tyre i një opozite që do t’i kundërvihej regjimit komunist në ditët e fundit të tij. Sipas Katit dhe Kalarit, amerikanët zgjodhën të mbështesnin aktorët e rinj politikë në Tiranë si Sali Berishën dhe PD-në e krijuar në dhjetor të 1990 dhe e lanë në harresën përpjekjen disamujore për të organizuar të rinjtë e ardhur nga ambasadat.
Arian Kalari është diplomuar në 1988 në Skulpturë Monumentale. Pas mbërritjes në Itali, si një ndër 5 mijë shqiptarët e parë që shpërthyen dyert e ambasadave në Tiranë, më 2 korrik 1990, Kalari vendoset në Firence, në tokën e Rilindjes dhe studion nga afër artistët e mëdhenj italianë. Arjan Kalari sot numëron me dhjetëra punime të tij në sheshet kryesore të Italisë, por dhe pjesëmarrës në shumë ekspozita ndërkombëtare në të gjithë botën.
Hyrja në ambasadat perëndimore në 2 korrik 1990 ishte një operacion i përgatitur apo spontan?
Fabian Kati: Hyrja në ambasada ishte sinjali i parë që u dha masivisht. Duke hyrë nëpër ambasada krijuam një destabizilim, një thyerje për sistemin monist, i cili në vetvete ishte në një krizë të madhe ekonomike, gjeopolitike, sepse po binin të gjitha sistemet komuniste të Lindjes. Pamja edhe për ne shqiptarët filloi të bëhej e dukshme në verën e 1989, kur turistë gjermanolindorë që shkonin në Hungari kalonin më pas në Gjermaninë Perëndimore. Më pas patëm në dhjetor rënien e Murit të Berlinit. Ne kishim rreth një vit që diskutonim me shoqërinë tonë se çfarë mund të ndodhë në Shqipëri që të bëhej si në Europën Lindore. Në janar të 1990-ës, u hap fjala se do bëhej një demonstratë antikomuniste në Shkodër. Por, pati edhe një ngjarje e cila kishte 5 vjet që kishte ndodhur dhe nuk po merrte dot zgjidhje, drejtim.
Ishte ngjarja e vëllezërve Popa, të cilët hynë në ambasadën italiane, kërkuan azil politik dhe kishin mbetur aty. Nuk kishin arritur t’i dërgonin në Itali. Në fund të majit 1990, u përgatit vizita e Javier Pérez de Cuéllar, ish-sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Shqipëria kishte kërkuar kredi dhe ndihma nga bankat perëndimore, të cilat kishin vënë kusht që Shqipëria të firmoste Kartën e Helsinkit. Gjatë kësaj vizite të De Cuéllar, u arrit marrëveshje dhe për largimin e vëllezërve Popa nga ambasada italiane rreth fundit të majit 1990. Nga ana jonë, kjo u interpretua si një cedim i qeverisë dhe në fillim të qershorit, kanë filluar grupe të vogla që të tentonin hyrjen nëpër ambasada të fuqishme. Një grup erdhi nga Sauku dhe hyri në ambasadën italiane, aty ku sot është ambasada amerikane.
Ishin 5 persona, Burhan Kalaja një prej tyre, që shpërthyen derën e hekurt me kamion dhe hynë në ambasadën italiane. Të tjerë tentuan në ambasadën turke, të tjerë në ambasadën greke, me autobus nga rrugica e pasme, e parkuan autobusin ngjitur me murin dhe u hodhën brenda përmes tavanit të autobusit. Këto ngjarje ishin në qershor 1990. Në fillim të korrikut, u shtua hyrja në ambasada nga individë dhe ne e merrnim vesh këtë gjë. Policisë së ruajtjes së ambasadave iu dha urdhër që të mos veprohej ndaj këtyre personave. Nuk e di kush ka qenë arsyeja. 2 korriku ishte dita e parë kur policët haptazi nuk të kundërshtonin, nëse ti tentoje të hyje në çfarëdo ambasade. Kjo gjë vazhdoi deri në 5 korrik, hynin, dilnin derisa në datë 6 u mbyll dhe u vendosën forca policore që të mos hynin më të tjerë.
Ishte një lojë e Policisë, apo e sistemit që të fillonte hapja përmes kësaj rruge, sepse është thënë në këto vite, se edhe 2 korrikun e lejoi sistemi monist, duke parë se njerëzit nuk po merrnin guximin që të kërkonin ndryshimin. Ndoshta hyrja në ambasada e kontrolluar mund të kishte më pak pasoja për sistemin?
Fabian Kati: Unë mendoj se sistemi komunist bëri një provë se deri ku do shkonte kjo punë. 2 korriku u mor vesh shpejt dhe nisën të vinin dhe nga rrethet. Nëse ky fluks do lihej i lirë, numri i shqiptarëve në ambasada do të ishte i konsiderueshëm dhe nuk dihej se çfarë konflikti mund të krijohej. Në 6 korrik u mbyll gjithçka, ne mbetëm brenda ambasadës italiane, flas për veten time.
Në atë kohë erdhi në Tiranë erdhi zëvendësi i Pérez de Cuéllar, në OKB, i cili negocioi me qeverisë shqiptare për menaxhimin e kësaj krize. Ne na pajisën me pasaporta udhëtimi për jashtë shtetit dhe na nisën jashtë shtetit. Hapja e ambasadave u bë si një lloj fizarmonike, që hapej dhe mbyllej. Ideja e tyre mund të ketë qenë t’i lemë dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse nuk do futeshin njerëz, ata forcoheshin në përpjekjet që kishin me OKB-në, ne jemi në rregull dhe populli është me ne, nuk e kundërshton regjimin. Ndërkohë që u duhej testimi. Nëse testimi do t’i shkonte ashtu siç shkoi, pra pati dyndje të njerëzve dhe me mijëra u bllokuan, atëherë ndërhyri Policia dhe e bllokoi hyrjen në ambasada.
Arjan Kalari: Unë mendoj se ishte e përgatitur që hyrja në ambasada të bënte një amortizim të një revolucioni që pritej të ndodhte në Shqipëri, si vendi i fundit komunist që kishte mbetur nga blloku i Lindjes, që situata të mos shkonte në një konflikt social. Pra, ambasadat ishin një valvul për të shfryrë presionin e madh të akumuluar në Shqipëri ndaj regjimit komunist. Në momentin që Policia ndërhyri dhe bllokoi hyrjen e njerëzve në ambasada, atëherë sigurimi kaloi në një veprim tjetër, infiltroi njerëz të tij brenda në ambasada, mes nesh.
Pse pati edhe të infiltruar në radhët e atyre që kishin hyrë në ambasada? Si i kuptuat?
Arjan Kalari: Disa persona hynë në ambasada pas ditës që Policia kishte bllokuar hyrjen, atëherë kur nuk hynte më njeri. Dikush e njihte, dikush dyshonte se përse hyri në një moment kur u mbyll për të tjerët. Nga ana tjetër, ne kishim hyrë grupegrupe mes shokësh dhe miqsh, ai që hynte në atë moment, s’kishte lidhje me askënd. Thërriste dikush: Spiuni! Dhe i lëshoheshin atij, i kanë rrahur në oborrin e ambasadës deri sa i ndanin punonjësit e sigurisë. Ishte një shfryrje e egër e asaj që kishim kaluar nga regjimi.
Ju vinit nga një familje e persekutuar?
Fabian Kati: Po, ishim të persekutuar nga regjimi i Hoxhës. Xhaxhai im, Vasil Kati, babai i Kozara Katit, ish-ministër i Tregtisë së Jashtme, ishte dënuar me 15 vite burg, ndërsa familja e tij u internua në fshatrat e Fierit.
Pati edhe nga ata që hynë në ambasada dhe një moment vendosnin të dilnin, çfarë presioni kishit ju aty?
Fabian Kati: Them se për ata që dilnin, ishte një presion kryesisht familjar. Unë isha 26 vjeç dhe i kisha marrë parasysh të gjitha. Të tjerët që kishin familje, nënën, apo familjarë që ishin në punë, kishin presion dhe thyheshin dhe dolën. Kishte edhe nga ata që për shkak të kushteve brenda në ambasada, paqartësisë, presionit psikologjik me kohën si do zgjidhej kjo krizë, çfarë do ndodhte, kishte nga ata që cedonin dhe dilnin. Por kam parë edhe skena me njerëz që sëmureshin edhe nga vapa, kishte gra shtatzëna, nëna me fëmijë fare të vegjël, edhe bebe dhe nuk duronin dot.
Çfarë komunikimi kishit me punonjësit e ambasadës italiane për të kuptuar diçka se çfarë po ndodhte dhe çfarë pritej?
Fabian Kati: Unë personalisht dija italisht dhe kjo ishte arsyeja pse zgjodha ambasadën italiane. Ne ishim një grup prej 5 vetash kur hymë në ambasadë dhe ishim ndër të parët në atë ambasadë. Unë kërkova takim me ambasadorin ose një sekretar të ambasadës. Një nga sekretaret e ambasadës, një Gabriela, më tha se do t’ia transmetonte ambasadorit këtë kërkesë. Pas 2 orësh, na thirri dhe takuam ambasadorin italian. Ne i thamë se kërkojmë azil politik dhe mbrojtje nga ju. Unë i thashë se jam i dënuar politik dhe kërkon mbrojtjen e shtetit italian.
Ambasadori tha se tani që keni hyrë në ambasadë jeni në territorin italian dhe nuk ka për t’ju ndodhur asgjë. Nëse ju ndodh diçka, kjo do të jetë një gjë shumë e keqe për qeverinë shqiptare. Prandaj, na tha që të qetësohemi dhe të kishim besim se do të zgjidhej kjo situatë. Kjo fjalë vlente për ne në ato momente. Pas dy ditësh, pasi u shtua dhe numri i personave në këtë ambasadë, erdhi edhe zëvendësi i Pérez de Cuéllar dhe na foli tek oborri i ambasadës. Përkthyes i tij ishte Zef Mazi, punonjës i Ministrisë sonë të Jashtme. Ai na tha se “kishte ardhur për të na mbështetur ne. Janë disa ambasada ku kanë hyrë njerëz, do të shkoj të flas edhe tek ata, qëllimi im është që sa më shpejt ju të shkoni për atje ku jeni nisur.
Por kjo kërkon që të ketë dialog dhe bisedime me qeverinë shqiptare në mënyrë që të mos përdori metoda të forta, por të biem në një marrëveshje që ju të pajiseni me pasaporta”, tha zëvendësi i Pérez de Cuéllar. Pati goxha entuziazëm nga kjo fjalë. “Ne nuk ju dorëzojmë ju, ju jeni heronj!”. Ai u rikthye pas 5 ditësh dhe tha se vinte me një lajm të mirë, duke filluar nga e nesërmja do të vinin aty disa punonjës të Ministrisë së Brendshme për të përgatitur pasaportat. Dhe ashtu u bë. Na bënë fotografitë dhe pas 3 ditësh erdhën punonjësit e Ministrisë duke na plotësuar pasaportat. Të nesërmen në darkë, u nisëm për në portin e Durrësit.
Kur është bërë transportimi juaj?
Fabian Kati: Ne jemi nis në orën 2 të natës. Na nisën me autobusë drejt Durrësit, por diku nga Sukthi, autobusi ynë ndalon. Ndalesa zgjati rreth çerek ore. Në këtë moment, i pashë të gjithë që kishin mbetur pa gjak në fytyrë nga tmerri, frika duke pritur që në atë moment të ndërhynin forcat speciale, të na arrestonin, të na vrisnin dhe të na hidhnin në ndonjë kanal. Edhe vetë ashtu ndjehesha. Pati një heshtje vdekjeje, panik që lexohej në të gjitha fytyrat. Më pas vijuam rrugën, nuk kuptuam arsyen pse ndaluam.
Autobusët nga ambasadat drejt portit të Durrësit lëviznin në autokolonë, me eskortë?
Fabian Kati: Jo, lëvizja ishte individuale, sepse kur dilte një autobus nga ambasada italiane, për shkak se në rrugët e Tiranës kishte me mijëra njerëz dhe pse ishte ora 2-3 e natës, donin që të shmangnin prezencën e njerëzve në rrugët nga do kalonin autobusët. Dhe për këtë qëllim njëherë i kalonin autobusët nga rruga e Durrësit një herë nga rruga e Kavajës për të ikur drejt Durrësit. Dhe turmat e njerëzve vraponin sa nga një rrugë sa në tjetrën. Autobusin tonë e kanë ndjekur me vrap dhe me biçikleta nga Rruga e Elbasanit ku ishte ambasada italiane, deri te Zogu i Zi dhe na përshëndesnin me dorë e me thirrje si fitore më e madhe që mund të kishte ndodhur.
Ishte e paimagjinueshme! Po kishte dhe një moment disi pikant nga kjo aventurë, ishte çasti kur arritëm në portin e Durrësit. Ishte një distancë rreth 50 metra nga vendi ku ndaloi autobusi e deri te hyrja e tragetit, errësirë e plotë, e mbushur me policë, civilë, njerëz të pushtetit që kishin krijuar një lloj kordoni njerëzor. Kur dola unë nga autobusi dhe iu drejtova tragetit, filluan të më shanin, “tradhtar”, “qen bir qeni”, “kriminel”, “fundërrina” etj. etj. Kur arrita te trageti, do të hyja nga platforma nga hyjnë sot makinat për në traget, kishte prozhektorë, drita të fuqishme, dhe kishte me qindra gazetarë, italianë, amerikanë, francezë, grekë me jelekët e tyre ku shkruhej “Press”, me kamera, mikrofona në pritje të njerëzve që vinin nga ambasadat. Ata nuk i kishin lejuar të zbrisnin në tokë. Sapo hyra në traget, ata shpërthyen në brohoritje, përqafime, sikur ishin miq dhe të njohurit tanë. Aty filluan intervistat e para. Vetëm në atë moment e ndjeva veten 100% të sigurt se jeta ime nuk rrezikohej më.
Si ju trajtuan në traget?
Fabian Kati: Trageti ku unë hipa ishte i fundit, 4 apo 5 të tjerë ishin nisur para tij. Ky traget ishte grek, me staf dhe kapiten grek. Kishte shumë nga ata që kishin hyrë në ambasadën greke, gjermane, franceze dhe italiane. Mua më bëri përshtypje kapiteni grek, ku unë ndjeva diskriminimin e parë të botës perëndimore. Kur hipëm lart në sallën e restorantit të tragetit, na ftuan që të hanim çfarë të na kishte qejfi, ishte vetëshërbim. Ne ishim të gjithë të uritur, sepse kishin një javë a më shumë që hanim një herë në ditë. Një copë bukë me djathë, po ta kapje, se ndodhte dhe që mos arrinte deri te ty.
Pse kishte probleme në ambasada me ushqimin e personave që kishin hyrë aty?
Fabian Kati: Këtë e kam të treguar nga stafi italian i ambasadës, gjatë ditëve që ne qëndruam në ambasadë, u bë problem puna e bukës, sepse dyqanet e bukës nuk u jepnin bukë të huajve, sepse e dinin se për çfarë do ta përdornin. Kështu ambasada italiane niste dy makina, njërën drejt veriut dhe tjetrën drejt jugut deri në Vlorë dhe blinin bukë në qytete të ndryshme, pak këtu e pak atje, nga 2-3 bukë në çdo dyqan dhe ktheheshin pasdite në ambasadë me bukën që duhej për 700 persona për t’u ushqyer. Në traget, kapiteni grek në altoparlant foli greqisht dhe këtë na i përktheu njëri që dinte greqisht: “Kush është në këtë traget me origjinë greke, është i ftuar në restorantin e kapitenit në katin e dytë!”. Aty kuptova për herë të parë që edhe perëndimi kishte diskriminim! Ata që dinin greqisht, u lumturuan menjëherë.
Kur mbërritët në Itali?
Arian Kalari: Në mëngjes ne arritëm në Brindisi. Edhe këtu është një moment tjetër i bukur. Kur zbritëm në portin e Brindisit, ishte plot me turistë skandinavë, mesa kuptonim, që prisnin tragetet për në Greqi. Ata nuk kishin idenë se çfarë ishim ne që po mbërrinim në port. Në momentin që po ankorohej trageti, ne kujtuam se turistët ishin italianë që kishin dalë të na prisnin ne. Të gjithë nisëm të thërrisnim: “Italia”, “Italia”, “Viva Italia”. Në port ishte një oficer gjerman me grada, i cili fliste shumë mirë shqipen dhe fliste në megafon: “Kush do të qëndrojë në Itali të marrë autobusët majtas, kush do që të shkojë në Gjermani, të marrë autobusët djathtas!”.
Për një moment mua më pëlqeu ideja se mund të shkoja dhe në Gjermani, kisha mundësi zgjedhjeje. Flas me një shokun e vëllait, si t’ia bëjmë? Ai më thotë “rrimë më mirë në Itali se italianët janë si ne, më komunikues, gjermanët janë më të ftohtë..!”. E vendosa të qëndroj në Itali dhe pse më mirë do kisha bërë të shkoja në Gjermani. Por për ne Perëndimi ishte i gjithi njëlloj, ne nuk bënim dot diferencime, mjaftonte që të largoheshim nga Shqipëria. Por më vonë më pëlqeu Italia, sepse zgjodha të qëndroj në Toskana, ku gjeta lirinë, jetën shpirtërore, inspirimin artistik dhe pse jo vendi për të bërë para.
Si ishte përballja juaj me Perëndimin?
Fabian Kati: Vetë Perëndimi kishte diferenca mes shteteve. Në total mënyra se si ata na pritën ne ishte krejt ndryshe nga mënyra sesi u pritën shqiptarët që mbërritën një vit më vonë me anije në Brindisi apo Bari. Ne na krijuan shumë lehtësira, kushte shumë të mira, na mbajtën gati një vit nëpër hotele me 4 dhe 5 yje, në kushte fantastike. Ajo që na bëri përshtypje, ishte pritja që na bëri kryetari i Bashkisë së Firences, Giorgio Morales, në një anketë në Palazzo Veçhio, që italianët e quajnë “La sala dei 500”, salla ku janë bërë marrëveshja e Hitlerit me Musolinin, salla e pritjeve dhe ngjarjeve të mëdha të historisë botërore. Kjo sallë u hap për gati 40 shqiptarë që kishin ardhur nga Shqipëria. Pas marsit 1991 dhe fluksit të madh të shqiptarëve me anije në Itali, ndryshoi krejtësisht dhe perceptimi i italianëve për shqiptarët. Më pas na quajtën “albanesi”, nuk ishim më “artistët që kishim sfiduar regjimin komunist të Enver Hoxhës.”
Si ishte trajtimi juaj pas mbërritjes në Brindisi?
Arjan Kalari: Fillimisht na vendosën në një ish-bazë ushtarake e NATO-s. Aty kanë ardhur dhe na kanë takuar çfarë kishte mbetur nga Diaspora e vjetër e shqiptarëve, nga Europa dhe SHBA-ja, Arshi Pipa, njerëz të Leka Zogut etj. Interesi i diasporës, por dhe i Perëndimit ishte se si t’i organizonim të sapoardhurit për të përmbysur regjimin komunist në Shqipëri. U krijuan disa grupe me orientim politik. Në atë moment nëse do të ishte vullneti i palës italiane do të ishte krijuar një formacion politik shumë i fuqishëm kundër regjimit të Ramiz Alisë.
Ata i individualizuan rreth 20 veta që nisën t’i mbështesnin. U thanë në këto takime gjëra konkrete, do hapej një radio në Bari e ngjashme me “Europa e Lirë” që do të transmetonte në shqip dhe pak më vonë edhe një kanal televiziv që do të fillonte pak më vonë, sepse nevojiteshin fonde. Por, e gjithë kjo nismë u shpërbë çuditërisht në harkun e 3 muajve. Takimet zhvilloheshin me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, të Brendshme italiane, por ishin amerikanët që u përfshinë në këtë drejtim.
Por në dhjetor 1990, amerikanët vendosën të mbështesin faktorin e brendshëm, Sali Berishën dhe PD-në, e cila në dhjetor u shpall si parti politike. Iniciativa për të krijuar një parti politike me të ikurit e ambasadave mbeti në mes. Nga korriku i 1990-ës, ngjarjet e ambasadave dhe deri në dhjetor 1990 ishin decizive për demokracinë në Shqipëri.
Ju keni studiuar me Kryeministrin aktual Edi Rama?
Arian Kalari: Unë kam qenë shok shumë i ngushtë me Edi Ramën, ai ishte shumë idealist në atë kohë dhe për mua vazhdon të jetë. Unë kam hyrë me vonesë në Institutin e Arteve. Duke qenë edhe i mbrojtur nga familja, ishte më rebel se ne të tjerët dhe fliste pa doganë, saqë babai i tij, Kristaq Rama, më thoshte “aman thuaji të mos flasë shumë, se do ta kapin dhe do ta fusin brenda, se ty të dëgjon”. Unë isha më shumë shok me Kristaqin sesa me Edin. Mua më thërrisnin “Kuqo”. Unë isha mik shtëpie me familjen e Edi Ramës, rrinim gjithë kohën bashkë, në plazh shkonim bashkë.
Edi Ramës nuk iu prish mendja që të hynte në ambasada më 2 korrik?
Arian Kalari: Mbase e kishte ndërmend, por unë ato ditë nuk u takova me Edin, por me shokët që takohesha, ftonim njëri-tjetrin për të hynë në ambasada. Unë takova një kitarist, Agron Hodon, dhe e pyes a do hyjmë në ambasada? A do hyjmë, çfarë do bëjmë?! Ai më thotë: e kemi lënë që të iki brinja! Kjo do të thoshte që nga familja do sakrifikohej njëri, të tjerët duhet të rrinin me prindërit se nuk i dihej se çfarë mund të ndodhte më pas. Unë isha “brinja” e familjes time. Me Edin u takova më pas kur shkoi në Francë ku ai ishte i lidhur mirë me galeritë dhe e njihte mirë sesi funksiononin galeritë./panorama